Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Tirana

Fiton projekti i studios franceze për Planin Rregullues të Qendrës së Tiranës. Një Stacion i ri i Trenit, parkingje të nëndheshme, metro, jo ndërtesa të larta dhe breza të dendur gjelbërimi, ashtu si edhe ngritje e nivelit të ujit të Lanës… propozimet e francezëve për Qendrën e Tiranës

Kopshtet e Tiranës, modeli francez për qendrën

Belina Budini
TIRANË – Stacion i ri Treni, shumë pemë, ura mbi Lanë ku të shiten libra, parkingje të nëndheshme, jo ndërtesa të larta në qendër, por edhe metro, shumë gjelbërim në Lanë… Propozimet vrituale të studios franceze janë zgjedhur për t’u bërë realitet nga juria ndërkombëtare e konkursit për Masterplanin e qendrës së Tiranës. Sipas kryetarit të Jurisë ndërkombëtare, Fatos Nano, studioja franceze u përzgjodh si fituese ngase projekti i saj iu përqas më mirë zgjidhjes së përgjithshme për qytetin e Tiranës deri në seksionet e veçanta. “Ky projekt ruan një strukturë që i siguron Tiranës vizion të gjatë. Juria zgjodhi një koncept arkitekturor dhe jo një maket”, - u shpreh kryetari i kësaj jurie, Fatos Nano.
Kopshtet e Tiranës sipas francezëve
Masterplani i studios franceze “Architecture – Studio” me qendër në Paris parashikonte rimodelime të rëndësishme tek Stacioni i Trenit dhe në sheshin “Skënderbej”, ndërsa në sheshin pranë Universitetit ndërhyrje minimale. Kjo studio kishte menduar më shumë nga të tjerat për mushkëritë e kryeqytetit duke projektuar shndërrimin e lumit të Lanës (niveli i së cilës duhet ngritur sipas tyre) në një ambient pastoral, skicat e së cilës të sillnin në mendje kopshtet e Luksemburgut në Paris. Një qytet-kopsht, kjo ishte ideja konceptuale e studios franceze. Arkitektët dhe urbanistët e kësaj studioje kanë menduar si më të udhës dendësimin e zonave të gjelbra ekzistuese, sidomos buzë Lanës, por edhe tek Stacioni i Trenit ku kanë hedhur idenë për ndërtimin e një sheshi të ri, si edhe mbjelljen e pemëve të reja pranë Universitetit. “Projekti ynë përputhet me aspektin mesdhetar ku jetohet jashtë shtëpive. Kësisoj Lumin e Lanës e shohim si një potencial të rëndësishëm për gjelbërimin e kryeqytetit. Pjesa më e madhe e hapësirave të gjelbra do të jenë parqe publike por edhe ndonjë privat”, - u shpreh përfaqësuesja e “Architecture – Studio” në përgjigje të pyetjes së njërit prej anëtarëve të jurisë. Kopshtet alternative me bimësi të dendur, ku të shiten libra dhe të dalin njerëzit shëtitje bënin pjesë në projektin e arkitektëve francezë për të përforcuar zonën e gjelbër ekzistuese. Edhe në aksin e Veriut, francezët parashikonin gjelbërim, shatërvane, pista për makina si edhe kopshte të tjera të dendura kudo ku mundej. Zgjerim të zonës së gjelbër parashikonin francezët deri tek sheshi “Skënderbej”. “Natyra i jep Tiranës veçanësinë e saj dhe ne e respektojmë atë në projektin tonë, ashtu si edhe stilin mesdhetar të jetës. Në tërësi në gjithë projektin tonë ne kërkojnë përmirësimin e cilësisë së jetës”, - u shprehën arkitektët francezë gjatë gjysmëorëshit të tyre të paraqitjes së masterplanit. Përveç zgjerimit të hapësirës së gjelbër, arkitektët e “Architecture – Studio” kishin parashikuar edhe zgjerim të rrugëve, të cilat sipas tyre, janë shumë të ngushta dhe kanë nevojë për ngjyra e ndriçim. Ata kishin projektuar riformimin e sheshit “Skënderbej”, duke i lënë më shumë hapësira këmbësorëve, por kishin parashikuar gjithashtu tre unaza, ndër të cilat njëra tranzit. Një metro urbane pranë qendrës, pa ndërtesa të larta në shesh, ndërtimi i një qendre të madhe tregtare në vendin e Pazarit të Vjetër, që sipas projektit të tyre duhet zëvendësuar me një supermarkatë moderne, duke respektuar edhe linjën tradicionale të këtij tregu. Sheshin “Skënderbej” francezët e kanë konceptuar si një qendër zbavitjeje, kulturore dhe tregtare. Por ideja e tyre fokusohej gjatë edhe tek Stacioni i Trenit si një pikë e rëndësishme që e inkurajon qytetin. Ata hodhën idenë e ndërtimit të një stacioni të ri të Trenit si edhe të një sheshi të ri aty në të dy anët e stacionit. Studioja franceze propozoi parkime të nëndheshme për rregullimin e trafikut. Për zonën jugore të Tiranës, ata parashikonin trafik të lehtë lokal. Sa u përket monumenteve të Tiranës, francezët u shprehën se këta rrethohen nga një aureolë boshe, e cila sipas tyre duhet plotësuar. “Ne mendojmë t’i lidhim këto zona me hapësirat për njerëzit, ta rimodelojmë sheshin duke lidhur Muzeun Kombëtar, Monumentin e Skënderbeut, Pallatin e Kulturës, QNK-në, etj. Ndërsa sheshin historik mendojmë ta ruajmë dhe në lulishten pas Skënderbeut të ngremë një hapësirë të gjelbër me pemë që ndryshojnë ngjyrë sipas stinëve”, -tha Ayache. Ajo u shpreh se pozicioni i Xhamisë karakteristike në qendër do të përforcohet. Roueida Ayache, përfaqësuesja e studios “Architecture Studio”, (Paris-Francë) u shpreh se “Tirana duhet të ruajë historinë dhe shtresat e saj urbane. Qyteti përshkohet nga një bosht Veri-Jug. Zhvillimi i qytetit varet nga zhvillimi i këtij boshti dhe projekti ynë është përqëndruar pikërisht këtu. Ne kemi analizuar lartësinë mesatare të ndërtesave, lartësi që në disa vende nuk duhet t’i kalojë 3-4 katet. Studimi ynë është shtrirë në 3 dimensione: Në zgjerimin e hapësirës së gjelbër, në strukturën natyrore të Tiranës dhe në përforcimin e sistemit të trafikut”, -tha Ayache. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama u interesua për propozimin për parkimet dhe kombinimin e tyre me hapësirat e gjelbra. Lidhur me këtë, francezët u shprehën se kishin konceptin për ndërtimin e parkimeve të nëndheshme. “Mund të ndërtohen parkime në sheshin përpara Korpusit të Universitetit, te Qendra Ndërkombëtare e Kulturës dhe te Pazari i Ri. Po ashtu mendojmë edhe për parkime të nëndheshme te sheshi “Skënderbej” dhe te Stacioni i Trenit. Mirëpo nga ana tjetër, duhet inkurajuar edhe transporti publik”, -thanë francezët. Rama kërkoi gjithashtu hollësi lidhur me pjesën e bulevardit “Zogu I”. Ayache u përgjigj se ata parashikojnë ndërtimin e një shëtitoreje në mes të rrugës për njerëzit, duke përshirë këtu edhe pjesë me ujë. Pyetjes së njërit prej anëtarëve të jurisë ndërkombëtare se cili do të ishte hapi i parë që do t’i këshillonin ekspertët e studios franceze kryetarit Rama, ata u shprehën se projekti i tyre ka tre hapa që mbase do të ndiqnin këtë kronologji: Sheshin “Skënderbej”, zonën përgjatë Lumit të Lanës dhe pjesën te Stacioni i Trenit.


Juria:
Francezët të ndërtojnë edhe metro e tramvaj
Studios fituese, “Architecture-Paris” i kërkohet të bashkëpunojë për ta pasuruar projektin e paraqitur. Juria i sugjeroi fituesit që të ruaj aksin qendror të kryeqytetit, të ruajë identitetin e Tiranës, të zhvillojë e përmirësojë zonat e tjera rreth qendrës, të ruajë e të pasurojë parqet e zonat rekreative, të krijojë lehtësira optimale për trafikun rreth qendrës, të ndërtojë linja transporti publik si metro dhe tramvaje dhe që projektin yta përfundojë në kohë optimale. Pas përzgjedhjes së fituesit Edi Rama u shpreh se cilido prej studiove do të kishte qenë një zgjedhje e mirë për qytetin dhe se rivaliteti mes Vnedit të Parë, studios franceze dhe vendit të dytë, asaj Gjermano-Australiane, ishte vërtet i fortë gjatë debateve të jurisë.

Holandezët hodhën ide spektakolare. Kërkuan metro dhe tramvaj, por edhe ndërtime të larta. Gjermanët dëshironin edhe ndërtimin e një kulle 40 metra të lartë përballë 15 katëshit. Kishin përcaktuar edhe emrin për të: Do të quhej Gjilpëra e Lirisë së Fjalës, me orë dixhitale

Tirana fantastike, idetë tepër të bukura për t’u bërë realitet

TIRANË – Tramvaj, parkingje të nëndheshme, metro, supermarkete moderne, kulla komerciale, parqe të dendura, shumë books-shop-e, një mori urash mbi Lanë, shatërvane... Tri studiot evropiane të Arkitekturës paraqitën dje reportazhe optimiste për qendrën e Tiranës, që nga sheshi “Nënë Tereza” deri tek bulevardi “Zogu i Parë”. Propozimet qenë nga më të ndryshmet dhe disa syresh spektakolare. Që të gjitha pjesë e Masterplaneve virtuale për qendrën e Tiranës. Megjithatë vetëm njëra prej tri ideve konceptuale që garuan dje në hotel “Sheraton” do të aplikohet. Ajo që është gjykuar nga juria si më e mira është studioja franceze “Architecture-Paris”. Sipas kryebashkiakut rivaliteti mes dy vendeve të para ishte vërtet i ashpër, megjithatë.

Tirana e metrove sipas holandezëve
Tri rrathë unaze për të lehtësuar trafikun, ndërtimin e një metroje deri tek Aeroporti, madje holandezët hodhën edhe idenë e një tramvaji për të ardhmen në kryeqytet. Nga ana tjetër, arkitektët e studios “Mecanoo Architecten b.v” (Delft-Holandë) e donin qendrën e Tiranës horizontale me pallate jo më të larta se shtatë kate, përveç një kulle në qendër të qytetit. Përfaqësuesi i studios, Peter Klaes shpjegoi konceptin e studios holandeze në lidhje me trafikun dhe lëvizjen e njerëzve. Sipas ekspertëve holandezë, struktura e trafikut duhet të ndahet në 3 nivele: në Unazën e Vogël përreth qendrës, në Unazën Urbane dhe në Unazën e Madhe, ndarje këto që do ta lehtësonin shumë lëvizjen e lirë. Sipas tyre, Unaza e Parë do ta mbrojë qendrën nga trafiku, ndërsa Unaza e Dytë do të jetë një unazë ndërmjetëse për trafikun. Në këtë kuadër, ata theksuan nevojën e rregullimit të sistemit të transportit publik që do të lidhte periferitë e Tiranës me qendrën e saj. “Kemi parashikuar një linjë metroje Veri-Jug, e cila ndoshta mund të lidhet edhe me Aeroportin. Në projektin tonë parashikohet që stacionet e metrosë të jenë çdo 500 metra përreth sheshit “Skënderbej”, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe Korpusit të Universitetit. Ndoshta më vonë fusim edhe sistemin e tramvajeve. Duke shpjeguar konceptin e planifikimit urban, ekspertët holandezë thanë se ekzistojnë 8 identitete historike, të cilat ndryshojnë nga njëra-tjetra dhe që duhet të ruhen, madje të përforcohen. Lidhur me zonën te Stacioni i Trenit, holandezët thanë se nëse këtu futet sistemi i metrosë, kjo qendër do të bëhet mjaft e rëndësishme. “Këtu kemi parashikuar ndërtesa të larta që të japin pamjen urbane, si dhe hapësirat e gjelbra. Kullat e larta përballë Stacionit të Trenit do të shërbejnë si porta hyrëse për në Tiranë”, -thanë ekspertët holandezë. Lidhur me sheshin përballë Korpusit të Universitetit, ata u shprehën se kjo hapësirë është më tepër për trafik rrugor. “Sugjerojmë që këtë hapësirë t’ua kthejmë njerëzve dhe kësaj pjesë t’i kthejmë identitetin e një “Campus”-i Universitar. Në këtë zonë, sugjerojmë që të mos bëhen ndërtime më të larta se 7 kate”, -thanë ekspertët holandezë. Ndërsa lidhur me sheshin “Skënderbej”, ata thanë se në këtë hapësirë duan një bulevard të gjelbër. Sipas tyre, sheshi ka një strukturë të mirë të rrugëve, mirëpo ato duhet të rikonstruktohen edhe me gjelbërimin dhe ndriçimin përkatës, me qëllim që të të japin idenë që po hyn në qendrën e kryeqytetit. “Ajo që ka rëndësi është fakti që duhen ndërtuar fasada të mira dhe në një vijë të drejtë. Duhet të përfshihet ky tip i identitetit në të gjithë projektin, përsa i përket qendrës. Gjithashtu parashikojmë një shesh formal rreth Xhamisë, ndërsa në lulishten pas monumentit të Skënderbeut duam gjelbërim. Me pak fjalë, në sheshin “Skënderbej” sugjerojmë që të ruhet identiteti i ndërtimit sipas stilit italian”, -thanë ekspertët holandezë. Gjithashtu ata sugjeruan që Ura e madhe mbi Lanë të bëhet për një kalim më të mirë të kalimtarëve. Ndërsa për bulevardin “Zogu I”, ideja e holandezëve ishte për ta lënë atë një bulevard me dyqane luksoze dhe butikë tregtie. Anëtarët e komisionit ndërkombëtar u interesuan për detaje të tjera. Ata i pyetën holandezët se nga kishin ndërmend t’ia nisnin punës nëse fitonin konkursin për qendrën e Tiranës. “Mund t’ia nisim nga sheshi “Skënderbej” që të fillojë lirimi i Unazës. Pas çlirimit të Unazës, mund të nisë puna për objektet e tjera. Pastaj duhet të vendoset një kriter për lartësinë maksimale që duhet të mbahet për ndërtimet”, -thanë ekspertët holandezë. Një tjetër anëtar i jurisë u interesua për një ndërtesë të madhe që parashikohet në sheshin “Skënderbej” në projektin holandez. “Kemi parashikuar ndërtimin e një blloku mjaft klasik në këtë shesh që t’u përmbahet edhe fasadave të ndërtesave të tjera përreth. Zhvillimet e reja kanë në vete edhe diçka klasike dhe ne mendojmë se ky bllok me fasadë transparente është i mirë për këtë qendër”,- thanë holandezët. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, u interesua për një zgjidhje për trafikun në qendër. “Projekti ynë parashikon zgjerimin e qendrës deri në Unazën Urbane, buzë Lanës, duke përfshirë në qendër edhe parkun “Rinia”. Ky zgjerim do ta lehtësonte shumë trafikun në këtë pjesë”, -thanë holandezët. Në fund, studio “Mecanoo Architecten b.v” bëri edhe një përmbledhje të koncepteve në projektin për qendrën e Tiranës. Këtu, ata nënvizuan organizimin e trafikut në tre nivele, lidhjen e zonave periferike me qendrën, futjen e sistemit të metrove, ruajtjen dhe përforcimin e identiteteve historike si dhe krijimin e vendeve dhe hapësirave për njerëzit.

Tirana, si qilim historik sipas gjermanëve
Qilima urbanë dhe kulturorë për të respektuar historinë e Tiranës, rikthimin e kafe “Kursalit” si Kullë Moderne, Pazar të Ri aty ku ka qenë Pazari i Vjetër... Tradita është e rëndësishme për studion “Bolles & Ëilson & Co.KG” (Munster-Gjermani). Studioja gjermano-australiane kishte parashikuar deri edhe emrin e një kulle 40 metra të lartë, që projektonte të ndërtonte përballë 15 katëshit. Ajo do të quhej sipas tyre “Gjilpëra e Lirisë së Fjalës”. Nuk mungonin as sugjerimet për shtrimin me pllaka të mëdha të sheshit qendror. Masterplani virtual i gjermano-australianëve parashikon breza të gjelbër, rimodelim të rrugëve publike, një radhë kullash të larta në largësi nga bulevardi si kontur për të, në sheshin “Skënderbej” rikrijimin e një kopshti si në kohën e Italisë, madje edhe zgjerim të Universitetit, ndërtime pranë Kryeministrisë, si edhe një park parlamentar, madje një ndërtesë të re parlamentare, shesh të ri pranë Universitetit, park mbi Lanë... Këto ishin disa nga risitë që paraqiste projekti gjermano-australian. Presidenti i kësaj studioje, Peter Ëilson u shpreh se në projektin e tyre ata kanë ndjekur një proces që përputhet me filozofinë e tyre në arkitekturë dhe urbanistikë dhe që përkon me modelin e përfytyrimit të Tiranës si një mozaik me qilima, ku çdo qilimi i përkon një zonë e caktuar urbane. “Qyteti është vend i memories kolektive dhe plani ynë mbështetet në historinë ekzistuese. Në botë e ëndërrojnë një hapësirë të tillë publike siç e ka Tirana”, -tha Ëilson. Ai propozoi ngritjen e një sistemi trafiku me qëllim që qyteti të funksionojë. Për këtë ai propozoi një unazë përreth qendrës me nga dy korsi, me gjelbërim dhe me hapësirë për lëvizjen e njerëzve. “Ne zgjodhëm konceptin e unazës me dy korsi, por pa i lëvizur pemët ekzistuese. Pastaj kemi parë mënyrën se si kjo unazë do të lidhet me sistemin e ndërmjetëm të qarkullimit. Parashikojmë që brenda kësaj unaze të ketë vendparkime të vogla, ndërsa jashtë saj vendparkime më të mëdha. Gjithashtu parashikojmë rrugë të gjera prej 60 metrash. Në projektimin e kësaj unaze kemi pasur parasysh zhvillimin e nesërm, pasi ndërtimi i kësaj unaze të jep dorë për ndryshime të ardhshme. Lidhur me zonën te Stacioni i Trenit Ëilson u shpreh se ata mendojnë ta lënë këtë pjesë ashtu siç është. Te lulishtja ku ka qenë ish-kafe “Kursali”, gjermanët parashikojnë ngritjen e një blloku shumëfunksional me zyra. Gjithashtu ai tha se parashikojnë ndërtime të reja te Pazari i Vjetër me ndërtesa që të përshtaten mirë me ato të vjetrat. “Në zonën pas Pazarit të Vjetër propozojmë nga një rrugë për çdo lagje. Ndërsa në bulevardin “Zogu I” nuk duhen bërë shumë ndryshime, pasi kjo zonë edhe tani funksionon mirë. Gjithashtu projekti ynë parashikon edhe ndërtimin e një qendre komerciale pranë sheshit “Skënderbej”. “Parashikojmë ndërtesa të reja të ulëta, dhe më pas kulla të larta me nga 15-20 kate në pjesën anash, por jo buzë bulevardit kryesor”,- tha Ëilson. Ai tha se studio gjermane ka planifikuar parqe të reja pranë Kryeministrisë, si dhe kulla me fasada shumë të mira buzë lumit të Lanës. Mbi Lanë ai tha se kishin projektuar edhe ngritjen e urave të reja mbi të cilat mund të ndërtohen dyqane të vogla librash dhe sendesh të tjera. “Pranë Parlamentit parashikojmë ngritjen e një parku parlamentar, ku në të ardhmen propozojmë ngritjen e një salle të re parlamentare. Lidhur me pyetjen se ku mund të nisë projekti gjerman për qendrën e Tiranës, Ëilson u shpreh “strategjia e qilimit të jep dorë për zhvillim të pakufijshëm. “Është e rëndësishme që të fillohet nga qendra. Te ish-kafe “Kursali”, për shembull, puna mund të nisë menjëherë, por gjithçka kërkon strategji sipas situatave specifike. Ndërsa pyetjes se si e shihnin arkitektët gjermanë funksionimin e sheshit “Skënderbej”, Ëilson iu përgjigj: “Kemi parashikuar një lulishte-kopsht pas monumentit të Skënderbeut, ndërsa përpara Teatrit të Operas dhe Baletit zgjatjen e Kafe Operas. Në mbarim të saj dhe përballë me hotel “Tirana” parashikojmë ngritjen e një kulle vertikale 40 metra të lartë, e cila do të quhet “Gjilpëra e Lirisë së Fjalës”. Kjo do të jetë një orë karakteristike dixhitale ku çdokush mund të shkruajë diçka, qoftë edhe ankesat e tij, të cilat mund t’i lexojë edhe kryeministri”. Ndërkohë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, u interesua për detajet rreth zonës së Kryeministrisë, QNK-së dhe sheshit përpara stadiumit “Qemal Stafa”. Lidhur me këto Ëilson u shpreh se në hapësirën mes Kryeministrisë dhe QNK-së parashikohet ngritja e një blloku ndërtesash prej 3-4 katesh. Ndërsa për sheshin te stadiumi “Qemal Stafa”, Ëilson tha se hotel “Sheraton” që është ndërtuar së fundi e ka prishur simetrinë e sheshit të të gjithë Korpusit Universitar. “Ne do të propozojmë ngritjen e një ndërtese të re të tretë të lartë, si një formë balancimi”, -tha Ëilson.

Gjykimi
Kush e zgjodhi masterplanin më të mirë?

-Fatos Nano, Kryeministër si edhe Kryetar i Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Zoti kryeministër është Kryetar i Jurisë që po prezantoj.
-Elias Zengeli, vjen nga Britania e Madhe. Arkitekt dhe Planifikues Urban, njëri ndër themeluesit e studios të famshmes OMA, bashkëpunëtor deri në vitin 1987 i njërit prej guruve të arkitekturës bashkëkohore, Rem Koolhas, vit në të cilën themeloi studion “Gigantes Zenghelis Architects”. Profesor i arkitekturës në shumë universitete të botës dhe së fundi fitues i çmimit “RIBA” për kontribut të veçantë në mësimin e arkitekturës. Projekti i tij më i fundit është Qendra e Administrimit “Fleming”, ende në ndërtim. Shtoj se Elias Zengeli ka shumë publikime në këtë fushë dhe ka marrë pjesë shpeshherë juri ndërkombëtare si kjo e sotmja.
-Helmut Schroeder, vjen nga Gjermania, ish -ambasador i Gjermanisë.
-Lotar Greulich, vjen nga Gjermania. Arkitekt dhe Planifikues Urban, zotërues i tre masterave të Universitetit të Pensilvanisë në SHBA, Master në Planifikim Qyteti, Master në Çështjet Urbane, Master në Arkitekturë. Prej vitit 1971 punon në studion e tij si arkitekt dhe planifikues urban. Ka qenë kryetar i Komisionit Gjerman për konkurset publike dhe private në arkitekturë e planifikim urban. Mban vazhdimisht leksione mbi metodat dhe praktikat e konkurseve të arkitekturës e të planifikimit urban si edhe ftohet vazhdimisht në konkurse ndërkombëtare të këtij lloji.
-Mario Pisani, vjen nga Italia. Arkitekt, historian dhe kritik i arkitekturës, profesor në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin “Luigi Vanviteli” si edhe referues i historisë së arkitekturës bashkëkohore në Fakultetin “Ludovigo Kuaroni” në Univeristetin “La Sapienca” të Romës. Leksionet e Mario Pisanit janë ndër më të ndjekurat jo vetëm në Romë, po edhe në Firence, Napoli, Salerno, Palermo e gjithashtu mjaft të ndjekura janë edhe publikimet e tij, ndër të cilat revista e famshme që ai ka themeluar bashkë me Paolo Portogezin “Abitare la Terra”. Ka qenë anëtar i shumë jurive ndërkombëtare.
-Olafur Eliasson, vjen nga Danimarka. Artist vizual. Njëri ndër më të ndjekurit artistë bashkëkohorë të momentit. Veprat e tij janë ekspozuar në galeritë më të njohura private të botës, në shumë ekspozita të mëdha bashkëkohore si Bienalja e Venecias, ku së fundi Eliasson ishte përfaqësues i Mbretërisë së Danimarkës, si edhe në publikimet më prestigjioze të artit bashkëkohor.
-Rudi Stroink, vjen nga Holanda. Arkitekt dhe menaxher projektesh. Ka themeluar në vitin 1993 kompaninë “TCN Property Project” dhe është president i kësaj kompanie qysh prej themelimit. TCN është pjesë e një grupimi ndërkombëtar kompanish, të cilat projektojnë, zhvillojnë dhe menaxhojnë projekte në të gjithë botën. Kjo kompani vepron si partner i pavarur i këtij grupimi në tregun europian me zyra përfaqësuese në Amsterdam, Dyseldorf, Lisbonë, Bruksel dhe Budapest.
-Jean Michel Guenod, vjen nga Franca. Arkitekt dhe urbanist. Eshtë specializuar për strehimin social si menaxher i përgjithshëm i Organizatës Kombëtare franceze për Strehimin, është konsulent në fushën e subvencionimit të nismave urbane dhe ka pasur një sërë pozicionesh në rëndësishme në strukturat publike të planifikimit urban. Në vitet ’70 ka qenë planifikues urban në korporatën e zhvillimit të qyteteve të reja dhe president i Agjencisë Shtetërore “EPAEM”, ndërsa në vitin 1998 ka qenë drejtuesi i projektit të rigjenerimit urban të Marsejës. Ka marrë pjesë në gjykimin e shumë konkurseve ndërkombëtare.


Kryebashkiaku
Fituesi, studim të plotë pas disa muajsh
Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, theksoi se projektet që u paraqitën dje janë në nivelin konceptual dhe ende jo studime të plota, që u japin përgjigje përfundimtare të gjitha pyetjeve që do të bëhen këtu nga gjyqtarët apo që do të na lindin gjatë prezantimeve. Koncepti fitues do të kthehet në një studim të plotë mbas disa muajsh pune nga ana e studios fituese.

Arkitekti
Maks Velo: Urojmë të mos ndodhë si me Shkupin
Arkitekt dhe piktor “disident” i viteve ’70, Maks Velo e ka ndjekur dje me vëmendje konkursin ndërkombëtar për masterplanin e qendrës së Tiranës dhe e ka cilësuar këtë konkurs si serioz. Sipas tij, interesante është se secila prej studiove projektuese ka paraqitur projekte kryekëput të ndryshme. Megjithatë, Velo shton se uron që të mos ndodhë siç ngjau me masterplanin e Shkupit, i cili ende sot e kësaj dite nuk është vënë në zbatim.

Kryeministri:
Tirana, tanimë në hartën e simotrave të veta evropiane

Kryetari i qeverisë shqiptare Fatos Nano, i cili është edhe kryetari i komisionit për përzgjedhjen e studios fituese, theksoi rëndësinë që ka për të ardhmen urbanistike të kryeqytetit shqiptar konkursi ndërkombëtar “Tirana, një qytet Europian”. “Kam shansin të jem kryetar i kësaj jurie prestigjioze, e cila do të marrë vendime të rëndësishme, për të ardhmen e qytetit tim të lindjes dhe njëkohësisht të kryeqytetit të vendit tim. Mbetem i bindur se kjo garë, me seriozitetin dhe profesionalizmin e saj, do ta vendosë përfundimisht Tiranën në hartën e atyre simotrave të veta në Europë, që bëjnë përzgjedhje dhe marrin vendime pikërisht në këtë mënyrë, me anë të konkurrimeve si ky dhe që deri tani i kanë munguar Shqipërisë. Ngjarja e sotme shënon fillimin e një procesi të natyrshëm bashkëpunimi interaktiv me nivelet më të larta europiane të Europës, ku edhe Shqipëria tashmë po integrohet me shpejtësi. Ndonëse studiot që vijnë këtu, pas një procesi konkurrues të hapur ndërmjet 35 syresh, janë të huaja, aktorët shqiptarë të fushës, për asnjë çast, nuk janë dhe nuk do të ndihen të përjashtuar nga kjo garë. Ata janë dhe do të mbeten pjesë e zhvillimit të suksesshëm të projektit fitues, i cili falë këtyre aktorëve do të mund të kalojë nga stadi i stimulimit kompjuterik në atë të realitetit të gjallë e dinamik të kryeqytetit tonë të dashur”,- u shpreh Nano. Në fund kryeministri falenderoi qeverinë gjermane për mbështetjen morale dhe kontributin financiar që ka dhënë në këtë rast.

Juria
Fatos Nano-Shqipëri
Jean M.Guenod – Francë
Mario Pisani – Itali
Rudie Stroink – Holandë
Olafur Eliasson – Danimarkë
Lothar – Greulich – Gjermani
H.Schroeder – Gjermani
Elia Zenghelis – Angli

Tri studiot në garë
1. Architecture Studio (Paris-France).
2. Mecanno Architecten b.v (Holland).
3. Bolles & Ëilson & Co.KG (Germany).

 




ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa