Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Gjatë gërmimit për themelet e një pallati 8-katësh, në qendër të qytetit të Durrësit zbulohen rrënojat e një ndërtese të shek.I pas Krishtit dhe një mozaik me një sipërfaqe 25 metër katrorë.

Një rozetë dymijëvjeçare nën pallatin 8-katësh

Një rozetë dymijëvjeçare nën pallatin 8-katësh

Dikur atje banonin familje aristokrate. Ndoshta dhe vetë guvernatori i Dyrrakiumit të lashtë, kishte banuar atje dhe kishte shkeluar mbi mozaikun trengjyrësh, të zbuluar vetëm pak ditë më parë në qytetin e Durrësit. I përket shekullit të parë të erës sonë dhe është i pari në llojin e vet, i gjetur deri më sot. Por edhe ai do të kishte pasur fatin e shumë të tjerëve, të zhdukur dhe të shkatërruar nën themelet dhe betonin e pallateve shumëkatëshe, nëse ashtu siç ndodh rëndom, nuk do të kishte bashkëpunim mes shtetit dhe privatit. Mbi truallin, nën të cilin u gjendën rrënojat e një ndërtese të vjetër romake dhe një mozaik me përmasa 5 me 5, ku dallohet si të ishte ndërtuar sot një rozetë 12 petalëshe e futur në një rreth të kuq, firma ndërtuese “Fama shpk”, do të ndërtonte një pallat 8-katësh. Ishte ndërhyrja e menjëhershme e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, në Durrës, por edhe interesi i vetë ndërtuesve, të cilët bashkëpunuan me këtë institucion, që e shpëtuan këtë pasuri të lashtë. “Ky është rasti më i pastër që tregon se kur institucionet shtetërorë dhe privatët bashkëpunojnë, rezultatet janë të dukshme”,- thotë Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Gazmend Muka. “Nëse të gjitha firmat ndërtuese do të respektonin kontratat që lidhin me ne, gjendja nuk do të ishte kjo që është sot. Eshtë detyrë e çdo qytetari të Durrësit të respektojë kulturën arkeologjike dhe të kaluarën e qytetit të tij”. Tashmë që ky mozaik është zbuluar në lagjen të cilën historikisht durrësakët e kanë quajtur “lulja”, ende punohet për të gjetur të tjerë elementë të tij brenda rrënojave të lashta, mbetet në dorën e Institutit të Monumentit të Kulturës, por dhe atij Arkeologjik, të vendosë për fatin e tij të mëtejshëm. Në varësi të vlerave që mbart, ajo zonë mund të mbetet e paprekur, ose mund të vazhdojnë punimet nga ana e firmës së ndërtimit, me kushtin që mozaiku të ruhet i paprekur dhe kati i nëndheshëm të kthehet në një minimuze. Sipas Drejtorit të Departamentit Arkeologjik, Afrim Hoti, ndërtesa e zbuluar i takon një insule, apo lagjeje romake të shek.I pas Krishtit, kur Durrësi u quajt koloni e Augustit dhe njohu një zhvillim të madh ekonomik dhe kulturor. Ndërsa mozaiku, është i tipit polikron (shumëngjyrësh) dhe është hera e parë që zbulohet një i tillë, i ndërtuar në këtë periudhë. Për herë të parë, krahas të bardhës dhe të zezës, futet dhe ngjyra e kuqe. “Zona ku u bë zbulimi mund të ketë qenë një lagje qendrore, rezidenciale e autoriteteve perandorake, civile ose ushtarake të Dyrrakiumit romak”,- thotë Hoti. Ndërsa sot në këtë vend ka vetëm ndërtesa të vjetra, një treg rrobash të përdorura dhe mozaiku ndodhet fare afër qendrës së qytetit të Durrësit. Sipas Hotit, kjo vërtetohet prej faktit se në këtë zonë janë gjetur edhe objekte të tjera, që i përkasin të njëjtës epokë. Në vititn 1947, po në këtë lagje, studjuesi dhe arkeologu i njohur Vangjel Toçi, ka zbuluar një varg ndërtesash komplekse, me mozaikë, ku më i famshëm është ai i një krijese mitologjike, i kalit të detit. Ky mozaik, i cili i përket po shek.I pas Krishtit, i ndërtuar në dy ngjyra bardh e zi, ndodhet vetëm 20-30 metra në lindje të mozaikut të zbuluar ditët e fundit. “Po në këtë zonë është zbuluar një shtatore e të njëjtës periudhë, e cila i përket një perandori romak. Ndoshta bëhet fjalë për Neronin”,- vazhdon drejtori Hoti. Të gjitha këto, por edhe shumë objekte të tjera, të zbuluara në qytetin e Durrësit, i japin një rëndësi të veçantë këtij qyteti të ndërtuar mbi rrënoja antike, i cili duhet ruajtur jo vetëm nga ana e shtetit, por edhe nga vetë qytetarët e tij.

Pasaporta e një mozaiku
Mozaiku i zbuluar së fundmi, në qendër të qytetit të Durrësit, është i vendosur në zemrën e një ndërtese të vjetër romake. Brenda një sfondi të kuq, të ndërtuar me copa amorfe, dallohet një rozetë 12 petalëshe e futur brenda një rrethi të kuq, që ndodhet në qendër të një kornize me motive spiralike, simbol i detit dhe i diellit. Kornizat e këtij tipi, sipas specialistëve, janë baza e zbukurimeve të periudhës romake. Në rrënojat e godinës, vihen re dy faza ndërtimesh, që i përkasin periudhave të ndryshme. “Fazës së parë i përkasin muret e ndërtuar në shekullin e parë të erës sonë, me tulla dhe me llaç dhe që janë të lidhura me parketin”,- thotë Drejtori i Departamentit të Arkeologjisë, Afrim Hoti. “Fazës së dytë i përkasin muret e kthinave të ndërtuara me gurë, llaç dhe tulla të vjetra të ndërtuara më parë. Këto ndërtime mendohet të jenë bërë në një periudhë më të vonshme, ndoshta në periudhën bizantine, kur këto ndërtesa perandorake, u përdorën si banesa të thjeshta”. Njëri prej këtyre mureve, është ndërtuar mbi mozaik dhe e ka ndërprerë atë në një të tretën e sipërfaqes së saj. Specialistët që po punojnë mbi këtë mozaik, janë të mendimit që muret e ndërtuar më vonë, të shemben, për të nxjerrë në dritë mozaikun e plotë, por edhe me shpresën për të gjetur të tjerë, brenda rrënojave.

Leja e gërmimit, kusht për të ndërtuar
Ndoshta vendi ynë dhe Durrësi në veçanti do të njihte një numër të pafund pasurish arkeologjike, nëse nga ana e ndërtuesve, por edhe drejtuesve lokalë, do të paraqitej një minimum interesi në mbrojtje të tyre. Përvoja ka treguar se për shkak të ndërtimeve të paligjshme, të cilët janë ngritur në qytetin bregdetar, shumë mozaikë dhe objekte të tjera me vlerë, janë shkatërruar. Në bazë të ligjit, të gjitha firmat ndërtuese, përpara se të marrin lejen e sheshit të ndërtimit dhe më pas atë të ndërtimit, duhet të marrin lejen e gërmimit nga ana e Drejtorisë Arkeologjike, me të cilën duhet të lidhin edhe një kontratë. Por në të vërtetë, janë të paktë ata që respektojnë kërkesat e ligjit. Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Durrës, Edmond Binjakut, gjatë kontrolleve të përditshme që bëhen për të parë zbatimet e lejeve të gërmimit, janë hasur shumë shkelës të ligjit. Në rastin e zbulimit të mozaikut polikron, firma e ndërtimit, kishte filluar punimet e para, pa marrë ende lejen e gërmimit, megjithatë ndërhyrja nga ana e institucioneve përkatëse ishte e menjëherëshme. Pas plotësimit të kuadrit ligjor nga ana e firmës “Fama shpk”, ajo është treguar e gatshme për të bashkëpunuar dhe sipas Drejtorit të Departamentit të Arkeologjisë, Afrim Hoti, ka respektuar të gjitha pikat e kontratës, duke lejuar zbulimin e plotë dhe të paprishur të mozaikut. Ky konsiderohet si rasti i parë i një bashkëpunimi të suksesshëm, shtet-privat.


Fati i ardhshëm i mozaikut
Sipas procedurës departameni i Arkeologjisë do të bëjë raportin përfundimtar mbi gërmimet. Janë disa variante për të ardhmen e mozaikut: mund të qëndrojë atje ku është dhe mbi kollonat e ngritura të vazhdojë ndërtimi, duke u ruajtur mozaiku; ndërtimi i pallatit të ndërpritet dhe të vazhdojnë gërmimet përreth mozaikut; apo të zhvendoset dhe të dërgohet në muze. Sipas specialistëve të arkeologjisë në Durrës, varianti më i mirë është ruajtja e mozaikut atje ku është, pasi kjo do ta bënte më unikale vlerën e tij se sa vendosja në muze. Mozaiku është i rrallë në llojin e vet pasi deri tani nuk është zbuluar ndonjë mozaik tjetër polikron i kësaj periudhe në Shqipëri. 30 metër larg tij është zbuluar shtatorja e një perandori e cila aktualisht ndodhet në muzeun e Durrësit, dhe 50-60 metër më poshtë janë gjetur 50 varre monumentalë romakë. Ndër mozaikët kryesorë të zbuluar në Durrës janë mozaiku i Arapajt shek 5-6 , mozaiku i Bukuroshes së Durrësit shek.III p.k, mozaiku i amfiteatrit shek.V-VI e.s dhe ky i lagjes “lulja” nën mbikqyrjen e arkeologut Ilia Toçi i cili e ka nxjerrë në dritë mozaikun në mënyrën më perfekte.
Ll.Kallço

 




ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa