Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Realizmi i Kutelit është një realizëm që herë-herë të përkujton ëndrrën, herë-herë të kujton përrallën, fantastiken...

Intervistë/ Behar Gjoka rrëfen një këndvështrim tjetër të Kutelit


"Ky është Kuteli që kurrë nuk e njohëm"

Admirina Peçi

Ai kërkon ta nxjerrë nga harresa Mitrush Kutelin. Që lexuesi shqiptar ta lexojë atë si një shkrimtar i realizmit magjik, të shijojë një lexim tjetër nga ai që ishim të detyruar deri më dje. Sepse ai ishte një shkrimtar i përzënë.

Fitues i "Pendës së Argjendtë" për studimin "Poetika e Budit", Behar Gjoka rrëmon dhe zbulon diamante në prozën e Kutelit. Ai ka nisur dhe do të bëjë një shtegtim në panteonin e harruar të shkrimtarëve, të atyre që ndoshta po harrojmë edhe t'i lexojmë. Një libër që pritet të jetë gati për botim, ky studim mbi Kutelin synon të sjellë imazhin real të këtij shkrimtari, atë që nuk e kishim zbuluar, shkrimtari që preku fillesën dhe majën.

Çfarë do të përfshijë ky libër mbi Kutelin?
Pjesa që unë kam zgjedhur është krijimtaria e mirëfilltë e tij. Ja njoh si vlerë gjithçka që ai ka shkruar, por mendoj se kryevlera e Kutelit është te proza, të cilën ai e lëvron si lloj i shkurtër tregim, si lloj i mesëm novela, por dhe si roman. Sprovat më të përsosura brenda këtij mozaiku të prozës së Kutelit janë te tregimi dhe novela. Rrafshet që ai ka prekur në kuptimin e poetikës së rrëfimit, në kuptimin e rrëfimit të rrëfimeve, e rrëfimit si një art i modernitetit, i klasicitetit, janë të paprekshme pas tij. E them këtë jo në kuptimin e kundërvënies, të asaj që ka ndodhur me letërsinë më pastaj, por të asaj që gjenia shkrimore e Kutelit, çuditërisht njihet pak.

Pse e thoni këtë?
Sepse, kjo është pjesa e dhimbjes. Sepse edhe leximet që i janë bërë prozës së Kutelit kanë qenë të rrafsheve sociologjike, pra teksti letrar është parë sipas nevojës së niveleve shoqërore në të cilat kemi kaluar, ose është bërë lexim kulturologjik eseistik i veprës së Kutelit, kur, në fakt, leximi hap pas hapi si tekst, si thënie, si art, si estetikë, ku bashkëjeton arti, ndjenja, qytetari shqiptar dhe universal, është mjaft e stërmundimshme. Madje në rileximinin e fundit që unë po i bëj veprës së Kutelit, kuptoj se sa pak di të njoh Kutelin. Them, në kuptimin mëse njerëzor, se letërsia shqipe me Kutelin në prozë ka jo vetëm zanafillën, por edhe kulmin. Nuk di të kemi një autor të ngjashëm të tillë, ku fillimi, nisja, të jetë edhe kulmi. Nuk diskutohet që proza shqipe me Kutelin, pa harruar edhe Koliqin e madh, ka fillesa moderne, por në shqyrtimin që unë kam nëpër duar, ajo që unë shoh, çfarë ndjej dhe prek si tekst letrar, është e habitshme, se si e kemi kaq pranë dhe nuk e kemi prekur dot. Unë po rrekem dhe arrij në një përfundim se nuk është i vleftë vetëm për letërsinë shqipe Kuteli. Hapësira poseduese e Kutelit, si tekst letrar, për mendimin tim, shkon shumë më tutje. Ai në letërsinë ballkanike apo edhe evropiane promovon shenjat e një realizmi magjik.

Po flisni për letërsi të realizmit magjik në Shqipëri te Kuteli?
Shumëkush ka përmendur ngjashmëri të teksteve të Kutelit me Borhesin, me Markezin. Mos të harrojmë diçka. Shumica e krijimtarisë së Kutelit në prozë është botuar para viteve ´44. Ndërkohë që të tjerë emra na vijnë pas këtyre emrave. Nuk është këtu problemi i vendosjes së një breroreje, për të cilën Kuteli nuk ka nevojë, por është çështja e shqyrtimeve historike dhe shkrimore, e rrënimeve që vijnë si rregull, duke kapërcyer kufijtë biografike, kufij kohorë dhe promovojnë shkolla dhe rrymëza. Kuteli, në një farë mënyre, i përket sfondit të një shkolle të pjesës së Ballkanit, ku misteri dhe misteriozja janë të prekshme edhe sot e kësaj dite. Në këtë lexim, hap pas hapi të teksteve të tij, nuk diskutohet që shenjat janë të pafundme.

Ku dallohen shenjat e këtij realizmi magjik?
Unë mendoj se dallohet te proza të tilla si "Vjeshta e Xheladin Beut", e shkruar më ´25 dhe e botuar më ´28, ku ka një bisedë të korbit me Xheladin beun, ku ka një projeksion që është realizëm. Ky nuk ka të bëjë me realizmin që ne shohim, nuk është konkret. Është një realizëm i endur përmes fantastikes, jo si përrallë, por fantastikes si mjet i mirëfilltë letrar. Ai e ka edhe më vonë te novela e mrekullueshme, "E madhe është gjëma e mëkatit", ku përvojat shkrimore, përvojat diturake, shkrihen me pjekurinë e ngjizjes së kësaj esence. Ma do mendje se edhe materia tekstore e "Lumit të madh", e "Fshati im e pi rakinë" etj., herë-herë farfurit pikërisht shenja të një realizmi magjik, të cilin shumëkush e ka prekur, por që shija e vërtetë ende nuk ka filluar. Realizmi i Kutelit është një realizëm që herë-herë të përkujton ëndrrën, herë-herë të kujton përrallën, fantastiken, por edhe në këto përcaktime, çuditërisht mbetet diçka e pathënë, e paformuluar. Sepse, mesa duket, Kuteli, ka ëndërruar të projektojë një botë, të projektojë një atdhe, një ishull të ndritshëm gjithë farfurima dhe këtë e ka realizuar përmes prozës së tij, me personazhe të gdhendura, ku i gjalli dhe i vdekuri bashkëbisedojnë, jeta dhe përtejjeta janë në udhështegtim të përbashkët, realiteti iluziv dhe realiteti konkret çuditërisht janë në marrëdhënie të pashqitshme.

Pse pikërisht tani vendosët ta merrnit seriozisht lidhjen tuaj me Kutelin?
Të them të drejtën lidhja me Kutelin është pak më e hershme. Një nga shtytësit drejt tij ishte leximi i shkrimit "Kuteli, ky shkrimtar i pazbuluem" i Martin Camajt, botuar në vitin 1994. Mjeshtri për mjeshtrin bëri ngacmimin më serioz për ta rilexuar edhe njëherë nga e para. Sepse Kuteli njihet vërtet pak. Ndonëse është pranuar nga të gjithë që është mjeshtër, pak është depërtuar në magjinë e mjeshtërisë së tij. Nuk dua të hyj shumë te heshtja e arsyeve të paarsyeshme për ta pranuar si emër, po për të mos e pohuar si vlerë të larmishme, ku esenca të mrekullon dhe të tmerron njëkohësisht. Tashmë ka ardhur një moment që letërsia shqipe duhet parë si një kuadër që ka të bëjë jo shumë me kohën si dimension historik, në kuptimin burokratik të fjalës, por ka të bëjë me kohën si universalitet dhe, Kuteli ma do mendja në prozat e tij ka arritur të mbetet po kaq aktual.

Ajo që më ka lodhur në kuptimin e lexuesit është fakti se si është e mundur të heshtet gjuha e autorit, si është e mundur që të harrohet ajo që është esencë, që mbetet, ajo prurje, megjithëmend eseistike, ku popullorja ngjizet mrekullisht me përvojën personale, ku personalja merr atë çfarë ka tradita dhe e përpunon, e mbruan deri në atë nivel sa është e dhimbshme të thuash se ai është i lidhur me traditën.

Udhëtim në panteonin e harruar

Sipas tij, udhëtimi në këtë botë të harruar, në kuptimin e letërsisë, është një shtegtim, që në të vërtetë do të duhet ta bënin institucionet. "Kam parasysh Akademinë e Shkencave, Institutin e Letërsisë etj., por kjo nuk ka pse të privojë ndërmarrje individuale dhe personale. Unë mendoj se të diskutosh për letërsinë sot dhe të mos kesh të qarta piketat e fillimit të letërsisë, është e pamundur të jesh i kthjellët në shënimin e asaj ç´ka është letërsi dhe ç´ka nuk është letërsi, ku nuk diskutohet se rrethanat e gjallimit të letërsisë shqipe kanë bërë që herë-herë joletrarja të përzihet me letraren, që letrarja të jetë shërbestare e të dytës". Por Gjoka, pa harruar këto rrethana, thotë se, "shenjat e letërsisë, unë nuk mund t´i kuptoj të pashqyrtuara dhe të papranuara si të tilla, që me zanafillën e gjuhës shqipe. Unë mendoj se letërsia shqipe zë fill me Buzukun, sepse merita e të shkruarit nuk është vetëm, thjeshtë meritë e një monumenti që filloi gjuha shqipe. Është meritë e kultivimit të asaj që ne e quajmë bota shqipe. Është ajo bota, 'botës sanë' e thotë Buzuku, që për herë të parë ka vënë shenjë në gurë, shenjë që nuk e diskuton. Dhe gjurmimet mund të shkojnë edhe më tutje". Por Gjoka thotë se është një problem tjetër dhe duhet të dilet nga ai qerthulli që letërsia e asaj periudhe ka vlera gjuhësore dhe historike. "Nuk mundet që edhe ta quajmë letërsi edhe t´i themi se nuk ka vlera letrare, ose të bëjmë sikur nuk ka. Sepse, në fakt, shenjat janë. Në këtë kuptim, harrimi apo përzënia, ka ndodhur edhe më pastaj. Madje, kam një bindje që mund të duket edhe absurde, që Naim Frashëri, pa dyshim që është poeti kombëtar, por edhe Naimit i kanë vënë kufizime ideore. Mendo se çfarë ka ndodhur me ata që i përzunë, çfarë ka ndodhur me Fishtën, me Koliqin, me Kutelin, me atë heshtje të tmerrshme që mbështolli Lasgushin e madh pas ´44. Haraçi është vërtet i madh. Mendo për një moment, nëse ky panteon të mbetej përjetësisht i harruar, se çfarë kopshti me moçale do të shijonte lexuesi shqiptar!".

Kuteli dhe poetika

"Kuteli është i madh, i vleftë, jo se u mbështet te tradita, por se i dha traditës një dimension modern. Sepse arti i rrëfimit është i ngjashëm, ndoshta me artin e poezisë së Lasgushit. Mesa duket salloni i Poradecit dha dy njerëz të shquar, dy përvoja të një shkolle letrare, që ka edhe shkollën e poezisë edhe shkollën e prozës si poezi. Unë nuk dua ta përjashtoj mundësinë e dëshirës së madhe që kishte Kuteli për të pohuar poezinë shqipe. Kjo duket nga botimi që i ka bërë poezive të Poradecit, të Nolit, gjykimet që ka dhënë për shumë mjeshtra. Ai u mendua dhe e fermentoi prozën si të tillë, si art tek e fundit, sepse ndarjet konceptuale mes prozës dhe poezisë janë ndarje të sfondit diturak, ndërsa vetë fjala si art i poezisë apo i prozës ka pak ndryshim. Arti është i fjalës në të gjitha kuptimet".


Panorama



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa