Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
Taxh Mahalli - përmendore e dashurisë së amëshuar

Shqiptari që ndërtoi përmendoren më të bukur që ka lartuar dashuria e burrit për gruan


Nga Azem Qazimi


Kur një vizitor e pyeti të shoqen se çfarë ndiente ndaj Taxh Mahallit, ajo i qenkej gjegjur: "Do kisha vdekur me gaz që sot, po të më ngrihej nesër një Taxh Mahall mbi varr".


India ekzistonte përgjatë vargorit të gjatë të shekujve, edhe përpara se t'i vishnin një emër. Ajo ka qenë dhe mbetet një "kontinent" religjioz par exellance, jo vetëm për religjionet dhe kultet e pafundme, praktika këto të kombeve të ndryshme, racave, kastave, tribuve e sekteve mbi territorin e saj të paanë, por edhe për faktin se praktikat religjioze dhe përvojat mistike janë elemente të përbashkëta që njësojnë tërë grupimet, nga Himalajet gjer në ishullin e Cejlonit. Ajo rronte në shëmbëllesat e sagave të saj. India është mëma e Hinduizmit, që ka kapërcyer prej kohësh të katërmijë vjetët e krijimit (Vedizmi - feja mëmë), e gojëdhënave të stërlashta fetare, Veda Vendantave, që janë biseda për Hyun (2000-1000) përpara K.), e epit monumetal, "Mahabharatës", të endur ndër 100. 000 vargje. India është trualli i Budës, Krishnës, Ramës, Kama Sutrës, Jogës, Tagores dhe Gandit. Ajo zotëron dhe njërën prej shtatë mrekullive të botës, "Taxh Mahallin", i quajtur "Margaritari i Bardhë i Indisë", projektuar nga një shqiptar: Ustad Isa Mohammed Effendi (mjeshtri Mehmet Isai) nga Opari.
Për të vizituar atë, shtegtarit do t'i duhej të rrugëtonte drejt Agrës, rreth 200 kilometra në jug të Nju-Delhit. Agra është njëri prej qyteteve më të rëndësishme dhe më të lashta të Indisë. Më 1526 Baberi, Moguli (Mongoli) i Madh, e mposhti mbretin e fundit të dinastisë Lodi dhe Agra ra në duart e sundimtarëve mogulë, që sunduan me këtë rënditje: Humajuni, Akbari, Xhahangiri, Shah Xhahani dhe i sprasmi, Aurangzebi. Po zhvillimin dhe famën, që e pavdekësuan në kujtesën njerëzore, Agra e mbërriti gjatë kohës së sundimit të Shah Xhahanit, që shquhej për grishjen sipërane ndaj së bukurës. Kurora që qëndron krye tërë veprave të këtij perandori të pakundshoq, është ndërtimi i Taxh Mahallit, përmendores më të bukur që i është ngritur ndonjëherë dashurisë.
Ky mauzole (varr monumental) kremton njërën prej rrëfenjave më të mëdha dashurore të të gjitha kohëve - atë midis perandorit mogul të shek. XVI dhe mbretëreshës së tij, "Të zgjedhurës së pallatit", Mumtaz Mahallit. Sipas legjendës, princi gjashtëmbëdhjetëvjeçar, i ardhshmi "Mbret i Botës" u dashurua që në shikim të parë me Arjumand Banu Begam, e njohur botërisht me emrin Mumtaz Mahall dhe, në krye të pesë vjetëve, më 1612, shtiu kurorë me të. Gjatë jetës së tyre bashkëshortore nëntëmbëdhjetëvjeçare, mbretëresha i fali perandorit katërmbëdhjetë fëmijë. Vdekja e saj gjatë lindjes së fëmijës, më 1631, e krodhi perandorin në një pikëllim që s'ka të rrëfyer, porse frymëzoi ndërtimin e përmendores më të bukur që ka lartuar dashuria e burrit për një grua.
Për të pavdekësuar atë dashuri të pacak, Shah Xhahani iu shtrua punës - lajmi se "Mbreti i Botës" po kërkonte një arkitekt që të projektonte një varr, që nuk ishte parë kurrë më parë, ku do të preheshin eshtrat e gruas së tij të dashur, kaptoi shumë shpejt kufijtë e Indisë. Kësisoj, mbërritën arkitektë nga të katër anët e botës, nga India e Jugut, Burma, Egjipti, Cejloni, nga Transkaukazi, nga Persia e gjetkë, po perandori mbeti i pakënaqur. Pasandaj, në Oborrin e perandorit, në Kështjellën e Kuqe, në Agra, mbërriti nga Turqia mjeshtër Isai. Gojëdhëna thotë se edhe mjeshtri kishte humbur njësoj të shoqen dhe se edhe ai kërkonte një mënyrë për ta amëshuar dashurinë e vet. Pasi këqyri vizatimet dhe pamjen tridimensionale (maketin) të mauzoleut, perandori dha urdhër të nisnin pa vonuar punimet.
Ndërtimi i varrit filloi me 20. 000, njerëz, burra e gra, të cilët punuan paprerë për njëzet vjet rrjesht. Përfundimi desh e la pa mend perandorin, i cili, si për të pohuar magjepsjen e tij, ua shkuli krahët mjeshtrave ndërtues, verboi kaligrafët dhe ia preu kokën arkitektit, që askush prej tyre të mos mund të ndërtonte a përshkruante një ngrehinë që do t'i qasej shëmbëllimit të Taxh Mahallit.
Mbi varr janë skalitur këto vargje të Shah Xhahanit:

"Ndërtuesi s'ka se si të jetë prej kësaj bote,
Pse, është e qartë, projekti i është dhënë nga vetë Hyu".

Siç del prej vargjeve të mësipërme, Taxh Mahalli është një doktrinë arkitekturore unike. Për të mbrujtur këtë vegim përrallor, u shfrytëzuan materialet më të çmuara që mund të gjenden në këtë planet: nga Kina u soll Kristali, nga Tibeti tarkuizi, nga Afganistani lapis lazuli, nga egjipti kristolititi, nga Oqeani i Indisë koralet, guaskat e rralla, margaritarët, pastaj të tjera soje: topaze, onikse, safirë, rubinë, diamantë. Kështu u arrit madhështia e pagëzuar "poezi në mermer të bardhë". Tregohet se kur një vizitor e pyeti të shoqen se çfarë ndiente ndaj Taxh Mahallit, ajo i qenkej gjegjur: "Do kisha vdekur me gaz që sot, po të më ngrihej nesër një Taxh Mahall mbi varr".

Kush ishte projektuesi i Taxh Mahallit?
Historianët e artit kanë shfaqur mendime kundërthënëse lidhur me kombësinë e autorit të taxh Mahallit. Disa thonë se ka qenë i krishterë, arab, çifut, hinduist, turk e, madje, fakir musliman.
Në monografinë e Dejvid Kerollit, "The taj Mahal", të botuar në vitin 1972, dokumentohet se Ustad Isa kishte disa llagape: Ustad Khan Affendi, Isa Mahammed Effendi, Ustad Mohamed, Isa Affendi, Isa Khan… për të cilin thuhej se kishte ardhur nga Konstandinopoja, nga Shirazi apo Isfahani i Persisë etj., etj. Në doracakun zyrtar, "Argra Guide", kristalizohet se autori i Taxhit është Mehmet Isai, sepse, në faqen 21, ku jepet lista e 37 artistëve të cilët i kishte pajtuar perandori Shah Xhahan për ndërtimin e Taxh Mahallit, në numrin rendor 1 është shënuar emri: Mohummad Isa Affadi; vendi: Turqi; profesioni: disenjator; rroga mujore: 1000 rupi.
Duke u mbështetur në faktin se arkitekt Isai ishte nga Turqia (po jo turk), se kishte qenë nxënësi i arkitektit më të madh të kohës në Turqi, mimar Sinanit, shqiptar nga Qesarati, atëherë të dhënat dokumentare të viteve të fundit, arrijnë në përfundimin se Usta Mehmet Isai ishte shqiptar nga Opari dhe se së bashku me të punuan edhe bashkatdhetarët e tij, usta Ahmeti dhe kopshtari Ismail Rumiu, ka shumë të ngjarë t'i jenë qasur të vërtetës.

 

(marre nga Revista Spektër)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa