Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Bashkia e Tiranës i kërkon Ministrisë së Territorit dhe Turizmit që Pallati i Brigadave të hapet për publikun, duke filluar nga 29 nëntori. Sipas relacionit të saj, pallati mbretëror ka nevojë për ndërhyrje dhe restaurim emergjent, në mënyrë që të figurojë në të ardhmen në guidën turistike të Tiranës. Aktualisht është lënë në harresë

Pallati i Brigadave ose fantazma e një pallati mbretëror

Belina Budini

TIRANË – Njihet si Pallat i Mbretit, anipse mbreti u largua nga Shqipëria para se pallati të mbaronte së ndërtuari. Megjithëse i emërtuar më pas Pallat i Brigadave, ai u ngulit në memorien e njerëzve si pallat mbretëror dhe jo brigadash. Veçse sot, Pallati i famshëm i Brigadave është shndërruar në një pallat fantazmë. Përveç nja dhjetë pritjeve zyrtare që jepen aty në harkun kohor të një viti, asgjë tjetër për t'u shënuar në kalendar. Qëndron i mbyllur tërë kohën që tepron. Nuk mirëmbahet ashtu siç duhet, lulishtja është lënë pas dore prej kohësh, arredimi lë shumë për të dëshiruar ndërsa kisha (ka një të tillë që i përket Pallatit) nuk kryen shërbesa prej dekadash. Kjo është arsyeja që Bashkia e Tiranës i ka dërguar një relacion Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, për dijeni kryeministrit Fatos Nano dhe presidentit Alfred Moisiu, që Pallati i Brigadave, pas një restaurimi dhe gjetje fondesh për mirëmbajtje, të hapet për publikun kundrejt pagesës. Sipas këtij relacioni, Pallati i Brigadave duhet të bëhet i vizitueshëm me biletë në ditë dhe orë të caktuara. Propozimi bëhet në prag të 60 -vjetorit të Çlirimit, në mënyrë që hapja e Pallatit të Brigadave për publikun e interesuar të fillojë në 29 nëntor. “Nëpërmjet hapjes së Pallatit të Brigadave për vizita për publikun, në ditë të caktuara të javës me bileta, e para do të rritet ndjeshmëria ndaj tij, duke bërë të mundur gjetjen e sponsorëve dhe të donatorëve për të mundësuar restaurimin e tij dhe e dyta do të realizohen fonde për mirëmbajtjen e përditshme të tij”, - shkruhet në relacionin dërguar Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit. Përveç restaurimit të godinës mendohet që të ndërhyhet edhe në lulishten e pallatit e cila është braktisur thuajse fare. “Hapja e Parkut-lulishte për publikun gjatë ditës, do të sjellë të njëjtat efekte pozitive si për godinën”, - shkruhet në relacionin e bashkisë. Është menduar gjithashtu që të rikthehet në funksionim edhe Kisha e Pallatit e cila nuk kryen prej kohësh shërbesa fetare. “Duke patur parasysh se Tirana i ka shumë të kufizuara atraksionet turistike për të huajt, Pallati i Brigadave mbetet të shërbejë si një objekt shumë tërheqës dhe destinacion turistik i lakmueshëm. Aktualisht ai nuk është i përfshirë në asnjë lloj guide turistike të Tiranës a Shqipërisë, qoftë edhe si njoftim për ekzistencën e tij e jo më si mundësi vizite”, - vijon relacioni për gjendjen e Pallatit të Brigadave.
Një Pallat për Mbretin
Pallati i Brigadave ka filluar nga ndërtimi në fund të periudhës së monarkisë së mbretit Zog. Ai do të shërbente si pallat mbretëror dhe si seli zyrtare për mbretin. Në momentin që Zogu vendosi ndërtimin e një pallati të ri mbretëror (deri në atë kohë ai banonte herë në godinën e sotme të Akademisë së Shkencave dhe herë në godinën e sotme të Institutit të Monumenteve), ai solli një ekip specialistësh italianë edhe për të përzgjedhur vendin më të përshtatshëm për ndërtimin e pallatit. Pas analizës së kryer nga ana e tyre, ata raportuan se nga pikëpamja klimatike, panoramike dhe urbanistike, vendet më të përshtatshme ishin Kodrat e Linzës (pak a shumë zona ku ndodhet kompleksi Chateau Linza) dhe kodrat e Saukut. Mbreti Zog përzgjodhi variantin e dytë për dy arsye krejt të tjera: Kodrat e Linzës ishin shumë pranë Shkallës së Tujanit dhe rrugëve që lidhnin Tiranën me verilindjen, prej nga bëheshin kryengritjet dhe revoltat; dhe e dyta sepse Kodrat e Linzës ishin pronë e Toptanëve, me të cilët Zogu kishte lidhje farefisnie nga ana e të ëmës. Në momentin e fillimit të punimeve të pallatit, kodrat e Saukut ishin tërësisht të zhveshura nga bimësia dhe u desh një punë e madhe për pyllëzimin e tyre. Projekti i Pallatit u realizua nga një grup prej tre arkitektësh italianë, ndër të cilët edhe Bussio, nga më avangardistët e kohës. Për shkak të pushtimit italian në prill të 1939, mbreti Zog nuk pati mundësi ta shikonte të përfunduar pallatin, për të cilin u vazhdua të punohej me shumë zell në vitet 1939-1941. Aq sa në korrespondencën ushtarake të Komandës së Ushtrisë Italiane në kohën e luftës Italo-Greke në vitin 1940, flitet në një ankesë të Komandës italiane të Tiranës e cila i ankohet Romës, për vonesën e mbërritjes së furnizimeve ushtarake për frontin, pasi hapësirat e portit të Durrësit ishin zënë me blloqet e mermerit dhe pajisjet që duheshin për ndërtimin e Pallatit në Tiranë.
VIP-at e Pallatit
Ndonëse i ndërtuar për mbretin shqiptar, Ahmet Zogu, pallati ka shërbyer si rezidencë mbretërore vetëm një herë, për një mbret italian, Viktor Emanuelin e Tretë. Si përfundoi së ndërtuari në vitin 1941, për herë të parë dhe të fundit pallati shërbeu si rezidencë mbretërore gjatë ditëve të qëndrimit të mbretit Viktor-Emanueli III, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në maj të 1941. Për gjithë periudhën tjetër, deri në largimin e italianëve nga Shqipëria, ai shërbeu si rezidencë shqiptare e Mëkëmbësit të Mbretit, fillimisht Jakomonit dhe më vonë gjeneral Parianit. Të dy këto personalitete kanë banuar atje, bashkë me familjet. Me kapitullimin e Italisë, pallati rrezikoi të plaçkitej, por u arrit të shpëtohej pasi u mor shpejt në duar nga pushtuesit e rinj, ata gjermanë. Oficeri shqiptar me shërbim në pallat atë ditë, për të mos lënë që flamuri zyrtar i Pallatit Mbretëror të binte në dorë të gjermanëve, e fshehu dhe e nisi në Itali, ku mbeti për 60 vjet. Në vitin 2003, u ble nga Artan Lame dhe u risoll në Atdhe. Një eveniment tjetër për Pallatin ishte shtatori i vitit 1943, kur në sallën e madhe të pritjeve u mblodh Asambleja, e cila shpalli shkëputjen e kurorës së Shqipërisë nga monarkia italiane. Pallati u përdor fare pak për pritje zyrtare nga gjermanët, të cilët e konsideronin atë si selinë mbretërore që dilte jashtë juridiksionit të tyre dhe preferonin hotel “Dajtin”. Në nëntor të 1944, pallati u mor nga partizanët dhe u vu menjëherë në mbrojtje, duke u shpëtuar nga plaçkitja. Që nga 1945 funksionoi si rezidencë qeveritare dhe si e tillë vazhdon të funksionojë ende.
Stil dhe dizajn
Pallati është në stilin e “racionalizmit monumental” dhe sot ruan të njëjtin stil dhe dizajn, si në pamjen e jashtme ashtu dhe në arkitekturën e brendshme të interierëve, në mobilimin e ambienteve e deri në pajisjet më të vogla të jetës së përditshme (servise, pajisje, takëme, etj). Ky fakt e bën këtë pallat të jetë unikal në llojin e vet, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë hapësirën e ish-perandorisë italiane. Ata pak studiues të huaj që kanë pasur rastin ta vizitojnë atë, janë shprehur tepër entuziastë dhe kanë tërhequr vëmendjen për emergjencën që paraqet ai në lidhje me restaurimin. Pallatit i janë bërë disa herë ndërhyrje të pjesshme mirëmbajtjeje, por asnjëherë punime të vërteta restaurimi. Sipas kujtimeve të arkitektëve që janë marrë me këtë proces, arsyeja që e ka shpëtuar nga ndërhyrjet ndryshuese këtë pallat, ka qenë vetoja e Enver Hoxhës kundër çdo ndryshimi.
Basorelievet, Enveri nuk i prishi
Në vitet ‘70 shpëtuan nga shkatërrimi baso-relievet prej mermeri të shkallëve të hollit kryesor, të cilët me urdhër të Enver Hoxhës u mbuluan me perde mëndafshi, por nuk u lejua të hiqeshin apo të zëvendësoheshin siç iu propozua. Sot baso-relievet janë të ekspozuara dhe përbëjnë një nga elementët më tërheqëse të pallatit. Megjithatë pallati ka probleme në rrjetin hidraulik dhe në hidroizolimet e tarracës. Gjithashtu edhe mobilimi në përgjithësi ka nevojë për një restaurim shkencor.


Shekulli
29-10-2004

 



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa