Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
Tjetërsimi në këngëtare i shkrimtares së mirënjohur është zbulimi i radhës së festivalit "Kënga Magjike"
Në minutat e fundit të provës gjenerale të spektaklit "Rococo", Mimoza Ahmeti ishte shumë e çorientuar. E mbërthyer nga emocionet, tregon se dëshira për të krijuar këngë dhe për t'i kënduar ato i erdhi fare rastësisht. "Dhembshuri" nuk është e vetmja këngë e saj. Që nga qershori, janë krijuar plot të tilla

Kënga, "çmenduria" e re e Mimoza Ahmetit

Zefina Hasani
Ca tinguj të çuditshëm zaptuan sallën e amfiteatrit "Calvin" ku po zhvilloheshin provat gjenerale të spektalit "Rococo". Ishte një këngë që fliste për dashurinë dhe dhembjen, tekstin e së cilës e kishte shkruar vetë ajo. Çuditërisht edhe tingujt, ajo vetë i kishte krijuar. Ajo vetë dhe po e këndonte. Ardit Gjebrea nuk kishte bërë shaka kur kishte thënë (përgjatë provës gjenerale)…për ju Mimoza Ahmeti me këngën "Dhemshuri". Ajo u shfaq e ndrojtur aty në sytë e të gjithëve (edhe pse ishin provat dhe jo transmetimi i drejtpërdrejtë i spektaklit). Kishte mikrofonin e montuar në trup, me të cilin e pati paksa të vështirë të ambientohej. Kishte dhe një veshje të çrregullt. Kur regjia lëshoi muzikën, ajo u zhyt e tëra në botën e saj, nëpër tingujt që vetë i kishte sajuar. Këndoi për pak minuta këngën "Dhembshuri" me të cilën do të konkurrojë në festivalin "Kënga magjike", pse jo dhe me qëllimin për të fituar një çmim, tashmë si kantautore. Kënga mbaroi dhe Mimoza Ahmeti, iku menjëherë nga skena. U fsheh në një ndër korridoret e ngushta të amfiteatrit…për të mbledhur veten nga emocionet e forta. Miqtë e saj e përqafonin dhe e uronin për këngën e bukur që kishte krijuar. Por ajo nuk arrinte t'i besonte. Edhe Arditin e shikonte me mëdyshje kur ai i thoshte-"Je e mrekullueshme". Mërmëriste me vete-"Nuk e di, nuk e di se si do dukem. Ardit kam nevojë dhe për një provë tjetër". Ecejaket e saj nëpër korridor bëheshin gjithnjë e më të çrregullta derisa doli pak jashtë si për t'u shkëputur nga ajo botë spektakli, atmosfera e të cilës po e mbyste. Pikërisht aty Ahmeti vendosi të tregonte diçka për këtë iniciativë të re.
Çoroditja e shkrimtares
Tregon se "Dhembshuri" nuk është e para këngë që ka krijuar. "Kam nisur që në qershor të krijoj jo vetëm tekste këngësh por dhe muzikën e tyre. Janë bërë plot. Nuk di të them se sa por kam krijuar shumë. Zgjodha këtë për t'u prezantuar në "Këngën magjike" që organizon Ardit Gjebrea. E punova këngën në studion "Xhelo" dhe ia paraqita Arditit. Kështu u vendos që unë të jem në këtë festival. Që unë të jem në këtë natë spektakli të "Rococo"-së"-Ndërsa tenton t'i largohet rrëfimit, për më shumë se kaq thotë në të ikur se nuk e ka kuptuar se si i erdhi kjo dëshirë…pra për të krijuar këngë dhe për t'i kënduar vetë ato-"Erdhi krejt rastësisht kjo ide. Tani mjaft. Të lutem mos më ngacmo më, nuk dua të flas më sepse nuk e di se si do të dalë. Kam shumë emocione dhe nuk dua ta ngacmoj më veten me të tilla rrëfime. E gjithë kjo është një provë dhe kaq".-Kaq të thotë Ahmeti duke të lënë të nënkuptosh se nëse do të ketë sukses, ndoshta kjo iniciativë e saj do të marrë udhë në të tjera festivale, në të tjera spektakle. Nëse ndodh kështu, atëherë shkrimtarja e njohur Mimoza Ahmeti, ish- kanditatja për deputete shumë shpejt do të zërë vend në mendjen e njerëzve edhe si një kantautore.
Nuk dihet nëse ajo ka kënduar edhe më parë, në fëmijërinë apo në rininë e saj, sepse ajo vetë nuk pranon të rrëfejë detaje të tilla të hollësishme. Por nga ato pak gjëra që tregon…që dëshira i erdhi krejt rastësisht…ndoshta kjo është e para herë për të. Vetëm kështu mund të shpjegohet emocioni i çoroditur i saj, atje në sallën dhe korridoret e amfiteatrit "Calvin" përgjatë provave gjenerale, pak minuta para nisjes së transmetimit të drejtpërdrejtë të spektaklit "Rococo".
Rrëfimi i Arditit
E ndërsa ajo vetë e shpreh hapur pasigurinë, frikën se mos duket dobët në sytë e të tjerëve, Ardit Gjebrea thotë mendimin e tij të prerë-"Është këngë shumë interesante dhe interpretimi i Ahmetit është fantastik. Unë jam entuziazmuar kur e kam dëgjuar për herë të parë këtë këngë". Gjebrea tregon se kishte qenë vetë Mimoza ajo që ia kishte shprehur dëshirën për të qenë një ndër pretendentet e "Këngës magjike"-"Dhe unë e pranova pa e pasur aspak frikën se ajo ishte një element i panjohur në fushën e muzikës. Dëgjova këngën dhe pa më të voglin hezitim e pranova. Kjo bisedë mes nesh është bërë që në fillim të nisjes së përgatitjeve për këtë festival, por jemi munduar ta mbajmë si surprizë të cilën po e zbulojmë sot. E jam i bindur se Mimoza Ahmeti është zbulimi i "Këngës magjike". Edhe pse ajo ka shumë emocione, është shumë spektakolare ndërsa interpreton, gjithsesi." Ndërsa ai flet, Mimoza Ahmeti shfaqet në monitorin e madh të sallës…ashtu paksa e ndrojtur, me mikrofonin e montuar pas trupit, me një veshje shumë të çrregullt. Nis të lëkundet nën tingujt e çuditshëm të cilët vetë i ka sajuar. Nis të këndojë e zhytur e tëra në botën e saj…Ndërsa sytë e organizatorëve shkëlqejnë nga kënaqësia-"Është fantastike, spektakolare".


 

 

(marre nga Shekull)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa