Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Flet Petro Luarasi, biri i prof.Skënder Luarasi, përse vendosi të botojë dorëshkrimet e të atit, një vepër për polemikat mbi Migjenin

Migjeni në shtratin e Prokrustit

“Nuk merrem me hesape të trashëguara, por do të botoj gjithë ç’kam ruajtur nga im atë Skënder Luarasi”. Kështu Petro Luarasi, trashëgimtari i intelektualit të njohur prof.Luarasit, i nxitur nga polemikat në media Luarasi-Shuteriqi, për veprën e Migjenit, konflikt që zuri fill në vitin ’48, mes njërit, autor i monografisë së poetit dhe tjetrit, ish- kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në atë kohë. Petro Luarasi përgatitet për botimin e dorëshkrimeve të të atit “Migjeni në shtratin e Prokrustit”, mbi atë çfarë përfaqësonte Migjeni për Luarasin, si e ka njohur, si ndodhi botimi i “Vargjeve të lira” më 1936, ç’mendonte në vitin ’48 kur paraqiti veprën për Migjenin në Lidhje, kujt ia dorëzoi materialet dhe si u bënë makinacionet. Në këtë botim përfshihen letrat që Luarasi ia ka dërguar instancave të larta. “Migjeni në shtratin e Prokrustit”, është një material i gjerë, janë disa letra letërkëmbimi me Krist Malokin në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me Migjenin, dy letra të Bojkës, të dashurës së Migjenit, për të cilat Petro Luarasi thotë se dy vjet më parë media ka spekulluar. Eshtë gati një vepër 140 faqe, ku Petro mendon të përfshijë artikuj të Skënder Luarasit, studime mbi Historinë e Shqipërisë dhe debate mbi disa figura madhore, përshi edhe atin e gjuhës shqipe Kristoforidhin, se si “në disa aspekte përzihen interesat personale me interesat madhore kombëtare”.


Pse pikërisht tani po botoni këto dorëshkrime?
Sepse tani e shikoj më qartë që nëpërmjet organeve të shtypit të përditshëm nuk është e mundur të bëhet transparenca e kësaj periudhe. Përmendja e personave me identitet të plotë u bë vetëm për një pasqyrim të saktë të dokumenteve që ruaj. Nuk është çështja për të sulmuar persona të caktuar, ashtu sikur nuk pretendoj se Skënder Luarasi ka pasur të drejtë, por duke ballafaquar faktet shpresoj që edhe të tjerë të japin argumentet e tyre, për të hedhur dritë si ka qenë e vërteta. Ndërkohë që im atë kishte çuar për botim në Lidhjen e Shkrimtarëve veprën e tij për Migjenin në vitin ‘48, kjo vepër u pengua dhe në vitin ’53 del një vepër e botuar nga Gjovalin Luka ku thuhet se materialet janë marrë nga Skënder Luarasi.

Ishte ky akt plagjiaturë për Skënder Luarasin?
Plagjiaturë jo, por thënë ndryshe “e kam marrë” për ta botuar.

Si lindi ky debat?
Ime motër Angjelina Ceka ka botuar së fundi “Jeta dhe vepra e Migjenit”, mbledhur dhe redaktuar nga Skënder Luarasi. Angjelina për një arsye a për një tjetër nuk i ka botuar të plota materialet e viteve ‘57-‘61. Ajo ka lënë jashtë anën esenciale, konfliktuale, historinë e “Vargjeve të lira”, problemet që ka patur ky vëllim për botim.

Cila ka qenë arsyeja që u bë një botim i cunguar?
Që të mos ketë qejfmbetje nga të tjerët dhe të mos ketë debate. Por kjo bëri të flasin gojët e liga. Dhe tani që u hap ky debat del ndokush dhe thotë se nuk është ashtu siç ka thënë Skënder Luarasi. Përse nuk iu përgjigjën atëherë Luarasit, në ’61, kur u bë botimi zyrtar dhe kur Dhimitër Shuteriqi mbante përgjegjësi si kryetar i Lidhjes që ishte?

Çfarë argumentesh të Shuteriqit ju shqetësojnë në një shkrim të fundit në një të përditshme?
Ai bën të paditurin për veprën e Skënder Luarasit dhe thotë se duhet të shikoni botimin e Gjovalin Lukës, mbledhur dhe redaktuar nga Gjovalin Luka. Veç kësaj bën të paditurin në lidhje me disa saktësime të Skënder Luarasit në botimet e vitit ‘57-’61. Ndërsa përgjigjen prof.Shuteriqit unë do t’ia jap me një botim të dorëshkrimit të veprës së tim eti ku flet për mendësitë e Shuteriqit, me qëndrimet karshi Migjenit. Janë në “Kujtimet” në gjashtë vëllime të Luarasit shkruar nga viti ‘70-’81.

Kush janë sipas Luarasit “Prokrustët” e Migjenit?
Janë pikëpamje të ndryshme dhe individë të ndryshëm. Në botimin e afërt do të citoj se ç’kanë thënë ata në veprat e tyre. Mund të përmend Karl Gurakuqin, Dhimitër Shuteriqin, çfarë ka thënë Arshi Pipa në dy raste në vitin ’44 dhe në ’45. Robert Elsie, gjithashtu, një studiues skrupuloz, por në këtë rast ka shkelur në dërrasë të kalbur, duke e cilësuar Migjenin me prejardhje serbe dhe se nuk e ka ditur gjuhën shqipe.

Dritë-hijet e Shuteriqit
Fakte “të harruara” nga Shuteriqi në polemikën: “Ja e vërteta e akuzave të Luarasit” (“Gazeta Shqiptare” 17 maj 2003). Gazeta Shqiptare , dt.15.4-20.4.2003, botoi disa fragmente nga libri i kujtimeve të prof.Skënder Luarasit ‘’Ç’kam pare e ç’kam dëgjuar’’ku, ndër të tjera, mbi bazën e dokumenteve , tregoheshin shkurtimisht peripecitë e botimit të librit të tij për jetën e veprën e Migjenit. Atje përmendej edhe prof.Dh.Shuteriqi i cili ka bërë një replikë..

Publikohen disa fragmente nga dorëshkrimi i Skënder Luarasit “Migjeni në shtratin e Prokrustit”, ku prof.Luarasi analizon disa pikëpamje “tabu” të prof.Dhimitër Shuteriqit mbi Migjenin.Ky material është ofruar nga trashëgimtari Petro Skënder Luarasi, i ngacmuar nga artikulli i akademikut Shuteriqi, botuar në një të përditshme me titull “Ja të vërteta e akuzave të Luarasit” , duke iu kundërpërgjigjur një artikulli të mëparshëm, fragment nga libri i kujtimeve të prof.Skënder Luarasit “Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar” ku ndër të tjera, mbi bazën e dokumenteve tregoheshin shkurtimisht peripecitë e botimit të librit të tij për jetën e veprën e Migjenit.

Shuteriqi
Në monografinë e tij “Migjeni”, botuar në revistën “Literatura Jonë”, viti 1948, prof.Dhimitër Shuteriqi shkruan:
-“Migjeni vdiq më 28 Gusht 1938. Ishte plot 28 vjeç. (Lindi në Shkodër më 30 shtator 1910)…”
-Gjithë shkrimet e tij - merren me vuajtjen fizike të poetit, vuajtje që nuk do parë e shkëputur nga varfëria e tuberkulozi i tij.”
-Influenca të ndryshme kryqëzoheshin në vent tonë. Kështu ndërsa njëri s’kish flakur mirë Baudelaire-in, tjetri nuk shkëputej akoma nga Leopardi, një i tretë nga d’Annunzio, një i katërt Migjeni – nga Dostojevski, dhe ndoshta , nga Niezsche.
-Le të kthehemi edhe një herë tek mosqartësia e Migjenit, karakteristikë
e rinisë përparimtare të kohës…. Trajta e mbinjeriut “Dithyramb Nietzsche-an” është një gabim që ridhte nga paqartësia e tij ideologjike.
-Çaste të paqartësisë janë edhe çastet e tij pesimiste, të pazakonshme, të Migjenit i cili zakonisht është optimist…Në çaste të tilla në prag të vdekjes, poeti ka mundur të shkruajë një vjershë si ajo që mban titullin ‘’Nën flamujt e melankolisë‘’, vjersha e fundit e librit të tij ku ai shket, dhe përpjekjet e tij e të shokëve e krahason dhimbshëm me atë të malit që polli një mi.
-Nuk mund të thohet me siguri se Migjeni e pat njohur historinë e letërsisë shqipe. Eshtë e vështirë të gjesh te ai gjurmat e një influence brënda përbrënda kufijve tona.
-Migjeni si poet s’ka arritur ta njohë mirë teknikën e prozodisë shqiptare. Kur erdhi në Shqipëri(v.1933) ai e kishte harruar shumë shqipen dhe letërsinë e saj duhet ta njihte tepër pak, që të mos thomi aspak.
-Le të shënojmë gjithashtu se, prej familjes orthodhokse shkodrane, ai kishte si gjuhë të shtëpisë sërbishten.
-Veprat që kemi të botuara prej tij, janë të viteve 1934-1937. Në to, ndihet që Migjeni nuk e zotëron mirë shqipen, me gjithë që nuk ka dobësi të tepruara, që do ta dëmtonin tepër artin e tij.

Skënder Luarasi tek “Migjeni në shtratin e Prokrustit” sqaron:
Megjithëse Migjeni ka rrojtur e ka punuar në kohën tonë dhe shumë prej nesh e kanë njohur e kanë folur personalisht me të, në sa është shkruar për të, janë thënë edhe gjëra që nuk i përgjigjen së vërtetës. Për të dëftyer se të ç’natyre janë këto gabime, të cilat na bie për barrë t’i ndreqim, po e nisim me datëlindjen e Migjenit.
-E bazuar nuk e di se në ç’dokument, “Literatura Jonë”, viti 1948, jep motin 1910. Sipas librit të shtëpisë, në të cilin janë shënuar ngjarjet kryesore të gjithë familjarëvet, gjejmë datën e vërtetë të lindjes së Migjenit: 13 tetor 1911- me stilin e ri kalendarik (30 shtator 1911, me stilin e vjetër); dhe u nda nga jeta në moshën 27-vjeçare më 26 gusht 1938 (me stilin e ri).
-Më tej në librin e cituar S.Luarasi në mënyrë të hollësishme dëshmon gjakun shqiptar të Migjenit: I gjyshi i Migjenit, Nikolla Dibrani – quhej me këtë mbiemër gjenerik se familja e kishte origjinën nga Dibra e Madhe, nga fshatrat ortodokse shqiptare të Rekës (andej ka qenë edhe poeti patriot Josif Jovan Bagëri) - qe shpërngulur në Shkodër nga mezi i shekullit të 19-të. Kemi plot këso familje të shpërngulura në këtë qytet të Veriut: Gjergaj,Trimçev,Siliqi, Banushi, Kadiqi,Dibra,etj. Kur shkonte si murator nëpër katundet e ndryshme, në Mal të Zi,Nikolla u njoh dhe u martua me Stakë Milanin nga Kuçi, e cila edhe ajo si gjithë banorët e asaj krahine, kishte shqipen për gjuhë amëtare. Ata lindën dy djem:Gjergjin(Gjokën) dhe Kriston. Gjergji, tregtar më 17 shtator 1900 u martua me Sofi Anastas Kokoshin. Nga këta prindër shqiptarë lindi Millosh Gjergj Nikolla, nga familja dibrane e Nikollave dhe ajo shkodrane e Kokoshëve.
-Skënder Luarasi pasi analizon në detaje veprën e Migjenit thekson:
Por gjithë këto trajta e shumë të tjera të përdorura drejt prej Migjenit që janë ndryshuar pa ndonjë kriter dhe janë ''përdhunuar''në botimin e tashëm ( botim i Gj.Lukës në vitit 1954): dëshmojnë se Migjeni më 1935 ka patur kuptim më të drejtë për gjuhën shqipe se shumë shkrimtarë shqiptarë më 1954 , megjithëse Migjeni i bëri mësimet në shkollë të huaj, larg atdheut.
-Jo vetëm në mendimin, por edhe në formën me të cilën e vesh mendimin Migjeni është më i përparuari nga të gjithë shkrimtarët shkodranë bashkëkohës, me tendencën e tij centripetale në lëmën e gjuhës shqipe.
-Që të kuptohet madhështia e veprës së Migjenit, duhet së pari të njihen mirë rrethanat në të cilat shkroi e punoi Migjeni. Fare pak qenë të rinjtë të cilët që më 1935 u bënë ballë këtyre çorbaxhinjve në lëmin e letrave…të rinj si: Andrea Varfi, Petro Marko,Aleks Çaçi,Kristaq Tutulani,etj, të cilët na bënin pak fllad në atë zagushi mendore. Të tjerët qitnin në dritë xhinde. Kur luhej komedia e 25-vjetorit të indipendencës shqiptare në Tiranë, nja 75 poetastra shqiptare (midis tyre edhe Dh.Shuteriqi me pseudonym ''Shpati’’) i thurnin himne dinastisë së Zogut dhe ''mbarsnin malin''.
-Shuteriqi ose nuk e ka njohur fare Migjenin, ose nuk ka dashur ta njohë, dhe ka qëlluar të ç’orientojë gjithë rininë tonë kur shkroi në “Përpjekja shqiptare”, në maj 1937 fjalët e shëmtuara: “Vetëm Koliqi qëndron përmbi shokët me ato novela që na japin disa anë të shpirtit shqiptar. Koliqi ka zotësi të shohë andej…”
-Çudi se me çfarë indulgjence e sheh Shuteriqi letërsinë tonë të atëhershme! Dënon Ernest Koliqin ( dikur idhullin e tij ) se shkruante “Rranishten e Durrësit”, dënon vetveten se nuk e flaku mirë influencën e Baudelair-it (të cilit i dedikon ‘’Kangët Tragji-komike’’ në ‘’Kangët e rinisë së parë) dhe shkruan për Migjenin: “Po, Migjeni pa kundërshtim, ishte më i pjekuri dhe më i qarti nga të gjithë, ai që u shkëput që në fillim, megjithëse jo i tëri, nga influencat e huaja dekadente.”
-Po zgjatem shumë për gjëra të pa nevojshme. Dhe unë i atij mendimi jam, po ja që të këtilla gjëra të pa nevojshme na shtron Dhimitër Shuteriqi në monografinë e tij mbi Migjenin, mirëpo këto gjëra, pasi shkruhen keq ,duhen ndrequr. Për botimin e veprës së Migjenit iu afrova Lidhjes së Shkrimtarëve që më 1948; po mbasi ata kanë vendosur që Skënder Luarasit të mos i lëshohet vënd në “Literatura Jonë”, do t’i shtyp si ti lutem ndonjë instance që qëndron mbi Lidhjen e Shkrimtarëve.


 


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa