Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Statistikat

Sa shqiptarë jetojnë në varfëri
-Rreth 29.6 % e shqiptarëve janë të varfër, ndërsa gjysma e kësaj kategorie (14.8) jetojnë në varfëri ekstreme
- Një familje në tre përjeton probleme të strukturës së banimit
-Vdekshmëria foshnjore dhe ajo deri në 5 vjeç janë relativisht të larta krahasuar me vendet e rajonit, vdekshmëria amtare është gjithashtu e lartë
-Pothuajse një në 7 fëmijë nën 5 vjeç (14 %) është i kequshqyer
-Vihet re rritje e analfabetizmit (vetëm 88 % e popullsisë mbi 15 vjeç është në gjendje të shkruajë dhe të lexojë)
-Rreth 75 për qind e familjeve të varfra, përveç mungesës së të ardhurave, përjetojnë edhe probleme të mprehta sociale.

Varfëria

1 në 6 familje jeton me më pak se 1 $ në ditë
Mbi 29.6 % e shqiptarëve janë të varfër, ndërsa gjysma e tyre jeton në varfërisë ekstreme. Varfëria është e përqëndruar kryesisht në zonat rurale: ndër 5 të varfër, 4 jetojnë në fshat. Sipas statistikave 1 në çdo 6 familje jeton me më pak se 1 dollar në ditë për person dhe pothuajse një në dy familje jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë për person. Shpërndarja e mirëqënies sociale ndërmjet zonave urbane dhe rurale është gjithashtu joproporcionale: 28 për qind e popullsisë rurale përfshihet në varfërinë ekstreme.

Kukësi, Bulqiza, Dibra, Librazhdi, Puka dhe Gramshi janë qytetet që kanë më shumë familje që jetojnë në skajet e varfërisë ekstreme
Statistikat tregonë se 50 % e të varfërve janë të vetëpunësuar në bujqësi, 20 % janë pensionistë dhe 10 % janë të punësuar në sektorin jobujqësor. Rreth 60 % e atyre që përfitojnë pagesë papunësie janë të varfër

Varfëria

Strategjia Kombëtare e Zhvillimit Ekonomik dhe Social ka si objektiv reduktimin e varfërisë në vend

Më shumë se 29.6 % e shqiptarëve jeton në skamje

1 në 6 familje jeton me më pak se 1$ në ditë për person dhe 1 në 2 familje jetojnë me më pak se 2 $ në ditë për person

Bledjana Beqiri
Thellohet gjithmonë e më shumë hendeku i njerëzve që jetojnë në varfëri. Numri i familjeve që jetojnë në skajet e varfërisë është tepër i lartë në vendin tonë. Rreth 29.6 % e shqiptarëve janë shumë të varfër dhe gjysma e tyre jetojnë në varfëri ekstreme me më pak se 1 dollar në ditë. Edhe sipas Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social një e katërta e popullsisë shqiptare është e varfër, pjesa më e madhe e së cilës jeton në zonat rurale ku papunësia është e theksuar. Por, sipas drejtorit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social, Adrian Civici, kjo strategji ka si prioritet sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe infrastrukturës, me qëllim rritjen ekonomike të vendit. Shëndoshja ekonomike është ajo që mund të sjellë drejtpërsëdrejti edhe rritjen dhe garantimin e të ardhurave për të gjitha shtresat e popullsisë në vend. “Synimi për vitin 2003-2006 është shpërndarja me më efektivitet e rritjes ekonomike në më shumë grupe të popullsisë dhe në mënyrë të rregullt në të gjithë vendin”, -pohon për gazetën Civici. Sipas tij, rritja ekonomike duhet të shpërndahet në mënyrë të tillë që të garantojë përfitimin e të gjitha shtresave të popullsisë dhe në të gjitha zonat e vendit. Strategjia Kombëtare e Zhvillimit Ekonomik dhe Social parashikon më shumë investime në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, me qëllim zbutjen e varfërisë në vend dhe reduktimin e varfërisë ekstreme. Strategjia Kombëtare e Zhvillimit Ekonomik dhe Social harmonizimin e objektivave të saj me Programin Afatmesëm Buxhetor dhe me Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit.
Familje të varfra
Zonat rurale janë më të prekshme nga varfëria, kjo edhe për shkak të numrit të madh të anëtarëve të familjes. Në zonat rurale familjet e varfra rezultojnë me 5.1 anëtarë, kundrejt 4.7 anëtarëve në familjet urbane. Edhe familjet me shumë fëmijë dhe të moshuar janë më pranë kufirit të varfërisë. Sipas një studimi të bërë nga Instituti i Statistikave, familjet ku mbajtësit kryesore janë të rinj dhe të paarsimuar, janë më të rrezikuar nga varfëria, ndërsa familjet ku kryefamiljari ndodhet në emigracion, nuk karakterizohen nga rrezik i lartë i rënies në varfëri. Varfëria është më prezente në dy kategori familjesh ku gruaja është mbajtësi kryesor, në raste ku gratë janë të veja me fëmijë dhe kur janë të vetme. Këto kategori janë rreth 60 % më pranë kufirit të varfërisë sesa familjet me mbajtës meshkuj.
Varfëria dhe arsimimi
Të varfrit në Shqipëri nuk shkollohen. Më shumë se 1/3 e të varfërve janë me arsim fillor dhe 1/5 e tyre janë me arsim tetëvjeçar. Pritshmëria e varfërisë për kryefamiljarët pa diplomë është 35.8 %, përkatësisht 29.3 % në zonën urbane dhe 37.1 % në zonën rurale. Niveli i varfërisë në zonën rurale, krahasuar me atë urbane, është afërsisht 2 herë më i lartë për çdo nivel arsimor, me përjashtim të arsimit të lartë, ku nivelet e varfërisë janë të barabarta.
Papunësia
Sipas një studimi mbi varfërinë më shumë se ½ e familjeve ku kryefamiljari është i papunë bie nën nivelin e varfërisë. Të punësuarit kanë më pak mundësi të jenë të varfër nëse jetojnë në zonën urbane (5,3 %), krahasuar me ata që jetojnë në zonën rurale (32,6 %). Pensionistët e zonave rurale, duke përfshirë edhe individët me paaftësi që përfitojnë një pension, kanë probabilitet dy herë më të lartë të jetojnë në varfëri krahasuar me pensionistët e zonave urbane.
Varfëria dhe papunësia
Pamundësia e pasjes së një vendi pune dhe të ardhurave që sigurohen prej saj, është një nga shkaqet kryesore të varfërisë në zonat urbane. Megjithëse papunësia është ulur nga 27 % në vitin 1992 në 14.8 % në vitin 2002, ajo vazhdon të mbetet në nivele të larta, veçanërisht papunësia afatgjatë. Sipas statistikave në Berat, Elbasan, Kurbin, Shkodër, Përmet dhe Kuçovë, papunësia është më e lartë se niveli mesatar. Papunësia e fshehtë dhe nënpunëzënia si pasojë e normës së ulët të sipërfaqes së tokës së punueshme për frymë të popullsisë dhe të shkallës së ulët të zhvillimit të aktiviteteve ekonomike jobujqësore në zonat rurale, mund të konsiderohen si shkaqe kryesore të varfërisë në këto zona. Duke mos patur burime të tjera jetese përveç tokës bujqësore, pjesa më e madhe e familjeve në rrethet: Dibër, Kukës, Tropojë, Shkodër, Mirditë, Mat, jetojnë kryesisht me të ardhurat dhe prodhimet e fermës në pronësi, e cila është e kufizuar në sasi dhe e një cilësie të ulët. Papunësia e lartë është e pranishme edhe në zonat urbane të mbipopulluara nga migracioni i brendshëm pas vitit ‘90. Në komunat e Kamzës, Paskuqanit në rrethin Tiranë, në komunat Katund i Ri në rrethin Durrës, pjesa më e madhe e popullsisë së aftë për punë është e papunë dhe jeton kryesisht me punësimin e përkohshëm në tregun joformal. Përsa i përket përkatësisë gjinore të papunësisë, ajo është më e lartë tek femrat (21 %) dhe më e ulët tek meshkujt (16 %). Nivelet më të larta të papunësisë tek femrat në qytetet Vlorë, Tiranë, Berat, dhe Kavajë shpjegohen me mbylljen e aktiviteteve të industrisë ushqimore, asaj tekstile dhe artizanatit. Në qytetet Elbasan, Bulqizë, Durrës, Fier, Skrapar, papunësia në meshkujt është më e lartë se mesatarja dhe shpjegohet me mbylljen e ndërmarrjeve të industrisë së rëndë dhe minierave.
Kush rrezikohet nga varfëria
Sipas një studimi të Bankës Botërore rreth 75 % e familjeve të varfra, përveç problemeve ekonomike përjetojnë edhe probleme sociale, si divorcin, vdekjen e njërit prej kryefamiljarëve, paaftësinë, problemet e shëndetit apo papunësinë. Shkalla e mundësisë për të rënë në varfëri është më e lartë tek familjet me një prind, familjet me fëmijë të paaftë dhe familjet me të moshuar ose me të sëmurë. Fëmijët që lypin, që punojnë, fëmijët që braktisin shkollën, fëmijë jetimë, fëmijë të ngujuar për shkak të gjakmarrjes, gra të divorcuara dhe gra kryefamiljare, si dhe të rinj të droguar, të papunë, të rinj të përfshirë në aktivitete kriminale, të moshuar të braktisur dhe të paaftët rrezikohen më shumë nga varfëria.
Qytetet më të varfra
Rrethet më të varfra në Shqipëri janë: Kukësi, Laçi dhe Gramshi. Në këto rrethe ka më shumë familje të varfra, sepse në to ka më pak burime punësimi dhe të ardhurash. Shumica e familjeve në këto qytete bazohen vetëm në një burim të ardhurash. Kurse të ardhurat nga emigracioni, si pasojë e intensitetit më të ulët të tij, janë më të ulëta se në rrethet e tjera. Kurse rrethet më pak të varfra janë Vlora, Mallakastra, Tirana, Shkodra dhe Mirdita, ku në një familje janë të punësuar një ose dy persona, që janë edhe burime të ardhurash. Në Shqipëri ekziston edhe një grup tjetër familjesh ku bëjnë pjesë rrethet që kanë më pak familje të varfra dhe shumë të varfra, si: Korça dhe Saranda. Këto rrethe kanë tre ose katër burime punësimi dhe të ardhurash për familje, ndërsa të ardhurat nga emigracioni janë më të larta.
Sfidat
Përballimi i sfidave kërkon harmonizimin e objektivave afatmesme të reduktimit të varfërisë, me objektivat afatgjata të tranzicionit, të zhvillimit e të integrimit evropian të Shqipërisë, duke ndërtuar një strategji për reduktimin e varfërisë me tipare të theksuara zhvillimi.

 

 




ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa