Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Dy ditë më parë vargjet e poetit suedez Tomas Transtömeri, të cilat i kishte mbledhur me kujdes vite me radhë i ka promovuar mes miqve dhe kolegëve të saj, të mbledhura nën një titull "Perandoria e barit".

Historia e çuditshme mes Natasha Lakos dhe poetit suedez, vjen nga suedia nëpër kujtimet e ruajtura me kujdes

Perandoria e barit
Ku fshihet sekreti mes Natasha Lakos dhe poetit suedez


Zefina Hasani
Andej nga viti 1996, Mevlan Shanajt dhe Natasha Lakos, krejt papritur u kishin thënë se duhej ta linin Suedinë. Për pesë ditë duhej të ktheheshin në atdheun e tyre, në Shqipëri. Nuk u mbetej gjë tjetër veçse të përgatisnin sa më shpejt valixhet e ikjes. Natasha Lako, e çoroditur e tëra nga lajmi i papritur nuk gjente dot kohë as të shfrynte dufin…nuk do mundej të përshëndetej me asnjë nga miqtë saj (as Mevlani me të tijët). Nuk do mundeshin të bënin asnjë ndarje.
Ndërsa mblidhte "rraqet e zakonshme" në valixhet e ikjes, duart iu mbushën me fletëzat e bardha në të cilat kishte hedhur në shqip vargjet e një poeti suedez. Tomas Transtömeri i mbeti në duar për ca miniuta
Këtë herë gjeti pak kohë të shfrynte dufin…e kishte lënë që të takohej me atë poet, ndërsa tani po e detyronin të ikte pa pritur e pa pandehur. Por nuk do të mund të ikte pa e takuar atë poet, gjithsesi. Ndaj i la për një çast valixhet dhe formoi në receptorin e telefonit, numrin e Tomasit. Lanë takimin më të shpejtë e më të mundshëm me njëri-tjetrin.
* * *
Në stacionin e trenit të Stokholmit ajo priste atë. Do ta takonte në barin "Orient-ekspress" në një 40 minutësh kohë të ndërrimit të trenave. Ai bashkë me bashkëshorten e tij, Monikën, do të vinin nga shtëpia e tyre verore për të shkuar në Vesteros. Për këtë ndërrim trenash, duheshin 40 minuta pritje. Në këtë kohë të ngurtësuar poeti suedez do të njihej me shkrimtaren shqiptare, e cila i kishte vënë vetes si qëllim dërgimin e poezive të tij edhe në Shqipëri. Ndërsa ajo e priste atë, në mendje i vërtiteshin dhjetëra vargje poezish ngatërruar mes suedishtes dhe shqipes…derisa syri i pa (dhe nuk i gaboi) sytë e kaltër plot dritë nordikë të Tomas Tranströmerit dhe gjallërinë e Monikës (bashkëshortes së tij). Pas takimit, Natasha Lako, kishte ndier një goditje të fortë. Ai linte për të folur Monikën sepse vetë prej kohësh nuk mund të fliste dot (pas një paralize të pjesshme celebrale kishte humbur të folurën). Suedishtja e saj e lodhur i kishte ngecuar nëpër buzë, pas kësaj. E megjithatë e nisi bashkëbisedimin me poetin…E pyeti nëse ai kishte qenë ndonjëherë në Shqipëri (të paktën asaj ashtu i ishte dukur dhe mendonte se ai do t'i thoshte "po". Përderisa shumë copëza shqiptare i kishte parë në vargjet e tij). Ai kishte tundur kokën në shenjë mohimi. Dhe ajo ishte çuditur. Por nuk kishte shumë kohë ta shtjellonte gjithë këtë…40 minutat po treteshin një e nga një. Ndaj bisedën e çuan tek titulli që do t'i vihej në shqip librit që Lako do të përkthente. Pastaj Lako kishte bërë zgjedhjen e saj vetjake… "Perandoria e barit" vendosi ta titullonte atë libër. Kur 40- minutëshi i mundshëm i atij bashkëbisedimi (mes një poeti suedez dhe një shkrimtareje shqiptare) po mbaronte Tomasi i kërkoi Lakos t'i lexonte një prej atyre poezive, në shqip. Donte të dëgjonte tingëllimën e shqipes brenda botës që ai vetë kishte krijuar. Lako kishte nisur të lexonte poezitë e tij nën ritmin e minutave që po mbaroheshin, nën ritmin e minutave që po bënin bashkë suedishten me shqipen. Natasha Lako iku nga ky takim e mbushur me emocionet e pashpjeguara. Në dy ditët e fundit të përgatitjeve për udhëtimin e largët (nga Suedia në Shqipëri) ndërsa sistemonte valixhet e ikjes, ndiente se po merrte me vete gjithë botën e atij poeti, se po tërhiqte pas vetes (ndoshta) edhe vetë Tomas Transtömerin.
* * *
Dy ditë më parë, e gjithë kjo histori iu soll nëpër kujtesë Natasha Lakos, ndërsa "Perandoria e barit" e Tomas Tranströmerit kishte zënë vend në ceremoninë e vogël të promovimit. Vetëm tani, pas shumë kohësh, Lako mundi ta nxjerrë në dritë poezinë e këtij poeti suedez, përmes shtëpisë botuese "Aleph". Sepse tani ishte koha që ajo vetë kishte zgjedhur si më të mirën. Tregon se -"Ç'është e vërteta, libri mund të dilte për botim që në 1997, por unë nuk doja të shpërdoroja gjithë këtë punë. Që të lexosh këtë poet duhet një kohë e qetë. Ky poet ka nevojë për një pauzë e ka po aq nevojë që t'i lesh një vend të plotë brenda vetes". Ka punuar në gjithë këto kohë me vargjet e Tomasit sepse ishte e bindur se një botim i tillë në Shqipëri do të ishte një ngjarje për t'u shënuar në kulturën shqiptare. Për vetë faktin se vargjet e këtij poeti do të kapërcenin kufijtë e ngurtë që vetë shkrimtarët shqiptarë kanë ngritur përballë letërsisë botërore-"Ne gjithmonë kemi qenë të prirur të marrim vlerat e ezauruara. Ne kemi mbetur ende tek vlerat e kahershme duke mos shkuar dot më tej…për të njohur vlerat që kanë ngritur krye kohë më pas. Izolimi që kemi pasur në gjithë këto vite na ka bërë që të mos shohim dot më tej. Tani ka ardhur koha që t'i shembim kufijtë që vetë ne i kemi ngritur e që të mund të krijojmë më pas raportet e munguara me letërsinë e sotme e që të kemi kështu kontakte me sukseset e këtyre kohëve. Në Shqipëri jo vetëm letërsia suedeze por e gjithë letërsia e Evropës veriore ka qenë e largët. Tradicionalisht ne kemi njohur letërsinë e popujve latinë duke shkuar deri tek spanjollët. Kjo ka qenë njëra degë, ndërsa tjetra ka qenë letërsia ruse. Ndërsa unë kam një kuriozitet që të eksploroj përtej këtyre dy degëve. Dua të gërmoj në zona të panjohura",-pohon Natasha ndërsa shton se së pari këtë gërmim e nisi në Suedi, atje ku jetoi për disa vjet, atje ku jepen çmimet "Nobel", atje ku ke mundësi të marrësh në duar gjithë letërsinë botërore.
* * *
Me këtë libër synon të shembë, së pari kufijtë e ngujuar (mes letërsisë shqiptare dhe asaj botërore). Kujton, se një shembje e tillë ndodhi shumë vite më parë, më 1956 kur Skënder Luarasi solli në shqip Wallt Witmanin (një nga poetët që kishte ndikuar shumë në poezinë suedeze në vitet '20-'30). Ndërsa ajo vetë, zgjodhi, "për shembjen" poetin Tomas Transtömerin, sepse gjeti në vargjet e tij veten, fatin e gjithë shkrimtarëve të censuruar…aq sa nisi të besojë se poeti e kishte shkelur me këmbët e tij Shqipërinë. "Më dukej se ai mendonte për të gjithë ne. Nga kjo gjë u nisa dhe aspak nga kritika suedeze nga e cila të mund të zgjidhja më të mirin që ata deklaronin. Mendova se çdo gjë e mirë i takon edhe shqiptarit".Kur e vendosi të merrej me këto vargje, Lako e ndieu menjëherë vështirësinë e kapërcimit të këtyre kufijve..përmes gjuhës së poetit suedez-"Është shumë bukur ta sjellësh në shqip poezinë e tij por po aq e vështirë ndërsa zbulon teknikën e vargut të tij, ndërsa kupton se ai është poet i nuancave shumë të holla"-Por ishte vetëm në fillim një siklet i tillë. Sa më shumë i hynte në thellësi atyre vargjeve, aq më shumë ndiente familjaritetin mes suedishtes dhe shqipes. E kur libri, u bë i tëri, ajo ndieu edhe më fort peshën e atyre vargjeve, ndieu se ia kishte arritur qëllimit…të mblidhte gjithë botën e gatuar prej atij poeti, ndër ato faqe libri, në "Perandorinë e barit"


Mbretëria e Pasigurisë
Shefja e zyrës i mëshon trupit të shënojë me kryq
Dhe vathi i saj luhatet si lavjerës

Me flatra fluture fare të padukshme
Lëviz demoni së bashku me gazetën që hapet

Një helmetë e mbajtur prej askujt ka marrë pushtetin
Breshka lëviz, e lëvizshme poshtë ujit.


Në të tjera rrëfime
Tani që e ka "hequr qafe" Tomas Tranströmerin, Natasha Lakos i vërtiten në mendje të tjera fletëza të bardha të shkarravitura, të papërfundura, të lëna sirtarëve të tryezës së punës. Me to do të merret këto kohë. E ka vendosur. Së pari pret që t'i botohet nga "Toena" vëllimi me poezitë e saj më të mira, krijuar në vite. Pastaj do të nxjerrë në dritë dhe një tjetër vëllim poetik-"Por ndër duar kam dhe një skenar filmi të cilin do të përpiqem ta nxjerr në kohën e duhur"-Krijon një pauzë të shkurtër dhe tregon më pas për një roman të saj, të cilin ka nisur ta shkruajë në kohën kur ishte në Suedi. Është ajo vetë që lëviz në fabulën që ka ndërtuar për atë roman. Është një roman që do të rrëfejë kohën e izolimit të plotë, kohën e ikjes shqiptare shoqëruar me dëshirën për të gjetur më të mirën në një tjetër botë. Uni i saj është tjetërsuar në një perzonash tipik që ndryshon herë pas here emrat, që kërkon një identitet….
E veç kësaj historie ka dhe një tjetër skicë në mendje, më shumë se sa në duar-"Në vitet '90-'91 e skicova këtë roman me të cilin doja të atakoja diktaturën, doja të trajtoja temën se sa i interesonte këtij pushteti shoqëria patriarkale. Pastaj kur kohët ndryshuan, unë e entuziazmuar nga kohët e reja besova se mesazhi që unë kisha ndërtuar nuk i interesonte më lexuesit tim. Ndërsa tani kam vendosur t'i kthehem sërish atij rrëfimi. Sepse kjo është koha e duhur."


Marrë nga Shekulli



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa