Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Qesarak - Mali i Dajtit, stacionet e linjës 4 kilometra e gjysmë për kalimin e 22 gondolave të teleferikut të parë në Shqipëri

Kur në Dajt do të ngjitemi me teleferik

Projektuesit: Gati për të filluar punimet. Ja detajet e projektit dhe modeli i zgjedhur

Belina Budini
TIRANË – Kinostudio-Mali i Dajtit. Në vend të një linje urbane pritet të vendoset një linjë teleferike. Projekti është gati prej më shumë se një viti dhe sapo ka marrë miratimin nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Gjithçka e ka marrë përsipër Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Pyjore ku dje na shpjeguan të gjitha detajet e projektit të teleferikut. Për sa kohë do të bëhet i mundur qarkullimi i njerëzve me teleferik nga Tirana në Dajt? Sa shpejt do të mund të mbërrijnë qytetarët atje? Sa do të paguajnë? Modeli dhe detaje nga skicat e teleferikut të parë shqiptar, që megjithëse me shumë me vonesë, më në fund, do t’u ofrojë edhe shqiptarëve mundësinë e këtij lloj transporti edhe argëtues. Sa i përket problemeve me energjinë elektrike, edhe këtë radhë zgjidhja është gjeneratori. ”Në rast se nuk do të ketë rrymë, teleferiku do të furnizohet me energji nga gjeneratorët”, - thonë specialistët.
Projekti i teleferikut
“Kemi menduar që ky udhëtim me teleferik të kushtojë 550 lekë vajtje-ardhje”, - thotë Erzen Bulica, specialist i ISPP-së. Kaq do të kushtojë bileta e gondolës për të shkuar në Dajt. Të paktën ky është çmimi paraprak që kanë vendosur organizatorët e projektit. Por deri sa kjo linjë teleferike të ketë përfunduar nuk i dihet. Dhe punimet ende nuk kanë filluar. Megjithatë modeli është zgjedhur. “Do të jetë model 8 M.G.D”, - na shpjegojnë specialistët në gjuhën teknike duke shpjeguar se është një ndër modelet e fundit në katalogë që i përshtatet edhe terrenit të Dajtit. Stacionet e nisjes dhe të mbërritjes e kanë të përcaktuar tanimë modelin që do të kenë. “Ne projektin e kemi gati prej kohësh dhe ajo që prisnin ishte vetëm leja e KRRTSH-së, të cilën e morëm. Punimet do t’i fillojmë në prill dhe kemi parashikuar që do të zgjasin jo më shumë se 17 muaj”, - shprehen në Institutin e Projektimeve Pyjore. Nga njëri stacion në tjetrin, teleferiku do të jetë i gjatë katër kilometra e gjysmë. “Kjo distancë do të përshkruhet në të njëjtën kohë nga 22 gondola, njëmbëdhjetë në vajtje dhe 11 të tjera në kthim me një shpejtësi 5 metra në sekondë”, - thotë inxhinieri. Ai sqaron se secila nga gondolat do të jetë një minutë larg tjetrës në kohën e nisjes. E gjithë distanca, sipas tij, do të përshkohet për 13 minuta nga njëri stacion në tjetrin. Stacioni i nisjes do të jetë në Qesarak, pranë Linzës, ndërsa stacioni i mbërritjes do të jetë në sheshin përpara ish-kampit të pionerëve. Stacioni i nisjes ndodhet nga qendra në një largësi prej 2,5 kilometrash. Një firmë austriake, “Doppelmayr” ka marrë përsipër ta zbatojë projektin e hartuar nga specialistët shqiptarë ndër të cilët edhe Panajot Koçi, pedagog në Fakultetin e Shkencave Pyjore dhe specialist i vjetër, Mihallaq Kotro, i cili është bashkautor i shumë teksteve për teleferikët dhe në fushën e ndërtimit të rrugëve si edhe Arben Peto, nismëtar i ndërtimit të këtij teleferiku, inxhinier pyjesh. Sipas specialistëve, firma austriake që ka marrë përsipër të ndërtojë teleferikun ka ardhur në Tiranë, dhe të huajt janë njohur me detajet e projektimit, profilin gjatësor të teleferikut, kanë studiuar gjithë gjatësinë e terrenit ku do të kalojë teleferiku dhe janë dakord që të fillohet nga puna sipas fazave të ndryshme. Për zbatimin e këtij projekti janë vënë në dispozicion 6,5 milionë euro.
Udhëtim me teleferik
“Mekanizmi i funksionimit të teleferikut është i tillë, që nëpërmjet një motori të fuqishëm 561 kuaj fuqi vë në lëvizje litarin që kapet në dy pulexho, aty ku janë fiksuar gondolat. Mekanizmi mbështetet në kullat e posaçme. Do të vendosen gjithsej 21 të tilla, të vendosura për të evituar varjen e litarit, pra që ky të qëndrojë i tendosur. Më e larta prej këtyre kullave do të jetë pak më shumë se 33 metra, ndërsa më e ulëta do të ketë lartësi 8 metra nga toka.

Është dhënë leja e ndërtimit për teleferikun dhe këto stacione:
Stacioni i poshtëm (Qesarak)
Sipërfaqja e përgjithshme e pronës – 6000 metra katrore
Sipërfaqja e ndërtuar – 1100 metra
Rrugë dhe sheshe – 1650 metra
Parking – 1000 metra
Sipërfaqja e gjelbëruar – 2250 metra

Stacioni i Epërm (sheshi para ish-kampit të pionerëve)
Sipërfaqja e përgjithshme – 3000 metra katrore
Sipërfaqja e ndërtuar – 550 metra
Rrugë e sheshe – 400 metra
Sipërfaqja e gjelbër – 2050 metra

Historik
Nga teleferikët për dru tek ato për njerëz

Përveç disa lloj teleferikësh primitivë për transporte materialesh ose lëndësh drusore, në Shqipëri nuk ka patur asnjëherë një linjë teleferike për njerëz. Ky teleferik, megjithëse i pari në Shqipëri, na radhit të fundit në Evropë si vend që nuk ka linja teleferike, në një kohë kur vende të tjera si Maqedonia, Mali i Zi, Rumania dhe Bullgaria kanë teleferikë të tillë të shpërndarë në vende turistike. Ndër të mirat e teleferikut konsiderohet mënjanimi i makinave, të cilat, kur ngjiten shpesh dhe përditë në një zonë të shpallur “Park Kombëtar” e dëmtojnë terrenin dhe rrugët, por i shkaktojnë dëme edhe natyrës. Nga ana tjetër, teleferiku nuk bën zhurmë dhe kjo nga ekologjistët konsiderohet gjithashtu një përparësi, sepse qetësia është e shëndetshme për parqet natyrore dhe bimësinë. Vendi ynë është vlerësuar nga shumë specialistë si vend me burime të veçanta turistike si në zonat malore dhe ato bregdetare dhe si i tillë është shumë i përshtatshëm për ndërtimin e teleferikëve. Si më të përshtatshmet shihen zona turistike si Lura, Vermoshi, Voskopoja, Llogaraja, Bozdovci.

Mali
Dajti, parku që kërkon të rritet

Parku kombëtar “Mali i Dajtit” që ndodhet në verilindje të Tiranës ka një sipërfaqe prej 3300 hektarësh dhe parashikohet të arrijë deri në 11 mijë hektarë në të ardhmen. Ky park është themeluar që në vitin 1960 dhe me disa vendime të Këshillit të Ministrave është shpallur Park Kombëtar. Sot ky park adiministrohet nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor të Tiranës mbi bazën e një projekti të Bankës Botërore për Pyjet. Sipërfaqja e sheshtë dhe pak e pjerrët ose fusha e Dajtit ndodhet në qendër të parkut me lartësi 1050 metra dhe gjatësi rreth tre kilometra. Në janar temperatura mesatare ne park është 4-6 gradë celsius, ndërsa korriku është muaji më i nxehtë aty. Gjatë periudhës së dimrit vërehen edhe reshje dëbore, ndërsa shirat bien në sasinë 1600-1800 mm në vit. Kjo zonë ka edhe vlera shkencore në sajë të bimësisë dhe pemëve të shumëllojshme nga të shkurreve mesdhetare në atë të dushqeve, të ahut etj. Ndërsa vlerat ekologjike dhe turistike të Parkut burojnë nga bukuritë natyrore të terrenit dhe konfiguracioni i tij. Vizitorët arrijnë pikun në fundjavë dhe nuk janë vetëm kryeqytetas, por edhe nga rrethe të tjera të vendit apo edhe të huaj. Aty vizitorët zakonisht sodisin pamjen e kryeqytetit dhe gjithë hapësirën deri në detin Adriatik, shëtisin nëpër park, praktikojnë lojëra të ndryshme e sporte, ngjitje alpinistike ose mund të ushtrojnë sportin e skive.

 

 

 

 

Marrë nga Shekulli


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa