|
|
"Prilli i thyer i Sandër Prosit
nga Admirina Peçi
Çfarë ka ndodhur në ato ditë të ngrysura
prilli në hotel Vollga teksa xhirohej filmi Pranverë
e hidhur. Intimitetet e një aktori të madh, përmes
një gruaje.
Sandër
Prosi, mjeku me shikim magjepsës, u bë artisti që, me origjinalitetin
e vet, i dha artit shqiptar, natyrshmërinë, burrërinë,
urtësinë, butësinë e heronjve të historisë
sonë duke vendosur tek ata kohën e pakohë, pra duke i bërë
të pavdekshëm në mendjen e njerëzve
Në një nga vilat e pakta të mbetura në zonën
e bllokut, në galerinë e një piktori, ruhet ende me fanatizëm
që prej prillit të vitit 1985 një portret i çuditshëm.
Me shallin e hedhur shkujdesur në qafë, flokët e shpupurisur
e vështrimin e thellë fshehur pas syzeve aktori Sandër
Prosi ende thotë diçka. Ndoshta fjalë të pathëna
në ato ditë prilli, që u thyen në mes dhe e ndanë
shpirtin nga trupi në hotel Vollga. Koha e rënduar
duket ende përtej kokës së menduar të aktorit, atje
ku peneli ka hedhur ndoshta veç reve të errëta edhe trishtimin
e asaj humbjeje. Tashmë kanë kaluar vite e ai portret sikur
është harruar. Të vetmit që e kujtojnë ende janë
njerëzit e paktë të grupit të xhirimit, që punuan
me Sandrin. Ata e dinë se si Vangjel Gjikondi kishte mundur të
shkëpuste nga ai portret edhe copëza dhimbjesh e shqetësimesh
që i kishin trazuar mendjen. E në ato pak ditë xhirimesh
kanë ndodhur plot ngjarje të zakonta e të pazakonta, mbyllur
me një ngjarje tragjike. Të gjitha këto, tani pak kush
i di. Ngjarja tragjike e mori me vete të vërtetën e asaj
dite të ngrysur prilli
Ishte mesditë. Përballë kishte vetëm muret e dhomës
së hotelit, ku po kalonte ato ditë të ngarkuara me plot
ndiesi e shqetësime prej artisti. Filmi ende nuk kishte marrë
rrugë. Personazhi i tij ende nuk ishte afruar tek porta për
të trokitur në vëmendjen e shikuesve. Ndoshta ishte gati
për ta nxjerrë nga vetja edhe këtë rol. Por ndoshta
edhe jo. Kur pa që të gjithë ishin larguar
Se çfarë ka ndodhur në ato pak minuta askush nuk e di.
Panë trupin e tij të shtrirë përtokë, me një
pamje të shqetësuar që i kishte ngrirë në fytyrë.
Dëshmitarët e parë thonë se ai ka rrëshqitur
në një moment marramendjeje. Ekulibri ka humbur shtratin e përhershëm
e ai ka shkelur kufirin ku jeta dhe vdekja bëjnë duel. Në
këto momente kamerat ishin vendosur në një shtëpi
të vjetër, në një lagje të qytetit. Grupi i xhirimit
aty mori vesh lajmin e kobshëm. Të gjithë ngrinë në
vend. Vrapin nga ajo lagje e vjetër deri tek hotel Vollga asnjëri
nuk e ndieu. Qe një vrap i çmendur, që nuk mundi të
arrijë dot vdekjen që ishte larguar duke lënë pas
gjurmë të kuqe gjaku.
Çfarë u fiksua në kamera ato ditë?
Dy operatorët e filmit, Gavrosh Haxhihyseni dhe Mihal Rama ende
i sjellin ndërmend ato ditë xhirimesh. Ai kishte kohë që
nuk luante në një film dhe dëshirohej për një
rol. Kur i ofruan rolin e një fotografi ai nuk nguroi. Vetëm
se shqetësimin nuk e largonte dot nga vetja. Do mund të arrinte
të krijonte një personazh që do të mbetej në
mendjen e njerëzve? Konsultohej çdo ditë për
rolin e tij, megjithëse personazhi ende nuk kishte nisur të
fokusohej si duhet në kamera. Ishin xhiruar vetëm planet e para
të filmit. Madje në atë pjesëz filmi që ruhet
ende në arkivin e Kinostudios, janë ato pamjet e pakta ku ai
ecën buzë detit e monologon. Më tej kamera nuk fiksoi asgjë
tjetër nga Sandër Prosi- kujton operatori Gavrosh Haxhihyseni.
Sandër Prosi, në kujtimet e një gruaje
Pak kush e di, se në shtëpinë e tij, ku shkruhet me shkronja
të mëdha Këtu ka banuar aktori Sandër Prosi,
në katin e dytë, brenda një dollapi paksa të vjetëruar,
gjendet ende një violinë. Bashkë me të jeton një
grua. Ato shpesh herë kuvendojnë me njëra-tjetrën
për njeriun e zemrës, atë që prej kaq kohësh
u mungon shumë, Sandrin. Tani ajo rri e heshtur dhe nuk preket nga
askush.
Me të kanë jetuar shumë vite, ndoshta vitet më të
bukura të jetës. Për 20 vite kanë jetuar në një
dhomë të vetme. Aty Sandër Prosi, bashkë me gruan
e tij Fila ( kështu e thërriste), dhe dy djemtë Aristidhin
dhe Adrianin, kanë ndarë lumturinë dhe dhimbjen. Por Fila
ndiehej e lumtur me Sandër Prosin. Edhe pse mungesat nuk reshtnin
kurrë ne gjithmonë do të gjenim kohë për të
qetësuar njëri-tjetrin. Për tu falur dashuri prindërore
dhe sigurisht, për të dalë bashkë mbrëmjeve,-
kujton Filomena, gruaja 72- vjeçare që jeton me hijen dhe
kujtimet e bashkëshortit. Vërtitja tij nëpër kokën
e lodhur të gruas, shpërthen dhe zbrazet në trajtë
lotësh faqeve të rrudhura nga mosha. Ai po punonte me
Otellon dhe monologjet e shumtë, recituar gjithë
ton nga Sandri, kishin zënë të nguliteshin edhe në
kokën e Aristidhit që ishte gjashtë vjeç. Një
dhomëz dhe katër njerëz brenda saj.... E si mund të
punohej ashtu! Por Sandri nuk donte të kërkonte asgjë,
as edhe një strehë ku të punonte i qetë -tregon
Filomena.
Dilnim shpesh jashtë,- kujton ajo- përballë shtëpisë,
aty pranë një shtylle elektrike, ku poshtë llambushkës,
dukeshin qartë shkronjat e tekstit. Unë mbaja tekstin dhe ai
recitonte... përsëriste e përsëriste shumë herë
ato çka ishin shkruar në atë grumbull fletushkash, derisa
ai të mendonte se puna kishte mbaruar.
Kështu nxinte rolet e tij, gjersa morën një hyrje për
të qenë. Harresa e shtetarëve la mjaft vraga të pahijshme
në jetën e tij. Madje edhe tani, pas vdekjes, e shoqja jeton
vetëm me pensionin e saj shumë të ulët ... dhe me
ato... kujtimet e bukura.
Njohja me Sandër Prosin
Ai atëherë ishte një aktor mjaft i njohur. Ajo 26 vjeçe,
koriste në pallatin e Kulturës, Elbasan. Vajza kryeneçe
dhe plot naze, nuk e dinte se kishte zënë vend në ëndrrat
dhe jetën e tij. Në atë kohë Sandri do të jepte
një shfaqje në Elbasan, e cila nuk i la ndonjë mbresë
të madhe vajzës që ai kishte piketuar.
Pas vëzhgimit nëpërmjet të çarës së
një gazete, pas shumë e shumë troke hapash nga pas, shumë
rrahje zemrash, në familjen e Filomenës, së bashku me një
propozim martese, kishin mbërritur edhe ca ftesa për në
teatër. Nuk dinte çtë bënte. Por fati kishte
dashur që këto naze të kurorëzoheshin me martesë
dhe Filomena pak nga pak do të ndihej e dashuruar. Kemi kaluar
një jetë me shumë, shumë dashuri....- kujton
gruaja që jeton e vetmuar në shtëpinë madhe.
Viktor Gjika: E nxora Sandrin nga spitali dhe e nisa për
në xhirime
Ai e dinte se Sandër Prosin e shëronte vetëm puna. E dinte
se nuk duhej lënë asnjëherë brenda mureve të
spitalit, në ato korridore ku shpesh të zihej fryma vetëm
duke parë përreth. Aktori kishte nevojë të jetonte
ndryshe, të merrte e të jepte me personazhet e tij. Regjisori
Viktor Gjika e dinte këtë. I kishte ndodhur edhe dy herë
të tjerë ta merrte Sandrin nga shtrati i spitalit dhe drejt..
e në punë. Ai e ndiente veten mirë vetëm në
sheshin e xhirimit,- thotë regjisori teksa rrëfen tentativën
e fundit për ta kthyer Sandrin në botën e filmit.- Herën
e parë mjekët ishin pataksur. Nuk mund ta merrni, ai është
sëmurë, nuk është në gjendje të dalë
e të bredhë nëpër sheshet e xhirimit-i kishin
thënë ata. Regjisori nuk i dëgjoi. Sandrit i shkrepëtiu
një dritëz gëzimi në sy. Atëherë po
xhironim filmin Përballimi dhe ai e përballoi jo
vetëm filmin, por edhe sëmundjen. Pastaj e njëjta gjë
ndodhi edhe me filmin Nëntori i dytë, e këtu
ai ishte shumë më lart,- thotë Gjika. Regjisori kujton
se kështu e mori Sandrin edhe për flmin Pranverë
e hidhur. Sërish ishte në spital, e kishte kohë që
nuk angazhohej në një film. Mendova se një rol do ti
bënte mirë- tregon regjisori.
Muharrem Fejzo. I rekomandoi pikërisht Sandër Prosin. Atij
filmi i duhej vërtet pasioni dhe puna e Sandrit- thotë
Gjika teksa mundohet të kujtojë edhe momentin kur ka marrë
lajmin e hidhur. Njoftimin për vdekjen e tij e kam marrë
teksa ndiqja premierën e një filmi. Nga ajo ditë mbaj mend
vetëm tronditjen e thellë që kam përjetuar. Sandrin
pastaj e kam parë vetëm në morg. Ishte një humbje
fatale,- thotë regjisori.
Kush ishte Sandër Prosi
Sandër Prosi mbaroi studimet për stomatologji, duke qenë
profesionalisht larg artit dramatik, por brenda dhimbjes artistike të
njeriut. Kjo do ta shtynte drejt skenës për të depërtuar
në karaktere dhe figura historike dhe artistike, të cilat do
të nxirrnin në pah aftësinë e tij për t'i tejkaluar
ata dhe për t'i bërë pjesë të karakterit të
vet. Burri me pamje fisnike, do të thirrej herë pas here me
emra të ndryshëm dhe do të linte mbresa të veçanta
për spektatorët, duke sjellë para syve të tyre Abdyl
Sharren, kapitenin e Bigës, dr. Kristo Borovën, peshkatarin
Vranen, Jaho Labin, profesorin, Miti Vozarin, Sefedinin, Dhaskal Todrin,
Ismail Qemalin, prof. Mirushin, kolonelin Xhon, Brunon, Markun, gjeneralin,
Pilo Mullixhiun etj.
Ishte viti 1961 kur ai mori rolin e parë në film . Ishte personazhi
i drejtorit të shkollës në filmin "Debatik".
Ky do të ishte fillimi, ndërkohë që ai do të
spikaste dukshëm duke reflektuar impulset e magjishme të artit
dramatik. Me shikimin e thellë, me të folurën e prerë,
me zërin e ëmbël, ai nuk mund të mos të shfaqte
Sandrin e vërtetë, njeriun e natyrshëm, që u bë
artist i madh. Në filmin "Vitet e para" ai i bëri
përshtypje spektatorit për një konkretizim të qartë
të personazhit të Abdylit, duke mbetur në mendje të
çdokujt për një kohë të gjatë. Më
vonë, ai luajti në mjaft filma të suksesshëm, si:
"Horizonte të hapura", "I teti në bronz",
"Mëngjese lufte" , "Yjet e netëve të gjata",
"Në fillim të verës", "Fijet që priten"
, "Përballimi", "Gjeneral Gramafoni" , "Udha
e shkronjave", "Plaku dhe hasmi", "Kush vdes në
këmbë", "Detyrë e posaçme", "Oshëtimë
në bregdet", "Guximtarët", "Shtigje lufte",
"Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Njeriu me
top", "Vajzat me kordele të kuqe", "Plumba perandorit"
etj.
Sander Prosi , si një nga aktorët më të mëdhenj
të skenës shqiptare, është nderuar me disa çmime,
kupa, medalje si dhe me çmime të Republikës. Kështu,
në vitin 1975, ai u nderua me Çmimin e Republikës së
Shkallës së Parë, për rolin e Jaho Labit në filmin
"Në fillim të verës".
Realizimi i figurës së Ismail Qemalit, ishte imponuese, kështu
që ai u nderua me Medalien e Festivalit të Pestë dhe me
Çmimin e Republikës të Klasit të Parë.
Për mëse tre dekada krijoi mbi 80 role në 75 vepra të
autorëve të huaj dhe tanët. Por klasi i lartë i tij
bëri që asnjëri prej tyre të mos i ngjajë tjetrit:
trupi i drejtë, pamja fisnike, me një nur skenik, vështrimi
i ngrohtë, plastika dhe forca e fjalës së tij, nëpërmjet
zërit të veçantë, i dhanë këtij aktori
përmasat e një artisti të madh të skenës.
Thonë për të
Vangjel Gjikondi: Mbetet i pavdekshem
Ishte artist i gjithanshëm. Me origjinalitetin e vet, ai i dha artit
shqiptar, natyrshmërinë, burrërinë, urtësinë,
butësinë e heronjve të historisë sonë duke vendosur
tek ata kohën e pakohë, pra duke i bërë të pavdekshëm
në mendjen e njerëzve.
Me të mund të flisje për gjithçka, për të
gjithë artet, e për të gjithë gjërat që
shqetësojnë një njeri. Ai njihte autorët e ndaluar
dhe veprat e ndaluara me përsosmëri. Diskutonte me pasion për
filozofët e mëdhenj dhe e donte shumë Niçen. Ndërsa
nga muzika klasike pëlqente më shumë Vagnerin. E të
mendosh se në atë kohë të dëgjojë muzikën
e tij, ishte si të dënoje vetveten.
Ilia Terpini: Sandri, një artist i madh që vdiq i varfër
Është një nga figurat më të talentuara të
artit teatral dhe kinematografik shqiptar. Karakteristikë kryesore
e Sandrit ishte se ai punonte me shumë pasion. Përveç
se ai ishte një kollos i artit, dinte të ishte jashtëzakonisht
i thjeshtë. Kam patur fatin të punoj me të në disa
filma. Mbresat i kam ende të gjalla. Mjaft të kujtoj I
teti në bronx ku Sandri kishte rolin e doktorit, një rol
shumë i vështirë e kompleks. I duhej të kuronte ushtarë
gjermanë, kur në familje strehonte një partizan. Kishte
një dhëndër që i përkiste forcave regresiste.
Imagjino se në çrreth duhej të vërtitej ai
për të nxjerrë figurën e tij komplekse. Do të
doja ta krahasoja me aktorin francez Zhan Gaben tek Të mjerët.
Ai dallohej në interpretimet e tij por edhe jetën e jetonte
si ti vinte. Ndaj edhe ishte shumë i vërtetë në
rolet e tij. Më vjen keq vetëm për një gjë, që
një artist kaq i madh sa ai vdiq, dhe vdiq i varfër
Disa nga filmat ku ka luajtur
"Vitet e para"
"Horizonte të hapura"
"I teti në bronz"
"Mëngjese lufte"
"Yjet e netëve të gjata"
"Në fillim të verës"
"Fijet që priten"
"Përballimi"
"Gjeneral Gramafoni"
"Udha e shkronjave"
"Plaku dhe hasmi"
"Kush vdes në këmbë"
"Detyrë e posaçme"
"Oshëtimë në bregdet"
"Guximtarët"
"Shtigje lufte"
"Gjenerali i ushtrisë së vdekur"
"Njeriu me top"
"Vajzat me kordele të kuqe"
"Plumba perandorit" etj.
(marre nga Revista Spektër)
|
|
|