Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Faqja Zyrtare e Rovena Dilos
Bli Albumin e saj 'Ante'

Pozimi përpara aparatit fotografi iu duk si ajo loja e vjetër që luante dikur me babain e saj dhe xhaxhi fotografin. Këtë herë babai ia la në mes këtë lojë. Ai iku nga kjo jetë…ndërsa ajo vazhdoi e vetme, bashkë me fotografin. E realizoi kalendarin për hir të të atit. Atij ia përkushtoi me gjithë shpirt gjithë stinët e këtij viti.

Rovena Dilo tret dhimbjen në një kalendar

Nëpër fotografitë e fëmijërisë prekte me duar herë pas herë dëshirën për të punuar me fotografinë, për të pozuar përpara aparatit fotografik si atëherë kur ishte një lozonjare e vogël, si atëherë kur babi e mësonte se si duhej të qeshte, se ku duhej të ngulte vështrimin kur xhaxhi fotografi bëhej gati të shkrepte aparatin. Në gjithë këto vite që kaluan që nga ajo kohë, Rovena Dilo nuk e hiqte mendjen nga ajo lojë e bukur mes saj, babit dhe xhaxhi fotografit. Një ditë prej ditësh, nisi ta luante sërish atë lojë, edhe pse tashmë ishte e madhe. U ngul përpara aparatit të fotografit të shquar Fadil Berishës për të realizuar tre sekuenca fotografish. Ishin këto të parat fotografi profesionale që iu shtuan fotografive të bukura të fëmijërisë së saj. Pak kohë më parë, u fokusua në objektivin e një tjetër aparati fotografik. Jo më thjesht për të realizuar një tekë të saj, por një qëllim më të madh. Shtëpia botuese “Ilar” i kishte propozuar realizimin e një kalendari me imazhin e saj. Rovena Dilo, nisi kështu një aventurë të re brenda së cilës ndihej si kurrë ndonjëherë. Në Bari, u shkrepën të parat fotografi të këtij kalendari. Ndërsa ajo pozonte, fotografi gjerman (që jeton në Milano) Ralph Geiling, fokusonte në objektiv gjithë stinët e vitit kalendarik.
Loja që u përsërit…këtë herë pa babain
Si një lojë e këndshme i dukej edhe këtë herë pozimi përpara aparatit…mes saj, babit dhe fotografit. Ishte muaji tetor kur ajo nisi punën për këtë kalendar. Edhe pse babain nuk e kishte më afër si atëherë kur ishte fëmijë, merrte prej telefonit shumë udhëzime. Ndodhi që “loja’ e vjetër mes tyre, këtë herë u la në mes. Babai i saj iku nga kjo jetë (në muajin nëntor), ndërsa ajo mbeti e trishtuar përpara fotografit, e pafuqishme për të vazhduar më tej. Të afërmit e saj i ishin lutur që të vazhdonte me stinët e mbetura të vitit dhe ajo ishte bindur. Vendosi ta realizonte atë kalendar për babain e saj. Dhe kalendari u bë. Kalendari këto ditë ka dalë në treg me portretet e saj, në të cilat trishtimi nuk shfaqet. Ndërsa të tjerët zgjasin duart ta shohin atë kalendar ajo vetë pohon se-“Me shpirt këtë kalendar ia kam kushtuar tim eti. Pas humbjes së tij sigurisht që unë mbeta bosh dhe nuk kisha dëshirë të bëja asgjë. Madje në ato ditë po bëhesha gati të dilja në festivalin “Kënga magjike” jo për të konkurruar por për të përshendetur me këngën fituese të një viti më parë. Por nuk munda të këndoj pas kësaj humbjeje që pësova. E vetmja gjë që munda të bëj isha puna me fotografitë. Duke u marrë me kalendarin gjëndja ime ndryshoi shumë, ndoshta sepse më dukej se im atë më ndiqte në gjithçka, si më parë”,-tregon Rovena me zërin që i dridhet. Pastaj për t’i shpëtuar lotëve ndryshon bisedë-“Përderisa i mungova publikut në dy festivalet e fundvitit pra në “Kënga magjike” dhe në festivalin e 41-të të këngës në Radio-Televizion, mendova të shfaqem me këtë kalendar për t’u thënë të gjithë adhuruesve të mi:…”Gëzuar Festat”.
Pas shkollës së Berishës
Propozimin për të realizuar një kalendar, shtëpia botuese “Ilar” ia kishte bërë dhe një vit më parë. Por atëherë nuk ishte e gatshme për të bërë diçka të tillë. Ndërsa këtë vit, ndërsa propozimi iu përsërit, Dilo nisi kërkimet për një fotograf të mirë të cilin e gjeti-Në Milano. Ralph Geiling është i njohur në Milano pasi ka punuar me shumë fotomodele. Bashkë me stilistin Ardi Asllani realizuam kostumet që do na duheshin për stinët e ndryshme të vitit. Pastaj nisëm të bënim fotografitë të cilat janë realizuar në Bari. Sigurisht që është punuar shumë dhe gjatë nga i gjithë stafi i punës”. Dilo tregon se e gjithë kjo nuk ishte aspak një ekperiencë e re-“Ishte më e bukur se të tjerat, këtë mund të them. Unë kam punuar me Fadil Berishën në vitet 1999, 2000 dhe 2001. Ky fotograf me bujarinë dhe vullnetin e tij të mirë, më dha mundësinë që unë të kap shijen e vërtetë të fotografisë artistike. Puna me të ishte si të thuash një shkollë e vogël për mua. Ndaj në punën për këtë kalendar unë isha e përgatitur.” Rrëfimi i rrjedh sërish tek e kaluara e saj-“Fotografia ka qenë një pjesë e bukur e jetës sime që nga fëmijëria. Prindërit e mi kanë pasur një mik fotograf, Nikolinin, ndaj unë që fëmijë kam pozuar dhe kam realizuar foto që pak kush i ka nga fëmijëria. Unë i ruaj me fanatizëm ato. Nga ato fotografi është mbartur dëshira që unë kam sot, për të pozuar”. Realizimi i këtij kalendari është vetëm fillimi. Dilo dëshiron që në çdo fundvit të realizojë një kalendar…për ta thënë në këtë mënyrë urimin e saj “Gëzuar”.


Humbja e përkohshme

Në dhjetorin e vitit që shkoi, Rovena Dilo fitoi bashkë me Pirro Çakon, çmimin e parë në festivalin “Kënga magjike”. E fituan këtë çmim me këngën e tyre të dashurisë. Pak ditë më pas, të po këtij dhjetori, fitoi çmimin e dytë në festivalin e 40-të të këngës, me kompozimin e Ardit Gjebresë “Nostradamus”. Vitin e Ri 2002, Rovena Dilo e nisi me spektaklin “Telebingo” ku jo vetëm këndoi këngët e saj më të mira por dhe iu rikthye pasionit të saj të vjetër…prezantimit. Kishte vite pa drejtuar një spektakël që nga koha (vitit 1990) kur prezantonte bashkë me Adi Krastën “Mbrëmje kulturore” në ekranin e TVSH-së. Për disa të diela me radhë, ajo mbeti në ekran bashkë me Bledi Strakoshën e Ornela Bregun. Pastaj iku, u zhduk. Nuk është shfaqur më në ekran që atëherë. Në gjithë këto kohë, më së shumti ka qenë në Itali. Pohon se nuk ka asgjë nëpër duar, tani për tani. Po qëndron atje thjesht për të qenë më e qetë-“Nuk dua të flas shumë për këtë tani”,-shkëputet ajo nga ky lloj shpjegimi. Ndoshta në fillim të këtij viti që po vjen do nisë seriozisht punë për albumin e saj të dytë…ndërsa i pari “Ante” ka kohë që është shfaqur në vitrina. Deri atëherë do të lëvizë edhe për ca kohë, mes Tiranës dhe Barit.

 

 

(marre nga Shekulli)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa