Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 


Albumin e ri të Redon Makashit do mund ta gjeni shumë shpejt tek Dyqani Virtual Shqiptar.
Albumin e parë të tij Dikur unë luaja me ndienjat e saj, mund ta porosisni këtu.

Pas publikimit të albumit më të fundit “Ç’më ndodh pa ty”, Redon Makashi nis një tur koncertesh në Kosovë, Amerikë, Angli, etj, ku do të këndojë edhe krah Ana Oksës, Elsa Lilës, etj.

Redoni, me Eda Zarin si në lice…

Admirina Peçi
Elton Deda, Redon Makashi dhe Aleksander GjokajKa ardhur koha që ai të kërkojë lidhjet e vjetra. Më tej të ecë në ato rrugë të cilat i kishte lënë si në harresë. Hapi i parë ishte mbledhja e këngëve më të bukura, realizimi i një albumi, një koncert promovimi e më tej realizimi i klipeve për të gjithë këngët. Pas këtij albumi, Redon Makashi po përgatitet për realizimin e një sërë koncertesh dhe bashkëpunimesh, me miqtë e tij të vjetër e ata të tjerët, me të cilët i bashkon muzika. Si me nxitim ai përmend koncertin me këngëtaren e njohur të xhazit Eda Zari, miken e tij të vjetër të liceut, një koncert në Amerikë me Ana Oksën, Elsa Lilën, etj, një koncert në Londër, e kështu me radhë…
Në krah të Eda Zarit
Kanë kaluar shumë vite që nga kohët kur mblidheshin në klasat e liceut e këndonin për qejfin e tyre. Gjërat që i bashkonin, sigurisht ishin shumë, aq sa kur Redon Makashi përpiqet t’i kujtojë nuk mund t’i përmbledhë menjëherë. Por ata të tre ishin të përhershmit, ai, Eda Zari dhe Bledar Sejko, kitaristi që i çmendte të rinjtë e fillimviteve ’90. Edhe preferencat e muzikës ishin shumë të ngjashme, tendencat e mëtejshme po ashtu. E megjithëse tani janë të ndarë, e gjejnë herë pas here kohën që të flasin të marrin e japin lajme me njëri-tjetrin. Eda vijon të punojë e të jetojë në Gjermani, Bledari në Itali dhe Redoni këtu në Tiranë. Por ja që, edhe me gjithë këto vite në mes, rruga e pasionit i bashkon sërish. Tani për tani bashkon Redon Makashin dhe Eda Zarin, e mbase një ditë edhe me Bledar Sejkon, pse jo?
Vetë këngëtari konfirmon koncertin e tij më të afërt, në të cilin ai do të jetë përkrah Eda Zarit. Ai thotë se ky koncert do të jepet më 27 prill në Prishtinë. Këngëtarja e njohur ka planifikuar të realizojë një tur koncertesh në të gjtihë botën. Pas koncertit të Prishtinës, ajo mendon të realizojë koncerte në Gjermani, Zvicër, Amerikë, etj. Sa për koncertin e Prishtinës, ai thotë se ftesën ia ka bërë vetë këngëtarja e njohur e xhazit, Zari, e cila prej vitesh interesohej për gjithçka ndodhte në krijimtarinë e këngëtarit dhe mikut të vjetër të liceut. “Ne kemi qenë në një shkollë bashkë në lice, ku ajo ka studiuar për kanto dhe kemi qenë shumë shokë të mirë”,- thotë Redoni, ndërsa mundohet të rrëfejë kohët e hershme të liceut dhe miqësitë e atëhershme. “Por pas asj kohe ajo u largua”,- thotë Makashi duke shtuar se imazhet e fëmijërisë dhe shoqërisë së asaj kohe, si duket nuk i janë larguar ende. “Asaj i pëlqente shumë muzika që ne bënim së bashku me Bledar Sejkon”,- thotë Makashi, duke shtuar se përtej këtij koncerti me Eda Zarin ka edhe plane të tjera. “Kemi një ide të bëjmë një duet së bashku”, - thotë këngëtari duke shtuar se këtë këngë Eda Zari mendon ta përfshijë në albumin e ri të saj. Sipas tij, ka mjaft elementë muzikorë të ngjashëm mes tyre dhe këngëtarja e njeh fare mirë krijimtarinë e tij. “Eda i ka të gjithë kasetat dhe videot e këngëve të mia në festivale dhe ajo gjithmonë më ka pyetur rreth punëve të mia më të fundit”,- thotë Makashi, ndërsa shton se jo shumë kohë më parë e ka takuar edhe në Tiranë, kur ajo ka ardhur në spektaklin “Dua më shumë Shqipërinë”.
Tani për tani i vjen pak keq që këto koncerte dhe ide nuk mund t’i realizojnë në Shqipëri. Sigurisht do të mund të këndojnë pikërisht në ato vende ku sponsorizohet për ta. “Në Shqipëri nuk ka sponsorizues për koncerte të tilla. Ka kaq kohë që unë kam më shumë ftesa për koncerte jashtë shtetit se sa këtu në Shqipëri”, -thotë këngëtari duke shtuar se edhe rruga më tej e fton në koncerte të tjera jashtë Shqipërisë
Edhe me Oksën, Lilën, etj
Ka rreth një javë që është kthyer nga një koncert në Detroit. Është një nga ato koncertet ku ftohet shpesh nga miqtë e tij këngëtarë të cilët jetojnë jashtë shtetit. Këtë herë ajo që e ftoi ishte këngëtarja Ermira Babaliu, e cila prej kohësh jeton në Detroit. Siç pohon këngëtari, koncerti ishte ideuar për të gjithë bashkatdhetarët atje, të cilët mezi i presin aktivitete të tilla dhe janë mjaft të interesuar për jetën kulturore shqiptare. Por së shpejti mendohet të realizojnë edhe një koncert tjetër në Amerikë. Ai që do t’i mbledhë këtë herë është regjisori i njohur i Shkupit, Xhevat Limani. Makashi thotë se Limani ka ftuar në këtë koncert edhe këngëtaren e njohur me origjinë shqiptare Ana Oksën, këngëtaren Elsa Lila, etj. “Sigurisht do të jetë një koncert i madh”, –thotë Makashi duke shtuar se janë menduar edhe një sërë emrash të tjerë këngëtarësh, por që tani për tani mbeten surprizë. Ka menduar që të ftojë Ana Oksën, Elsa Lilën, etj. Ndërsa pas këtij koncerti ai do të niset për në Angli ku do të realizohet një tjetër koncert për shqiptarët që jetojnë atje.

Makashi: “Ç’më ndodh pa ty”?
Po ç’i ndodh Redon Makashit pa ty? Ndoshta i lindin ide për të krijuar këngë të reja. Jo rastësisht erdhi edhe albumi me të njëjtin titull. Aty i ka mbledhur këngët më të fundit, më të bukurat dhe sigurisht ato të kurorëzuarat me çmime në festivalet e fundit. Vetë këngëtari pohon se ka disa ditë që e ka mbyllur punën me albumin e tij më të fundit, i cili tashmë ka dalë në qarkullim. Albumi “Ç’më ndodh pa ty” përmbledh nëntë këngë të cilat ai i ka përgjedhur ndër krijimet më të mira të tij. Të gjithë këto këngë sillen rreth temës së dashurisë, pa tentuar të dalin jashtë natyrës dhe stilit të këngëtarit. E përveç këngëve solo, në album ka përfshirë edhe dy duetet e fundit realizuar me Mira Konçin dhe këngëtarin Pirro Çako. Të dyja këto këngë kanë fituar çmime të rëndësishme në edicionet e fundit të festivalit “Kënga magjike”. E krahas tyre renditet edhe kënga “Vjeshta”, krijimi më i fundit i tij i publikuar në festivalin e fundit të dhjetorit, para pak muajsh. Këngëtari rrëfen se për realizimin e këtij albumi ka bashkëpunuar me “Elrodi Music”, i cili është treguar i gatshëm për blerjen e këtij albumi. “Kjo nuk është pak për momentin”,- thotë Makashi, duke shtuar se nuk duhet harruar fakti se tani për tani tregjet i kanë pushtuar albumet me muzikë të vjedhur. Ai thotë se albumi “Ç’më ndodh pa ty?” ka dalë në treg edhe si CD edhe si kasetë. “Sigurisht cilësia CD është shumë profesionale”, -thotë këngëtari. Tani po përgatitet të realizojë promovimin e këtij albumi, të cili do të gjejë vend në “Rrok Café Muskëtierët”. “Do të ftoj të gjithë miqtë e mi brenda dhe jashtë muzikës e do të përgatisim një minikoncert me këtë rast, ku unë do të këndoj live të gjithë këngët e albumit”,- thotë Makashi, duke shtuar se ky promovim do të realizohet brenda kësaj jave. Sigurisht, miqtë më të gjendur edhe këtë herë do të jenë Aleksandër Gjoka dhe Elton Deda, me të cilët ka kaq kohë që ndan ëndrrat e tij muzikore. Ky është albumi i dytë pas albumit “Dikur” i cili ka dalë në vitin 1997. “Ky album vjen pas gjashtë vjetësh. Mbase është pak vonë, por kushtet këto janë dhe nuk më kanë lejuar ta nxjerr më parë”,- thotë këngëtari duke shtuar se shumë materiale nga ky album do të bëhen edhe videoklipe, ku personazhet është shumë e vështirë të gjendet në Shqipëri. “Është një vështirësi që lind nga mentaliteti i femrës në Shqipëri, i cili nuk i le vajzat të qeta. Kësisoj unë nuk mund ta realizoj dot me ta idenë që kam në mendje. Nëse do të realizohet, do të gjej ndonjë personazh jashtë shtetit”, -thotë Makashi, duke shtuar se në këto klipe do të kenë skena intime dashurore, sipas natyrës së këngëve. Ai pohon se veç këngëve të njohura, në album përfshihet edhe një këngë e krijuar në anglisht e rrymës kantri. Kjo është një rrymë mjaft e pëlqyer nga këngëtari.


 

Shekulli

 


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa