Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
Një tjetër traditë po nis të ngrihet mbi fushën e muzikës. Festivali i këngës moderne shqiptare "Mikrofoni i Artë", i organizuar nga "Radio+2", ka shënuar të shtunën në mbrëmje vetëm fillimin e mbarë të tij.

"Mikrofoni i artë"…drejt një tradite të re

Admirina Peçi
Kënga shqiptare ishte mbretëresha e vetme e asaj nate. Njëra pas tjetrës, 18 këngët finaliste të festivalit të parë të muzikës moderne shqiptare, zaptuan skenën e madhe të Pallatit të Kongreseve me ritmin e tyre. I pari ishte Edmond Mancaku. Pas tij Rovena Stefa, Juliana Pasha, "Etno Engjujt" e Prishtinës, "Djemtë e detit", Elton Deda, "Minatori"…e plot të tjerë nga pas. Të gjithë ishin të mësuar me garën, me ethet për të fituar një çmim mbi atë skenë…gjithsesi kishin sërish emocione të forta. Këtë herë për të fituar "Mikrofonin e Artë" të "Radio+2"-shit. Gara është bërë edhe më e fortë kur në ekranin e madh të skenës shfaqeshin votat telefonike, që vetë teleshikuesit dërguan për secilin prej konkurrentëve të atij festivali. E në fund fitues kanë dalë "Djemtë e detit" të cilët morën "Mikrofonin e Artë", Vera& Ento Engjujt, të cilët morën "Radio+2 Hit" dhe Elvin Muço&Lorenc Goxhaj, të cilët morën "Interpretuesi më i mirë". Me ta u finalizua i gjithë festivali që nisi kohë më parë në "Radio +2", përgjatë muajve të verës. Ishin pikërisht këto këngë që dolën në krye të gjithë atyre që ishin dëgjuar nga dëgjuesit e radios në të shtunat e nxehta të verës.
Në detaje…
Ishin shumë detaje (gjithë çfarë duheshin), gërshetuar mes njëri-tjetrit, në këtë festival. Interpretimi i finalistëve ( ku merrnin pjesë rryma nga më të ndryshmet, dhe protagonistë që vinin edhe nga përtej kufijve), ishte pika më e fortë e këtij aktiviteti. Ata kanë sjellë rrymat e ndryshme, ku tradita shqiptare dhe rrymat moderne janë alternuar në shumë prej këtyre këngëve. Kanë sjellë edhe ngjyra të reja në interpretimin skenik, kanë sjellë vokale të reja, të padëgjuara më parë, por edhe një tendencë të dukshme për të krijuar një fytyrë më vete, ndryshe nga festivalet e tjera. Prezantimi, ishte një tjetër gërshetim i realizuar, që ideatorët, kanë sjellë në këtë festival. Prezantimi, radiofonik, ai televiziv dhe prezantimi skenik, janë bërë bashkë, duke krijuar një të tërë. Zhaku, mundi ta zotërojë skenën, me lëvizjet, gjetjet e momentit dhe "çapkënllëqet" që e dallojnë. Edmond Kukeli, diti të jetë po aq televiziv sa ç'është shfaqur gjithmonë në ekranin e televizionit. Ndërsa Migena Aliaj, ishte po ajo që dëgjuesit e "Radio+2"-shit kanë ndjekur për kaq e kaq kohë në transmetimet e drejtpërdrejta të kësaj radioje. Me të folurën e qartë e të shkoqitur, ajo mbizotëroi edhe situatat më të gjata, ( plot me fjalë dhe shpjegime) dhe pa u bërë aspak bezdisëse.
Ndërsa skena, ishte më mbizotëruesja e këtyre detajeve. Me shumë hyrje e dalje, me ekranin e madh në qendër, ku veç pamjeve të skenës, shfaqeshin edhe informacione të tjera të rëndësishme, me gjetjen artistike, të skenografit Bashkim Zahaj, ajo priti e përcolli shumë interpretues, të ftuar, e miq nderi të këtij festivali, pa iu krijuar as edhe një problem ( skenografitë e ndërlikuara dhe të rrëshqitshme janë bërë jo rrallë herë objekte dështimi për aktivitete të tilla). Por si më e gjetura e kësaj skenografie ishte përkimi mes gjetjes artistike dhe mesazhit të festivali.
"Elita 5"…ngre peshë publikun
Shumë prej të pranishmëve në sallën e madhe kishin ardhur pikërisht për ata. Mjaft të zgjedhur, të ftuarit e kësaj mbrëmjeje, ishin edhe një pjesë shumë e mirë e spektaklit "Mikrofoni i Artë". Më të nxehtët mes tyre ishin grupi i djemve nga Tetova "Elita 5". Ata kanë kënduar në këtë aktivitet një këngë më shumë nga ç'kishin programuar. Pas këngës mjaft të njohur "Shiu" dhe "Të pres", duartrokitjet e pafundme të spektatorëve i kanë kthyer mbrapsht djemtë tetovarë, duke iu kërkuar edhe një këngë të tretë. Salla e ekzaltuar ka kënduar bashkë me ta këngën "Al Kapone" dhe i kanë përcjellë më pas me duartrokitje të gjata, aq sa në skenë u krijua një pauzë mjaft e gjatë. (Zhakut i është dashur kohë ta qetësojë sallën) Por ritme të veçanta kanë përcjellë në këtë festival edhe grupi i balerinëve rusë "Dreva", Ardian Trebicka, "Tirana Caffe Concert",etj.

Shndërrimi i garës muzikore
Nuk ishte menduar si një festival, që do të kurorëzohej në Pallatin e Kongreseve. Struktura e parashtruar nga ideatorët e festivalit, përmbante një garë të këngës moderne shqiptare, zhvilluar në valët e "Radio+2". Për çdo të shtunë, në valët e kësaj radioje nisi të zhvillohej ky festival veror, ku merrnin pjesë këngëtarë shqiptarë të ardhur edhe nga Kosova e Maqedonia. Nisur që në fillim të muajit qershor, për çdo fundjavë, janë prezantuar nga katër- pesë këngë konkurruese, prej të cilave, zgjidheshin vetëm katër në fund të muajit. Procedura e zgjedhjes së këtyre këngëve është zhvilluar nëpërmjet vlerësimeve në linjë telefonike, por edhe nga një juri specialistësh që kanë gjykuar mbi këto këngë për çdo të shtunë në studion e "Radio+2". Nga java në javë, organizatorët panë që numri i këngëve që paraqiteshin në studiot e radios, vinte gjithnjë duke u rritur. Edhe alternativat e rrymave, interpretimeve dhe larmishmëria e ngjyrave muzikore dhe veç kësaj gare radiofonike, duhej menduar edhe për një shou të madh televiziv. Aty do të shpalosej më e plotë e gjithë kjo iniciativë e marrë për këngën shqiptare. Por edhe mendimet e hedhura nga specialistët në takimet e çdo të shtune në studiot e radios, si dhe sugjerimet e vlerësimet e tyre, ishin një tjetër shtysë, drejt kësaj finaleje. I menduar si një festival i përvitshëm, do të vazhdojë e njëjta traditë, që spontanisht mori këtë rrugë. Kësisoj përzgjedhja e vlerave, dhe interesi për më të arrirën, synon të jetë më i dukshëm.

Vajza që mbeti enigmë…
Të tjerët nuk ia kuptuan ndrojtjen, ndërsa ajo për herë të parë hidhte hapat në skenën gjigante të Pallatit të Kongreseve. Vajza e fshehu mirë emocionin…dhe nisi sakaq të këndonte për mrekulli, "Street simphony". Zëri i panjohur e befasues po e çudiste publikun e asaj salle. "Këndoka shumë bukur. Qenka shumë interesante. Po kush është vallë…!?"-njerëzit përshpërisnin, ndërsa vajza vazhdonte e qetë këngën me lakimet e zërit të saj (a thua se ishte një profesioniste). E kur kënga mbaroi, ajo iku, po aq e qetë (në dukje) sa edhe kur hyri në atë skenë. Të gjitha emocionet i mbajti për vete, pa ia treguar syve të publikut.
Të gjithë mësuan se ajo quhej Besa…se ajo vinte nga Londra, enkas për këtë festival. Asgjë më shumë se kaq. Ajo vetë donte të mbetej enigmë. Diçka tjetër i interesonte më shumë se të shfaqej e tëra në atë skenë. I mjaftonte që po përmbushte, pakëz dëshirën e hershme, mbartur, ndoshta që nga ëndrrat e fëmijërisë…të këndonte në një skenë të madhe, krah emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare (më parë kishte kënduar vetëm në aktivitetet e shkollës në sytë e shokëve dhe prindërve të saj). I mjaftonte që ishte e ftuar, e që po përshëndeste festivalin e parë të muzikës moderne shqiptare, ashtu gjysmë e shfaqur e gjysëm jo, me këngën e saj më të preferuar (të cilën e punoi në studion e Edmond Zhulalit). Vetëm kur festivali kishte mbaruar, vajza pranoi të rrëfejë se muzika është një pasion i saj i veçantë, të cilin ka dëshirë ta ushtrojë. Ka rrëfyer gjithashtu se kompozon dhe luan shumë shpesh në piano. Por tani për tani i ka vënë vetes si qëllim të mbarojë me sukses shkollën që ka nisur në Londër-"Jam gjimnaziste në vitin e katërt dhe po studioj për informatikë, matematikë dhe ekonomi. Duhet t'i shkoj deri në fund kësaj udhe që kam marrë por jam e bindur se edhe pasionin tim të vjetër, pra muzikën, nuk do ta lë pas dore. Mendoj se do shfaqem sërish në skenë",-pohon ajo, ndërsa mbiemrin vazhdon ta ruajë të fshehtë. Ndoshta në një tjetër herë, vajza enigmë do ta zbulojë edhe gjysmën tjetër të saj.

Opinione
Xhevahir Spahiu

E ka ndjekur nga afër këtë festival, që nga ditët e para kur ai nisi në valët e "Radio+2". E jo vetëm kaq. Ka qenë dhe në krye të jurisë e cila përzgjodhi këngët finaliste të spektaklit të madh radio-televiziv. E së fundmi, i ulur në një ndër karriget e sallës së Pallatit të Kongreseve, ka shijuar gjithë çfarë po realizohej në skenë. Është shprehur më pas se e përkrah këtë sipërmarrje të presidentit të "2K Group", e çmon si një hap të guximshëm sepse-"Mund të fitosh por dhe mund të humbasësh kur merr një nismë të tillë. Fiton moralisht ndërsa ndihmon kulturën shqiptare, ndërsa jep një shembull të veçantë (rrallë ndodh ta japin të tjerët). Dhe humbet paratë ose zhgënjehesh kur ajo që nis nuk të del ashtu si e kishe menduar. Në fakt këtë herë nuk ndodhi kështu. Festivali i parë i këngës moderne i organizuar nga "Radio+2" doli me sukses",-ka pohuar pas spektaklit Spahiu duke shtuar më pas se ide të tilla nuk kanë munguar në fushën e artit por të paktë janë ata që i relizojnë e i bëjnë të gjalla këto ide-"Sepse në fushën e artit ka pak përvojë organizimi dhe në këtë drejtim gjithmonë çalohet. Ndaj dua të theksoj se është një akt qytetar e trimëror të arrish të bësh të gjalla idetë e të mos i lesh ato rrugëve."-Spahiu është i bindur kur thotë se frutet ishin të mira. Po aq i bindur është kur pohon se në historinë e muzikës radhiten plot 40 festivale të muzikës së lehtë shqiptare (të organizuara nga RTVSH)-"Festivali i "Radio +2"-shit nuk kishte ndonjë dallim prej tyre edhe pse u organizua nga një staf i vogël. Pjesa më e mirë e këngëve kishin tekste të goditura. Djalogu mes skenës dhe sallës ishte shumë i natyrshëm. Dhe skenografia ishte e mrekullueshme që përcillte tek publiku një dritë të gëzuar",-përfundon shkrimtari.
Anita Take
Ka qenë në sallë atë natë finale të këtij festivali. Është entuziazmuar ndërsa ka parë shumë të rinj që këndonin me aq pasion në skenë-"Gëzoj më shumë kur shoh që këta të rinj përkrahen dhe iu hapen udhë që të shfaqin talentet e tyre. Ndaj e përshëndes shumë këtë nismë dhe më vjen mirë që një radio e vetme realizon këtë festival të madh. Më vjen mirë që ka njerëz që e duan artin dhe hedhin të tillë hapa të guximshëm. Unë dua të them se çdo hap që hidhet për artin është i vlefshëm"
Edith Mihali
Për artisten e rëndësishme është që kënga shqiptare vihet në qendër të vëmendjes, që të rinjtë tërhiqen drejt muzikës së vendit të tyre. Edhe Edit'h Mihali e ka ndjekur në sallë festivalin e parë të muzikës moderne shqiptare dhe është mbushur me shumë emocion, derisa festivali ka shënuar fundin e tij-"Më pëlqen iniciativa,-ka theksuar së pari ajo.-Është shumë e rëndësishme të merren të tilla iniciativa. Edhe pse ky festival organizohej për herë të parë, unë do të thoshja se ishte shumë mirë dhe nuk të linte përshtypjen se bëhej për të parën herë, çka do të thotë se është bërë një punë serioze. Kështuqë nuk ia vlen të gjesh në të të metat që mund të hasen në të gjitha aktivitet e këtyre përmasave. E përgjithshmja është pozitive dhe festivali duhet të vazhdojë në të tjera edicione, nuk duhet të mbetet me kaq".


 

 

(marre nga Gazeta Shekull)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa