Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 


Perendim DielliShtrirja
Nga ana hapësinore, Riviera shtrihet në gjatësinë 87 km (veri-jug) dhe gjerësi 8-10 km (lindje-perëndim), me sipërfaqe të përgjithshme prej 832 km².

Deti
Kripësia e ujit të detit ndryshon midis 30 dhe 39.1%°; ndërsa temperatura mesatare, në sipërfaqe, është 19.2°C në Sarandë dhe 17.7°C në Shëngjin.

Temperaturat
Vlerat maksimale të temperaturave arrijnë 29.8°C dhe minimale 7,7°C në det të hapur. Rrymat detare lëvizin në drejtim verior me shpejtësi prej 03-0.5 m/sek

Ditët me diell
Numri i ditëve me ndriçim dielli (mbi 2600 orë) lejojnë rritjen normale të mjaft kulturave me kërkesa ndaj nxehtësisë. Temperatura mesatare vjetore është 17°, ajo e muajit më të ftohtë 9.8° deri në 10°C, ndërsa amplituda vjetore e temperaturës është 15.5°C.

Ditët e ftohta
Numri i ditëve të akullta (me temperaturën nën 0°C) është 3-4 ditë në vit, që shkaktohen kryesish nga ardhja e masave ajrore të ftohta. Gjatë vitit bien rreth 1300-1400 mm reshje të shpërndara në mënyrë të çrregullt gjatë stinëve. Bora është një dukuri e rrallë.

Agrumet e zhdukura
Para 3-4 dekadave, në Rivierë, u ngritën blloqe të mëdha me agrume e ullinj. Vetëm masivi i madh i Lukovës, tashmë i shkatërruar, kishte rreth 3000 ha tokë të kultivuar, 600 mijë rrënjë ullinj, agrume e pemë frutore, rreth 300 mijë rrënjë të të cilave ishin në prodhim.


E kaluara dhe e tashmja e njërës prej zonave më të bukura të Shqipërisë. Shifrat, popullsia, prodhimi

Riviera, sekretet e thesarit të lënë pas dore

Një udhëtim përgjatë bregdetit tonë nga Qafa e Llogarasë, deri në Kepin e Stillos

Me emrin “Rivierë” ose Bregu (siç njihet nga vendasit), quhet ajo pjesë e bregut të detit Jonian që përfshin territorin nga Qafa e Llogarasë dhe deri në Kepin e Stillos, në jug, kufi me Greqinë. Veçoria spikatëse është se ajo përbëhet vetëm prej malesh dhe detit, diellit dhe klimës së ëmbël, ullishtave dhe aromës së këndshme të luleve. Ky bregdet karakterizohet përgjithësisht nga male dhe vargmale, që bien pjerrtas nga ana perëndimore me shpate të rrëpirta mbi det. Vija bregdetare ka pamje spektakolare me foleza të shumta, shpella, kodra, gjire dhe limane dhe disa zona natyrore të paprekura. Rrugët bregdetare janë të ngushta, gjarpëruese dhe shpesh ndërpriten nga disa rrugë dytësore të pashtruara, që kanë drejtim pingul me plazhin dhe detin. Kreshtat e larta malore e izolojnë thuajse prej brendësisë, por dhe e mbrojnë atë nga erërat e ashpra dimërore që fryjnë nganjëherë prej thellësisë së gadishullit Ballkanik drejt detit Adriatik dhe Jon. Malet bien thikë dhe duken sikur “shemben” thuajse pingul mbi det, duke zhytur këmbët e tyre në ujërat e kaltra të Mesdheut.
Porto Palermo, Kalaja e Ali Pashës, Të dy bregdetet (adriatik dhe jonian) kanë karakteristika fizike dhe kimike krejt të ndryshme, për sa u përket temperaturave dhe produktivitetit, nivelit të ushqimit dhe kripësisë, të cilat varen nga sasia e ujit të ëmbël sipërfaqësor dhe nëntokësor që derdhet në det. Deti Jon ka një qëndrueshmëri më të madhe për sa u përket përbërësve fizikë dhe kimikë gjatë vitit. Riviera është një nga zonat më të ngrohta të vendit tonë, me periudhën më të gjatë vegjetative, me klimën tipike mesdhetare, e ekspozuar mirë ndaj diellit dhe detit dhe e mbrojtur nga erërat e ftohta. Eksperimentimet e kryera për lëvizjen dhe transportimin e rërës dëshmojnë se kjo dukuri ndodh kryesisht në fundin e detit, në thellësinë maksimale prej 8 m. Në këtë bregdet janë gjithashtu dy porte, më i madhi është ai i Sarandës si dhe Porto Palermoja, dikur një port i vogël ushtarak, kurse tashmë shfrytëzohet pë turizmin shëtitës në det.
***
Rajoni i Butrintit në hapësirën bregdetare më jugore është i vetmi kompleks i tokave të lagëta. Ai përfshin një liqen të madh, kënetat, ishujt e vegjël dhe vendbanimin e lashtë arkeologjik të Butrintit, me vlera të rëndësishme kombëtare e më gjerë. Relievi zbret shkallë-shkallë në drejtim të detit, duke formuar një amfiteatër gjigand, duke mos krijuar mundësi për formimine fushave. Aktiviteti i vazhdueshëm tektonik si dhe veprimtaria e pandërprerë e valëve të detit, për miliona vjet me radhë, kanë krijuar një mozaik formash bregdetare, gjire të vogla piktoreske, plazhe të gurta harkore, të cilat japin kontraste ngjyrash ndërmjet gjelbërimit të mjedisit dhe kaltërsisë së detit.
Peizazhi, pra mali dhe deti, harmonizohen në mënyrë mjeshtërore me ambientin rrethues, rrugën automobilistike që çan shpatullën e malit për të kaluar Qafën e Llogarasë. Kjo rrugë u ndërtua gjatë Luftës I Botërore prej italianëve dhe tani, e rregulluar dhe e sistemuar për bukuri, me kthesat e ashpra e të thikta dhe ngjitjet e menjëhershme, të krijon ndjesinë sikur udhëton me avion.
Malet e Himarës apo, siç quhen ndryshe, malet e Vetëtimës arrijnë deri në 2000 m lartësi. Shpate të rrëpirta, të prera thellë prej kanioneve dhe luginave të ngushta (Dhërmi, Gjipe etj), janë të ashpra dhe rrallë herë të veshura në lartësi me pyje të pishës dhe të bredhit. Më poshtë shpatet e malit janë shpesh të thata dhe djerrina, midis gurëve gri dhe të kuq kaçubet e rralla të shkurreve (përrall, dëllenjë etj.) kërkojnë ushqimin e pakët që mund të sigurojnë aty. Akoma më poshtë shpatet, që zhyten direkt e në det, janë nën ndikimin e fuqishëm të valëve të detit dhe ajrit detar. Dhe ja, i afrohesh peizazhit të quajtur i argjendtë, i cili më shumë se një dekadë më parë lulëzonte prej plantacioneve e blloqeve të mëdha me ullinj, agrume dhe vreshta, gjelbërimit të kopshteve dhe bardhësisë së shtëpive dhe fshatrave. Këtu kemi një alternim perfekt të bregut të detit, vijëdrejt e uniformë, me gjiret panoramike dhe plazhet e argjendta.
Një veçori morfologjike pak më të ndryshme ka pjesa jugore e Rivierës (prej Porto Palermos deri në gjirin e Butrintit). Panorama vërtet më pak madhështore, por më e hijshme. Malet janë disi më të ulët dhe shpesh nuk i kalojnë të 1000 m lartësi.
Qafa e Llogarasë
Qafa e LlogaraseSapo kalon gjirin e Vlorës për në Rivierën Shqiptare, në rrugën Vlorë-Sarandë (Porta Eda), do të ngjitesh në Qafën e Llogarasë, mes pishave. Qafa është në 1055 m lartësi. Po të shkosh në muajin maj, atje është stacioni më ideal për shëtitje, kur në lartësinë e maleve mund të dallosh lugjet apo thellimet e përroskave nga ku zbardhin ende disa njolla të borës, por drejt detit makjet kanë nisur lulëzimin, kurse në lartësi, kurrizet e maleve mbulohen me qilimin shumëngjyrësh të luleve midis pyjeve të pishës dhe të bredhit. Tek afrohesh në qafë, shndërrimet përsëritin skenën. Rruga zbret shpejt poshtë me gjarpërime të ngushta, të prera në buzët e luginave, mbi të cilat spikatin shtresëzimet e mëdha të gëlqerorëve.
Pa zbritur ende deri te deti, rruga automobilistike, sot e asfaltuar, kalon paralel me të 200-300 m lartësi, thuajse në kufijtë midis shkëmbit të rrëpirtë dhe pjerrësisë malore, ku mjedisi bëhet më pushues nga gjelbërimi i përhershëm dhe qendrat e banuara. Rruga vazhdon më tej ngjitje dhe zbritje në faqen e malit, deri sa ndesh në fshatin e parë të Rivierës, Palasën, me shtëpitë e ngurta, të rregulluara e të sistemuara me kujdes. Në Palasën e vjetër ka zbarkuar Çezari në vitin 48, duke ndjekur Pompeun. Më tej rruga kalon në fshatin tjetër të bregdetit, Ilias. Çfarë peizazhi i çuditshëm! Përrenjtë këtu kanë çarë apo sharruar shkëmbinjtë përgjatë shpatit të maleve. Më tej, afër fshatit Vuno, hapet një sheshim (tarracë detare), vendosur në një thyerje malore 250 m mbi det, një fushëzë me ullishte dhe midis tyre spikatin qeparisat.
Me vazhdimin e rrugës arrin mes shtëpive të shpërndara midis ullinjve dhe kopshteve të fshatit Vuno. Ngjitesh në qafë, por shpejt peizazhi hapet përsëri dhe dallohet Gjiri i Himarës, i tërhequr në trajtën e një patkoi kali, si një amfiteatër. Mbi një kodrinë të sheshtë zbardhojnë midis ullinjve e agrumeve shtëpitë e Himarës. Himara e antikitetit, sot një qytet i vogël, por i bukur, buzë Jonit. Këtu ndodhet një plazh ranor i bukur, midis hundëve shkëmbore, që e qarkojnë atë me një gji detar të vogël në ujërat e ngrohta të Jonit. Disa shpella të formuara në shkëmbinjtë gëlqerorë i dhanë këtij vendi emrin Spile (shpellë). Këtu mund të marrësh kënaqësi dhe emocione dhe do të gjesh me bollëk si detin, edhe ajrin e shëndetshëm.
Pasi lë Himarën, kalon në gjirin e dyfishtë të Porto Palermos, ku dallohen rrënojat e kalasë së Ali Pashë Tepelenës, më tej hapet fshati i Qeparoit, me fushën e mbushur plot ullinj, por dhe agrume (shumica e të cilave janë dëmtuar, prerë, tharë e shkatërruar) që arrijnë deri në buzë të detit. Fshati i vjetër është lart, por në dekadat e fundit ai ka zbritur më shumë poshtë në fushë, unikale për nga bukuria dhe madhështia e saj.
Hedh një shikim brenda maleve dhe dallon me një vështrim dy lugina, që në tërë Rivierën kanë zhvillim të vërtetë (atë të Kudhësit dhe të Borshit). Prej këtej, sapo kalon një kthesë të fortë, futesh në fushën e Borshit, më e gjera, buzë një plazhi zallor të gjatë. Dikur fusha ishte e sistemuar dhe e rregulluar për merak, me blloqe pemësh dhe agrumesh të mëdha, aq sa me të drejtë Borshi quhej vendi i frutave gjithëvjetore. Sot, si kudo në bregdetin e Jonit, çdo gjë është dëmtuar e sakatuar në vitet e tejzgjatura të tranzicionit. Megjithatë, Borshi mbetet përsëri një prej vendeve më të pasura të gjithë Rivierës për fushën e tij, kopshtet dhe agrumet e shumta, me ujëra të bollshme, të kulluara dhe të shumta që zbresin nga burimet dhe një lumë. Mbi një kodër dominuese shquhen rrënojat e kalasë së Borshit, që mbizotëron nga hunda e një shkëmbi si luginën, ashtu dhe bregdetin.

Prodhimi dhe popullsia

Bujqësia nuk është shumë e zhvilluar, në krahasim me frutikulturën dhe agrumet, që më parë kishin një zhvillim të vrullshëm. Kjo rrjedh dhe nga mungesa thuajse e plotë e vendeve të sheshta dhe njerëzit, duke u prezantuar me një truall tepër guror, ngritën apo ndërtuan tarraca të vogla, shpesh të përforcuara me mure guri. Kjo përbën atë dukuri të veçantë, që gjendet në pak vende të Shqipërisë, ku kultivimi në tarraca është me të vërtet shumë i përhapur. Kulturat kryesore janë kryesisht drurët frutorë, të pasur veçanërisht me fiq, pjeshka, dardha, shegë, vreshta dhe sidomos agrume (portokalli, limoni, mandarina, qitroja etj.). Ullinjtë shtrihen në formë brezash si pyje shekullore, krahas blloqeve të reja, të ngritura gjatë viteve të ish-shtetit totalitar, por dhe në vitet e demokracisë, në të cilat rolin kryesor e kanë luajtur kryesisht privatët.
Popullsia para 10 viteve ka qenë shumë më e dëndur, por me pak toka të kultivuara. Sot, pikërisht ky faktor nxiti emigracionin masiv të popullsisë, për të siguruar kushte jetese dhe mirëqenie më të lartë.
Megjithatë, Riviera ka kushte shumë të favorshme klimatike e tokësore. Madhështia e saj rrjedh falë peizazhit natyror të veçantë, në sajë të detit dhe malit, shumë më atraktivë se çdo vend tjetër. Këto tipare spikatëse të peizazhit tipik i ndesh në çdo hap që hedh, falë edhe prezencës së plazheve të vegjël ranorë e të mbrojtur mirë, klimës së butë, ndriçimit të pasur dhe mjaft intensiv dhe ajrit të shëndetshëm, që përbëjnë të gjitha elementet që tërheqin vizitorët e shumtë për të soditur e ndjerë nga afër vlerat e saj.

Lukova dhe masivet e zhdukura

Në pamjen madhështore dhe mjaft atraktive të Rivierës sonë, të skalitur me mjeshtëri nga natyra dhe puna e njeriut, një vend të veçantë zë Lukova, që shtrihet në mes të gjelbërimit të përhershëm të ullinjve dhe agrumeve. Aty kultivoheshin vreshtat, perimet, patatet dhe fidanet e agrumeve (shih tabelën me shifra). Plantacionet e tyre në Lukovë kishin një gjerësi të atillë, sa që lejonin përdorimin e mjeteve të mekanizuara dhe ishin të garantuara nga proceset gërryese. Me mjaft mjeshtëri ishte zgjidhur dhe problemi i ujitjes, duke zbatuar një teknikë të lartë ndërtimi. Për këtë ishte hapur tuneli Tatzat-Sasaj, 2.4 km i gjatë, i cili degëzohej në dy drejtime kryesore: Sasaj-Sarandë 24 km dhe Sasaj-Borsh 8 km. Brenda përbrenda masivit të Lukovës u ndërtuan rreth 50 km rrugë automobilistike dhe 74 km kanale ujitëse e kulluese, të cilat siguronin ujin për çdo rrënjë. Kjo punë e papërsëritshme dhe kolosale për kohën, tashmë është e njohur nga të gjithë: si nga popullsia vendase dhe specialistët, por sidomos nga brezi i ri (rinia dhe studentët e viteve ‘66-‘74), që punuan me përkushtim dhe e shndërruan atë në një vend me bukuri të rrallë. Të vjen keq që sot nuk ka mbetur asnjë shënjë e asaj natyre të bukur dhe burimi të paçmuar përfitimesh ekonomike për zonën.

 

Shenim: Fotot jane te marre nga Galeria Shqiptare, falenderojme te gjithe ata qe kane kontribuar me foto te mrekullueshme te Rivieres Shqiptare

 

Marrë nga Gazeta Shekulli


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa