Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
DUKE KËRKUAR FATIN E ROVENA DILOS


Nga Lindita Çela

 

Rovena Dilo

Shumë shpejt, më shumë informacione për Rovenën do gjeni tek www.rovenadilo.com

Nëse natën vjen”titullohej kënga që riktheu vajzën bjonde, me flokë kaçurela dhe sy të bukur në vitin 1993.
Kishte ikur prej vitesh për t’u rikthyer në një natë koncertit të pranverës në të cilin do të rrëmbente me të drejtë çmimin e dytë. Edhe për pak kohë do të rikthehej vetëm në netët e festivaleve deri sa të vendoste që Shqipëria ishte për të. Ndërsa tani nuk shfaqet vetëm nëpër netët e koncerteve. Nëse rruga të bie, andej diku nga blloku, në një nga lokalet e shumtë do të shohësh atë vajzën e bukur që të mrekullon në skenë. Lokali nuk ka emër por të tërë thonë: pijmë një kafe tek Rovena. Përveç skenës, aty mund ta gjesh këngëtaren e “fjalëve të përjetshme”. Kujdeset për lulet, madje thotë se kjo i jep kënaqësi sa edhe kërkesa e adhuruesve të saj për një foto. Ka kohë që jeta e saj është në këtë qoshëz të Tiranës. Aty ndihet më e sigurt, përtej saj gjithmonë do të ketë të papritura, pse jo ndonjëherë edhe të pakëndshme.
Megjithatë, të vërtetat e jetës fshihen pas së nesërmes. Por Rovena ndihet e qetë edhe pse ka një sërë projektesh që presin impenjimin e saj. Me një pyetje të lë të kuptosh se ka gjetur njeriun me të cilin do të plaket. Megjithatë ky është një moment që i përket asaj dhe askush nuk ka të drejtë të “përdhosë” ndjenjat e një dashurie. Bjondja me sy të bukur sot të duket më e sigurt se kurrë. Edhe ca të vërteta të hidhura duhen sikur kanë rënë në kozmos. Ndihet e dashuruar nga njerëzit që e rredhojnë. Pas kuintave të një skene e pret suksesi, ç’duhet më për të qenë e lumtur?
10 vjet më parë, kur një bukuroshe do të ngjitej në skenë tha “Nëse natën vij”, ndërsa sot për revistën “Spektër” ajo thotë edhe ca nga të vërtetat e jetës së saj.

Rovena : Dua të plakem me njeriun që dua
Albumi juaj i parë, “Ante” është ndër albumet më të shitura. Si e keni përjetuar këtë sukses si dhe emocionet e këtij albumi.
E kam pritur që ky album të shkojë mirë, që të kishte sukses sepse për të kanë punuar emrat më të mirë të muzikës shqiptare. Ky album është rrjedhojë e një pune shumëvjeçare. Është një punë e pjekur mirë e ardhur mirë dhe si e tillë e ka merituar suksesin. Por fakti që është albumi më i shitur i këngës së lehtë shqiptare më përkëdhel dhe sigurisht më vë përballë një përgjegjësie shumë më të madhe për albumin e dytë .

Pas debutimeve të suksesshme në skenën shqiptare, ju pas një kohe të gjatë vendosni të realizoni albumin tuaj të parë. Pse kaq vonë?
Nxjerrja e albumeve të muzikës së lehtë me ritme kaq të ngadalta është tregues i një interesimi të vogël nga ana e konsumatorëve shqiptarë. E rëndësishme për mua tani është që fati i albumit të dytë s’do të ketë atë të të parit. Do vijë shumë më shpejt dhe për këtë jam e kënaqur. Duhet të krijojmë një traditë që nuk ekziston në tregun muzikor. Përshëmbull Kosova na dha një mësim të mirë duke treguar që di të përqafojë gjithçka që është shqiptare dhe sidomos muzikën.

Fetivali Kombëtar i Muzikës së Lehtë nga viti në viti po braktiset nga këngëtarët më në zë të skenës shqiptare. Për mendimin tuaj pse ka ndodhur kjo dhe a do të merrni pjesë në edicionin e sivjetshëm?
Është e vërtetë që Festivali Kombëtar ka një bjerrje. Kjo sepse në realitetin shqiptar janë shfaqur aktivitete të rëndësishme në të cilat këngëtarët mund të prezantohen me dinjitet. Tani ata kanë mundësi të përzgjedhin. Por kjo bjerrje ka ardhur edhe për shkak se Festivali Komëtar pat rënie në organizim, në ndarje çmimesh si dhe në komponentë të tjerë që nuk ka vend të përmenden këtu. Mendoj se këto ishin disa nga arsyet që këngëtarët filluan të tërhiqen nga festivali duke menduar se mund të ishin diku tjetër. Por Fetivali Kombëtar i fundvitit është një festival që mbart në vetvete një emër shumë të madh, tradita e të cilit nuk është e lehtë të rrënohet. Në fund të fundit, ai është gjithmonë një destinacion, një qëllim për shumë artistë shqiptarë, përfshi edhe mua. Jo më kot unë fitoren e vitit 2000 në këtë festival me këngën , “Ante i tokës simë” e quaj një nga arritjet e karrierës sime. Sepse një fetival 40- vjeçar, një plak i muzikës shqiptare, le ta quajmë kështu, të përkëdhel shumë duke të zgjatur dorën e tij për t’u ngjitur në atë podium të mrekullueshëm .

Pra, sërish do të merrnin pjesë në këtë festival?
Unë kam 6 –7 vjet rrjesht që marr pjesë në këtë fetival. Kjo tregon shumë. Për mua ky festival ka një dinjitet të padiskutueshëm që nuk është e lehtë të nëpërkëmbet dhe sigurisht që do të marr pjesë. Kam një projekt me Pirro Çakon, një këngë karakteri këtë herë. Por nuk e di sa do të realizohet sepse ndodh që planet të prishen edhe në momentin e fundit. Po ashtu kam në plan të marr pjesë tek “Kënga Magjike”. Këto për mua janë evenimente të muzikës shqiptare.

Atëherë po flasim për projektet tuaja. Për këtë vit Rovena do të ndalet vetëm në këto dy evenimente të muzikës shqiptare?
Jo, kam një projekt më të shpejtë. Nga dita në ditë pres të ndërmarr një turne në qytetet më të rëndësishme të Kosovës. Pres një telefonatë përfundimtare dhe do të nisem. Kjo për mua është një ndërmarrje goxha e rëndësishme . Është hera e parë që unë ndërmarr një turne kaq intensiv në Kosovë dhe kjo falë suksesit që albumi im ka patur atje. Po ashtu kam një propozim nga regjisori Pali Kuke për të marrë pjesë në “Telebingon Kombëtare” si këngëtare e ftuar. Akoma nuk kemi vendosur asgjë por është një propozim tepër serioz. Po ashtu po punoj për këngët e albumit tim të dytë, i cili kërkon një impenjim shumë më të madh.

Thatë që do të organizoni një turne në Kosovë, ndërsa në skenën shqiptare prezantoheni në aktivitete të zgjedhura. Përse këtë nismë nuk e ndërmerrni edhe në Shqipëri?
Kam dëshirë që të realizoj një recital timin. Ai do të jetë live se një recital nuk ka kuptim ndryshe. Por kjo kërkon një impenjim tepër të madh sepse live nuk është kaq e lehtë të realizohet në kushtet e Shqipërisë. Ndërsa turneun nëpër qytete të ndryshme nuk mund të them se kam ndërmend që ta zhvilloj. Ndoshta pas recitalit po. Ajo trupë që do të përgatisë këtë show të Rovena Dilos, mund të lëvizë në qytete të ndryshme. E dëshiroj shumë këtë gjë, por akoma nuk kam vendosur nëse do ta bëj.

Pse, ç’ju pengon?
Kjo është një pyetje shumë me vend. Por përderisa unë akoma nuk ia kam bërë vetes tregon që këtë projekt nuk e kam marrë seriozisht . Ndoshta fakti që do më duhet të merrem jashtëzakonisht shumë me të, dy- tre muaj përditë, më tremb. Ndoshta edhe pse jam pak dembele. (duke qeshur Rovena zë sytë me duar, ndoshta është dhe e turpshme).

Gjithmonë në skenë keni një look të veçantë, kush kujdeset për këtë pjesë tuajën?
Do të thoshja që kujdeset Rovena për Rovenën. Në qoftë se ti nuk kujdesesh për veten tënde askush nuk kujdeset për ty. Këtu fillon kujdesi, sepse dihet jo të gjitha mund t’i bësh vetë, të qepësh, të trukoshesh vetë, këto janë gjëra që gjithkush i di. Bota jo më kot i ndan përgjegjësitë dhe unë përgjegjësitë e mia të look-ut tim i kam ndarë. Sigurisht në veshjet e mia, përveç shijes së stilistit, me të cilin bashkëpunoj shumë shpesh Ardi Asllani, patjetër është dhe shija ime. Ndërsa për trukun kam zgjedhur dhe rizgjedhur Mond Lakon. Dhe sigurisht këto elementë janë të domosdoshëm për imazhin tim në skenë.

Keni foto shumë të bukura. Ju pëlqen edhe fotografia?
Jo vetëm më pëlqen fotografia si dhe të fotografohem por kam patur fatin të fokusohem nga Fadil Berisha, dhe jo pak, por kam marrë pjesë në tre seanca fotografike të tij. Është vërtet një lloj shkolle të marrësh pjesë në seancat e tij fotografike. Ai është shumë xheneroz dhe ti nuk bën dot ndryshe veç se ta duash. Fotografitë që shfaqen për herë të parë në revistën tuaj, janë nga seanca e fundit që kam bërë jo shumë kohë më parë. Ai dëshironte të më fotografonte me flokë të drejta dhe unë pata shansin të prekem edhe një herë nga duart e Isabelës, që është trukatorja e tij. Shtresoj që kjo seri fotosh të më vijë shumë shpejt me dëshirën që albumi i dytë të ketë sërisht fotot e tij.
Folëm për projektet tuaja, po në jetën e përditshme si është Rovena?
Së pari ngrihem vonë , flë vonë. Orët e darkës i kaloj duke lexuar dhe parë televizor. Bëj një jetë të qetë, të kënaqshme, ndonjëherë monotone, ndonjëherë me aktivitet si gjithkush nga ne. Megjithatë jam e kënaqur që ndodhem në vendin tim e rrethuar nga njerëzit e mi.

Të qënurit person i njohur do të thotë të privohesh nga jeta private?
Jo tamam kështu. Jetën private nuk mund të ta marrë askush, vetëm se ti duhet të kujdesesh më shumë për të. Domethënë të mos i japësh shkak të tjerëve të merren me ty.

Kjo do të thotë se liria e tyre përfundon ku fillon liria juaj?
Po. Ekzaktësisht.

Cili është momenti më me fat në jetën tuaj?
Momenti më fatlum për mua ka qenë kur kam lindur me ata prindër, me ata gjyshër. Mbi të gjitha, fat është të lindësh mes njerëzve që të duan vërtet shumë. Që në asnjë moment nuk lodhen duke ta treguar këtë dashuri dhe duke ta dhuruar pa kufij. Për mua ky është fat.

Ju jeni e rrethuar nga dashuria?
Sigurisht ,prej të gjithë njerëzve të mi. Është një nga faktorët për t’u ndier e lirë, pa komplekse, pa inferioritete

E dhuroni këtë dashuri?
Patjetër. Tërë këtë që marr e rikthej me të njëjtën monedhë. Unë jam një njeri që dua shumë dhe nuk dua ta mbaj për vetë këtë dashuri por dua t’ua jap vërtet sinqerisht. E dhuroj pa kërkuar të ma kompensojnë, pa i vënë një çmim dashurisë sime. Unë jam një njeri që dua të jap dashuri dhe besoj se të gjitha të mirat më vijnë nga kjo nga që mendoj se se dashuria, mirëkuptimi dhe respekti janë armët për të ecur përpara. Për të qenë e lumtur dhe e qetë. Sepse jo vetëm njerëzit e tu, por edhe ata me të cilët bashkëpunon, me të cilët ndan kafenë, bisedën, të gjithë njërëzit duan nga pak dashuri, respekt dhe presin fjalën e mirë.

Ëndrra në sirtar e Rovena Dilos?
(Qesh, pastaj mendohet) Ku ka kohë për ëndrra në sirtar në shekullin që po jetojmë? Mendoj se ka vetëm dëshira të qarta dhe veprim. Dëshira ime si femër është të kem familjen time me njeriun që unë dua dhe me të cilin do të doja të plakesha.

Jeni e bukur, e suksesshme por si ka mundësi që nuk e keni gjetur këtë njeri?
Kush tha që nuk e kam gjetur?

Atëherë ç’është dashuria për Rovenën?
Për mua është mënyra e vetme për të jetuar.

Çfarë urren Rovena?
Së pari, fjala urrejtje është një fjalë tepër e rëndë, nuk është për mua. Rovena nuk urren. Por ka gjëra që më bezdisin, më nervozojnë dhe këto gjëra gjithmonë ndryshojnë dhe ia lënë vendin njëra -tjetrës. Tani për tani mua më bezdisin jashtëzakonisht njerëzit shpirtvegjël, njerëzit mëndjengushtë që janë jo të paktë.

Modeli i femrës për ju?
Mua më pëlqejnë femrat e mençura, femrat me shije dhe sigurisht me një bukuri të brendshme që duket në gjithçka që përbën një femër. Nuk ka nevojë që të jetë një Merlin Monro ajo që unë e adhuroj. Unë adhuroj këtë femër, të mençur, të urtë dhe me shije. Një femër që të jetë gjithmonë gati të falë ëmblësi dhe dashuri, atë që bota pret prej saj, atë që e ardhmia pret prej saj. Në fund të fundit është femra ajo që ka në dorë të ardhmen, fëmijën, burrin. Ajo e bën botën.

Po prindërit çfarë presin nga ju?
Prindërit e mi kanë marrë goxha nga Rovena por ndoshta prindërit e mi presin që një ditë unë të bëhem mama dhe ata gjyshër.

Gjërat që pelqen?
Janë shumë gjëra që pëlqej. Gjërat e bukura më pëlqejnë.

Rovena është xheloze?
Jam vetëm atëherë kur absolutisht duhet të jem dhe asnjëherë kot ose pa shkak.

 

 

 

 

 

(marre nga Revista Spektër)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa