Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
Muzika popullore shqiptarë është prezantuar në këtë festival nga Halili dhe Ansambli i Raif Hysenit

Merita Halili këndon në "Festivalin Botëror të New Yorkut"

Nga Altin Alimehmeti
Merita Halili këndon në "Festivalin Botëror të New Yorkut"E veshur me një kostum popullor tiranas (80-vjeçar), të qendisur me fije argjendi e të kompletuar bukur nga jeleku i kuq me fije ari dhe copëzat e verdha metalike që i vezullonin mbi kokë, Merita Halili u ngjit në skenë. Nisi ndërkaq të këndonte këngët popullore … "Jelekun kadife", "Ky marak", "M'ka shku menja me u feju", "Ma gëzofsh jelekun prej ari"…Ajo këndonte ndërsa publiku mundohej të duatrokiste nën ritmin e këngëve të saj. Ishte natë vjeshte, një natë krejt ndryshe nga të tjerat. Merita Halili së bashku me ansamblin e mjeshtrit të fizarmonikës, Raif Hyseni (i cili është edhe bashkëshorti i saj) po interpretonte këngën shqiptare (të të gjitha trevave) në "Festivalin Botëror të New Yorkut, festival ky që u organizua për herë të parë më 20-22 shtator të këtij viti, në Astoria, Queens. I titulluar "Muzikë përreth Mesdheut", edicioni i parë i festivalit shpalosi vlerat muzikore të një sërë vendesh mesdhetare me një shtrirje gjeografike nga jugu i Spanjës deri tek veriu i Sirisë.

Shqipërinë në këtë edicion të parë të Festivalit Botëror të New York-ut e përfaqësoi bilbili i këngës popullore shqiptare, Merita Halili dhe ansambli i mjeshtrit të fizarmonikës, Raif Hyseni (Gëzim Halili në klarinetë e saksofon, Tom Lleshaj në kitarë bas dhe Sevim Omeri në bateri daulle). Këto dy figura të njohura të artit popullor shqiptar u ngjitën në skenë më 21 shtator, në orën 9 të mbrëmjes dhe për mëse 45 minuta magjepsën qindra spektatorë me bukurinë dhe madhështinë e këngës popullore shqiptare. Shqiptarët nuk ishin të vetëm në atë natë. Koncertet e së shtunës nisën me kompleksin "Radio Tarifa" nga pjesa më jugore e Spanjës, për t'u ndjekur më pas nga orkestra e "Boban Markoviçit" e përbërë kryesisht nga ciganë të Serbisë dhe Ansambli i violinistit turk "Kemani Cemal". Intepretimi i secilit prej grupeve të mësipërme ishte në nivel dhe në përgjithësi u prit mirë nga auditori, sidomos për faktin se muzika e paraqitur nga ato nuk ishte krejt e panjohur. Ndërsa kur radha u erdhi artistëve shqipëarë, fytyrat e të pranishmëve ishin të çuditshme. Ata nuk e njihnin muzikën shqiptare, ndaj dhe prisnin të shuanin kuriozitetin. Nuk ishin të paktë ata që as e dinin se ku ndodhen trojet shqiptare, e jo më të njihnin mirë muzikën e këtij populli të largët. Ngurimi i tyre nuk zgjati shumë, kur muzikantët shqiptarë zaptuan sallën me tingujt e muzikës së Shqipërisë së Mesme, më pas me motivet e veriut e melodive të Shqipërisë së Jugut. Muzikantët shqiptarë interpretuan dhe perlat e muzikës kosovare dhe tetovare.

Merita Halili nuk këndoi e vetme në këtë festival. Disa prej këngëve ajo i interpretoi në duet me vëllain e saj Gëzim Halilin i cili ka mahnitur publikun me mjeshtërinë e tij në një numër solosh me klarinetë e saksofon. Udhëheqësi i Ansamblit, fisarmonicisti Raif Hyseni e la publikun gojëhapur me mjeshtërinë e tij në instrument. Para fillimit të këngës "Banëm Zot bilbil", Raifi ia mori mikrofonin Meritës dhe u kërkoi të pranishmëve që të thërrisnin dy-tre herë "hopa" dhe "hajde". Sqarime të tjera ishin të panevojshme sepse sapo u mbërrit tek refreni publiku (edhe pse nuk ishte shqiptar) e kuptoi menjëherë se kishte ardhur koha që bashkë me Meritën të këndonin pikërisht "hopa" dhe "hajde". Atmosfera erdhi duke u bërë edhe më e ngrohtë sepse për herë të parë, gjatë gjithë ditës, e ndoshta edhe gjatë të gjithë ditëve të festivalit, spektatori e ndieu veten fare pranë artistit. Me "Bjeri gajdes gajdexhi", shfaqja arriti kulmin. Deri në këtë pikë miratimi i spektatorit për Merita Halilin dhe anëtarët e Ansamblit të Raif Hysenit kishte ardhur në formën e duartrokitjeve plot zjarr dhe thirrjeve miratuese ndërmjet secilës këngë. Mirëpo, sikur ta kishin kuptuar edhe vetë se ky ishte akti që do t'i vendoste vulën e suksesit shfaqjes së muzikantëve shqiptarë, pikërisht në fillim të kësaj kënge të gjallë e plot melodi dhjetëra spektatorë ia behën hovshëm nga të gjitha anët dhe u mblodhën në sheshin në buzë të skenës ku të kapur për dore ia nisën valles…duke kërcyer kështu muzikën shqiptare. Edhe pse ata që kërcenin nuk ishin shqiptarë të gjithë dukeshin në ato çaste si shqiptarë.

Kureshtje
Historia e fizarmonikës

Publiku nuk është çuditur vetëm me muzikën shqiptare por dhe me interpretimin e Raif Hysenit i cili tastjerën e fizarmonikës i ka pasur gjatë gjithë koncertit të mbuluar me pëlhurë. Pas koncertit, ai ka shpjeguar për gazetën "Illyria"-n se mbulimi i tastierës së fisarmonikës me pëlhurë është një praktikë që ai e ndjek që në moshën 14-15-vjeçare tek ulej në bankat e shkollës së muzikës në Kosovë. "Ishim tre shokë që i binim fizarmonikës dhe që të tre i binim mirë, por unë doja të gjeja një mënyrë për ta veçuar veten"-ka treguar Raifi-"Kështu që një ditë vajta në shtëpi dhe e mbulova tastierën e fisarmonikës. Qysh atëherë kjo gjë është bërë pjesë e stilit dhe e interpretimit tim".

Përshtypje
Amerikanët rrefejnë për Halilin

Amerikania Jane Sugarman e cila është është profesoreshë muzike në universitetin "SUNY at Stony Brook" është ngjitur në skenë për të interpretuar në shqip, bashkë me Merita Halilin këngën tetovare "Vetë më the të dua". Jane, në hapje të koncertit të së shtunës u foli të pranishmëve për madhështinë artistike të Meritës dhe Raifit dhe se ndjehet e lumtur që është njohur me këta artistë shqiptarë. Amerikania ka mëse dy dekada që hulumton muzikën popullore shqiptare. Ndërsa bisedonte (pas shfaqjes) me miqtë e saj Meritën dhe Raifin deri në orët e para të mëngjesit të së dielës, Jane tha për "Illyria"-n se njohja në vitin 1997 më këta dy artistë të shquar i dha asaj mundësinë të ballafaqohet me vlera të reja të muzikës popullore shqipëtare, të cilën ka nisur ta studiojë që në vitin 1980. "Para se të njihem me Meritën dhe Raifin unë njihja vetëm muzikën shqiptare nga Prespa. Por, kur u takova me ta nisa të mësoj shumë për të gjithë stilet dhe llojet e muzikës shqiptare", -tha ajo.
Ndërsa gazetari Tony Destafano, i cili vite më parë ka botuar një artikull për artistët tanë në gazetën e njohur njujorkeze "Daily News", tregon se njohja me Meritë Halilin dhe Raif Hysenin (para 4-5 vjetësh) nxiti tek ai një interes të madh për muzikën shqiptare. E përsa i përket paraqitjes së tyre në Festivalin Botëror të New Yorkut, Destefano tha se kjo do të thotë që Merita dhe Raifi ndihen aq rehat në këtë qytet saqë mund të luajnë edhe muzikën e tyre, pra ata tashmë janë bërë një pjesë e rëndësishme e kulturës së imigrantit.

 


 

 

(marre nga Gazeta Shekulli)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa