Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

 

Dëshmon inspektori i zjarrfikëseve së Gjirokastrës që gjendej në terren në atë kohë. Fizikantja Mimoza Hafizi pohon se fenomeni i rënies së një guri jashtëtokësor është ngjarje e rrallë

Një meteorit bie në malin Bureto

Malin Bureto në Shqipëri, në kufi me Greqinë, që prej të enjtes në mbrëmje, e ka shenjuar një meterorit. I zbritur nga Marsi apo nga Hëna, kjo ende nuk dihet. Prejardhja e tij jashtëtokësore nga shkencëtarët konsiderohet si një objekt i bukur studimi. Mediat greke janë të parat që dhanë lajmin e rënies së meteoritit ditën e djeshme. Nuk bëhet fjalë për një ngjarje dosido dhe nga shkencëtarët vlerësohet si një ngjarje shumë e rëndësishme me rëndësi. Kriteri i meteorit, objekti i rënë dhe fenomeni nuk është bërë ende objekt studimi prej shkencëtarëve shqiptarë apo të huaj, por sipas shtypit grek, trupi i ngurtë ka rënë në tokë mbrëmjen e së enjtes në orën 21 e 29 minuta pikërisht në një zonë shqiptare, në malin Bureto, i cili ndodhet pranë kufirit me Greqinë. Ngjarja e rrallë duket se ka patur edhe dëshmitarë. Ata kanë pohuar se nga përplasja e meteorit me tokën është shkaktuar një shpërthim i fuqishëm i cili është shoqëruar edhe me flakë, të cilat kanë treguar vendgjarjen. Dukuria e rrallë duket se ka ngjallur më tepër interes në vendin fqinj megjithëse është vërejtur në të dy anët e kufirit. Banorët shqiptarë që mund ta kenë parë janë ato përreth fshatrave Zagori, Kakavijë, Dropull e deri në qytetin e Përmetit. Pas shpërthimit të meteorit është parë e domosdoshme ndërhyrja e zjarrfikësve dhe pala greke ka vënë e para në lëvizje shërbimin e zjarrfikëses, i cili është sprapsur në kufi sepse zjarrin kanë marrë përsipër ta shuajnë zjarrfikësit e Gjirokastrës. Megjithë shpërthimin e fuqishëm nuk flitet për dëme të shkaktuara, për vetë faktin se meteori preku vetëm një zonë malore. Për shumë njerëz, termi “yje që bien” është popullor por vetëm pak prej tyre e njohin magjinë dhe rëndësinë e këtyre trupave qiellorë që bien nga qielli. Pra, nuk janë yje që tejshpojnë qiellin por copëza materialesh të ngurta që quhen meteorë. Mund të krahasohen me shkëmbinj tokësorë dhe mund të përdoren për të identifikuar prejardhjen jashtëtokësore. Meteoriti më i madh i zbuluar ndonjëherë gjendet ende në Afrikën Jugore sepse është shumë i madh për t’u lëvizur. Meteoritët kanë zakonisht formë shumë të çrregullt dhe të përmasave nga më të ndryshmet.
Belina Budini

Inspektori i Zjarrfikëseve:
“Pashë përshkënditjen verbuese të “masivit yjor”

Gjirokastër: Lajmin e rënies së një meteoriti diku në malin e Buretos në kufi me Greqinë e konfirmon Inspektori i Repartit të Mbrojtjes nga zjarri në Gjirokastër, Lefter Qirici. “Isha në Tepelenë për shkak të një zjarri që kish rënë aty dhe nga ora 21:00 pashë në horizont një dritë verbuese që erdhi tutje në horizont nga ana e luginës së lumit të Zagorisë e Pogonit, nga Gryka e Çajupit. Isha i pavëmendshëm në ato momente, por them se në atë zona ka qenë, pasi disa minuta më vonë më telefonoi homologu i Janinës, i cili më thotë se ka nisur zjarrfikëset në drejtim të komunës së Zagorit, në kufi me Shqipërinë, aty afër fshatrave në kufi me zonën tonë të Pogonit, për të evituar ndonjë zjarr të mundshëm në atë zonë, shkaktuar nga masivi yjor që rrëshqiti nga hapësira qiellore”, - bën të ditur Qirici. “Unë menjëherë u lidha me përfaqësues të pushtetit në zonën e Pogonit e Zagorisë, pasi, si u ktheva në Gjirokastër dëgjova se edhe këtu qarkullonin zëra se kish rënë një meteor. Kisha frikë për ndonjë vatër zjarri. Në këto kushte njoftoj homologun e Janinës dhe zjarrfikëset greke të ktheheshin mbrapsht afër Kapllaqit”,- sqaron më tej Qirici. Sipas tij, vazhdojnë kërkimet për ndonjë vatër zjarri. Mesa duket meteori ka rënë pas malit Bureto, ku nuk mund të shkohet. Ka nga ata që thonë se nuk e kanë parë rënien e meteoritit. Në Gjirokastër disa banorë të lagjes së sipërme në qytet thanë dje se panë një yll që ra si vetëtimë, përshkoi qiellin andej nga Gryka e Selçkes .
V. Duri

Flet Mimoza Hafizi, pedagoge e Astro-fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe studiuese e astronomisë

Meteoriti i Gjirokastrës, ngjarje e rrallë

Ajo është informuar për ngjarjen që ka ndodhur në malin Bureto nëpërmjet mediave dhe e konsideron këtë ngjarje shumë interesante. Mimoza Hafizi, shumë e apasionuar rreth astronomisë dhe studimit të dukurive qiellorë, asistent-profesore në Departamentin e fizikës së Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, e konsideron fat një eveniment të tillë, i cili sipas saj ndodh vërtet mjaft rrallë. Ajo thotë se nuk kujton që më parë tokën shqiptare ta ketë prekur një trup qiellor i këtij lloji, kjo jo pse, siç mund të mendohet, Shqipëria nuk është zonë e prekshme nga meteoritët, por sepse këta trupa qiellorë e kanë itinerarin e tyre të çrregullt ashtu si edhe formën dhe rënia e tyre nuk mund të parashikohet. Hafizi shpjegon se meteoritët janë trupa zakonisht me masa të vogla planetare në sistemin midis Tokës dhe Marsit por më shpesh midis Marsit dhe Jupiterit. “Meteoritët përfundojnë në tokë pasi është forca tërheqëse e tokës ajo që e bën të mundur një gjë të tillë. Por duhet thënë se një gjë e tillë nuk ngjet shpesh dhe këta trupa ndodh shumë rrallë ta prekin tokën. Në këtë rast mund të shkaktojnë edhe ndonjë incident, por në të shumtën e rasteve nuk janë veçse mundësi të mira studimore për shkencëtarët dhe sigurisht interesin më të madh e paraqesin për këta të fundit”, -shprehet Hafizi.
Mund ta studioj këtë meteorit
Hafizi duket entuziaste për këtë ngjarje astronomike aspak të zakontë në Shqipëri. Ajo thotë se pas vëzhgimeve në terren, kriteri dhe copëza e meteoritit duhet të izolohen dhe të studiohen me imtësi në laboratoret shkencore. “Mund të sjellë të dhëna interesante nga hapësira jashtëtokësore. Një meteorit është dëshmi nga sistemi diellor dhe ka tjetër përbërje kimike nga ajo e tokës. Si i tillë është shumë i vlefshëm si objekt studimi. Sigurisht që çdo studiues është interesuar për objekte të tilla. Nëse do ta shoh do të pranoja me shumë dëshirë të merresha me të”, - shprehet Hafizi.
Spektakli i shiut të meteorëve
Është një nga fenomenet më të bukura natyrore dhe mund të kundrohet edhe me sy të lirë. Ndodh shpesh. Spektakli i radhës do të zhvillohet pikërisht në Tiranë. Ka gjasa të jetë në tarracën e Fakultetit të Shkencave, aty ku më 7 gusht (kohë shumë e përshtatshme për të vëzhguar këtë fenomen) Mimoza Hafizi do të mbledhë kureshtarët dhe “qielldashësit” për të vëzhguar “rënien e lirë të yjeve” nga qielli. Hafizi shpjegon se shiu i meteorëve është një fenomen trupthash që digjen në atmosferë dhe një shfaqje shumë e bukur veç interesit shkencor që shfaq.

Çfarë janë meteoritët, gurët jashtëtokësorë që bëjnë me miliona vite rrugë për t’u përplasur në Tokë?

Këta gurë që bien nga qielli...

Meteoritët janë shkëmbinj jashtëtokësorë që përshkojnë atmosferën e Tokës dhe bien në sipërfaqe të saj. Pjesa më e madhe e meteoritëve të njohur janë fragmente asteroidësh që gjenden në brezin e asteroidëve mes Marsit dhe Jupiterit. Sipas një studimi të Qendrës Kombëtare të Kërkimit Shkencor në Francë, këto fragmente janë larguar nga orbita e tyre fillestare nën ndikim e forcave tërheqëse të diellit dhe planeteve. Disa prej tyre kapen nga forca gravitacionale e Tokës. Ky udhëtim nga brezi i asteroideve drejt Tokës mund të zgjasë me qindra mijëra vjet e në disa raste për më shumë se një miliard vjet. Mes meteorëve të njohur, rreth dhjetë syresh janë fragmente të Hënës, identifikimi i të cilëve është bërë i mundur nëpërmjet modeleve hënore të sjella nga misionet Apollo et Luna. Në koleksionin e meteoritëve bëjnë pjesë edhe rreth 20 lloje që kanë karakteristika të përbashkëta dhe njihen si fragmente të Marsit. Meteoritët marsianë përmbajnë gaz dhe kanë një ndërtim të afërt me atë të atmosferës së Marsit e cila u mat në vend në vitin 1975 në misionet “Viking 1 dhe 2”. Përveç këtyre meteorësh makroskopikë (ndërmjet disa centimetrash dhe disa dhjetëra metrash) ka një numër të pafund mikrometeorësh me masë milimetrike, që janë grumbulluar vitet e fundit në mënyrë sistematike në akujt e Antarktidës. Rënia më e hershme e një meteoriti daton sipas shumë dokumenteve të shkruar dhe vizatimesh në 7 nëntor të vitit 1492 në krahinën e Alsasës. Kjo rënie ka patur dëshmitarë të shumtë. Meteoriti peshonte 127 kg dhe u var në Kishën “Ensisheim” në Alsasë. Aktualisht gjendet në muzeun me të njëjtin emër dhe pas shumë transportimesh ajo ka një peshë prej 55 kg. Në Francë janë gjetur edhe 68 meteorë të tjerë. Shpejtësia e meteoritëve që takojnë trajektoren e Tokës është 15 dhe 20 km/sek. Ato frenohen fort nga atmosfera e Tokës. Në sipërfaqen e tokës numërohen rreth 150 kritere meteoritësh me përmasa nga disa kilometra deri në 200 km dhe me një moshë që shkon nga mijëra vjet deri në 2 miliardë vjet. Një nga kriteret më të ruajtur është ai që gjendet në shkretëtirën e Arizonës me një diametër prej 1.2 km dhe thellësi prej 300 metrash. Ai është krijuar para rreth 25 mijë vjetësh prej një meteoriti të hekurt i cili kishte një diametër prej 30 metrash. Rënia e një meteoriti me masë të madhe është shumë e rrallë dhe vlerësohet se një fenomen i tillë mund të ndodhë një herë në 100 milionë vjet. Rreth dhjetë meteoritë të vegjël (deri një metër) godasin tokën çdo vit por lënda jashtëtokësore që prek Tokën shkon deri në 100 ton në ditë por në formën e pluhurit të hollë me masë më të vogël se një milimetër.
B.Budini


Shekulli



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa