Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

 

Historia e ditës së Shën Valentinit

NGA FEBRUATA PAGANE TEK SHËN VALENTINI I KRISHTERË

Edvin Cami/ALNA

Rrënjët parakristiane

Februata Juno ose Lupata
Februata Juno ose Lupata

Të dhënat e para mbi festimin e ditës së Shën Valentinit i gjejmë në Romën parakristiane, kur paganët festonin “Festën e Ujkut” ose “Lupekarlinë” në çdo 15 shkurt. Kjo festë organizohej çdo vit për nder të perëndeshës romake Februata Juno, e cila njihej si perëndesha e grave dhe e martesës, apo e dashurisë së “ethshme” (febris-ethe), si dhe për nder të Panit, zotit romak të natyrës.

Në këtë ditë feste tërësisht erotike, gra të reja vendosnin në një qyp a vazo disa bileta, ku kishin shkruar më parë emrat e tyre. Më pas, djemtë tërhiqnin biletat nga vazoja për të zbuluar se cila do të ishte shoqja e tyre seksuale e ditës, e vitit dhe, në raste të veçanta, e gjithë jetës. Çiftet që dilnin nga “qypi” shkëmbenin dhurata me njëri-tjetrin në shenjë dashurie dhe, shpesh, edhe martoheshin.

Nga mëkati tek shenjtëria
Kur Krishtërimi u shfaq në skenën romake, pati përpjekje për ta zëvendësuar këtë traditë me një mënyrë tjetër festimi, që t’i afrohej më tepër linjës së etikës dhe moralit. Tradita e të shkruarit të emrave, hedhjes së tyre nëpër qypa e vazo dhe përzgjedhja e këtyre emrave vazhdoi, por tani këta emra u zëvendësuan me emrat e shenjtorëve, të cilët zgjidheshin për gjithë vitin.

 


Shë Valentini i Ternit

Nuk është për t’u habitur që ky version i krishterë i Luperkalisë, për shkak të humbjes së karakterit fillestar erotik, vdiq shpejt, pa arritur të shndërrohet në traditë të qëndrueshme.

Megjithatë, të krishterët e asaj kohe nuk tërhiqeshin lehtë. Kësaj radhe ata u përpoqën ta shndërrojnë një “festë të epshit”, si Luperkalia, në një “romancë rituale”. Për këtë qëllim, Kisha do të zgjidhte një shenjt për të zëvendësuar perëndeshën Februata Juno. Ky shenjt do të ishte Shën Valentini. Viti 496 e.s. ishte koha, kur papa Gelasius shpalli ndryshimin zyrtar të festimit të datës 15 shkurt, si ditë e Lueperkalisë, me 14 shkurtin e ditës së martirizimit të Shën Valentinit, për t’i dhënë kësaj tradite pagane një kuptim të krishterë.

Edhe tradita e tërheqjes së biletave, si jehonë e Luperkalisë, vazhdoi dhe gratë e burrat, të martuar apo jo, tërhiqnin nganjë “valentin”. Pasi çiftoheshin sipas biletave, shkëmbenin dhurata dhe kujtime dashurie. Kjo traditë vazhodi deri në shekullin e tetëmbëdhjetë në këtë mënyrë, por, dalëngadalë, ajo pësoi edhe ndryshime. Më vonë dhuratat nuk shkëmbeheshin nga të dy anët. Tani ato u bënë vetëm përgjegjësi e burrit. Ky ndryshim bëri që të mos ndjehej më nevoja e zgjedhjes së rastësishme të emrave dhe meqë shumë burra jo edhe aq të pasur e kishin shumë të vështirë t’u bënin dhurata të shtrenjta grave fisnike e të pasura, individët u lanë të lirë që ta zgjedhin vetë “valentinin” e tyre. Në këtë mënyrë, festimi mori një kuptim të veçantë dhe më serioz mes çifteve.


Shën Valentini i Romës

Kush ishte Shën Valentini?

Duke qenë se regjistrimet e sakta për jetën dhe veprimtarinë e këtij shenjti mungoj

në, historia e tij nuk njihet me saktësi, ndërsa pretendimet se Kisha mund ta ketë “zbukuruar” disi atë histori për ta bërë më joshëse për besimtarët romantikë janë shumë të përhapura.

Sipas një legjende, Valentini ishte vrarë me urdhër të perandorit romak Klaudius II për arsye se kishte drejtuar fshehurazi ceremonitë e martesave të ushtarakëve. Klaudsiusi II kishte krijuar bindjen se burrat beqarë janë ushtarë më të mirë sesa ata që kanë gra dhe familje, prandaj edhe kishte urdhëruar ndalimin e rreptë të martesave të meshkujve të rinj, të cilët do të përgatiteshin për t’u marrë në shërbimin ushtarak. Valentini nuk e kishte marrë parsysh këtë urdhër të Klaudiusit II dhe kishte drejtuar në mënyrë të fshehtë martesat e çifteve të rinj. Kur ky veprim i tij u zbulua, Klaudiusi urdhëroi pa e zgjatur dënimin me vdekje dhe ekzekutimin e tij.

Gjatë kohës që ishte në burg, në pritje të ditës së ekzekutimit, thuhet se shenjti i ardhshëm kuroi bijën e gardianit të burgut nga verbëria. Vajza e varfër u dashurua marrëzisht pas Valentinit dhe u përpoq që t’i shpëtonte me çdo kusht jetën, por nuk mundi. Në prag të ekzekutimit, Valentini arriti t’i dërgonte vjedhurazi vajzës një letër të shkurtër. Letra thuhet se mbyllej me fjalët: “Nga Valentini juaj”. Këtë shprehje e gjejmë sot të përhapur në kartolinat e shumta që dërgohen me rastin e ditës së Shën Valentinit.

Versione të tjera
Një histori tjetër, e ardhur nga e shkuara e largët, thotë se Valentini ishte një prift i shenjtë në Romë, i cili ndihmonte të krishterët t’u shpëtonin burgjeve të tmerrshëm romake, ku ata rriheshin e torturoheshin shpesh në mënyra çnjerëzore. Valentini u arrestua dhe u dërgua tek prefekti i Romës pikërisht për këtë. Ky i fundit u mundua ta bindte Valentinin që të heqë dorë nga besimi i tij, por nuk pati sukses, prandaj edhe urdhëroi rrahjen e tij me dru dhe më pas ekzekutimin me prerje koke. Kjo histori bëhet e ditur të ketë ndodhur më 14 shkurt 270 e.s..

Sipas Enciklopedisë Katolike, ekzistojnë edhe tri variante të tjera të historisë, të cilat lidhen të gjitha me disa martirë të krishterë, të ekzekutuar më 14 shkurt. Njëri nga ata përshkruhet si një prift në Romë, një tjetër si ipeshkvi në Interamna (Terni i sotëm) dhe një i tretë në Afrikë.

Në traditat e shumta nuk mungojnë edhe versionet negativiste. Një histori thotë se Valentini ishte një prift i një qyteti bregdetar, me ndihmën e të cilit marinarët e ardhur nga vende të ndryshme të botës kryenin një lidhje martesore me prostitutat e vendit dhe, në këtë mënyrë, i jepnin karakter “legal” marrdhënies së tyre seksuale me këto prostituta. Ky prift, gjithashtu, thuhet se pranonte të organizonte ceremonitë martesore për ata çifte, martesa e të cilëve refuzohej të bëhej nga Kisha për arsye nga më të ndryshmet. Ky ishte shkaku që, sipas të dhënave, ky prift, i shndërruar më vonë në shenjt, nuk shihej me sy të mirë nga Kisha. Por edhe kjo histori, sikurse versionet e tjera, është e vështirë të argumentohet.

Tradita të tjera të ditës së Shën Valentinit
Një numër legjendash e bestytnish, të lidhura me zanafillën e ditës së Shën Valentinit, lidhen me besimin e përhapur në Anglinë dhe Francën mesjetare, sipas të cilit 14 shkurti është dita kur zogjtë nisin të çiftëzohen. Letërsia angleze dhe frënge e shekullit të pesëmbëdhjetë i referohet shpesh dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kësaj praktike.

Kartolinat e para
Kartolina e parë e shkruar e Shën Valentinit i njihet, zakonisht, Sharlit, dukës së burgosur të Orleanit, i cili në vitin 1415 luftonte kundër izolimit të tij duke shkruar vargje për të shoqen. Aty nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë kartat e Shën Valentinit nisën të përhapen aq shumë, saqë Kisha e ndjeu veten të shqetësuar dhe njerëzit e saj nisën të predikojnë e moralizojnë kundër kësaj tradite.

Kartolinat e përgatitura në formë artizanale, në të cilat viheshin re simbole zemrash dhe kupidësh, u bënë shumë të përhapura nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë. Një kartolinë Valentini e blerë u bë mënyra më popullore për të shprehur dashurinë gjatë dekadave të hershme të shekullit të nëntëmbedhjetë. Punime artistike në miniaturë, kartolina të pikturuara zakonisht me dorë dhe të zbukuruara shpesh me mëndafsh e lule, me zbukurime na puplat e zogjve tropikalë, me fije ari etj. ishin shumë të pëlqyera për kohën.

Roli i shërbimit postar

Shërbimi postar në të shkuarën ishte një faktor që ndikonte negativisht në popullaritetin e kartolinave të Shën Valentinit, pasi dërgimi me postë i tyre kushtonte jashtëzakonisht shtrenjt dhe ishte i papërballueshëm për shtresat e mesme të popullsisë. Për më tepër, në atë kohë nuk ishte dërguesi, por marrësi ai që paugante për postën. Për këtë arsye, dërgimi i kartolinave nuk bëhej përmes postës, por dorazi nga dërguesi vetë ose nga ndonjë i njohur i tij.

Ulja e çmimeve dhe tarifave postare e rriti në mënyrë të jashtzakonshme numrin e kartolinave të dërguara për çdo ditë të Shën Valentinit. Vetëm numri i kartolinave të dërguara për Krishtlindje arrin të jetë më i madh. Edhe teknologjia bashkëkohore ka krijuar mundësinë e dërgimit të kartolinave elektronike, të pajisura edhe me melodi e video.

Zanafilla e simbolit të zemrës së shpuar nga shigjeta
Dita e Shën Valentinit gjithashtu, është bërë traditë që të simbolizohet përmes një fëmije të zhveshur që lëshon një shigjetë nga harku i tij, për të shpuar një zemër. Ky është simboli i Kupidit, i cili në traditën romake përshkruhet si biri i Venusit, perëndisë romake të dashurisë dhe bukurisë.

Marrë nga Gazeta Shekulli


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa