|
|
Më poshtë kemi një artikull nga një cikël
rrëfenjash që me sa duket do të pasojnë në
gazetën Shekulli.
E pamë me interes publikimin e saj dhe në shqiperia.com
dhe ftojmë të gjithë që të diskutojnë
mbi këtë temë tek Albforumi |
Pëllumb Kulla
Rrëfenja nga Amerika
-Përjetime dhe portrete shqiptarësh në mërgim-
Rrëfenja e parë:
Ja bre, kjo është Amerika!
• Tëmën bre, prefesor, - nis ligjëratën e përditshme
shoferi, - sa llafe të ndyra
kishmë dëgjuarë për Amerikën! Po na kishnë
thënë-o, se këtu n’Amerikë njeriu shfrytëzohet
pe njeriut. Çne bre! Mbroçkulla! Këtu, or byrazer,
ndodh e kundërta!
Radha e veturave në portat me pagesë të Trajboro Brixhit
është e gjatë.
Megjithatë unë kam kohë deri në fillimin e punës.
Tej mbi Menhetten, që e kemi në krahun e djathtë, kanë
rënë rrezet e para të diellit dhe kjo kartolinë e
rrallë e shtyn mikun tim Peçon, ashtu me duar mbi timon, të
më bëjë një raport përmbledhës me përshtypjet
e tij nga Amerika. Ai e ndjen që unë i dua rrëfenjat e
tija në atë gjuhën dialektale korçare, rrëfenja
që më zbavisin pa masë dhe nuk shterrin kurrë.
• Ikë sa të duash larg, ore, - vazhdon Peçoja,
- mendjen në Shqipëri do ta kesh! Një sy këtu e dy
atje. Unë atje kam pleqtë, siç i ke dhe zotrote. Edhe
shokët e kushurinjtë e mij, pleqtë i kanë në
Shqipëri... Mendjen atje e kemi të tërë. Sa bie telefoni,
i pyesim: Keni korent-o? Po ujë? Si jeni me drita mo?
Kemi qëndruar tek njëra nga kabinëzat mbi urën e Trajboros
dhe Peçoja më zgjat dorën. I jap paratë për
kalimin e urës, ai paguan, hapet trari dhe makina vazhdon rrugën
për Kuins.
• Ja kështuuuu, prefesor! Jetojmë kohëra të
mrekullueshme, kur ne shqiptarët e ardhur këtej, shumica mosha
të reja, kemi lënë atje prindërit, pleq e plaka, që
të na e bëjnë edhe njëherë elektrifikimnë
e përgjithshmë!
Me Peçon, vendet e punës i kemi pranë e pranë. Vetura
është e tija, kurse pagën e urës e bëj unë.
E ai më shpie në punë çdo ditë. Ai më
shpie edhe tani që puna e tij ka një rënie. Punon në
një kompani taksish dhe limuzinash, por kur shterrin pasagjerët
Peçon e kanë nga të parët që pushojnë.
Po ai nuk e prish terezinë. Paraqitet në mëngjes e pastaj
kur i thonë që nuk ka punë për të, futet në
një kafe në Kuins e pret t’u bëjë ndonjë
shërbim me pagesë shqiptarëve me makinën e vet.
Unë punoj në një Strehë, ku rehabilitohen fëmijë
me të meta, kryesisht jetimë. Streha është e mbajtur
mirë e financuar pjesërisht nga shteti i Nju Jorkut dhe më
së shumti nga dhurues kristianë. Po Motër Gjenovefa është
aq e zonja, sa shpesh arrin të marrë financime edhe nga qeveria
federale. Ajo e ka themeluar vetë Strehën e tani fluturon nga
krenaria që Streha e saj është bërë model. Unë
aty organizoj argëtimet e fëmijëve dhe mbaj gjallë
grupin e theatrit. Motër Gjenovefa që ka sjellë për
vete një krevat të thjeshtë e fle aty në Strehë,
rri orë të tëra duke parë inskenimet e mia mbi fëmijërinë
e Linkolnit, Presidentit të lavdishëm të Shteteve të
Bashkuara.
Puna më ecën edhe më vjen keq që shokut tim Peços
nuk i vete mbarë sikurse mua. Nganjëherë më duket
se ai e di që atë ditë nuk do të ketë punë
as me taksi as me limuzinë, por vjen, ja thjesht që të
më bëjë lehtësi mua. E gjatë gjithë rrugës
së gjatë nuk lodhet duke folur. Shpesh them që do t’ia
mbledh këto rrëfenja. Jam i bindur që do t’i kujtoj
të gjitha një e nga një ato që më ka treguar
deri më sot. Janë tregime të jetuar nga ai vetë, por
ka plot nga të shqiptarëve të tjerë, pasagjerë,
që ia rrëfejnë rrugës dhe ai m’i sjell mua taze,
të ngrohta. Jam kureshtar të di, se çfarë u rrëfen
ai të tjerëve për mua. Se nuk mund të rrëfesh
asgjë për një njeri si unë, që rri gojë
kyçur e vetëm qesh hera -herës duke dëgjuar shoferin
gojë kripur, që nuk lodhet kurrë së rrëfyeri.
E flet e flet… Ja si tani:
• Rrimë këtu në Amerikë e ndjekëm me drithërimë
të tëra kacafytjet dashamirëse
të politikanëve atje, të cilave y thonë “kacafytje
për të gjetur unitetnë”, unitet që nuku vjen,
ce është nisur ters… Po është nisur ters bre,
që në përçapjen e parë të Skënderbeut.
Se ay e bëri me ugur të keq, o prefesor, qëkur për
t’i bashkuarë shqiptarët, zgjodhi për kuvënd
Lezhën, që atëherë quhej Lesh!..
Shoferi u jep një të fshirë xhamave, megjithëse ata
mua më duken më të tejpashëm se kurrë.
- Ka shumë vjedhje në Shqipëri, thonë, korrupsion.
Qeveritarët e politikanët e kanë mendjen te paraja. Si
e si, të bëhen milionerë! Prandaj është më
mirë bre, kur shtetin e drejtojnë të ngopurit, pasanikët.
Këtë po përpiqen të realizojnë partitë në
Shqipëri. Që shtetin ta drejtojnë të pasurit, ka dy
rrugë, prefesor: ose të pasurit të bëhen ministra,
ose ministrat të bëhen të pasur! Në mëmëdhe
po ndodh kjo e dyta; ministrat po bëhen të pasur!… Prandajza
sa herë vete andej-këtej y them shqiptarëve, kudo që
janë: vëllezër Filadelfiotë, Vaterburas, Njuxhersjotë,
Bostonianë, Detroitjotë, Çikagas, të ini krenarë
për mëmëdhenë e dashur ore! Atje në mëmëdhe,
vjedhjet kanë qëllime të pastra, fisnike. Atje vjedhin
për pikësynime të nderçme… Njëherë
vaftit, shteti i rripte lëkurën individit për të mirë
të përgjithshme, sot për të mirë të tij,
individi i rrjep lëkurën e përgjithshme shtetit.
Peçoja vështron ca vrapues shalëjashtë, që
ndjekin paralel veturën në të dy anët e rrugës.
Një burrë i ngjallmë mezi i lëviz kilet e tij e duket
aq i rraskapitur, sa të bësh be se ky është vrapimi
i tij i fundit para se ta varrosin.
- Sa e kishmë ëndërruarë Amerikën, o prefesor,
ëh?… Këtu shëndoshesh, fryhesh pa dashur, o në
p.. të sëmës! Ma shëkon ti prefesor, barkun, mullën
time? Asnjë thërrime dhjamë, as një çiçkë
bark nuk kam patur në Shqipëri! Xhan o ushqim i Shqipërisë!
Bëj unë tashi vrap, që të ul barkun, por varet e nga
puna, bre. Se nuk është fizkultura kryesorja. Më parë,
këtu, bënja gjashtë ditë punë, po ama, një
ditë ia linja të tërën, vrapit. Nuk do linja punën
për të vrapuar de! Pastaj ra puna. Fillova të bëj
pesë ditë punë e dy ditë vrap… Pastaj .. m’u
shkurtua akoma puna e fillova të bëj tri ditë punë
e katër ditë vrap. Tani ka një muaj, bëj vetëm
… vrap!
Dhe miku im nuk ka të rreshtur:
- Po sikur është vetëm ky hall këtu! Mua nuk më
janë ndarë hallet, qëkur vura këmbën. Pa gjuhë,
bre, pa gjë… Dy vitet e para punova pa letra, fshehur. Punonja
në kat të gjashtë po së prapthi, gjashtë kate
dënë dhe! As e pashë diellin as më pa! Nuku se amerikanët
janë të rreptë, po kisha akoma në palcë të
dredhurat e Selanikut. Këtu, shokët e mij… ezmerë,
- se mo na e marrin amerikanët për racizmë! – ata
ezmerët dilnin e më blinin për të ngrënë,
ata më mësonin zanatnë, gjuhën. Ja atje thellë,
ku isha, e mësova gjuhën e vëndit, gurgull! Pas dy vjetësh,
kur dolla mbi trotuaret lart, e mora vesh e xheç më ra dambllaja:
gjuha që paskësha mësuar bilbil, nuk paskej qënë
anglisht, o prefesor, po… spanjollçe oreee!!! Kur mos kem
mamanë! Po si ore asnjëri nuk më tha, se ata hushkulurit
ezmerë, kishin qënë nga Porto Rikua! Më shkuanë
dy vjet. Fillova anglishten nga e para. Zhytem po s’mbytem unë!.
Ama, thuaj hë, gjuhë më të zorçme, nuk bën
nëna! Për të folur, hajde de, pa për të shkrojtur,
po nuk vajte në shkollë, aha, harro mushkë…! Amerikanët,
or byrazer, e shkruajnë “mace” dhe e lexojnë “qen”!
Fëmijët venë në shkollë dhe e mësojnë,
ne të rriturit, hiç-o, ç‘të na vijë
nga veshi. E kështu shtyhemi. Papo, është e bukur bre,
kur e dëgjon tjetrin ta bëjë mishmashnë në mes
të supermarketit, t’i thotë së bijës: “Na
moj ti dhi e Ziçishtit! Mo më thuaj aj dont kerë, po
mbylle grykën, ce të futa një pëllëmbë të
mirë, sa të harrosh pasuordin e internetit dhe gjer bë
dhjetë numëra celularësh!”…
Peçoja e le tregimin dhe drejton gishtin nga një veturë
që po na le pas.
• Shëko, shëko!.. E pe atë Mercedesnë? Ia pe
flamurë tonë mbi targët?
• Ia pashë. – i them unë.
• Gjen këtu dhe shqiptarë që të marrin gjak
në vetull. Fitojnë dhe e derdhën paranë lumë.
– vazhdon Peçoja. – Njëdizaj, një i njohuri
im- njëherë vaftit bëmim zborë bashkë me të,
- blevi një shtëpi një milion dollarë. Kur mos kem
babanë! Saktësisht: një milion dollarë e 99 cent!
Gjen bre këtu shqiptarë që hapin biznese, si ata devollinjtë
që kishnë hapur një servis veturash dhe kishnë marrë
me mëditje vetë amerikanët! Amerikanë bre, orgjinalë,
kur mos i kem tërë! Dhe bile y mësojnë atyre korçarçen
tonë. Ja, u ngëtheva nga një vizitë në Shqipëri
unë, e vajta e po y rrëfenja devollinjve ç‘kisha
parë në mëmëdhe. Por më shumë u trondit
pe atyre që rrëfenja unë, ay amerikani zezak, që punonte
për ta. Me gojë hapur kamare pe habisë, dolli që poshtë
maqinkës që po riparonte e më tha: “Me gjith mënt
–o? Ik or t’u mbylltë e mëndjes”, - ia bëri
zezaku, -“ ce nuku t’i ha njeri këto!?!”- “
Kur mos kem babanë!” – i thashë. “Kur mos
kem babanë, edhe unë s’t’i besoj!” –
ma previ zezaku dyke zënë be për babanë zezak!
Në një udhëkryq të Kuinsit, dy policë amerikanë
me fytyra kinezësh, po i jepnin radhë trafikut. Unë vura
bast me veten se Peçoja tani do të hapte bisedë mbi kinezët.
Dhe e fitova bastin:
• Nganjëherë nuk e merr vesh je në Amerikë apo
gjëkundi tjatër!.. –hap temën tjetër Peçoja.
- Dhuratat që shqiptarët, blenë për të dërguar
në Shqipëri, të gjitha mbajnë etiketën e prodhimit
Made in China! Po sikur na kanë mallkuarë, që të mos
na ndahet Kina kudo që të vemë, or tëmën e sëmës!…
Ore, amerikanët si sistem, fituanë mbi komunizmën, po si
shpërblim e panë ç’y erdhi: iu mbush vendi me..
me… rusë-do ti a, polakë-do ti a, shqiptarë- do ti!
Edhe një fitore kështu mbi Kinën y duhet këtyre e
pastaj, që të shohç një amerikan, do të duhet
të shkosh në rezervuaret e indjanëve! Edhe atje edhe jalla,
kur ta gjesh! Ja kur mos kem mamanë në e tepëroj! Do të
ma shohç pastaj Amerikën! Hë-hë-hë!…
Po amerikanët janë të mençëm, ore, dhe tashi
kanë filluarë ta kuptojnë mirë, se të drejtat
e njeriut në Kinë, nuku janë edhe aq keq or jo!...
Arritëm përpara Strehës. Peçoja nuk kish më
kohë të përfundonte të tërë temën e
kinezëve, të filipinëve, rusëve… Por, ja, kemi
ditët e tjera që vijnë. Dhe unë mahnitem sa mirë
i zbërthen Peçoja vuajtjet, lumturitë e peripecitë
e shqiptarëve të mërguar në këtë tokë
të Amerikës, në mes të këtij oqeani mërgimtarësh
nga e gjithë bota….
(marre nga Shekulli)
|
|
|