Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Urat e drurit gjatë rrugëve të mesjetës

Trojet shqiptare, përgjithësisht me karakter malor, përshkoheshin nga lumenj që në derdhje e zgjeronin shtratin e tyre si dhe nga përrenj të shumtë malorë. Gjithë këto pengesa ujore ndërprisnin rrugët e shumta mesjetare të qerreve e të karvanëve të qiraxhinjve, transportet e asaj kohe. Në këtë mënyrë ka lindur nevoja e ndërtimit të urave të shumta për të siguruar qarkullimin normal të udhëtarëve dhe tregtarëve nëpër territorin tonë malor. Duke qenë se përrenjtë ishin më të shumtë dhe urat e drurit ndërtoheshin më lehtë. Në Mesjetë ato i gjen nëpër gjithë krahinat tona. Por kuptohet se duke qenë më pak rezistente se urat e gurit ndaj faktorëve të shumtë dëmtues, deri në ditët tona ka arritur një numër mjaft i vogël i tyre për t'u bërë objekt studimi. Nga pikëpamja konstruktive urat e drurit ndërtoheshin sipas varianteve të ndryshme. Në vartësi të gjërësisë së shtratit të lumit apo përroit, ato realizoheshin me një hapësirë drite ose me disa hapësira me këmbë ndërmjetëse në lumë. Burime të ndryshme historike përshkruajnë ura të ndryshme të mëdha në lumenjtë tanë. Që në shekullin e XV duke përshkruar rrethimin e Shkodrës, Marin Barleti përmend një urë druri shumë të gjatë mbi lumin e Bunës, e cila theksohet edhe në shekullin e XVII nga Bolizza. Në hartën interesante të Corouelit të vitit 1688 në qytetin e Shkodrës janë skicuar dy ura prej druri, njëra mbi lumin Bunë dhe tjetra mbi lumin Kir (e Bahçallëkut). Po në Shkodër, gjatë viteve 1891-93, u ndërtua mbi lumin Drin në Bahçallëk një urë e gjatë me pesë harqe druri mbështetur mbi këmbë guri, e cila i takonte rrugës së veriut Lezhë-Shkodër.Harqet e drurit mbanin sipër dyshemenë e drunjtë për kalimin e transporteve dhe udhëtarëve. Në defterin turk të vitit 1531 është shkruajtur se popullsia e krahijeve të Ragamit e Zadrimës ishin ngarkuar të kujdeseshin për 21 urat që nga Gryka e Shkodrës,për ullukët dhe trarët e tyre, të jepnin lëndë për urat që çonin në skelën e Lezhës. Në vitin 1641 Sulltan Sulejmani i lejonte Pashës së Dukagjinit të ndërtonte 30 ura ( kryesisht druri) mbi lumenjtë e Zadrimës. Në vitin 1591 udhëtarë venedikas Bernardi duke kaluar nga Dardha e Librazhdit majtas Shkumbinit për të dalë në Përrenjas, e hedh lumin e Shkumbinit mbi një urë druri. Fshati Ura e Shtrenjtë në Malësinë e Pultit në Shkodër pas malit të Drishtit e ka marrë emrin nga një urë e vogël druri mbi lumin e Kirit, e shënuar dhe në hartën e Cornelit të vitit 1688. Në gjysmën e dytë të shekullit të XVII udhëtari i njohur turk Evlija Celebi përmend urën e drunjtë të Goricës mbi lumin Osum në Berat si urë me nëntë harqe druri me tetë këmbëza guri të ngulura thellë në ujë dhe me dy këmbëza të forta anëve.Kjo urë sipër është shtruar me trarë dushku të prerë në malin e Thatë. Në hartën e Gorouelit janë shënuar shumë ura druri dhe në Kosovë. Afër Prishtinës, mbi përroin e Sutjeskës ishte një urë druri. Në rrugën Prizren-Prishtinë, afër Graçanicës, mbi lumin Sitnica pranë bashkimit të tij me përroin e Kishnicës ndodhej një tjetër urë druri po kështu dhe në Deçan, mbi lumin e Deçanit. Mbi përroin e Kishnicës në Janjevë e Grucanicë kanë qenë dy ura të tjera.

Gjatë shekullit të XIX në Shqipërinë e Veriut u ndërtuan shumë ura prej druri siç qenë ura e Salishtës mbi lumin Cen, ura mbi lumin e Shalës poshtë Abatës, ura e Mërturit mbi lumin e Currajt një urë mbi lumin e Zi në Mirditë, ura e drurit mbi lumin e Fanit midis Gojanit dhe Kalivacit ura tek Shkalla e Madhe po mbi lumin e Fanit etj. Nga pikëpamja konstruktive këto ura u zgjodhën me variante të ndryshme. Në rastin e hapësirave të vogla ato u ndërtuan me trarë të gjatë nga bregu në breg, duke qenë një konstruksion tepër elastik (ura e lumit të Shalës poshtë Abatës). Urat me hapësira të mëdha u zgjidhën me mbështetje kolona druri në shtratin e lumit ( ura e Fanit në Kalivaç) ose me këmbë mur guri gjatë shtratit të lumit ( ura e lumit të Zi në Mirditë). Urat e drurit më interesante gjatë shekullit të XIX ishin ato me një hapësirë me trarë mbajtës tip konsol të inkastruar në muret bregorë me gurë. Trarët të vendosur njëri përkrah tjetrit me majat e tyre dalin pak nga pak konsol njëri mbi tjetrin derisa zvogëlojnë hapësirën qendrore aq sa të mund të mbështeten mbi ta trarët kryesorë të murit të urës. Një urë e tillë ka ekzistuar deri në fillim të shekullit të XX mbi lumin e Fanit tek Shkalla ( Vau) e Madhe gjatë rrugës Shkodër - Lezhë - Orosh, ndoshta mbi Fanin e Madh ndërmjet fshatrave Blinisht dhe Simon. Ura konsal i Fanit realizimin konstruktit interesant në fillim të shekullit të kaluar është përmendur nga autorë të ndryshëm të huaj si Degrandi në vitin 1901, Baldaci më 1917 dhe Nopca më 1925. Një urë e ngjasme me atë me kousal të Fanit ka qenë dhe në Bicaj të Kukësit mbi lumin Drin. Një tjetër urë e tillë ka ekzistuar në zonën e Dibrës së Madhe mbi lumin Drin i Zi në fshatin Lukovë, ndërmjet Strugës dhe Dibrës së Madhe.

Urat e vogla të drurit kryesisht ndërtoheshin të thjeshta me trarë druri të mbështetur nga bregu në breg, mbi të cilët vendosej shtresa me trarë tërthorë në rastin e urave me një hapësirë drite. Tek urat e drurit me dy tre hapësira, trarët mbajtës gjatësorë mbështeteshin edhe në një apo dy këmbë me mur guri në shtratin e përroit ose lumit. Disa ura të thjeshta prej druri nga shekulli i XIX ruhen akoma deri në ditët tona në zona të ndryshme të vendit. Në Shqipërinë e Veriut në fshatin Tamarë të Kelmendit mbi lumin Ceni i Selcës, ndodhet ura e Pojadave me gjatësi 13 m me dy hapësira e ndërtuar me trarë lisi me seksion 20x20m. Në një ambient mjaft piktoresk në Dukagjin ndodhet ura e drurit Kirxhan, me tre hapësira drite. Në Shqipërinë e Jugut në fshatin Hlloma të Pogonit ndodhet ura e drurit të Paspolit. Në rastin e urës me tre hapësira të Paspalit, këmbët e gurta në shtratin e lumit janë trajtuar drejt nga ana hidraulike duke qenë me majë të mprehtë nga ana e ardhjes së ujit për të çarë rrjedhën e tij. Në krahinë e Mokrës së Pogradecit pranë mullirit të Cezmës në rrugën Trebunjë- Cezëm, ka pas funksionuar një urë druri me dy hapësira, e realizuar me trarë lisi. Këmba e murit është me majë të mprehtë nga ana e ardhjes së ujit.

Urat e drurit me shumë hapësira si ura e Goricës mbi lumin Osum në Berat me nëntë hapësira dhe ura e Bahçallëkut me pesë hapësira ndërtoheshin me këmbë masive me mur guri në shtratin e lumit mbi të cilat shtrihej mbistruktura dysheme e drunjtë. Për zvogëlimin e hapësirës së trarëve gjatësore mbajtës në pjesën pranë mbështetjeve, atyre u nënviheshin trarë pajantues të lidhur në hapësirë ndërmjet tyre duke krijuar në këtë mënyrë një lloj hapësire druri tip hark. Kështu konstruksioni i urës paraqiste një urë me harqe druri me kalim nga sipër. Urat e drurit në Shqipëri përfaqësojnë një traditë ndërtimore mjaft të njohur që shpreh rrjetin e dendur rrugor të Mesjetës si dhe marrëdhëniet e ndërsjellta ndërmjet krahinave tona dhe me gjërë me fqinjët ballkanikë.

 


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa