Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Marubët, stacioni i fundit në Shqipëri


Alma Mile

Pas francezëve dhe italianëve, për herë të parë një album me 120 fotografi të mjeshtërve të fotografisë Marubi realizuar nga Roland Tasho. Foto të pabotuara më parë, mes të cilave edhe një grua me kostum tradicional gjysmëzhveshur

Për herë të parë botohet në Shqipëri një album i plotë me fotografitë e Marubëve, mjeshtërve të celuloidit. Figura të shquara historike, luftëtarë, familje të njohura shkodrane, njerëz të thjeshtë, malësorë, gra të veshura me kostume popullore…, të gjithë janë aty, në “Marubi 2003”, për të dëshmuar për kohën e tyre. Sprova e parë për të botuar një album të tillë i takon viteve ’80, por ashtu si edhe çdo fushë tjetër e artit dhe kulturës, as fotografitë e familjes Marubi, nuk mundën t’i shpëtonin censurës. Pas dy dekadash që nga botimi i parë i albumit “Marubi” në Shqipëri, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve prezantoi dje albumin e ri “Marubi 2003”. Në faqet e këtij albumi janë paraqitur 120 fotografi, të cilat datojnë prej vitit 1858, deri në 1900 dhe shumë prej tyre botohen për herë të parë në vendin tonë. Mes tyre të bie në sy dhe fotografia e një gruaje malësore, gjysmë nudo, e cila përbën ndoshta përpjekjen e parë të artistëve shqiptarë, për ta përfshirë këtë zhanër, në artin shqiptar. Kuratori i këtij albumi është fotografi Roland Tasho, i cili i ka kushtuar realizimit të tij një periudhë njëvjeçare. “Realizimi i një albumi të tillë, ka qenë një ide e hershme e imja. Ndërsa fotografitë e Marubit, botoheshin në Francë, apo në Romë, në vendin tonë, ende nuk ishin bërë të njohura tërësisht veprat e Marubëve. Një vit më parë, gjatë një ekspozite të hapur në Itali, mbi emigracionin, ia propozoj këtë ide, ministres Arta Dade, e cila e mbështeti menjëherë këtë nismë”, - tregon Roland Tasho. Gjatë një periudhe njëvjeçare, ai ka bashkëpunuar ngushtësisht me arkivën e Shkodrës dhe në veçanti me arkivisten Semiha Osmani, e cila prej 30 vjetësh punon pranë këtij institucioni, me regjisorin Viktor Gjika, me të bijën e Geg Marubit, e cila u tregua e gatshme për të lejuar botimin e fotografive, si dhe me tipografinë në Itali, ku është botuar kjo vepër. “Marubët kanë më shumë se gjysmë shekulli që habisin me krijimet e tyre të mrekullueshme dhe si punët e gjithë klasikëve të mëdhenj, me kalimin e kohës u rriten vlerat. Duke parë fotot e tyre, shikon pa dyshim historinë e një kombi që zhvillimin e tij e shihte të lidhur me Evropën”, - thotë Tasho. Për ministren Dade, e cila ishte e pranishme në prezantimin e kësaj përmbledhjeje, botimi i albumit fotografik të Marubëve, përbën një ngjarje për kulturën shqiptare dhe atë ballkanike. “Personalisht bëj pjesë tek ata njerëz që besojnë se imagjinata jonë kolektive për Shqipërinë e kësaj periudhe, do të ishte përfundimisht e gjymtuar, nëse në duart tona nuk do të kalonin imazhet e pazareve dhe shtëpive të vjetra, të fshatarëve dhe tregtarëve, të kuvendeve të Malësisë dhe të portreteve të rilindasve tanë të fundit të fotografuar nga Marubi”, - është shprehur Dade. Akademikja Andromaqi Gjergji, e cila gjithashtu ka ndihmuar në botimin e këtij albumi, krahas jetës politike, sociale dhe kulturore që fotografitë e Marubit ofrojnë, do të veçonte interesin ndaj kostumeve popullore të zonës, të cilat sot, na vijnë si një trashëgimi e traditës kombëtare.

Gjysmëzhveshur, një foto e guximshme
Kështu e vlerëson fotografi Roland Tasho, fotografinë e gruas malësore që tregon gjinjtë, e pashqetësuar, jashtë një kostumi tradicional. “Eshtë e dyta e foto nudo që kam ndeshur gjatë kërkimit mes dy mijë fotografive të përzgjedhura. Nuk më duket një foto e realizuar artistikisht, në krahasim me shumë të tjera që kanë realizuar Marubët. Por mund të them vetëm se është një foto shumë e guximshme për kohën”,- përfundon Tasho pa dashur ta zgjasë më tej historinë e të ashtuquajturës “nudo”.
Kjo foto është realizuar nga Pjetër Marubi, e cila nuk daton një vit të saktë, por i përket pikërisht periudhës së artistit italian Pietro, mes viteve 1875-1900. Dihet që Pietro Marubi, ishte piktor dhe vinte nga një kulturë tjetër, kështu që sa mund të quhet e guximshme për rrethanat e veriut shqiptar, kulturës dhe jetës zakonore që rëndonte mbi gruan shqiptare, aq mund të konsiderohet fare e zakontë për një artist të huaj.

Fototeka “Marubi”, një institucion kombëtar
Fotografitë që prezantohen në albumin “Marubi 2003” janë marrë nga arkivi i fototekës “Marubi” e ndodhur në qytetin e Shkodrës. Vetëm pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave, ka miratuar projektligjin për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të Fototekës “Marubi”, nga Bashkia e Shkodrës, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. “Fototeka “Marubi”, tashmë është një institucion kombëtar, me qëllim që shteti të mund t’i kushtojë një vëmendje dhe një kujdes më të madh mbrojtjes së vlerave që ruhen aty”, - është shprehur ministrja e Kulturës, Dade, duke mos harruar të falenderojë dhe kryebashkiakun e Shkodrës, Ormir Rusi, i cili dha ndihmesën e tij, për përshpejtimin e procedurave, për kalimin e kësaj pasurie lokale, në varësi të Ministrisë së Kulturës. Në fondin e fototekës “Marubi” ruhen rreth 500 mijë negativë, prej të cilave 150 mijë të familjes Marubi, 70 mijë të familjes Pici, 50 mijë të familjes Jakova, 3 mijë të familjes Raboshta dhe 230 mijë të familjes Nenshati.

Tre breza
Historia e studios fotografike “Marubi” fillon me Pjetër Marubin, arkitekt, piktor dhe skulptor, i lindur në Piaçenca të Italisë në vitin………… 1930. Ai ka realizuar të parën fotografi në Shqipëri e cila daton vitin1858 dhe titullohet “Hamza Kazazi”, për të vijuar punën e tij si artist deri në vitin 1904. Veprimtarinë e Pjetër Marubit e ndoqi Kel Marubi, i cili punoi me mjeshtrin e madh që në moshën 15 vjeç. Duke fiksuar ngjarje historike, figura të shquara të kohës, njerëz të thjeshtë, pamje të ndryshme nga qyteti i Shkodrës e qytete të tjera të Shqipërisë, Kel Marubi e ngriti fotografinë shqiptare në nivelin e artit. Kjo traditë vazhdoi edhe pas Luftës së Dytë Botërore, me veprimtarinë e Gegë Marubit, i cili studioi në fund të viteve ’20, në Shkollën e parë profesionale të Kinematografisë dhe Fotografisë, hapur nga vëllezërit Lumiere në Paris. Me vendosjen e sistemit komunist dhe veçimin e Shqipërisë nga vendet e tjera të Evropës, ra interesi kundrejt fotografisë, duke e kthyer këtë mjeshtëri në një profesion të rëndomtë. Në këto kushte, në vitin 1946, studioja “Marubi” do të mbyllej.



Shekulli



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa