Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Kjo ndeshje do te vendoset per transmetim dhe ne Shqiperia.com

E Premte 6 Shtator 2002

Lojë e dobët e kombëtares sonë në miqësoren e Prishtinës. Trajneri i pakënaqur, problemet nxjerrin krye

Kuqezinjtë: Kosova, fort pak për një kombëtare

Në një atmosferë të ndezur festive, ku ngjyrat kuqezi mbizotëronin tërë stadiumin e Prishtinës, kombëtarja e Shqipërisë ka fituar me një autogol të vendasve ndaj përfaqësueses kosovare. Përveç mjedisit inkadeshent dhe frymës vëllazërore të takimit, spektatorët e shumtë në stadium nuk arritën të shijonin asgjë nga loja e kuqezinjve të Shqipërisë. Që në fillim të pjesës së parë, duket qartë se impenjimi i të hedhurve në fushë nga italiani Dosena nuk e kalonte shkallën e një ndeshjeje kontrolli. Nga krahu tjetër, futbollistët kosovarë luftojnë fort, duke iu afruar disa herë golit në portën e Beqajt. Në stolin e kuqezinjve duket qartë dëshpërimi dhe acarimi i trajnerit Dosena, i cili nuk ngurron të hapë serinë e ndërrimeve. Por më kot, sepse edhe të futurit e tjerë në lojë janë treguar tepër apatikë në veprimet e tyre. Pjesa e parë ka më shumë nerv e përkushtim për kosovarët, të cilët kanë krijuar edhe tri raste për të kaluar në avantazh. Mehmet Dragusha, në mesfushë, është truri i të gjitha aksioneve të kosovarëve. Minutat e kohës së rregullt të pjesës së parë kanë mbaruar, por në dy minutat shtesë vjen dhe goli i fitores për kombëtaren e Dosenës. Gabon mbrojtësi vendas, Arsim Abazi, i cili me një autogol aksidental u "dhuron" fitoren kuqezinjve. Merita i takon mbrojtësit energjik Geri Çipi, i cili ka ardhur që nga radhët e mbrojtjes, për t'u shërbyer shokëve të sulmit. Atë që nuk e kanë bërë këta të fundit, e bën gabimisht lojtari kosovar, Arsim Abazi, më i dalluari deri në ato momente në mbrojtjen e Kosovës. Sulmuesi ynë Tare, më kot është munduar ta futë në punë shtatlartësinë e tij në lojën në ajër, sepse është mbuluar rreptë nga Statovski, duke mos e lejuar në asnjë moment që të rrezikojë portën e Beselicës. Pjesa e dytë fillon më mirë për ekipin shqiptar. Duket se ka më tepër grintë në lojën e kuqezinjve, por rutina e aksioneve të pjesës së parë shumë shpejt përsëritet. Edhe ndërrimet e shumta në formacionet e të dyja skuadrave, përveçse e bënë lojën të mërzitshme, nuk ndryshuan asgjë në cilësinë e saj. Përfundimi i takimit të shumëpritur ka fiksuar rezultatin 1-0 për kombëtaren e Dosenës, e cila duhet thënë se ka qenë antipodi i asaj me Breshian. Kuqezinjtë, në këtë miqësore-test para takimit me Zvicrën, nuk kanë treguar asgjë nga vetja e tyre. Trajneri Dosena, tepër i zhgënjyer nga loja e të tijve, e ka hedhur "dorashkën": "Ky ekip nuk më ngrohu fare. Ka shumë gjëra që duhen ndryshuar në të, dhe unë do ta bëj këtë shumë shpejt". Nga ana tjetër, edhe numri 1 i futbollit shqiptar, në vlerësimin e tij ka përsëritur shqetësimin e trajnerit: "Fitorja e sotme i takon organizimit të ndeshjes në Prishtinë. Shpresoj të jenë kënaqur të pranishmit në stadium, sepse impenjimi i kombëtares shqiptare la shumë për të dëshiruar, fakt ky që duhet parë me kujdes nga stafi teknik. Kështu nuk mund të arrihen suksese në takimet zyrtare të evropianit," - ka përfunduar shqetësimin e tij presidenti i FSHF-së, Armando Duka, pas ndeshjes.

Kosovë - Shqipëri 0-1
Kosova:
Beselica
Statovski
A. Abazi
Keçi (Kullovi 22')
Ademi
Dragusha
Selimi
Llumnica (Isufi 66')
Munishi (Duraku 68')
Kollari (Ismajli 88')
Kozniku (Fetahu 14')
Trajner:
B.Sokoli

Shqipëria:
Beqaj (Strakosha 46')
Çipi
Xhumba
Fakaj (Gallo 28') (Sina 41')
Muka (Duro 34') (Skela 71')
Hasi (Cana 80')
Lala
Murati
Bushi
Rraklli (Kola 75')
Tare
Trajner:
Xh.Dosena
Karton i kuq: F. Ademi
Gjyqtar: Bekim Pajuka (Shkup)

Minutat e ndeshjes:
3' - Sulmi i parë i rrezikshëm i kosovarëve në portën e Beqajt. Sulmuesi Kozniku, pasi shkëputet nga krahu i djathtë i sulmit të ekipit të tij, gabon në finalizim. Topi i hiqet në momentin final nga mbrojtësi kuqezi, Çipi. Këndore për vendasit.
7' - Kundërpërgjigjen kuqezinjtë e Dosenës. Bushi, pasi ka depërtuar në zonën e rreptësisë së kosovarëve, gjuan shumë keq, kur kishte mundësi të rrezikonte seriozisht.
10'- Përsëri është Kozniku që rrezikon për përfaqësuesen e Kosovës. Gjuan nga distanca, por pret në pozicion portieri Beqaj.
15' - Rraklli e ka bërë gjithçka bukur deri në momentin e finalizimit, por aty ka gabuar, duke e kalur topin gabimisht mbi traun e portës së Beselicës.
20' - Kollari, mesfushori punëtor i Kosovës, ekzekuton mjeshtërisht një goditje dënimi nga rreth 18 metra. Topi i gjuajtur prej tij grushtohet në këndore nga Beqaj.
28' - Momenti më i rrezikshmë në portën e kombëtares shqiptare. Mehmet Dragusha, pasi kalon dy mbrojtës kuqezinj, del i vetëm me portierin Beqaj. Është ky i fundit, i cili me një dalje të guximshme shpëton për mrekulli portën e tij nga pësimi i golit.
33' - Edvin Murati kalon bukur një top për te Tare në zonën e rreptësisë së vendasve, por ky i fundit nuk është në gjendje të bëjë asgjë përpara portierit kosovar, edhe pse i vetëm me të.
34' - Është sërish Tare, i cili ka rrezikuar seriozisht portën e përfaqësueses kosovare. Gjuan fort përballë Beselicës, por në momentin e duhur vjen ndërhyrja e Arsim Abazit, i cili e devijon topin që po shkonte drejt rrjetës në këndore.
45' - Aksion pa pretendime për kuqezinjtë tanë. Mbrojtësi energjik Geri Çipi ka lënë mbrojtjen dhe është hedhur drejt sulmit. Topi i tij, i adresuar në zonën e rreptësisë së vendasve, kthehet në autogol nga Abazi, duke i dhënë epërsinë kombëtares së Shqipërisë. 1-0 për skuadrën e Dosenës.
47' - Kundërsulm i kosovarëve. Kroson nga krahu i majtë i sulmit të tyre Kollari. Topi gjen kokën e Statovskit, i cili godet rrufeshëm, por jo saktë.
8' - Goditje dënimi për përfaqësuesen kosovare. Ekzekuton Munishi, por jo saktë. Topi i goditur nga rreth 18 metra prej tij kalon mbi traun e portës së Strakoshës.
16' - I sapofuturi në lojë, Klodian Duro, ka shërbyer bukur për Bushin. Ky i fundit godet fluturimthi, por ka pritur në pozicion Beselica.
30' - Pas një krosi të marrë nga mesfushorët e krahut, Tare e ka ulur topi përtokë me kokë për Bushin, i cili gjuan keq, pa e vënë në rrezik portën e kosovarëve.
39' - Aksion i bukur i kosovarëve. Dragusha, pasi ka kaluar mjeshtërisht dy mbrojtës kuqezinj, ka pasuar për Kollarin. Ky i fundit nuk vonon, duke gjuajtur me forcë drejt Strakoshës. Portieri i përfaqësueses shqiptare pret pa vështirësi në pozicion.
41' - Aliu, i futur në lojë në pjesën e dytë, gjuan bukur me kokë, por topi nuk i është bindur plotësisht, duke kaluar mbi tra.
44' - Bledar Kola ka humbur një rast të pastër shënimi për kuqezinjtë. Tare ka shërbyer bukur për të, por mesfushori i rikthyer në kombëtare nuk është akorduar siç duhet në momentin e goditjes së topit. Gjuajtja e tij me kokë nuk ka pasur rrezik për portën e vendasve.

Thanë pas ndeshjes:
Xhuzepe Dosena, trajner i Shqipërisë:
"Jam i gëzuar vetëm për ambjentin festiv që arritëm të krijonim në stadium. Nuk e prisja këtë lojë kaq apatike të ekipit. Duhet pranur se asnjë nga lojtarët që aktivizova nuk kishte impenjimin e duhur në këtë takim. Po e shikoj se ka shumë gjëra për të ndryshuar në skuadër në të ardhmen. Besoj se do ta bëj këtë gjë shumë shpejt."
Bylbyl Sokoli, trajner i Kosovës:
"Luajtëm një takim dinjitoz ndaj një ekipi që është më lart se ne cilësisht. Kemi vetëm tre vjet që kemi dalë nga lufta dhe mendoj se kemi bërë përparime të mëdha në futbollin kosovar. Kam parasysh këtu edhe grupin e lojtarëve të përfaqësueses që luajtën sot. Përveç tre lojtarëve që luajnë jashtë, të tjerët aktivizohen në kampionatin kosovar, i cili po rritet dita-ditës. Atmosfera ishte vërtet festive dhe për këtë duhen falënderuar të dyja skuadrat që e krijuan këtë spektakël në stadiumin e Prishtinës. Të them të drejtën, m'u kujtuan kohët e arta të Fadil Vokrrit me shokë."
Armando Duka, president i FSHF-së:
"Fitorja në këtë ndeshje ishte diçka jo parësore për ne. Erdhëm në Kosovë për të vendosur një urë lidhjeje mes futbollit të të dy vendeve. Falënderoj shumë lojtarët e kombëtares shqiptare për këtë iniciativë, por shpreh rezervat e mia për lojën që zhvilluan sot. Duhet thënë se me atë çka dhamë sot në fushën e lojës ndaj përfaqësueses së Kosovës, jemi shumë larg synimeve për ndeshjet zyrtare. Ekipi nuk ishte i impenjuar sa duhet dhe nuk dha atë që prisnim. Teknikisht nuk mund të them se çfarë duhet ndryshuar në skuadër, por totalisht ekipi nuk e çoi për asnjë moment lojën në nivelin e duhur. Me këtë lojë që bënë futbollistët e kombëtares sot, nuk mund të arrijmë rezultate pozitive në takimet zyrtare që na presin. Shpresojmë që gjërat në të ardhmen të ecin për mirë, duke e treguar këtë që në ndeshjen e tetorit, me Zvicrën në Tiranë."
Sabri Hashani, president i Federatës Kosovare të Futbollit:
"Ky takim vinte pas më shumë se dy dekadash, ndaj atmosfersa arriti kulmin e saj, çka e tregoi edhe pjesëmarrja në stadiumin e Prishtinës. Takimi i sotëm na kujtoi kohët e mira të futbollit kosovar, kur luante Fadil Vokrri me shokë. Trajneri i sotëm i përfaqësueses së Kosovës, Bylbyl Sokoli, ka në dispozicion të tij një gjeneratë cilësore lojtarësh. Prandaj kemi shumë besim se edhe përfaqësimi ynë në të ardhmen do të jetë më dinjitoz."

E Enjte 5 Shtator 2002

Kombëtarja shqiptare ka mbërritur në aeroportin e Prishtinës dje, në orën 14.10. Pritje madhështore

Kombëtarja vesh kuqezi Prishtinën

Nga Prishtina, Driton Latifi
Gjatë daljes së anëtarëve të kombëtares shqiptare nga terminalet e Aeroportit të Prishtinës, shumica e punëtorëve kanë ndërprerë punën për të qenë më afër lojtarëve shqiptarë. Madje shumica e tyre kanë nxituar të bëjnë edhe foto me ata. Pas kontrolleve rutinë, në terminalet e arritjes së pasagjerëve, në aeroportin e Prishtinës, i pari që ka dalë nga avioni ka qenë mbrojtësi shtatlartë, Ervin Fakaj. Ishte ora 14.10, momenti kur avioni i linjës Tiranë - Prishtinë është ulur në pistën e madhë të aeroportit, duke sjellë për herë të parë në Kosovë futbollistët më të mirë të Shqipërisë.
Në mesin e futbollistëve që po zbrisnin shkallët e avionit, fytyrat më të gëzuara dukeshin se ishin ato të Besnik Hasit dhe ideatorit kryesor të ndeshjes së sotme në Prishtinë, Igli Tare.
"Shqipëria, Shqipëria! Kosova, Kosova!". Këto kanë qenë thirrjet e tifozëve të mbledhur në aeroportin e Prishtinës. Arbeni, një djalosh rreth të 20-tave, nga Gjakova, anëtar i tifozëve "Djemtë e Jakovës", të vetmit që kishin ardhur të organizuar për të pritur futbollistët shqiptarë, ndihej i emocionuar para futbollistëve shqiptarë. Duke mbajtur një fanelle të ngjashme me atë të kombëtares shqiptare dhe një shallë në dorë, është shprehur se ndjen kënaqësinë më të madhe që kur e ka ndjekur futbollin. "Eshtë një rast i veçantë. Ata janë futbollistët më të mirë shqiptarë, ndaj nesër (sot) do të jetë festa e madhe e futbollit shqiptar në Prishtinë".
I pyetur se për kë do të bëjë tifozllëk, Arbeni tregon se nuk do të bëjë dallim, pasi aty në mesin e kombëtares shqiptare është edhe gjakovari Besnik Hasi. Por shton se emocionet do ta lidhin pak më shumë me përfaqësuesen e Kosovës.
Pasi kanë zbritur nga avioni, i gjithë delegacioni i kombëtares shqiptare është transportuar me autobus për në qendër të kryeqytetit të Kosovës. Një veturë e policisë u ka ardhur atyre në ndihmë për të kaluar më lehtë në dendurinë e trafikut të makinave.
Me të mbërritur në ambientet e Hotel Grandit, lojtarët janë drejtuar drejt restaurantit për të ngrënë drekën dhe pastaj janë sistemuar nëpër dhomat e hotelit.
Njëri ndër lojtarët kyç të kombëtares shqiptare, Bledar Kola, i rikthyer sërish në kombëtare për ndeshjen me Kosovën, pas një lëndimi që kishte pësuar, shprehet i entuziasmuar: "Ardhja në Prishtinë është diçka që i mungonte kombëtares, por që u arrit me iniciativën e lojtarëve dhe të stafit teknik".
Ndërsa qendërmbrojtësi kuqezi, Geri Çipi, më shumë i koncentruar në fjalët që thotë, shprehet pro fjalëve të Kolës, duke shtuar vetëm se "ndihem shumë i gëzuar që do të luajmë një ndeshje në Prishtinë për Kosovën, tifozët e të cilës na kanë ndihmuar gjithmonë, duke qenë edhe pranë nesh në takime të ndryshme në Tiranë. Përballë meje do të jenë edhe disa ish-lojtarë me mua në ekipe të huaja si Besnik Kollari, Ismet Munishi dhe Mehmet Dragusha", kujton Çipi ditët e bashkëpunimit me këta futbollistë kur luanin me ekipin kampiona të sllovenisë, Maribor.
Në këtë kohë, futbollistët e kombëtares shqiptare lënë hotel Grandin, dhe shkojnë në një takim me presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova. Këtu, presidenti Rugova u ka uruar mirseardhjen duke u shprehur se do të jetë i pranishëm në takimin e nesërm (sotëm). Pasdite, në ora 17:30 kombëtarja shqiptare ka zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore në stadiumin buzë Arbërisë në Prishtinë. Pas tyre, për herë të fundit kanë prekur fushën e stadiumit ku do zhvillohet takimi i sotëm edhe futbollistët e përfaqësueses së Kosovës.


Interesim ndërkombëtar për takimin miqësor Kosovë - Shqipëri

Miqësorja, në "syrin" e mediave të huaja

Takimi miqësor mes përfaqësueseve të Kosovës dhe Shqipërisë në futboll i ka tejkaluar përmasat e një takimi kombëtarë. Kjo, për faktin se qysh dje, në Prishtinë është vënë re një interesim i jashtëzakonshëm i mediave të ndryshme sportive, por edhe i menaxherëve jashtë Kosove.
Kështu, gazeta më e madhe sportive italiane "La Gazzetta Della Sport" do të ketë në stadium gazetar të saj, duke dhënë një artikull special lidhur me këtë ndeshje. Të njejtën gjë janë të gatëshme ta bëjnë edhe media të tjera të huaja që gjenden në Kosovë. Nga ana tjetër, menaxherë të ekipeve të huaja, të cilët mësohet se janë të të interesuar për shërbimet e futbollistëve shqiptarë, nuk e kanë patur të vështirë të gjejnë Prishtinën në itinerarin e tyre drejt zbulimit të talenteve për ekipet e tyre. Bëhet fjalë për disa menaxherë nga Belgjika, por ka edhe anglez, të cilët kanë arritur të vijnë në Kosovë me ndërmjetësinë e menaxherit kosovarë me licencë të FIFA-së, Elver Raça, klient të të cilit janë shumë futbollist të kombëtares shqiptare.
D. L.

Në konferencën për shtyp të dy trajnerëve të skuadrave duken qartë emocionet e para

Trajnerët, formacionet enigmë

As njëri dhe as tjetri trajner, nuk kanë qenë të gatshëm për t'i bërë publik 11-at e parë që do të startojnë në takimin ndërmjet këtyre dy kombëtareve.

Trajneri Sokoli dhe homologu i tij Dosena, në një konferencë shtypi të zhvilluar në "Grand", pohuan se u nevojitet edhe një stërvitje tjetër për të përcaktuar formacionin e parë.
I pari që e ka marrë fjalën, trajneri i kuqezinjve të Shqipërisë, Xhuzepe Dosena, ka pohuar se ndeshja me Kosovën është prova e fundit para takimit me Zvicrën, takim ky i vlefshëm për eliminatoret e kampionatit Evropian të 2004. "Ndonëse nuk e njoh shumë kualitetin e futbollit këtu, ndeshjen me Kosovën e kemi marrë shumë seriozisht, pasi është shumë e rëndësishme përne në prag të ndeshjes zyrtare me Zvicrën", - është shprehur Dosena.
Në dallim nga italiani, në krye të kombëtares shqiptare, i përkushtuar vetëm për ndeshjen e nesërme, homologu i tij kosovar Bylbyl Sokoli, ka gjykuar se rezultati i ndeshjes është për të në plan të dytë.
Të njejtin mendim e kanë ndarë edhe dy presidentët e Federatave të futbollit në Shqipëri dhe Kosovë, Armando Duka dhe Sabri Hashani. Ata kanë theksuar se me këtë ndeshje, do të fillojë një etapë e re e bashkpunimit të ndërsjelltë.
Pas kësaj konference për shtyp, Ahmet Beselica, njëri ndër dy futbollistët që kishte mbrojtur ngjyrat e Kosovës, edhe në vitin 1993 kundër Shqipërisë, nuk ishte në gjendje të thoshte se cili ekip do të jetë më mirë kësaj radhe. "Atëherë kemi humbur 3-1 në Tiranë, pasi kemi qenë mjaft të përgatitur teknikisht, por nga ajo kohë, futbolli shqiptar ka ecur shumë para nesh".

E mërkurë 4Shtator 2002

Përfaqësuesja e Kosovës në prag të ndeshjes miqësore të së premtes ndaj asaj të Shqipërisë

Kosovarët, sfidë kuqezinjve të Shqipërisë

"Nuk ka asnjë ankesë nga futbollistët për dëmtime. Të gjithë janë të gatshëm për lojë, çka është një sinjal i mirë për trajnerin, që mund t'i llogaritë të gjithë të përzgjedhurit,"- thotë mjeku i ekipit, Bashkim Islami

Nga Prishtina, Bekim Devaja

Me stërvitjen e 2 shtatorit, zyrtarisht filluan përgatitjet e përfaqësueses së Kosovës për takimin miqësor me Shqipërinë. Trajneri i Kosovës, Bylbyl Sokoli, filloi punën me mbërritjen e të gjithë lojtarëve në Prishtinë, emrat e të cilëve kishin figuruar në listën e tij të publikuar ditë më parë. Nga lojtarët e thirrur në stërvitjen e parë, e cila u zhvillua në stadiumin e "Ramiz Sadiku" munguan vetëm sulmuesi Zenun Selimi dhe mbrojtësi Arsim Abazi, të cilët pritet të inkuadrohen në përgatitjet e ekipit në Prizren.
"Përfaqësuesja jonë, thuajse e kompletuar, filloi përgatitjet për ndeshjen e së premtes. Përveç Abazit dhe Selimit, të cilët munguan me arsye, i pari pritet të arrijë në çdo çast, pasi tashmë është nisur nga Turqia, ndërsa të dytit i është dhënë pushim, pasi kishte zhvilluar një ndeshje kampionati dhe ishte i lodhur,"- tha trajneri Sokoli. Ai bëri të ditur se nesër dhe pasnesër stërvitja do të vazhdojë në stadiumin "Përparim Thaçi" të Prizrenit, pas së cilës do të mësohen edhe emrat e 18 lojtarëve për ndeshjen me kombëtaren shqiptare, ndoshta edhe 11-shi i parë.
Në stërvitjen e parë u vërejt edhe sulmuesi i KEK-ut, Ylber Aliu, me shtetësi maqedonase, përfshirja e të cilit në ekip ishte me pikëpyetje, për shkak të problemit me dokumentacionin, i cili e shpall banor të Kosovës. "Tashmë është rregulluar dokumentacioni i Ylberit dhe ai është përfshirë në stërvitje. Me dokumentacionet janë kompletuar të gjitha repartet,"- tha Sokoli.
Gjatë dy ditëve të qëndrimit në Prizren, përfaqësuesja e Kosovës do të punojë nga dy herë në ditë. "Ditën e parë, paradite, do të punohet në mënyrë ekipore, pasdite do të punohet me reparte, ndërsa të enjten do të shikojmë t'i bashkojmë repartet dhe përafërsisht të kemi një pasqyrë më reale rreth përbërjes së parë,"- tha trajneri Sokoli. Ai gjithashtu bëri të ditur se në përbërjen e parë pritet të aktivizohet edhe Ardian Kozniku, i cili ka rënë dakort që të veshë fanellën e ekipit të Kosovës të premten, më 6 shtator.
Lajm i mirë për Sokolin është se të gjithë lojtarët e thirrur në përfaqësuesen e Kosovës janë mirë fizikisht dhe askush nuk ka probleme dëmtimi. "Nuk ka asnjë ankesë nga futbollistët për sa u përket lëndimeve. Të gjithë janë të gatshëm për lojë, një sinjal i mirë ky për trajnerin, i cili mund t'i llogaritë për lojë që të gjithë,"- tha mjeku i ekipit, Bashkim Islami.
Në mes të lojtarëve vërehet optimizëm i madh, edhe pse ishte stërvitja e parë e zhvilluar bashkërisht. "Kjo ndeshje ka rëndësi të madhe për ne. Jam optimist dhe mendoj se kemi forcë që të bëjmë një rezistencë të mjaftueshme. Shpresoj për një rezultat të favorshëm, nëse të gjithë angazhohemi maksimalisht,"- deklaroi Enis Fetahu, aktualisht anëtar i ekipit kroat, Zagreb.
Për lojtarin e ekipit gjerman të Eintrahtit të Trierit, Mehmet Dragusha, rezulati i kësaj ndeshjeje të rëndësishme për përfaqësuesen e Kosovës është në plan të dytë, për vetë faktin se ndeshja është historike. "Pres angazhim maksimal të të gjithëve dhe, natyrisht, që të lëmë përshtypje të mirë. Do të përpiqemi me të gjitha forcat t'i tregojmë aftësitë tona. Rezultati nuk do të jetë edhe aq i rëndësishëm,"- theksoi Dragusha.

Ja përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjen ndaj Shqipërisë:
Portierë:
Ahmet Beselica (Prishtina)
Besart Bajraktari (Prishtina)
Masar Çosa (Besiana)
Bujar Thaçi (Liria)
Mbrojtës:
Arsim Abazi (Malatiaspor, Turqi)
Faruk Statovci (KEK)
Fadil Ademi (Drita)
Patrik Doçi (Liria)
Ynall Duraku (Besiana)
Adnan Haliti (Prishtina)
Mesfushorë:
Ismet Munishi (Kocaelispor, Turqi)
Besnik Kollari (Prishtina)
Xhevdet Llumnica (Prishtina)
Bekim Isufi (KEK)
Sunaj Keqi (Drita)
Emin Ismajli (Drita)
Mehmet Dragusha (Eintraht Trier, Gjermani)
Ndrec Komani (Besiana)
Naser Jasiqi (Besa)
Sulmues:
Zenun Selimi (Delemont, Zvicër)
Enis Fetahu (Zagreb, Kroaci)
Kushtim Munishi (Besiana)
Ylber Aliu (Besiana)
Ardian Kozniku (Kroaci)


Takimi Kosovë-Shqipëri, rast për sulmuesin gjakovar që të varë këpucët e përfaqësueses së Kosovës

Ardian Kozniku: Shqipëria, ndeshja lamtumirës!

Nga Prishtina, Driton Latifi
Pas disa muaj pushimi nga karriera mjaft e pasur e futbollistit, Ardian Kozniku ka zgjedhur ndeshjen miqësore Kosovë-Shqipëri për të përfunduar karrierën e tij me përfaqësuesen e Kosovës.
Ndonëse jo në top-formë, sikur e kemi parë në të kaluarën me ekipet evropiane, si Hajduku i Splitit, Kana, Lë Havrë, Bastia, Apoen Nikosia, Dinamo e Zagrebit dhe Karnteni, pritet që sulmuesi gjakovar të paraqitet së paku 20 minuta në takimin e tij të fundit në fanellën kuqezi të përfaqësueses së Kosovës, të cilën e respektoi shumë herë, duke luajtur në ato pak ndeshje modeste të përfaqësueses sonë gjatë viteve '90.
"Pas bisedave me miq dhe shokë të mi, si dhe duke vërejtur moshën në të cilën jam, vendosa të paraqitem për herë të fundit me fanellën e përfaqësueses së Kosovës,"- i deklaroi "Kohës ditore" Ardian Kozniku, i cili me familjen kishte ardhur në Gjakovë për të kaluar pushimet. "Tërë jetën kam qenë në futboll i angazhuar dhe aty do të mbetem edhe më tutje. Por ka ardhur koha që Kosova të mbështetet te forcat e reja, te talentet e reja, të cilat pa dyshim janë mjaft. Ndeshja me Shqipërinë është rasti më i mirë për të përshëndetur ndonjë futbollist nga përfaqësuesja e Kosovës, ndonëse futbollin ekipor, në rast se e ruaj formën dhe nëse do të kem oferta, ndoshta edhe do ta vazhdoj,"- shtoi futbollisti 35-vjeçar më tutje.
Kozniku është paraqitur në 7 ndeshje të përfaqësueses së Kroacisë dhe ka shënuar dy gola. Gjithashtu ka arritur me të zgjedhurit e Çirës edhe në Botërorin 1998, ku fituan medaljen e artë, ndonëse futbollisti ynë nuk arriti ta tregonte plotësisht formën e tij në fushë. Sidoqoftë, Kozniku është paraqitur në ndeshjen e parë me përfaqësuesen e Kosovës ndaj asaj të Shqipërisë, të zhvilluar më 14 shkurt 1993 në Tiranë, kur përfaqësuesja jonë humbi 3-1.

E martë 3 Shtator 2002

Në seancën stërvitore të ditës së djeshme, Dosena ka pasur 14 futbollistë në dispozicion

Kombëtarja, fillojnë përgatitjet për Kosovën

Trajneri i kombëtares shqiptare, italiani Xhuzepe Dosena, ka nisur dje pasdite fushatën përgatitore për takimin miqësor me Kosovën. Ashtu si në ditët e stërvitjes dhe grumbullimit për ndeshjen me Breshian, bashkë me kuqezinjtë që ka pasur në dispozicion, trajneri ka zbarkuar në kompleksin sportiv "Partizani". Stërvitja e parë ka nisur në orën 17.30 minuta dhe të pranishëm në të kanë qenë këta futbollistë: Lika, Nallbani, Fakaj, Lala, Klodian Duro, Hasi, Muka, Gallo, Sina, Bushi, Tare, Rraklli, Bogdani dhe kosovari Lorik Cana. Në seancën stërvitore të ditës së djeshme, bashkë me Dosenën kanë qenë edhe ndihmësi i tij Daniele Pilexhi dhe përgatitësi i portierëve. Numri i lojtarëve që kanë marrë pjesë në këtë stërvitje të lehtë ka qenë 14 veta. Nga këta, katër i përkasin kampionatit shqiptar, ndërsa të tjerët luajnë jashtë vendit. Mes të mbërriturve të ditës së djeshme ka rënë në sy edhe kosovari 20-vjeçar, Lorik Cana, i cili luan për ngjyrat e Paris SG. Ai i është bashkuar grupit tjetër të lojtarëve dhe ka kryer stërvitjen e parë me kuqezinjtë e Shqipërisë. Ndërkohë, burime pranë stafit të kombëtares kanë konfirmuar se legjionarët e tjerë priten të vijnë sot në Tiranë. Po ashtu, është mësuar përfundimisht se mesfushori kuqezi, Fatmir Vata dhe vlonjati Ervin Skela, nuk do të jenë të gatshëm për miqësoren e 6 shtatorit në Prishtinë. I pari është i dëmtuar që në takimin me Breshian dhe nuk është aktivizuar as me ekipin ku luan në Gjermani, Arminian, ndërsa Skela nuk është lënë i lirë nga skuadra e tij. Të njejtat burime pranë stafit të ekipit kombëtar kanë pohuar dje se takimi i planifikuar për t'u luajtur sot në "Selman Stërmasi" mes kombëtares dhe ekipit të Shpresave nuk do të realizohet. Shkak për këtë është bërë zhvillimi i një kupe simbolike mes katër skuadrave më të mira të kampionatit shqiptar. Kështu që Dosena do të vijojë intinerarin e tij të stërvitjes në kompleksin "Partizani", duke zhvilluar nga dy stërvitje në ditë, njërën paradite dhe tjetrën pasdite. Sistemimi i futbollistëve të kombëtares vazhdon të bëhet në hotel Linza.
A. LL


Sulmuesi kuqezi gjykon dy ndeshjet miqësore para Zvicrës dhe shprehet optimist për kualifikimin në grup

Rraklli: Kualifikimi mundësi, jo dëshirë

Kavajasi i kombëtares shqiptare, Altin Rraklli, shprehet optimist për atë çka mund të arrijnë kuqezinjtë tanë në eliminatoret e Kampionatit Evropian të 2004-ës. Nuk e fsheh se i ka lënë njëfarë shije të keqe mosaktivizimi në miqësoren ndaj Breshias, por pretendon se në Kosovë do të luajë që nga fillimi. Ka mbërritur i pari nga "legjionarët" që luajnë jashtë, për t'u vënë nën urdhrat e trajnerit Dosena në kohën e duhur. Bashkë me synimet e tij personale në ndeshjet me fanellën kuqezi, Rraklli flet edhe për ekipin e tij të ri turk, Diabakirsporin. Në një intervistë për "Sportin shqiptar", sulmuesi i kombëtares zbulon gjithçka në këtë drejtim.
- Rraklli, keni ardhur i pari në grumbullimin për miqësoren me Kosovën. Çfarë prisni nga ky takim?
- Kam ardhur në Tiranë që të dielën për t'iu përgjigjur në kohë ftesës së trajnerit Dosena. Ndërsa për atë se çfarë pres nga takimi i Prishtinës, ajo dihet. Dëshira e çdo futbollisti që vesh fanellën kuqezi është që të luajë. Këtë gjë e dëshiroj edhe unë në takimin që do të luajmë me vëllezëri tanë kosovarë.
- Jeni grumbulluar edhe për takimin me Breshian, por nuk jeni aktivizuar. Si jeni ndier?
- Këtë nuk mund ta fsheh. Deri diku kam mbetur i mërzitur për mosaktivizimin tim në atë ndeshje. Këtë e them duke u nisur nga fakti që ishte një ndeshje miqësore dhe kishte vend për t'u aktivizuar të gjithë. Në këtë pikë i jap të drejtë trajnerit për të eksperimentuar edhe me lojtarë të rinj, por, meqë ishte ndeshja e tij e parë, prisja të më fuste në lojë edhe mua. Ishte diçka e vështirë për momentin, por në ditët pas ndeshjes ka kaluar gjithçka. Në ndonjë rast, kur i jam rikthyer këtij momenti dhe e kam analizuar me veten time, kam gjykuar: më mirë që nuk u aktivizova fare, sesa 5 minuta, ku nuk mund të jepja asgjë nga forma ime. Pra, e kam harruar atë çast dhe i kam hedhur sytë përpara, në takimet që na presin.
- Cili është mendimi juaj për stërvitjen dhe frymën që ka sjellë Dosena në kombëtaren shqiptare?
- Dosena është një profesionist i vërtetë si trajner dhe si lojtar, një ish-kampion bote. Duke qenë kështu, edhe "menyja" e stërvitjes që ka sjellë ai në kombëtaren tonë është e tillë. Trajneri i ri italian po i kushton më shumë rëndësi aspektit taktik të lojës, duke dashur të fusë idetë e tij edhe në rreshtimin në fushë. Në takimin me Breshian, mendoj se ia ka arritur pak a shumë kësaj. Sistemi që po përdor Dosena nuk është i ndërlikuar, ndaj duhet adoptuar shumë shpejt nga të gjithë ne.
- Dy takime miqësore përpara ndeshjes me Zvicrën. Mund t'i quajmë ato një test i vërtetë për kombëtaren tonë dhe trajnerin Dosena?
- Jo, kurrsesi. Takimet miqësore quhen të tilla sepse në to eksperimentohet. Duke qenë kështu, asnjë ekip nuk jep maksimumin e tij. Për këtë le t'i rikthehemi ndeshjes me Breshian. Unë, që e kam parë lojën nga stoli, kam vënë re se lojtarët italianë nuk kishin impenjimin e duhur. Pra, fare mirë mund të thuhet se përballë nesh nuk ishte ajo Breshia e kampionatit italian. Tani do të luajmë me Kosovën. Nuk e njoh fare formacionin e tyre, por prapëseprapë mendoj se edhe në këtë takim nuk do të jenë "nervat" e tendosura në maksimum, siç mund të jenë ndaj Zvicrës më 12 tetor.
- Të kthehemi te skuadra juaj e re. Jeni titullar me Diabakirsporin, por nuk e keni gjetur ende golin. Komenti juaj për këtë?
- Mund të them se jam ambientuar shumë mirë në kampionatin turk. Madje te Diabakirspori e kam gjetur veten plotësisht. Tani për tani më mungon vetëm goli, dhe kjo më shumë për fat sesa për dobësinë time. Dy javët e para të kampionatit nuk u aktivizova, pasi nuk më kishin ardhur ende letrat nga Gjermania. Ndërsa në dy ndeshjet e tjera kam luajtur si titullar. Në takimin e së shtunës, ndaj Beshiktashit, kam paraqitur një formë të jashtëzakonshme sportive. Vetëm fati nuk më ka ndihmuar të arrij te goli, pasi rastet i kam pasur të shumta.
- Së fundi, me këta lojtarë që ka kombëtarja jonë aktualisht, cilat do të ishin synimet për Evropianin e 2004-ës?
- Duhet pranuar nga të gjithë se, që në kohën e Hafizit, kombëtarja shqiptare ka ardhur gjithnjë në ngritje. Kjo, falë punës së trajnerëve tanë dhe vetë futbollistëve. Shumica e lojtarëve aktivizohen në kampionate të ndryshme të Evropës, ndaj kanë përfituar shumë nga ana profesionale. Tani, edhe me ardhjen e trajnerit Dosena, kam shpresë se do të jemi një ndër pretendentët seriozë në grupin tonë për t'u kualifikuar.
Alfred LLESHI

Skela, mungesa e radhës në kombëtare

Futbollisti i kombëtares sonë, Ervin Skela, do të jetë i munguari i radhës në miqësoren ndaj kosovarëve. Kësisoj, vlonjati do ta çojë në dy, numrin e legjionarëve që luajnë jashtë, por që nuk do të jenë të gatshëm për italianin Dosena në këtë provë të dytë para ndeshjes me Zvicrën. Nëse Fatmir Vata do të mungojë për shkak dëmtimi, Skela nuk është lënë i lirë nga klubi i tij për të ardhur në Tiranë. Skuadra ku aktivizohet, Eintrahti i Frankfurtit, luajti të shtunën e kaluar ndeshjen e Kupës së Gjermanisë ndaj Erfurtit dhe u kualifikua në minutën e 118-të, falë golit të shënuar prej shqiptarit, kur koha e rregullt kishte përfunduar 2-2. Ndaj, drejtuesit e klubit të tij, duke e konsideruar shqiptarin si një forcë të madhe për takimin e radhës në kampionat, nuk i kanë dhënë leje për t'u grumbulluar me kombëtaren e vendit të tij. Goli i artë i kualifikimit të Eintrahtit të Frankfurtit në kupë, duket se ia ka rritur më tepër vlerat vlonjatit kuqezi, ndaj është "gozhduar" prej klubit gjerman të Ligës së dytë.
A. Ll

 

(marre nga Gazeta Sporti Shqiptar)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa