Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Diskutoni mbi kete mrekulli Shqiptare tek Albforumi

 

Syri i kaltër, njerëzit dhe politika
Syri i Kalter
Syri i Kalter

Nuk ka në tërë Evropën një burim uji aq të pastër, aq të madh dhe aq të bukur sa Syri i Kaltër yni. Nuk ka shqiptar që të mos jetë mburrur para të huajve dhe të mos jetë ndjerë krenar me Syrin tonë të Kaltër. Nuk ka pasur asnjëherë një interesim dhe një keqardhje aq të madhe, nga tërë opinioni shqiptar, sa ç’pati kur shteroi Syri i Kaltër, në tetor të vitit të kaluar. Nuk ka pasur ndonjë tjetër zonë të mbrojtur të Shqipërisë me më pak interesim dhe me më pak studime se sa për Syrin e Kaltër.
Por çfarë i ndodhi dhe ç’po ndodh sot me Syrin e Kaltër? Është një pyetje që njerëzit vazhdojnë ta bëjnë shpesh dhe kudo. Unë e vrojtova përsëri Syrin e Kaltër para pak kohësh dhe mund të jap një informacion të ri për të, por më parë le të bëjmë një kronikë të shkurtër për ndodhitë me Syrin e Kaltër.
Legjenda
Ka disa legjenda për Syrin e Kaltër. Një prej tyre thotë se, kur kanë hedhur një kafshë në liqenin e Janinës, ajo ka dalë te Syri i Kaltër. Por është një një legjendë tjetër e popullsisë çame, në të cilën lidhen çuditërisht bukur realja me fantastiken. Kjo është dokumentuar nga H. Pedersen në vitin 1893 dhe thotë: “Një herë e ndë një kohë, fryjti një erë kaq e fortë, sa tundi detin nga fundi dhe deti kërreu një gjarpër… Ra një re dhe gjarprin e hodhi në malin e Sopotit… Kafsha hante kafshët e njerëzit dhe të mbjellat i prishte… U ngrit një plak, ngarkoi një gomar me thasë me eshkë dhe vajti afër lubisë e i vuri zjarrin eshkës. Kur gjarpëri hëngri gomarin, u dogj dhe briti: “Ku je ti det, ata im dhe ti lumë, vëllau im!…” E u shtri për dekije. U nis deti nga Vivari dhe lumi nga Sopoti, por s’e proktasën dot”.
Nga kjo legjendë mund të supozohet se Syri i Kaltër ka shpërthyer në një kohë që njerëzit e kujtojnë, sepse nuk ka qenë më parë. Nga ana tjetër, legjenda përkon shumë mirë me faktin që Bistrica ka qenë si një përbindësh për tërë krahinën, ajo vazhdimisht përmbytej, duke u bashkuar me detin.
Por emri “Syri i Kaltër” ka lindur shumë më vonë, në vitet ’50, kur u bënë studimet e këtyre burimeve për t’i përdorur në hidrocentralin e Bistricës. Thuhet se ia vuri një prej inxhinierëve të rinj, të cilit i kujtonte sytë e kaltër të së fejuarës së tij. Thonë se të gjithë inxhinierët që endeshin në këto burime e quanin kështu, sepse s’mund ta quaje ndryshe një burim aq të kaltër, me një rreth jeshil dhe me një njollë të zezë në mes.

Brenda Syrit të Kaltër
Në tetor të vitit 1984 unë jam zhytur për herë të parë në Syrin e Kaltër. Më kujtohet se, kur po bëheshim gati t’u zhytur, shpejt na rrethuan disa fëmijë që kishin ardhur këtu në ekskursion me prindërit e tyre. Sa herë që bënim ndonjë zhytje në mjedise me njerëz ishim mësuar edhe me spektatorët kureshtarë, që u jepej rasti të shihnin një sport mjaft të rrallë në atë kohë në Shqipëri. Ndërkohë që ne vishnim kostumet e zhytjes, u përgjigjeshim dhe dhjetëra pyetjeve që na bëheshin përreth. Por, në çastin kur po i drejtoheshim vrimës së Syrit dhe spektatorët kishin rënë në heshtje, një grua e moshuar vrapoi e alarmuar drejt nesh dhe bërtiti: “Çfarë bën, mor bir,- m’u drejtua mua.- A e di që kjo të thith brenda?” “Jo, nuk e dimë,- i tha kolegu im me shaka,- ndaj do zhytemi që ta provojmë.” “Këtë e dinë të gjithë,- këmbënguli ajo e bindur,- ka një rrymë që del dhe një që të thith brenda.” “Vetëm jashtë shtetit mos të na nxjerrë, se s’kemi as pasaportat”,- i thamë ne me shaka dhe u futëm për herë të parë në misterin e Syrit të Kaltër. Në thellësitë 2-4 metra anët e vrimës gjigande ishin të mbuluara me një bar jeshil, shumë të dendur, të lartë deri në gjysmë metri dhe në mes të tyre ishte tuneli i errët, prej nga përplasej në fytyrat tona një lumë i tërë i furishëm. Aq e fuqishme ishte rryma e ujit, sa shpesh na hiqte maskat e zhytjes nga fytyra dhe ne detyroheshim t’i mbanim të ngjeshura për fytyre me një dorë, ndërsa me dorën tjetër tërhiqeshim për një litari ku kishim lidhur një sperancë, të cilën e lëshonim para nesh. Kur ajo ngecte, tërhiqeshim nga litari për të mposhur forcën e ujit, që na fluturonte lart. Tuneli vinte pak i pjerrët dhe ishte 3-4 m i gjerë. Unë në një dorë mbaja kamerën, me tjetrën tërhiqja litarin. Kështu, duke përparuar pëllëmbë pas pëllëmbe, arritëm në thellësinë 20 m ku tuneli hapej në formën e një zgavre të madhe dhe ne u kapëm në shkëmbin anësor të shpellës, aty ku rryma e ujit ishte shumë e dobët dhe mund të qetësoheshim. Kishim pushtuar kështu Syrin e Kaltër deri në 20 m. Por ai vazhdonte më thellë, në një zgavër të errët, pak më të ngushtë në të djathtë. Si herë e parë, për ne ishte mjaft. E kapëm sperancën në fund dhe, duke u mbajtur përsëri nga litari, u ngjitëm lart me frikën se mos na flakte rryma e ujit në tavanin shkëmbor.
Që prej asaj kohe jemi zhytur shumë herë të tjera në Syrin e Kaltër. Në vitin 1999, ne lamë në fund të shpellës 20 metra të thellë simbolin e derdhur të zhytësve shqiptarë, një litar, i cili do të ndihmonte në zhytje të gjithë zhytësit që e ushtronin këtë turizëm si dhe një bllok plastik e disa lapsa nënujorë, me të cilët do të firmosnin të gjithë zhytësit që arrinin këtë pikë. Kur u futëm përsëri, pas dy vjetësh, pamë se një faqe e fletores ishte mbushur me firma të zhytësve turistë të huaj që e kishin vizituar Syrin e Kaltër. Pra, Syri i Kaltër ishte bërë një pikë e shkëlqyer edhe për turizmin nënujor.
Agonia e Syrit të Kaltër
Syri i Kaltër, është bukuroshja e natyrës sonë dhe një e bukuri e rrallë për Evropën. Kush e pa dhe nuk ra në dashuri me të, populli që i këndoi në legjendën e përbindëshit dhe ujit, inxhinierët e hidrocentralit të Bistricës, kur e studiuan dhe i dhanë këtë emër, dhjetëra specialistë të tjerë, që studiuan ujërat e saj, ministrat e Mjedisit dhe të Turizmit, që e shpallën monument natyre dhe mbushën botimet turistike me pamjet e saj për të tërhequr turistët, kryeministri që mendoi shitjen e tij në Itali dhe, në fund, gjithë njerëzit që interesohen shpesh për gjendjen e tij edhe sot. Në tetor të vitit 2002 kjo bukuroshe ishte në agoninë e vdekjes. Të gjithëve u erdhi keq, por vetëm kaq: u erdhi keq. Për koincidencë, pikërisht kur drejtuesit e Leçes erdhën në Shqipëri për të biseduar edhe për Syrin e Kaltër, ai shteroi dhe u kthye në një sy të verbër, me ngjyrë të bardhë. Shumë njerëz në Sarandë besuan se ishte gishti i zotit: "Ishte dënim për ata që donin ta shisnin",- pëshpërisnin.
Por pas kësaj ndodhie, ministri i Mjedisit s'pati kohë ta vizitojë këtë monument të natyrës, të shpallur prej tij. Ministri i Turizmit nuk shprehu as keqardhje, kryeministri ishte i mërzitur se i dështoi biznesi me të dhe ne të gjithë thoshim: "Si e harruan dhe braktisën kështu bukuroshen e natyrës shqiptare?"
Ndërkohë, në Tiranë vazhdonin seminaret për ruajtjen e mjedisit, ruajtjen e parqeve kombëtare dhe zhvillimin e turizmit në vendin tonë. Mijëra dollarë për seminare dhe asnjë lek për të kuruar Syrin e Kaltër.
Atëherë ne, një grup zhytësish, adhurues të hershëm të Syrit të Kaltër, vendosëm të shkojmë vetë për të parë në brendësi se çfarë i kishte ndodhur, ku i dhimbte dhe, mundësisht, ta ndihmonim. "Katër ditë luftoi uji i Syrit të Kaltër me lumin që i lëshonte nga sipër gurë dhe zhavor,- tregon Fatmiri, që e ka lokalin te Syri i Kaltër.- Ditën e pestë Syri u zbardh dhe s'nxori më ujë". Fatmiri atëhere lajmëroi shumë institucione për rrezikun e taposjes së Syrit të Kaltër, por asnjë nuk e vuri ujin në zjarr për të. Në Sarandë, kur u tregonim se kishim ardhur për t’u zhytur në Syrin e Kaltër, të gjithë thoshin: “E pra, sa gjynah! Po nuk mund të shpëtohet?” Me të vërtetë, kur e pamë ashtu, si një gropë me ujë të ndotur, ndërkohë që përreth rridhnin ujëra të pastra, u ndiemë si në vdekjen e një gjëje të gjallë. Tejdukshmëria ishte shumë e keqe për filmim, megjithatë unë e bëra gati kamerën time nënujore. Hapi i parë nën ujë çoi nga tabani një llum të bardhë, që e turbulloi akoma më shumë ujin, aq sa ne nuk po dallonim njëri-tjetrin as gjysmë metri larg. Nga prekjet me dorë dalluam një shtresë rëre që kishte mbuluar gurët dhe barin jeshil të Syrit kudo. Të tre menduam se bebja e syrit duhej të ishte mbushur plotësisht me gurë dhe rërë. Po të zhyteshim të tre në atë trubullirë, mund të rrezikonim njëri-tjetrin. “Ti e njeh më pëllëmbë shpellën nënujore,- më tha Ariani.- Kur të arrish në fund, na jep sinjal nëpërmjet litarit, që të të tërheqim.”
E lashë kamerën, mora një fener nënujor dhe u nisa pingul, duke prekur tabanin pëllëmbë pas pëllëmbe. Për çudi, gryka e tunelit vazhdonte. Filluan të më dhimbnin veshët, gjë që donte të thoshte se kisha arritur thellësinë 4-5m. Syri i Kaltër ishte i hapur. Po ku ishte taposur? Vazhdoja të zbrisja duke prekur me duar rërën dhe shkëmbinjtë që dilnin sipër saj aty-këtu dhe shpesh, për të qetësuar veten, mbyllja sytë. Filloi dhimbja e dytë e veshëve. Pra, kisha arritur në thellësitë 10-12 m. “Po pse s'rrjedh uji?” Tashmë errësira ishte e njëjtë, si t'i hapja dhe t'i mbyllja sytë. Llamba ime nuk e çante trubullirën më larg se disa centimetra. Vazhdoja të lëshoja peshën e lidhur në litar dhe njëkohësisht ta tërhiqja atë nga pas ku e mbanin shokët e mi aty lart. Litari ishte gjëja më e çmueshme në këtë rast. Ai ishte filli që më lidhte me jetën dhe që ishte në duar të sigurta. Zhurma e ajrit që dilte nga gojëza më dha të kuptoj se duhej të isha në thellësinë rreth 20 m, pra në vendin ku shpella zgjerohej dhe pastaj vazhdonte në një grykë më të ngushtë. Këtu ngado kishte vetëm rërë. Kisha arritur në fund. Pra bukosja kishte ndodhur në 20 metra thellësi, në vendin ku shpella ngushtohej. Pikërisht në vendin ku unë s'do të doja të ndodhte. “Kush e di sa e trashë do të jetë tapa". Tërhoqa tri herë litarin për të më tërhequr, kur në këtë çast mbi trupin tim filloi të bjerë një masë e madhe rëre dhe gurësh të vegjël. Në sekondë në tru më vërshuan mijëra mendime paniku. “Mos do të mbetem i varrosur nën rërë këtu, në fund të shpellës dhe..." U rashë me forcë këmbëzave për të dalë sipër ortekut nënujor, ndërkohë që mbaja në dorë litarin tërë shpresë. Pak sekonda dhe ndjeva tërheqjen e litarit nga sipër, por paniku ende s'më ishte larguar.
Mbi ujë qëndronin shokët, kamera dhe disa vizitorë. “Syri i Kaltër e ka problemin poshtë, 20 metra thellë,- u thashë.- Kjo e bën më të vështirë shpëtimin e tij".
Syri i Kaltër dhe politika e ruajtjes së mjedisit
Pas publikimit të gjerë në media të problemit të Syrit të Kaltër (shyqyr që është media dhe për mjedisin) në Ministrinë e Territorit dhe Turizmit u bënë dy mbledhje me specialistë të ndryshëm të fushës përkatëse. U bënë shumë propozime për ta sistemuar gjithë zonën, madje dhe për ta pyllëzuar zonën përreth, u propozuan shumë fonde (rreth 50 mijë dollarë), u parashikuan shumë makineri të rënda dhe të lehta për t’u instaluar për punë te Syri dhe u bë shumë publicitet për angazhimet e qeverisë. Në fund, u çua vetëm një makineri që sistemoi zhavoret përreth dhe me kaq investimet mbetën. Por, pas disa muajsh, vetë Syri i Kaltër, filloi të nxjerrë përsëri ujë, ndonëse më pak dhe përsëri të trubullt. Syri i Kaltër po ringjallej vetë. Në fund të marsit të vitit 2003 prurja ishte shtuar më shumë dhe qartësia ishte përmirësuar disi. Po në brendësi ende është i veshur me rërë dhe gurë, gjë që nuk e lejon të ketë bukurinë e Syrit dhe njëkohësisht përbën një rrezik për mbylljen e tij. Shembulli i Syrit të Kaltër është tipik për problemet e mjedisit në vendin tonë; bëhen shumë mbledhje, shumë seminare shkencore, shumë publicitete, shumë politikë dhe shumë pak investime konkrete për ruajtjen dhe përmirësimin e tij.

 

Shekulli

 


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa