Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

 

 

VaÇja: Kur më zë lemza, më kujton Shqipërinë

Ika për disa javë që të takoja vajzën në Zvicër dhe më shtruan në spital për operacionin

Autori i Lajmit: Ilir Bushi

Karrocën e invalidit ëndërroj ta këmbej me avionin fluturues, për të zbritur urgjentisht në Tiranë, ku dua t’i përqafoj me mall të gjithë shqiptarët”. Kështu është shprehur dje e mbytur nga lotët, nga Bazeli i Zvicrës, mbretëresha e muzikës shqiptare Vaçe Zela, e cila është konsdideruar nga të gjithë brezat, si meteori i fatit që i ra për pjesë Shqipërisë, në vitet e zymta të diktaturës. Atëherë, kur pjesa e prapme e tunelit shqiptar kishte vetëm errësirë, këngët e Vaçe Zelës i kënduan dritës deri në atë masë, saqë ajo vetë u kthye në një pishtar. Artistja e mrekullueshme e Shqipërisë, në 7 prillin e këtij viti ka mbushur 65 vjeç dhe qirinjtë e tortës së saj janë ndezur në Lugano, ndërkohë, Tirana e ka unifikuar emrin e saj me ajrin dhe me shpresën që u ka shpërndarë dikur bashkëkohësve të vet. Por, Vaçe Zela që prej 7 vjetësh ndodhet e sëmurë në një qytet shumë larg Shqipërisë, ku trajtohet mjaft mirë nga mjekët e huaj të Luganos, ndërkohë që te koka e krevatit i rri bashkëshorti dhe e bija. Dhe e gjithë kjo ngjarje tragjike për shëndetin e Vaçe Zelës filloi para 7 vjetësh krejt rastësisht, kur ajo shkoi për të takuar bijën e saj në Zvicër. Atje, në mënyrë tepër spontane, bëri një vizitë mjekësore tek mjekët dhe, pas analizave të mëtejshme, rezultoi e sëmurë me Iktus Cenebral. Dhe, pas dy operacioneve të njëpasnjëshme, ylli i të gjitha epokave muzikore të Shqipërisë rezultoi e paralizuar dhe e pa veten në karrocat e spitaleve që shërbejnë për të transportuar invalidët. Ajo që dikur ka lëvizur diskun e horizontit të jetës shqiptare, tani gjendet krejt e palëvizshme në shtrat, ndërkohë që memorja e saj, tanimë i ka harruar shumë emra shtetesh e kontinentesh. Por, emri i vetëm që mund ta detyrojë atë të lëvizë nga shtrati dhe të marrë në dorë dorezën e telefonit, është emri i Shqipërisë dhe lajmi se dikush e kërkon nga Tirana e largët. Dhe, dje sapo dëgjoi prej nesh fjalët e para të komunikimit, ajo u mbulua prej mallëngjimit kështu që gjatë gjithë bisedës sonë të mëtejshme, Vaçe Zela shoqërohej nga lotët. Ndërsa, në fund të intervistës që zhvilluam pas fjalëve “Natën e mirë”, ajo, (krejtësisht e lagur nga lotët) na tha: “Mos e mbyllni, ju lutem, dhe më thoni, nëse ka filluar të bjerë shiu i parë në Tiranë”.

Zonja Vaçe, si ndjeheni pas operacionit të fundit?
Jam e paralizuar, por tani ndjehem më mirë. Kisha një Ictus Cerebral dhe kjo më la pasoja. Mirëpo, tani e lëviz më lehtë njërën dorë. Edhe nga këmbët ndjehem më mirë. Vetëm se lëviz me karrocë. Ndërsa, tani që po flas me ju, jam e shtrirë në shtrat.
Ju i mungoni sot të gjithë shiptarëve, por sa ju mungon Shqipëria atje në Zvicër?
Më mungon shumë. Ah, nuk rri dot pa qarë, sa më kujtohet Tirana. Nuk kam mundësi të vij, sepse jam në karrocë. Shumë shpejt do të hipi në avion dhe do të vij. Aty kam të gjithë jetën time dhe gjithmonë ëndrroj vetëm ditën që do të kthehem. I kam dashur të gjithë njerëzit e vendit tim. Kam bërë gjithçka që kam mundur. Tani nuk bëj dot asgjë, sepse nuk kam mundësi. Mjekët thonë se do të shërohem shpejt dhe do të nisem patjetër.
E mbani mend kur keni ikur nga Shqipëria?
Po. E mbaj mend si tani. Ishte diell. Atje të gjitha ditët kishin diell dhe unë e kujtoj gjithmonë Shqipërinë, si një vend me shumë dritë.
Cili ishte shkaku që u larguat nga Shqipëria?
Unë nga Shqipëria nuk do të isha larguar kurrë me dëshirën time. Mirëpo, atëherë ika për të takuar vajzën time që jetonte në Zvicër. E kisha parashikuar të rrija disa javë e të kthehesha shpejt. Kur erdha tek vajza në Zvicër, ndjeva disa dhimbje të lehta në trup. Nuk doja të vizitohesha, por vajza ime tha se duhet të bëja një vizitë. Pastaj mjekët kërkuan të bëja disa analiza dhe më thanë se më duhej që të merrja ilaçe. Në fillim thanë se ishte diçka e lehtë, por një ditë më shtruan në spital. Dhe, pasi u shtrova më operuan. Unë i humba ndjenjat fare dhe, kur u përmenda pas 48 orëve, ndjehesha e paralizuar. Kështu kaluan shumë kohë duke marrë mjekime, derisa pata edhe ndërhyrje të dytë. Tani, ndjehem pak më mirë dhe mjekët kanë shumë shpresa që do të bëhem më mirë. Më kanë thënë se pas ca kohësh edhe mund të udhëtoj. Unë kam shpresë të vij në Shqipëri. Dua shumë që të vij aty dhe mos më kujtoni Tiranën se po mbytem nga lotët.
A lidheni shpesh në telefon me njerëzit tuaj në Shqipëri?
Po. Shumë shpesh. Flas me vëllezërit dhe njerëzit e mi. I pyes gjerë e gjatë dhe kënaqem kur dëgjoj se janë mirë. Këtu ku jam, dëgjoj shpesh edhe këngë nga Shqipëria. Prekem shumë prej tyre.
A takoheni në Lugano me emigrantët shqiptarë?
Këtu në këtë zonë ku jam unë, nuk takohem shpesh me shqiptarë. Sepse, në këtë zonë nuk ka shumë emigrantë nga Shqipëria. Megjithatë, ka shumë emigrantë nga Kosova dhe rri e bisedoj kur vijnë të më takojnë. Çmallem shumë dhe kënaqem duke folur në gjuhën shqipe. Pastaj, dy orë në ditë shoh në televizor me satelit televizion shqiptar. Gjatë atyre dy orëve, nuk bëj asgjë tjetër, vetëm se qëndroj para ekranit. E shoh me kujdes Shqipërinë dhe ndryshimet që janë bërë në Tiranë e kudo.
Si ju duket Shqipëria që nga Lugano: e bukur apo e shkatërruar?
Ç’është ajo fjalë. Aspak e shkatërruar. Shqipëria është shumë e bukur, Shqipëria është e bukura e dheut. Nuk ka tjetër vend më të bukur në botë se sa vendi ynë. Këtë nuk e them vetëm si shqiptare, por sepse kështu është në të vërtetë. Por Shqipëria është parajsa që tani për tani vuan nga keqkuptimet e kota.
A keni pasur shumë shpenzime për kurimin tuaj dhe ilaçet?
Mos më pyesni fare për shpenzimet. Nuk merrem me to, sepse këtu i kam të siguruara të gjitha.
Keni nevojë për ndihmë financiare nga shteti shqiptar për pagesat ndaj spitaleve?
Unë nuk kam asnjë nevojë të tillë. Unë dua të shoh Shqipërinë dhe të vij atje në Tiranë. Të tjerat i kam të rregulluara të gjitha.
A merni pension special nga Shqipëria?
I marr të gjitha. Por më mirë pyesni vajzën time, se nuk merrem me këto gjëra. Ime bijë punon në një vend të mirë këtu në Lugano dhe merret me statistika. Ajo dhe burri im kujdesen shumë për mua.
I mbani në kasetofon këngët tuaja të dikurshme?
Jo. Doni t’ju them të vërtetën? Asnjë këngë timen nuk kam në kasetofon.
Përse?
Unë këngët nuk i këndova që t’i dëgjoj vetë. Ato i këndova për njerëzit e mi dhe prekem, kur më thonë se ata i mbajnë mend këngët e mia.
Sa kohë keni pa i rënë kitarës?
Shumë kohë, nuk mbaj mend se sa kohë kam pa të. E thashë, nuk i lëviz dot me lehtësi duart.
Cila nga këngët tuaja ju kujtohet në këto momente?
Duhet të mendohem ca. Ndofta “Valsi i lumturisë”, por fjalët nuk më kujtohen të gjitha. Ka kohë që nuk i kam kënduar ato këngë.
Kur keni dalë në skenë për herë të fundit?
Ishte viti 1991. Mbaj mend se erdhëm këtu në Zvicër me një grup artistësh nga Shqipëria. Kënduam për shqiptarët dhe nuk mund t’i harroj ato dorëtrokitje të fundit. Më therin në zemër, ngaqë e di se ika nga skena atëherë kur njerëzit kishin nevojë për këngët e mia.
A besoni se gjendja në Shqipëri do të rregullohet shpejt?
Po, besoj shumë. Ajo do të bëhet shumë e mirë dhe punët do të ecin mbarë. Për mua le të jetë si të jetë, Shqipëria është e mrekullueshme. Por ju lutem, mos më bëni të qaj.
Si ju duken artistët e rinj të Shqipërisë?
Të shkëlqyer. Nuk i njoh të gjithë, por muzika shqiptare i çuditi të gjithë në Festivalin Europian. Si të mos mburremi me vendin tonë, kur edhe të huajt flasin fjalë aq të mira për të.
Ju vjen keq që gjatë jetës suaj nuk kishit rast të këndonit nëpër festivale ndërkombëtare?
S’ka gjë. Unë këndova për popullin tim. Këndova për njerëzit e thjeshtë. Jam e lumtur që e bëra këtë. Atëherë ata kishin nevojë për mua. Tani unë kam nevojë për Shqipërinë.
Si parashikoni të jetë koha, kur të vini në Shqipëri?
Ashtu si ka qenë gjithmonë, me diell dhe me ngrohtësi. Kjo vjen se vetë njerëzit në Shqipëri janë të tillë. Sa herë që më zë lemza më kujtohet kënga ime dhe e di se më përmendin njerëzit në Shqipëri
Çfarë ju kujtohet nga ditët e shtatorit në Tiranë?
Shirat e parë në sheshin “Skëndërbej” dhe nxënësit e vegjël të shkollave që vrapojnë me çanta në dorë për të filluar ditën e parë të mësimit.


Ballkan.com
18-Shtator-2004


 



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa