Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
Panairi V Ndërkombëtar i Librit "Tirana 2002" është mbyllur dje. Organizatorët janë të kënaqur me shitjen e librave

Suksesi i panairit …lidhja më e madhe me lexuesit

Arritja më e madhe e panairit këtë herë është quajtur numri i madh i vizitorëve që kanë vizituar stendat e shumta të shtëpive botuese. Një tjetër arritje është shënuar shitja më e madhe që iu bë librave, krahasuar me një vit më parë. Si dhe interesi i të rinjve ndaj librit ka qenë shumë më i madh këtë herë. Në një konferencë për shtyp të organizatorëve, mbajtur dje në ditën e fundit të panairit, ky edicion i pestë i tij u cilësua si më i suksesshmi ndër edicionet e mëparshme. Drejtoresha e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës (QNK-së), Vera Isaku, cilësoi si eveniment të këtij viti në panairin "Tirana 2002, interesin e vizitorëve të rinj, gjë që sipas saj, "dëshmon kthim e të rinjve tek libri". Ndërsa kryetari i Lidhjes së Botuesve Shqiptarë, Fatmir Toçi, renditi të veçantat që solli panairi "Tirana 2002". Ai pohoi se, "ky panair arriti numrin më të lartë të ekspozuesve, rreth 100 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe vende të ndryshme të botës si, Gjermania, Kanadaja (të cilat në fakt u prezantuan nga ambasadat e tyre përkatëse këtu në Tiranë) dhe Italia ( e cila krahas disa shtëpive botuese u prezantua dhe me Institutin Italian të Kulturës) "Gjithashtu", tha ai- "është pozitive prania e madhe e autorëve shqiptarë, një shitje e konsiderushme e librave deri në 70 mijë libra si dhe e rreth 50 mijë vizitorëve që ndoqën këtë panair" (ishte kjo një shifër që në fakt pak a shumë ishte parashikuar edhe kur panairi ende nuk kishte filluar. Kështuqë parashikimi nuk i gaboi organizatorët).Edhe drejtori i drejtorisë së librit pranë Ministrisë së Kulturës, Stefan Çapaliku, e vlerësoi këtë panair duke u shprehur se "ka një ndryshim të jashtëzakonshëm midis këtij panairi dhe edicionit të parë të tij". Ai gjithashtu foli për dy synimet e Ministrisë së Kulturës në fushën e librit që mund të realizohen brenda vitit 2002, si uljave e taksave mbi librin dhe krijimi i Qendrës Kombëtare të Librit.
I vendosur në një sipërfaqe prej 2000 metra katrorë dhe i ndarë në 75 pavione, në këtë panair u ekspozuan rreth 10 mijë tituj librash, midis të cilëve 1500 botime të vitit 2002. Përveç ekspozimit të librit, një vend të rëndësishëm në këtë aktivitet të madh zunë promovimet e botimeve, debatet e ndryshme ku u trajtuan probleme që lidhen me botimin, shpërndarjen e librave, etj. Ndërkohë, ashtu si dhe në edicionet e tjera, në panairin e librit "Tirana 2002" ishin të ftuar mjaft autorë, midis të cilëve dhe të huaj si kanadezi Ron Smith, Sabri Hamiti, Ali Aliu, Ali Podrimja, etj. Organizimi i këtij panairi u bë i mundur nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës së bashku me Lidhjen e Botuesve Shqiptarë, me mbështetjen e Ministrisë së Rinisë Kulturës dhe Sporteve (MKRS-së). Po në konferencën e djeshme për shtyp është vendosur edhe për datën e zhvillimit të panairit vitin e ardhshëm, i cili do të mbahet në data 5-10 Nëntor, të vitit 2003. Kryetari i Lidhjes së Botuesve, Toçi, bëri të ditur se për herë të parë në datat 29 maj-1 qershor të vitit që vjen, organizatorët e këtij panairi do të çelin për fëmijët "Panairin e librit dhe lodrave".

Opinione

Vath Koreshi
Më është dukur një panair që arriti disa nga objektivat e tij…arriti të çojë librin tek lexuesi. Kjo të bën të mendosh se duhet të bëhet një punë më e mirë me shpërndarjen e librit. Në fakt është arritur një vëllim i madh botimesh, por sidoqoftë ende mund të themi se janë pak tituj. Se mungojnë mjaft autorë e tituj të mëdhenj ndër këta botime. Ndërsa libri i huaj është një mundësi për ta hapur pak më tej horizontin e librit dhe të botimeve tona.
Djana Çuli
Në këtë panair kishte një shumëllojshmëri titujsh që nga fjalorët e ndryshëm, librat e sociologjisë, filozofisë, historisë, e deri tek titujt e shumtë letrarë. Kjo është një arritje sepse pak nga pak po vijnë libra që kanë munguar prej kohësh në botimet tona në shqip. Kjo ndoshta ka ardhur si një kërkesë e lexuesve por edhe si një nuhatje e shtëpive të ndryshme botuese, nisur nga mungesa e gjatë e këtyre titujve në treg. Po ashtu vihej re një profilizim i shtëpive botuese. E disa prej tyre kanë zgjedhur të sjellin librin e huaj dhe t'i japin përparësi atij, disa të tjerë kanë zgjedhur librin shqip, disa librat e filozofisë, të sociologjisë, etj. Kësisoj pak nga pak, secila prej këtyre shtëpive botuese po e gjen fytyrën e vet, duke u nisur që nga zgjedhja e kopertinave, ngjyrat, etj e deri tek tematikat që ata zgjedhin. Edhe prania e librit ndërkombëtar në këtë panair, mendoj se është një arritje tjetër. Është një hapje pak më përtej për letërsinë. Kështu në panair ishte këtë vit shtëpia botuese "Besa", e cila prej 10 vitesh boton në Pulje të Italisë krahas librave të huaj edhe librin shqip. Kësisoj po bëhet një përqasje mes shtëpive botuese. Por veç këtyre mund të përmendej në këtë panair edhe atmosfera e krijuar gjatë këtyre ditëve që ai ishte i hapur, prania e një numri të madh shkrimtarësh poetësh e studiuesish, si dhe njerëz të tjerë të apasionuar pas librit. Një ngjarje e tillë, besoj, është një moment kulturor i rëndësishëm
Visar Zhiti
Ishte një panair i rëndësishëm që solli librin tek njerëzit dhe njerëzit i çoi tek libri. Vetë Papa ka thënë se : "Nuk na duhet një demokraci pa virtyt". Libri është një virtyt i shoqërisë dhe i individit njëkohësisht. Ishte më i madhi dhe më i preferuari panair në Tiranë dhe me qindra tituj librash. Është një gëzim për botën e letrave, megjithatë duhet pasur edhe pak kujdes. Vetë inteligjenca duhet t'i kthehet vetëkontrollit, dhe të kërkojë sa më shumë cilësi, sepse një libër i madh ( i mirë ) ngërthen në vetvete shumë libra, por shumë libra nuk mund të jenë një libër i mirë. E nëse vetë autorët bëjnë lëshimë e kërkojnë të botojnë pa kriter, vetë botuesit duhet të ngrenë barriera mes vlerave e mediokritetit dhe t'i dhurojnë lexuesit librin me vlerë. Unë mendoj se po mbërrijmë në këtë stad. Megjithatë një panair libri në kryeqytet, është një sfidë që i bëhet rrëmujës, aluvionit të fjalëve të politikanëve dhe mediave që iu bëjnë jehonë. E them këtë duke u mbështetur në kredon time "një liqër më shumë, një armë më pak, derisa të mbërrijmë tek arma e vërtetë, libri".
Luan Pengili, botues
Ishte një panair, ku vëmendja ndaj librit ishte shumë më e theksuar se herët e tjera. Mendoj se këtë vit jo vetëm që është ekspozuar libri, por edhe është shitur. Po ashtu kemi mundur të kthejmë vëmendjen tek libri shqip. Shtëpia jonë botuese e ka kthyer në qëllim botimin e këtij libri. Dje në këtë panair është vënë re se interesi për librin shqip ka qenë më i madh nga vitet e kaluara. Por edhe vëmendja e botuesve për të sjellë tek lexuesit librin dhe autorët shqiptarë po vjen në rritje nga viti në vit.

Librat më të kërkuar në panairin "Tirana 2002"
"Toena" "Fjalori i gjuhës shqipe", "Ilirët (jeta dhe tradita)" Aleksandër Stipçeviç, "Djalli dhe zonjusha Prym, "Veronika vendos të vdesë" të Paolo Koelho, "Fjalori sinonimik", "Eneida" e Virgjilit, etj
"Onufri" :"Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut" e Ismail kadaresë, "stinë e mërzitshme në Olimp" I.Kadare
"Ombra GVG" "Një tragjedi amerikane" e Teodor Drajzer, "Martin Iden" e Xhek Londonit, "mërgimi dhe mbretëria" e Albert Kamy
"Ora" " 11 shtatori 2001, Mashtrimi i frikshëm" i Thierry Meysson
"Albas" "Rruga në të cilën rrallë shkohet" e Scot Peck, "Letërsia moderne" e Sabri Hamitit"
"Omsca" "Ferri i çarë" i Visar Zhitit, "Intervistë me vetveten" e Petro Markos, "Një natë dhe dy agime" Petro Marko, "Al Kapone", etj
"Kokona" "Fjalori frëngjisht- shqip" i Vedat Kokonës, "Nga Tirana në Stokholm" Vedat Kokona
"Uegen" 'Padurimi i zemrës" Stevan Cvajg, "Idioti" Dostojevski, "Familjet e mëdha" Maurice Druan
"Argeta LMG" "Novela" Cvajg, "Nastradini" anektoda, "Lirika" Sergej Esenini
"Fan Noli" Seria e librave të Frojdit, "Fjalët" e Zhan Pol Sartrit" "I huaji" Kamy
"Dudaj" "Vepra" e Faik Konicës, "Bijë prostitute" e Kristinë Gren
"Afërdita" "Fan Noli, antologji fotografike" "Princi Ring" përrallë islandeze
"Bargjini" "Park Avenju" e Harold Robins, "Tregime të zgjedhura" përkthyer nga Robert Shvarc
"Albin""Nostalgjia" Milan Kundera, "Fjalor ekonomiko financiar" Aristotel Pano
"Dukagjini" "Ikja nga kompleksi i Rozafës" Artan Fuga
"Elite" "Baroni rebel" Italo Calvino
"Naim Frashëri" "Një dashuri" Dino Buzzati, "Diplomacia" Henry Kisinger
"Sejko" "Ditari i Brixhit Xhons" Helen Filldings, "I love Tom Hanks", "Ditë e bardhë e fyer", "Yjet nuk vishen kështu", të Elvira Donesit, "Letër një fëmije që kurrë s'u lind" e "Orjana Fallacit, etj


Marrë nga Gazeta Shekulli



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa