Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
I bie arë mes për mes
e gjer në brez,
e përmbi brez,
humbas
me gaz
në grurin tim,
të dheut tim,
të babës tim,
të birit tim;
sot e përjetë,
jetë pas jetë!

Dhe ndie qysh flet,
me zë të qetë,
im atë vetë
nga balta poshtë:

"Ta mbroni dhenë
ku eshtrat kam,
ku hi e tokë
e pluhur jam.

Ta mbroni dhenë
që e ushqej
dhe sot si dje,
me kurmin tim.

Ta mbroni dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni!
Të derdhni gjakun

me grushte plot -
po kurrë lotë,
as sot, as mot!
Se loti është robëri,
gjaku - liri!"

Me rastin e 95- vjetorit të lindjes së Mitrush Kutelit, më 13-15 shtator, do të zhvillohen "Ditët e vjeshtës poetike" në Pogradec

Kuteli, "Nderi i kombit" në 95- vjetorin e lindjes

Sot ai mbush plot 95 vjet që nga dita e lindjes së tij. Në përkujtim të kësaj dite, në qytetin e Pogradecit, për dytën ditë rresht do të mbretërojë poezia. Buzë liqenit që frymëzoi për aq e aq vite shkrimtarin Mitrush Kuteli, do të mblidhen shumë emra të letrave. I titulluar "Ditët e vjeshtës poetike", aktiviteti letrar do të zhvillohet në qytetin e Pogradecit, në datat 13-15 shtator". Këshut shprehet poeti Zyhdi Morava, i cili është një nga organizatorët e këtij aktiviteti, që zhvillohet me rastin e 95- vjetorit të lindjes së Dhimitër Paskos ( Mitrush Kutelit). Aktiviteti organizohet nga Shoqata e Shkrimtarëve "Mitrush Kuteli", në bashkëpunim me bashkinë e qytetit të Pogradecit, ndërsa është konceptuar si një takim mes miqsh, artistësh, studiuesish e kritikësh që vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Greqia, Turqia, etj. Do të jenë kësisoj rreth 10 shkrimtarë dhe poetë të cilët do të flasin e debatojnë vetëm për poezinë, Gjithashtu pjesë e aktivitetit do të jenë bisedat dhe diskutimet rreth letërsisë, mbi prozën e shkurtër, poezinë dhe kritikën, ndërsa në odeonin e qytetit do të jepet një koncert recital, muziko-letrar me aktorë që do të recitojnë poezi të traditës dhe bashkëkohore, alternuar me këngëtarë. Gjithashtu ditën e dytë të këtij aktiviteti do të kujtohet edhe poeti Lasgush Poradeci. Është menduar që kjo ditë e dytë të nisë me një vizitë në varrin e Lasgushit, e më vonë do të pasohet nga kritika letrare e vargjeve për Lasgushin Me rastin e këtij përvjetori do të organizohet edhe një konkurs poetik, për të cilin një juri speciale që do të ngrihet në këto tri ditë të aktivitetit do të ndajë tre çmime për poezitë më të mira, përkatësisht çmimin "Mitrush Kuteli", "Lira e Liqenit" dhe çmimi i "Karrierës".
Shoqata Mitrush Kuteli, ka propozuar me këtë rast që shkrimtarit t'i jepet titulli "Nderi i Kombit". Sipas poetit Zyhdi Morava, të enjten e javës së kaluar, Ministria e Kulturës Rinisë dhe sporteve ka firmosur këtë propozim dhe e ka dërguar në presidencë. Sipas Moravës, ditën e lindjes së shkrimtarit do të jepet edhe ky titull nga presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu.
* * *
Për themeluesin e prozës moderne…
Prozatorit, përkthyesit, kritikut dhe ekonomistit të shquar Mitrush Kuteli, i cili së bashku me Ernest Koliqin themeluan prozën moderne shqiptare, është cilësuar nga kritika shqiptare si rrëfimtari i rrëfimeve të njohura në prozë. Ai i mbaroi studimet ekonomike në Bukuresht (Rumani), u lidh me letrat shqipe që në vitin 1928 kur filloi të botojë artikuj kritikë për shkrimtarët shqiptarë dhe tregime në Shqipërinë e re të Kostancës. Ndërkohë në galerinë e personazheve të tij dhe në shqipen që e ruajti me fanatizëm, në fillim përfshiu njerëz dhe figura që i kishte parë me sytë e tij në shtëpi si, Dervish Hima, Avdyl Ypi, Mihal Grameno, Telemak Gërmenji, Memdu Zavalani, Themistokli Gërmenji, ndërmjet të cilëve ruajti frazeologjinë e gjuhës së gjallë popullore në çdo vend dhe situatë. I cilësuar njëri ndër mjeshtrit më të mëdhenj të lakimit të shqipes së shkruar në prozë". Kur Mitrush Kuteli jetonte jashtë Shqipërisë, për të ruajtur gjuhën shqipe, lexonte Kristoforidhin e Spiro Dinen, gjë që e ndihmoi të mbështetej në gjuhën popullore e të shkruar. Por ajo që bie në sy më tepër është gjuha e prozës, e cila gërsheton lirshmërinë e shprehjes artistike, frazeologjinë popullore dhe depërtimin në thellësi të botës shpirtërore. Dëshirën e patjetërsueshme për të shkruar, Kuteli e përmend në Testamentin e tij ku thotë :"Profesionizmi në letërsi, në vendin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur them për atë që s'di marifete e hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët se u bën hije. Dhe kur u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi..."
Biri i një rrobaqepësi shajaku, Pasko lindi në qytetin e Pogradecit (Kaza e Starovës) në vitin 1907 në familjen e Paskollarëve ku e pagëzuan me emrin Dhimitër. Mbaroi shkollën e mesme tregtare në Manastir dhe në vitin 1928 shkoi për studime ekonomike në Bukuresht (Rumani).
Në vitin 1938 boton librin "Netë shqiptare" me rrëfimet e veta të botuara dhjetë vjet më parë. Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1943 ai boton "Ago Jakupi e të tjera rrëfime", librin me poema "Sulm e lotë", tregimet "Kapllan Aga i Shaban Shpatës", "Shënime letrare" dhe pamfletet satirike-politike "Havadan në havadan". .Ndërkohë së bashku me Vedat Kokonën, Sterjo Spassen etj, nis nxjerrjen e "Revistës letrare". Në vitin 1945 merr pjesë në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe hyn në redaksinë e revistës "Bota e re". Vepra të tjera të mëvonshme të tij përmendim, "Pylli i gështenjave", "Xinxifillua", "Tregime të moçme shqiptare", "Baltë nga kjo tokë", "Në një cep të Ilirisë së Poshtme", etj. Gjithashtu lidhur me jetën e tij ai ka lënë dy tekste autobiografike "Kujtesa" 1965 dhe "Testamenti". Ai vdiq në Tiranë në vitin 1967

 

 

 

 

 

 

(marre nga Gazeta Shekull)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa