Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

E përditshmja franceze “Le Figaro” në rubrikën “Rrugë të mistershme” të ditës së djeshme, duke u nisur nga rruga me këtë emër bën një panoramë të Shqipërisë sot. Hiri i rrugës që fillon në Shqipëri dhe lidh bregun adriatik me Bosforin, përmes Ballkanit

Rruga “Egnatia”: Fantazmë perandorish

Përgatiti: Belina Budini
Ajo është një rrugë perandorish. Zgjatim i rrugës “Apia” përtej gadishullit italian, që lidh Romën e vjetër me Stambollin e ri përmes peisazheve të trazuara të Ballkanit. Por, për Shqipërinë, rruga “Egnatia”, vepër e një konsulli romak të shekullit II para J.K., që i ka dhënë emrin e vet, është si tehu i një shpate ngjeshur në brinjët.

Rruga EgnatiaAty janë ngatërruar qysh prej kohërave antike, të gjitha ëndrrat e madhështisë së Oksidentit e të Orientit. Andej kanë kaluar legjionet romake, ushtritë e Bizantit, kryqëzatat dhe jeniçerët otomanë. Ndonjëherë vërshonin atyre anëve aq shumë ushtri sa gjeneralët nuk gjenin dot ushtarët e tyre. Në vitin 1913 dyndeshin trupa austriake, franceze, serbe, turke, holandeze, etj, që nuk dihej më aleatë të kujt ishin.
Andejpari kanë kaluar udhëtarë të ndritur. Ciceroni, gjatë ekzilit të vet, zbarkoi në Durrës; Shën Pavli udhëtoi në drejtim të kundërt për të mbërritur në Romë. Që prej andej erdhën begatia, pushtimi dhe shkatërrimi. Aty mësynë të gjitha fetë e reja dhe sëmundjet e turpshme... Një pirg ure, ndoca kalldrëme në një fshat të humbur janë jehona e mbetur e kësaj të shkuare të trazuar. Kaq. Rruga “Egnatia” është zhdukur. Nuk ka mbetur tjetër gjë në vend të saj veç një udhe modeste prej bitumi, shtruar me atë pluhurin që e pështjell Shqipërinë si një qefin.
Por ndonjëherë pamja të gabon. Mbi këtë rrugëzë shtruar me zift fryn sot një erë e re, ajo e kapitalizmit. Shqipëria është kredhur aty, kryengulthi. Durrësi, ku fillon rruga, nuk është më “ajo taverna e Adriatikut” që përshkruante dikur Catulle, as ai porti i mjerë ku, në fillim të shekullit XIX, jetonin në mes gërmadhash jo më shumë se 2 mijë banorë, por një qytet jo pa sharm, që e ka përpirë çmenduria e ndërtimeve të reja.
Ka nga ata që i kanë ndërtuar shtëpitë e tyre mbi mozaikët e kahershëm, që qëndrojnë të pabëzajtë nën beton. Së fundmi është prishur edhe rezidenca e vjetër e princit Vid, mbretit të përkohshëm të Shqipërisë në vitin 1914, vendosur nga traktati i Londrës. Gjatë periudhës komuniste, kishat u zëvendësuan me ndërtesa të zymta administrative. Ishte viti 1967. Diktatori Enver Hoxha kishte shpallur revolucionin kulturor. U mbyllën të gjitha kishat dhe xhamitë; ato që nuk u shembën u shndërruan në depo gruri, kinema, tribuna dhe stalla.
Shqipëria argëtohet me kapitalizmin. E luan sipas mënyrës së vet. Si një pjesë nga Jonesko ose një operetë në të cilën truprojat dhe doganierët recitojnë rolet e dorës së parë. Në fillim të shekullit një udhëtar francez që kalonte në Durrës çuditej ku shihte aq shumë monedha në qarkullim. Pak rëndësi ka se këto fantazi, ky mjedis pazari-operetë, i kanë kushtuar shtrenjtë në të shkuarën.
Në 1997 rënia e firmave piramidale e zhyti vendin në kaos. Shumë shqiptarë qenë mashtruar nga premtimi për t’u pasuruar pa punuar. Në fund i humbën të gjitha. Në Durrës turma e tërbuar iu përvesh hotel “Adriatikut” me ballinën staliniste, ku priteshin miqtë e huaj në kohën e Enver Hoxhës, dhe rezidencës së mbretit Zog. Në fshat, në kolltukun e sovranit gjetën një rome.
Ndodhia u harrua. Në bregdet betonohen ndërtime të reja. Fasadat lyhen me të gjelbër ose lejla për të dhënë një pamje festive. Dhe shqiptarët, megjithëse një nga popujt më të varfër të Evropës, investojnë pa hesap. Deri në 60 mijë dollarë për një shtëpi me tre dhoma, që në lëkundjen më të parë të tërmetit mund të bëhet pluhur e hi. “Askush nuk ka para por të gjithë blejnë”, - thotë duke qeshur një grua e mbajtur mirë. Nga vijnë paratë? Nga diaspora, nga emigrantët dhe nga ekonomia e nëndheshme.
Nga Durrësi në Elbasan, mbi rrugën ende plot gropa, të zë syri vetëm Mercedesë. Kjo është vetura e popullit, por përfaqësuesi i kësaj marke në Tiranë nuk shet më shumë se 20 modele në vit. Si është e mundur? “Shqiptarët janë më inteligjentët. Edhe më shumë se francezët e italianët”, - përgjigjet i irrituar një doganier i antikontrabandës. Me sigurinë e atij heroit si në fejtonet e viteve ’70, ai vë syzet e errëta, ngjitet në veturën e vet luksoze, parkuar në skelën e shkretë.
Më inteligjentët? Shqiptarët ua hithkan gjithë policëve të botës, qenkërkan mjeshtra të çfarëdolloj trafiku? Rruga që shpie drejt kufirit maqedonas ka plor histori. Klandestinë të nisur drejt Italisë kanë kaluar në kufi si ekip futbolli, fëmijë të blerë në spitale janë shitur në Greqi, vajza të reja të cilave u kanë premtuar një jetë si në përralla, kanë përfunduar si prostituta...Për pjesën më të madhe të shqiptarëve ëndrra për dollarë dhe euro shndërrohet në ankth. (...)
Në Elbasan, ndërmjet pallateve të zvetënuara, përqindja e papunësisë matet me frekuentimin e kafeneve. Burrat e shkojnë kohën në bingo. “Kur kthehem këtu, më vjen për të qarë. Nuk ka mbetur më asgjë nga qyteti i fëmijërisë sime. Ishte një qytet i vogël mesjetar, i mbrojtur nga një kështjellë. E quanim qyteti i luleve, portokallet ishin plot në kopshte, ullinjtë ngado në kodrat rreth e rrotull. Nuk ka mbetur më asgjë. Luginën më të bukur të kësaj zone e kanë masakruar, tokat më pjellore të një vendi malor, që nuk ka shumë hapësira të kultivueshme”, - indinjohet shkrimtari Fatos Kongoli.
Nuk mbetet gjë tjetër veç të arratisesh për të gjetur punë, të hiqesh si shqiptar i jugut me origjinë greke, ta ndërrosh emrin në Jorgos ose Vasilis për t’i shpëtuar përçmimit grek. (...)
Shqiptarët kanë shpirt mercenarësh. Të rrahur nga erërat e historisë, viktima të rivalitetit mes fuqive të mëdha. Në Romë legjionet ushtarake të shekullit II përbëheshin kryesisht nga ilirë, paraardhësit e shqiptarëve. Dhe në shekujt e mëvonshëm më të shkëlqyerit ndër ta, Aureliani, Diokleciani, Konstandini i Madh, morën në duar timonin e perandorisë. Në shekullin XVII kur otomanët vendosën, për të blerë paqen në rajon, t’i ofronin kolltukun një veziri të madh ballkanik, shqiptarët i ulën armët për rreth një shekull.
Pluhur i përjetshëm perandorish, Shqipëria i ka provuar të gjitha ushtritë dhe fetë. Ka qenë sipas radhës, katolike, ortodokse, myslimane, sipas imazhit të heroit të saj kombëtar Gjergj Kastrioti, që u bëri qëndresë ushtrive otomane për 25 vjet. Dhe Elbasani qe një qytet far i bektashizmit, fe myslimane e lindur në zemër të Anadollit, që flirton me kristianizmin. Në fillim të shekullit mbi qytet ngrihej një teqe.
Në këtë manastir bektashi u mbajt në vitin 1914 një mbledhje e krerëve feudalë. Qysh atëherë njerëzit qaheshin për gjendjen në Shqipëri: “Mendohuni mirë, - thoshte një bej: autonomi do të thotë me të vërtetë liri, por do të thotë se duhet t’i bëjmë të gjitha vetë; ndërsa ne nuk kemi para, as organizim, nuk kemi asnjë rrugë të mirë, asnjë hekurudhë, as një kilometër rrjet telegrafik”.
Të njëjtat debate shfaqen ende sot për ndërprerjet e energjisë elektrike. Dhe shqiptarët, me një qiri në njërën dorë e një telefon celular në tjetrën, ëndërrojnë për një perandori të re. Ata i kthejnë kurrizin rrugës “Egnatia” me sytë drejt Evropës.

Cila ishte rruga “Egnatia”?
Shumë e njohur në botën antike ishte Via (rruga) Egnatia, e cila lidhte Dyrrahun e Apoloninë me Kostandinopojën. Në qytet në atë kohë morën një lulëzim të ri skulptura, mozaikët, ndërtimi i godinave zyrtare dhe i atyre argëtuese. Në Apoloni u ngritën Odeoni, biblioteka dhe selia e këshillit të qytetit. Durrësi, me zhvillimin që mori, u quajt taverna e Adriatikut. Aty u ngrit edhe amfiteatri, ku bëheshin përleshje të gladiatorëve.
b.b.

Shekulli

 

 




ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa