Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

E Hënë 2 Shtator 2002

Vazhdon sulmi ndaj ish-komandantit të UÇK-së dhe liderit të BDI-së në prag të zgjedhjeve të 15 shtatorit

Shpërthim tjetër në zyrat e Ali Ahmetit

Arbën Xhaferri: Do të bojkotojmë zgjedhjet, nëse izolohet Ahmeti

Tensionet brenda një jave
- E hënë, 26 gusht, vrasja e dy policëve maqedonas në Gostivar
- E mërkurë, 28 gusht, shpërthim në zyrat e dy partive shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit, dhe Partisë Demokratike Kombëtare (PDK) të Haxhirexhës.
- 29 gusht, Ministria e Brendshme lëshon urdhër arresti për Ali AHmetin
- 30 gusht, ekstremistë shqiptarë mbajnë peng 5 civilë maqedonas; trupa të jashtëzakonshme, autoblinda dislokohen në zonën ku mbahen pengjet, në rrugën Gostivar-Tetovë; vritet një shqiptar (Agron Behari) nga paramilitarët e Boshkovskit
- 31 gusht, zgjidhet kriza e pengjeve me ndërmjetësimin ndërkombëtar
- 2 shtator, shpërthimi i dytë në zyrat e Ali Ahmetit

SHKUP - Një granatë dore shpërtheu dje në mëngjes në Shkup, përpara selisë së Partisë Demokratike për Integrim (BDI). Ky është sulmi i dytë që drejtohet ndaj selisë kësaj partie të udhëhequr nga ish -komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti dhe sulmi i tretë brenda një jave ndaj partive shqiptare. Ky incident u shtohet tensioneve të mëdha që janë krijuar në Maqedoni në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 15 shtatorit. Udhëheqësit e BDI-së deklaruan se sulmuesit kanë për qëllim të futin frikë e panik në mesin e votuesve shqiptarë. Fatmirësisht nuk ka asnjë të plagosur, thonë zyrtarët e partisë, pasi në momentin e shpërthimit, në ndërtesë ka qenë vetëm roja. Megjithatë ne nuk do të frikësohemi", -ka deklaruar një zyrtar i kësaj partie, Nazif Bushi. Ndërsa zëdhënësi i policisë maqedonase, Vojisllav Zafirovski, konfirmoi shpërthimin e djeshëm duke shtuar se dëmet janë shumë të vogla. "Ne nuk e dimë se kush janë autorët e këtij atentati",- tha Zafirofski. Por duke folur për "Associated Press" ai akuzoi shqiptarët. "Nuk ka ende të dyshuar, por besojmë se shpërthimi ka lidhje me rivalitetet shqiptare në prag të zgjedhjeve". Në fillim të këtij viti ndodhën disa përleshje mes grupimeve shqiptare dhe kjo mjafton për t'u përdorur si tezë nga pala maqedonase edhe në këtë rast. Por është fakt se që nga java e kaluar, situata në Maqedoni është shumë e tensionuar dhe të sulmuar janë vetëm shqiptarët. Ali Ahmeti është personi që është vënë në shenjestër nga pala maqedonase, për t'u nxjerrë jashtë loje para datës së zgjedhjeve. Ministria e Brendshme e Ljube Boshkovskit ka nxjerrë urdhër për arrestimin e tij dhe po përdor të gjitha mjetet që ai të tërhiqet nga fushata elektorale, pasi sipas tyre, ky ish -luftëtar i UÇK-së nuk duhet të hyjë në Parlamentin e ardhshëm. Kjo ministri e akuzon Ahmetin për krime dhe genocid të kryer gjatë kohës së luftës. Ahmeti ishte drejtuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që vitin e kaluar ndërmori një kryengritje për të kërkuar më shumë të drejta për shqiptarët e Maqedonisë. Më pas UÇK-ja u çarmatos dhe u shpërnda, pas një marrëveshjeje paqeje të arritur me ndërmjetësimin perëndimor, që i dha fund konfliktit të vitit të kaluar. Sipas kësaj marrëveshje, ish-luftëtarët e UÇK-së fituan amnistinë dhe ata me të drejtë u organizuan në grupime politike. Ali Ahmeti ka krijuar një parti, e njohur me shkurtime BDI, e cila është regjistruar sipas të gjitha rregullave për të marrë pjesë në zgjedhjet e javës që vjen. Por ndërsa Boshkovski po bën të pamundurën për ta izoluar atë, qarqet e tjera politike në vend dhe në përgjithësi ndërkombëtarët, që ndodhen në rajon, kanë deklaruar prerë se të drejtën për të akuzuar Ahmetin për krime lufte e ka vetëm Gjykata e Hagës. Ndërkohë ai është amnistuar dhe nuk është e drejtë të arrestohet.
Xhaferri paralajmëron bojkot në zgjedhje
PDSH e Xhaferrit, paralajmëron se do të bojkotojë zgjedhjet e 15 shtatorit në Maqedoni, nëse do të vazhdojë izolimi i partisë Bashkimi Demokrat për Integrim, dhe izolimi i vetë liderit të partisë Ali Ahmeti. Deklarata paralajmëruese është bërë nga numri "dy" i partisë, Mendu Thaci. Një paralajmërim i tillë bëhet për herë të parë në vigjilje të zgjedhjeve, në situatën tepër të tensionuar që mbizotëron në Maqedoni. Jo vetëm partitë shqiptare e kanë konsideruar absurde arrestimin e Ahmetit, por edhe opozita maqedonase, LSDM e Branko Cërvenkovskit, kritikoi ashpër urdhër arrestin ndaj Ahmetit, duke e quajtur atë një veprim të marrë. Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Gjorgji Spasov, ka deklaruar për "Zërin e Amerikës", se kjo bëhet për të prishur zgjedhjet e 15 shtatorit. Ndërkombëtarët po bëjnë të pamundurën për të ruajtur qetësinë në Maqedoni deri në zgjedhje. Sipas zyrtarëve të NATO-s, nuk ka asnjë shans të rikthehet konflikti i vitit të kaluar dhe se zgjedhjet do të zhvillohen normalisht. Gjithashtu të dërguarit amerikanë e evropianë në rajon u kanë bërë thirrje shqiptarëve të mos ndërmarrin veprime të dhunshme, ndërsa qeverisë maqedonase të tregojë vetëpërmbajtje.

Meta: Maqedonia po zien

"Segmente te caktuara jane te interesuara qe zgjedhjet e pergjithshme ne Maqedoni te dalin nga rrjedha normale dhe kjo po ndodh aktualisht atje"

Nuk e kane filluar shume te qete diten e pare te punes deputetet shqiptare. Problemet e dala gjate pushimeve te tyre, lidhur me fqinjet greke e maqedonas, si dhe me Ambasaden Italiane, kane detyruar Kryetarin e Kuvendit Servet Pellumbi, sipas kerkeses se Burose Parlamentare te therrase ne seance per te raportuar Ministrin e Jashtem, Ilir Meta.

Ai e ka cilesuar situaten politike ne Maqedoni te futur ne nje rrjedhe te tensionuar, ku nuk parashikohet se cfare mund te ndodhe. "Segmente te caktuara jane te interesuara qe zgjedhjet e pergjithshme ne Maqedoni te dalin nga rrjedha normale dhe kjo po ndodh aktualisht atje. Per fat te keq edhe nje pjese e shtetit maqedonas eshte ne kete linje. Kerkesa e Ministrise se Brendshme maqedonase per te arrestuar ish-liderin e Ushtrise Clirimtare Kombetare, Ali Ahmeti, eshte e papranueshme pasi shkelet marreveshja e Ohrit qe e ka amnistuar veprimtarine e tij", tha Meta. Nderkaq, sipas Metes, ai ka kontaktuar me Sekretarin e Pergjithshem te NATO-s, Havier Solana, dhe me BE-ne duke kerkuar prej tyre nga pozicioni i Ministrit te Jashtem, per te nderhyre ne menyre qe situata ne Maqedoni te mos perkeqesohet me tej.


E Dielë 1 Shtator 2002

Forcat e ushtrisë maqedonase janë shfaqur edhe në kufirin Shqipëri-Maqedoni në zonën e Kukësit

Tension në kufirin me Maqedoninë

Urdhri i Ministrisë së Rendit: Rrini 300 metra larg vijës kufitare me Maqedoninë

KUKËS: Forcat e ushtrisë maqedonase janë shfaqur edhe në kufirin Shqipëri-Maqedoni në zonën e Kukësit. Komandanti i postës kufitare të Çajës, Izmir Duraku, thotë se pas mCopyrigh Shekullië shumë se një viti janë vërejtur përforcime të ushtrisë maqedonase në pjesën e saj, të përforcuar edhe me mjete të blinduara, që patrullojnë kufirin. Ndërkohë që efektivi i postës kufitare të Çajës është vënë në gatishmëri për të parandaluar çdo të papritur, sidomos në drejtim të incedenteve kufitare, kalimeve të paligjshme e trafikut të armëve etj.
Megjithë përforcimet e ushtrisë maqedonase, situata në këtë pjesë të kufirit është e qetë, shpjegon komandanti i postës kufitare të Çajës. Ndërkaq, Duraku ka bërë të njohur urdhrin e dalë nga Drejtoria e Kufirit në Ministrinë e Rendit Publik, i cili ka të bëjë me shmangien e incidenteve në kufirin shqiptaro-maqedon. Në bazë të këtij urdhri, të gjithë banorëve tp zonave kufitare me Maqedoninë u ndalohet lëvizja, kositja e livadheve, prerja e drurëve apo kullotja e bagëtive deri në 300 metra larg vijës së kufirit në brendësi të territorit të Shqipërisë.
Ky urdhër, i cili është i përkohshëm në vartësi të situatës në Maqedoni, vjen pas incidenteve e provokimeve të ushtrisë maqedonase në kufi, të shoqëruara me plagosje e vrasje të shtetasve shqiptarë. Më 22 gusht të këtij viti, forcat maqedonase të kufirit, në afërsi të fshatit Gjoricë të rrethit të Peshkopisë, kanë vrarë me armë zjarri 100 metër në thellësi të territorit të Maqedonisë , 38 -vjeçarin Baftiar Trasha, baba i tre fëmijëve, banues në fshatin Gjoricë e Poshtme. Ngjarja ka ndodhur pikërisht në kohën kur ish -ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Gert Ahrens, dhe homologu i tij në Shkup, Kreig Xhenis, po realizonin një monitorim të përbashkët të kufirit Shqipëri-Maqedoni në zonën e Dibrës. Përforcime të kufirit nga pala maqedone vërehen edhe në kufijtë e saj me Kosovën. Këtë fakt e ka bërë të ditur dje gjatë një konference për shtyp, zëdhënësi i Brigadës Shumëkombëshe të Jugut në Prizren. Sipas zëdhënësit, trupat gjermane, turke e austriake kanë shtuar praninë e tyre dhe kontrollet përgjatë kufirit Kosovë-Maqedoni në zonën e Dragashit.
Përqëndrime të forcave maqedonase janë parë gjatë këtyre ditëve edhe në pjesën tjetër të vijës kufitare mes dy vendeve. Raporte të ngjashme për përqëndrime forcash dhe mjetesh luftarake kanë ardhur edhe nga pika të tjera kufitare. Këto lëvizje janë bërë pas acarimit të skajshëm të situatës në Maqedoni, në prag të zgjedhjeve të 15 shtatorit që pritet të mbahen aty dhe ku partitë shqiptare janë favoritet kryesore për shkak të përqindjes së lartë, të padeklaruar kurrë të popullsisë shqiptare. Edhe nga ushtria shqiptare ka patur lëvizje në drejtim të kufirit. Megjithëse këto informacione nuk janë konfirmuar zyrtarisht, banorë të zonave kufitare dhe familjarë të ushtarëve në shërbim kanë dëshmuar për masat e dyanshme. Autoritetet maqedonase e kanë justifikuar përforcimin e regjimit kufitar me frikën e hyrjes nga Shqipëria të armëve, të cilat sipas tyre "mund të fuqizojnë organizatat terroriste që duan të shkatërrojnë procesin zgjedhor të shtatorit".
Bashkim Shala

Fransoa Stam është kryesuesi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Maqedoni, dhe një nga personat e përfshirë në bisedime me rrëmbyesit, thotë se nuk mund të tregonte identitetin e tyre: "Ishte e qartë se ata ishin shqipfolës. Por ne nuk mundoheshim që të hetojmë ose të marrim informacione sekrete ushtarake. Ne ishim të shqetësuar vetëm për situatën humanitare", -thotë Stam. Ai shton se nuk mund të thotë nëse personat ishin anëtar të UÇK-së ose AKSH-së, siç ishte njoftuar në disa media. Në një bisedë të bërë dje, një nga rrëmbyesit i tha BBC-së se grupi ishte pjesëtar i ish -UÇK-së. Përfaqësues të BDI-së, parti e cila doli nga strukturat e UÇK-së, dje thanë se nuk i njihnin personat.
Ministra e Punëve të Brendshme dhe autoritetet lokale, thotë se situata në zonën e Zherovjanit, ku ndodhi kriza e pengjeve tani është e qetë. Kriza me të rrëmbyerit filloi të premten, kur grupi i armatosur shqiptar, siç u përshkrua nga autoritetet maqedonase, rrëmbeu pengjet maqedonas, dhe për lirimin e tyre kërkoi nxjerrjen nga burgu e disa të burgosurve shqiptarë. Të gjithë subjektet e dënuan këtë akt, duke pranuar se ka ndikuar negativisht në situatën e parazgjedhjeve parlamentare në Maqedoni, të cilat janë të parat pas konfliktit të vitit që shkoi.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë në Maqedoni dhanë sot një deklaratë të përbashkët, ku përshëndesin lirimin e pesë maqedonasve të rrëmbyer. I dërguari i posaçëm i BE-së në Shkup, Alen Lërua, (Alain Leroy), ambasadori grek Joanis Ekonomu në emër të kryesisë së BE-së, ambasadori i SHBA-së Lorens Batler (Lawrence Butler), ambasadori i NATO-s, Nicolas Bigman dhe shefi i Misionit të OSBE-së Kreg Xhenes (Craig Jeness), shprehën kënaqësi për epilogun e krizës me të rrëmbyerit, pa pasoja për ta dhe as për banorët lokalë e për pjesëtarët e forca "Qeveria dhe gjithë faktorët që ishin të përfshirë në zgjidhjen e problemit, vepruan në mënyrë të përmbajtur. I çmojmë lart përpjekjet e tyre si dhe përpjekjet e popullatës lokale shqiptare dhe të liderëve të tyre për zgjidhjen e qetë të problemit", thuhet në deklaratë. Përfaqësuesit ndërkombëtarë thanë se situata në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit është kthyer në gjendje normale dhe bënë thirrje për përmbajtje ndaj provokimeve që mund të sjellin tensionime dhe dhunë të re. Ata shfaqën shpresën se fushata për zgjedhjet parlamentare të 15 shtatorit do të vazhdojë në një atmosferë të qetë dhe demokratike.

 

E Shtunë 31 Gusht 2002

 

Maqedonia, grahmat e fundit te nacionalizmit primitiv

Nga Sotiraq Hroni


SHKUP - Një kryq gjigant, 76 metra i lartë, është inauguruar në malin Vodno, që rrethon Shkupin. I ndriçuar nga 550 reflektorë, kryqi që është më i madhi në Ballkan. Ai duket edhe nga 80 km larg. Për të ndërtuar kryqin, janë përdorur 400 tonë metal dhe 60 mijë bulona. "Ky kryq,- tha Gjeorgjevski gjatë përurimit,- është lutja jonë për fitore dhe shpëtim të Maqedonisë dhe për mbrojtjen e qytetarëve maqedonas, që po jetojne ditë të vështira".

Javet e fundit, jo vetem vendi fqinj por i gjithe rajoni dhe diplomacia nderkombetare po ndjek me shqetesim kunderveniet ekstremiste dhe te deshperuara te individeve qe pavaresisht nga kombesia perpiqen te mbajne gjalle nje tension shperthyes ne Republiken fqinje. Kriza e vjetshme ne Maqedoni dhe mos- konsolidimi i arritjeve demokratike qe buronin nga Marreveshja e Ohrit perbenin nje terren pothuajse te gatshem per levizjet ekstremiste nga palet e interesuara. Vonesa ne zbatimin e Marreveshjes se Ohrit ka pasur si shkak, ne mos si justifikim, situaten parazgjedhore ne te cilen eshte ndodhur vendi, dhe moshumbjen e popullaritetit ne votuesit e tyre. Pikerisht, nje Minister i qeverise maqedone eshte bere muajt e fundit flamurtari per gjallerimin dhe kompaktesimin e sentimenteve anti- shqiptare ne radhet e votuesve sllavo-maqedon dhe zedhenes llogarive te vogla qe ne fund te fundit nuk I interesojne, ne nje plan afatgjate, vete Maqedonise si shtet integruar. Po aq te erreta, duken edhe informacionet nga zonat e banuara kryesisht nga shqiptaret. Nuk eshte veshtire qe ne situaten sociale dhe politike ne Maqedoni te gjenden individe te deshperuar dhe te manipuluar qe mund te ndermarrin cfaredolloj akti ne sherbim te interesave te qarqeve te erreta brenda Maqedonise apo qofte edhe jashte saj.

Zgjidhja e vetme per mos-acarimin e metejshem te situates mbetet denimi dhe distancimi i te gjithe kraheve te politikes aty, nga cdo akt dhune apo veprim anti- demokratik. Ne kete kuader, partite politike kryesore maqedone duhet t'i bashkohen deklarates se djeshme te kater partive kryesore shqiptare per te denuar dhunen dhe aktet kriminale ngado qe te vijne ato.

Ne fund te fundit, ngjarjet qe shoqerojne situaten parazgjedhore ne Maqedoni jane nje shembelltyre tipike e nje Ballkani te vjeter, ku mund te rrezikohet gjithcka per interesa te pushtetit. Ato jane grahmat e fundit te nje nacionalizmi primitiv qe ndoshta Maqedonia do ta kaloje me sa me pak dhimbje, duke shmamgur riciklimin e krizes te nje viti me pare. Situata ne Maqedoni duhet pare realisht edhe ne aspektin e gjere social. Marreveshja e Ohrit nuk eshte thjesht nje akt juridik dhe nuk mund te hyje ne force menjehere, me hedhjen e nje firme. Ajo ka te beje edhe me nje proces edukativ civil per te pertypur dhe njohur realitetin e ri nga te gjithe qytetaret e atij vendi.

Por, pare ne nje kendveshtrim vetem shqiptar, dhuna apo informacionet e pakonfirmuara per sktruktura te reja ushtarake me cfaredolloj emri, perbejne nje proces kunderproduktiv dhe teper te dyshimte qe vetem shqiptareve nuk i interesojne, qofte ne Maqedoni qofte ne Kosove.

(kohajone)

Lirohen pesë pengjet maqedonas, që u kapën një ditë më parë nga "ekstremistë shqiptarë'.

Ndërkombëtarët shmangën një konflikt të ri

Ylber LILI
Maqedonia i shpëtoi pragut të luftës. Kriza e pengjeve u zgjidh pa asnjë krismë dhe gjithë trupat speciale policore të Ljube Boshkovskit janë tërhequr nga qytetet shqiptare. Një ditë më parë, opinioni ndërkombëtar u alarmua, kur Ministria e Brendshme maqedonase dislokoi një numër të jashtëzakonshëm forcash për të zgjidhur një krizë pengjesh, kur dihet që në raste të tillë më tepër vlen dialogu. Kështu, gjithë zyrtarët e lartë ndërkombëtarë që ndodheshin në Maqedoni u angazhuan dhe arritën ta zgjidhnin me sukses një nga situatat më dramatike në këtë vend, që nga lufta e vitit të kaluar. Drejtuesit e OSBE-së, NATO-s të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, të BE-së ishin gjatë gjithë natës në terren për të gjetur mënyrat për lirimin e pengjeve. U arrit që të pesë maqedonasit, të cilët pardje në mbrëmje ishin rrëmbyer nga një grup i "armatosur shqiptar" në autostradën Tetovë- Gostivar, të liroheshin në orët e hershme të mëngjesit. Sipas Kryqit të Kuq Ndërkombëtar të liruarit nuk janë keqtrajtuar. Por zëdhënësi i MPB-së, Vojisllav Zafirofski, thotë se gjendja shëndetësore e të rrëmbyerve është e mirë, përveç njërit, i cili është dëmtuar dhe ndodhet në spital në gjendje të rëndë. "Me këtë, kriza e pengjeve ka përfunduar pa pasoja për jetën e të rrëmbyerve dhe pa ndërhyrjen e policisë, gjë që sigurisht do të kontribuojë në pakësimin e tensioneve në opinion", -ka theksuar Zafirovski.
Situata
Tetova në pasditen e së premtes mori pamjet trishtuese dhe rrëqethëse që të kujtonte ditët e tmerrshme të luftës së vitit të kaluar. Thuajse i gjithë qyteti ishte lënë në harresë, njerëzit dhe dyqanet u mbyllën me herët se ditët e tjera. Askush nuk ishte në gjendje të parashikonte situatën dhe rrjedhat e mëtejme. Gjendja si në qytet, po ashtu dhe në fshatrat përreth saj ishte tejet e tensionuar. Akthi i banorëve dhe qytetarëve u shtua kur disa media maqedonase në mënyrë cinike publikuan lajmin se njerëzit nuk duhet të lëvizin nga shtëpitë e tyre, duke nënkuptuar se forcat speciale mund të ndërmarrin ndonjë reprezalje, në hakmarrje për të rrëmbyerit. Por pas një nate të frikshme, dje banorët e qytetit të Tetovës u zgjuan me lajmin e mirë për lirimin e pengjeve. Forcat speciale maqedonase me një numër tepër të madh dhe të përforcuar më mjete të rënda, u larguan dhe morën drejtimin e Shkupit. "Menjëherë pas lirimit të të rrëmbyerve, forcat speciale maqedone janë tërhequr thotë për "Shekullin" drejtori i policisë së Tetovës Zemri Qamili duke shtuar se tani është policia multietnike që kontrollon terrenin. Sipas tij, tani autostrada Tetovë-Gostivar është hapur që në orët e para të mëngjesit, dhe nuk paraqitet ndonjë shqetësim.
Situata e fundit ka ndikuar edhe te partitë politike, të cilat i kanë anuluar tubimet e tyre nëpër ato zona elektorale, ku kanë dashur të promovojnë kandidatët e tyre për deputetë në Parlamentin e Maqedonisë. Katër partitë shqiptare i kanë shmangur këto tubime, për shkak të kësaj situate.
Deklarata
Rrëmbyesi: Nuk i përkasim ndonjë organizate
Një nga rrëmbyesit e pesë civilëve maqedonas të marrë peng natën e kaluar në jug të Maqedonisë, i cili u prezantua me emrin "Halili", është kontaktuar me telefon nga një gazetar i agjencisë italiane të lajmeve ANSA, dhe ndër të tjerash ka thënë: "Jemi vetëm një grup miqsh, ish-luftëtarë të UÇK-së, që kërkojmë lirimin e tre shokëve tanë të arrestuar padrejtësisht nga policia maqedonase... Pengjet janë në gjendje të mirë shëndetësore". "Halili" pohoi se nuk i përket ndonjë organizate paraushtarake dhe se nuk vepron për llogari të "ndonjë formacioni politik". "Ne jemi - tha ai ekzaktësisht- vetëm një grup miqsh dhe që prej mëngjesit të sotëm jemi në kontakt me Ministrinë e Brendshme dhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë. Tani presim një zgjidhje nga mbledhja e qeverisë",- ka përfunduar rrëmbyesi pak para se të përfundonte kriza e pengjeve.

Rrëmbyesit çanë rrethimin?!
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme maqedonase, pasi dha lajmin e mirë se pengjet u liruan, deklaroi se rrëmbyesit arritën të largoheshin. "Rrëmbyesit arritën të iknin, megjithëse forcat maqedonase të sigurimit e kishin rrethuar fshatin në luginën e Tetovës, ku mbaheshin pengjet"- ka thënë për "Associated Press" zëdhënësi Vojisllav Zafirovski. Kjo mund të konsiderohet si sfidë për policinë maqedonase. Vendi ku "grupi shqiptar" mbante pengjet u rrethua në një vijë 25 kilometra nga të gjitha anët. Po kështu një përqëndrim i jashtëzakonshëm forcash u diskoluan në qytetet shqiptare Tetovë e Gostivar, vendet e mundshme nga do të drejtoheshin rrëmbyesit. Lejimi i tyre i lirë mund të jetë rënë dakord nga ndërmjetësimi i ndërkombëtarëve, por nëse do të ishte kështu, zëdhënësi Zafirovski nuk duhej të thoshte që "rrëmbyesit arritën të largoheshin", por "u lanë të lirë". Fakti që ata nuk janë kapur është pak i çuditshëm dhe të gjitha dyshimet të çojnë tek fshehja e identitetit të pengmarrësve ose ndonjë skenar tjetër alla-Boshkovski.

Xhaferri paralajmëron: Në rrezik, ekzistenca e Maqedonisë
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, paralajmëron se incidentet e dhunshme të ditëve të fundit në Maqedoni, mund të sjellin edhe zhvillime më të rrezikshme që mund të vinin në rrezik ekzistencën e këtij shteti të brishtë. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës", Xhaferri tha se këto dukuri e dëmtojnë tej mase paqen në Maqedoni dhe stabilitetin në këtë vend. Kreu i Partisë Demokratike Shqiptare tha se nuk mund të pretendohet se në Maqedoni ka një qeverisje normale dhe koalicioni qeveritar ku bën pjesë edhe partia e tij nuk funksionon normalisht dhe për pasojë partia e tij nuk ka asnjë ndikim. Ai shtoi se segmente të ndryshme të qeverisë, synojnë të krijojnë situatë konfuze, duke përmendur kërcënimet ndaj Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe kreut të saj, ish-drejtorit politik të UÇK-së, Ali Ahmeti, për të cilat ai tha se e tensionojnë tej mase situatën parazgjedhore. Xhaferri paralajmëroi se zhvillimet e dhunshme do t'ja merrnin legjitimitetin demokratik zgjedhjeve të 15 shtatorit. Ai kritikoi vrasjen e dy policëve maqedonas para disa ditësh dhe për rrëmbimin e djeshëm të disa personave, dhe tha se akte të tilla e dëmtojnë imazhin e shqiptarëve. Megjithatë, ai shtoi se elementë të tillë ka në çdo shoqëri dhe se ata nuk përfaqësojnë shumicën e shqiptarëve. Sipas Xhaferrit, demokracia e vërtetë vendoset përmes garës së ndershme. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ketë besim tek faktori shqiptar dhe tha se në çështje kyçe nuk ka munguar kurrë bashkëpunimi mes partive kryesore shqiptare në Maqedoni.

Intervistë/ Flet për "Shekullin" zv/ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Refet Elmazi

Arrestimi i Ahmetit- marketing politik

Ndërkombëtarët s'do të lejojnë trazira deri më 15 shtator

Ylber LILI
Situata në rajonin e Tetovës po shkon drejt normalitetit, pas lirimit të të rrëmbyerve, trupat speciale të policisë maqedonase janë larguar në drejtim të Shkupit. Kështu tha dje për "Shekullin" numri dy i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Refet Elmazi. Ai mes të tjerash, thotë se nuk mund të këtë arrestim për ish-liderin e UÇK-së, Ali Ahmetin, pasi ai është i amnistuar dhe përfaqëson një parti politike legjitime. Gjithashtu, kreu i lartë i Ministrisë së Brendshme mendon se, deri më 15 shtator, gjithçka do të vijojë mirë.
Z. Elmazi, mësohet se 5 maqedonasit e rrëmbyer janë liruar. A mund të na konfirmoni që forcat speciale të policisë maqedonase janë larguar nga Tetova?
Po është e vërtetë që personat e rrëmbyer janë liruar në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë mund t'ju them se edhe forcat speciale të policisë janë tërhequr nga aksi rrugor Tetovë -Gostivar, dhe tani rruga është e hapur. Ne jemi të përgjegjshëm që ardhja e forcave speciale në zonat e populluara me shqiptarë pengon qarkullimin e lirë të njerëzve, gjithashtu ata ngjallin panik dhe frikë, ku mundësia e incidenteve bëhet evidente. Tani forcat speciale dhe mjetet e blinduara janë larguar nga Tetova.
Po si e vlerësoni situatën e sigurisë në përgjithësi dhe në veçanti në rajonin e Tetovës, pas një tensionimi të dukshëm?
Mendoj se situata këtej e tutje do të jetë e qetë, kam parasysh këtu angazhimin permanent të faktorit ndërkombëtar, të cilët këmbëngulin që në këtë vend të mbizotërojë fryma e paqes. Po ashtu edhe subjekti politik shqiptar po punon gjithnjë në drejtim të zbutjes së situatës, me qëllim që zgjedhjet të vijojnë të qeta. Nga ana tjetër, ne si organ policor, duhet të jemi në fuksion të zbatimit të detyrës kushtetuese, që t'u sigurojmë qetësi dhe siguri qytetarëve.
Ministri i dikasterit tuaj, Boshkovski, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë maqedonas, kanë thënë se do të arrestojnë kryetarin e BDI-së Ali Ahmetin, komenti juaj?
Këto deklarime janë të tipit "spektakolar", që do të thotë se ka të bëjë me marketing politik të një individi apo të një partie politike. Unë si zv/ministër e kam thënë fjalën time, jam kundër ngritjes së pluhurit pikërisht në prag të zgjedhjeve. Unë mendoj se Ahmeti - që është lider i një partie politike të regjistruar - por dhe të tjerëve t'u mundësohet veprimtaria e tyre në aktivitetet politike gjatë fushatës parazgjedhore.
Pra ju thoni se nuk do të ndodhë që ndaj Ahmetit të ndërmerret ndonjë veprim paprecedent nga ana e policisë?
Jo nuk besoj për shkak se ai është person i amnistuar dhe së dyti, e thashë më lart që është lider i një partie politike, e cila është konform ligjeve, pra e regjistruar. Unë nuk besoj se do të ndodhë diçka e tillë, gjithë kjo zhurmë ka një emër që quhet marketing politik.
Dhe së fundi, kur kanë mbetur dhe pak kohë deri te dita e 15 shtatorit, mendoni se policia maqedonase do t'u përmbahet rregullave ligjore apo?
Ajo që unë kam kërkuar dhe kërkoj është që Ministria e Punëve të Brendshme të mos ndërmarrë asnjë hap, i cili konsiderohet i nxituar apo nxitës i ndonjë provokimi. Ne duhet të jemi realistë se njerëzit tani kanë nevojë për qetësi dhe siguri, dhe jo për shantazhe dhe provokime. Me rëndësi është që gjithkush të mbajë pozicionin që i takon konform ligjeve. Nga ana tjetër, ne po bëjmë përpjekje maksimale edhe në kuadër të subjektit që unë përfaqësoj pra PDSH-së, që fushata parazgjedhore, të jetë e qetë, pa provokime ndërshqiptare, pra më rëndësi është që ne si popull të tregojmë maturi dhe pjekuri maksimale gjatë këtyre ditëve. Besoj se ne do të dimë që të shkojmë më 15 shtator me një kulturë të lartë demokratike.

(shekulli)

E Premte 30 Gusht 2002

Dislokim i jashtëzakonshëm trupash rreth vendit ku ndodhen pengjet.

Kriza e pengjeve mund të risjellë luftën

Pengmarrësit mund të mos jenë shqiptarë. Diplomatët dyshojnë në një inskenim të ri të Boshkovskit

SHKUP - Maqedonia ndodhet në prag të një konflikti të ri. Dje qindra policë të armatosur janë diskoluar në një luginë ku mbahen pesë maqedonas të rrëmbyer nga "shqiptarë të armatosur". Ministria e Brendshme ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre, ndryshe ka kërcënuar se do të veprojë. Pa ardhur nata, policia u bëri thirrje gjithë banorëve të zonës përreth, të qëndrojnë sa më larg shtëpive të tyre, deri në agimin e ditës tjetër për arsye sigurie. Një dëshimtare, sipas "Rojterit" kishte parë një numër të madh policësh me autoblinda, të cilët kanë rrethuar fshatin Zerovjane, që ndodhet në rrugën mes qyteteve Tetovë e Gostivar. Bllokimi i rrugëve me autoblinda është vendosur rreth Tetovës dhe në të gjitha anët në gjatësinë 25 km në rrugën që të çon në Gostivar. Gjithashtu është bllokuar dhe rruga nacionale për në Shkup. "Këto masa janë totalisht të papërshtatshme… Ju duhet të qetësoni rrëmbyesit dhe të bisedoni me ta", - ka thënë një diplomat perëndimor për "Rojterin". Ai shtoi se këto ngjarje të fundit "përputhen me përshtypjen e krijuar deri tani se po bëjnë përpjekje të organizuara për të destabilizuar Maqedoninë në prag të zgjedhjeve… Rezultati i krizës së sotme mund të jetë dramatik", -ka thënë ky diplomat për "Rojterin".
Rrëmbyesit i kanë marrë viktimat nga autobusi dhe dy makina private rrugës Tetovë-Gostivar natën e së enjtes dhe kanë kërcënuar se do të vrasin pengjet e tyre. Një person që deklaron se është një prej rrëmbyesve, tha për një stacion radioje lokale se të pesë pengjet janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ai shtoi se ata do të lirohen, nëse autoritetet lirojnë pesë shqiptarë që mbahen të arrestuar për vrasjen e dy policëve maqedonas në Gostivar ditën e hënë. Ky person gjithashtu deklaroi se rrëmbyesit janë ish-guerilë nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare që nisi dhe rebelimin e vitit të kaluar, por tani "janë të zemëruar" që po veprojnë sipas mendjes së tyre. Zëdhënësi i policisë, Vojislav Zafirovskli, tha se rrëmbyesit ishin shumë të afërt me Ali Ahmetin, ish -lider i UÇK-së.
Nacionalistët në qeverinë maqedone kërcënuan këtë javë se do të arrestonin Ahmetin, një hap që padiskutim do të provokonte trazira. Ahmeti është i amnistuar në bazë të marrëveshjes së paqes të ndërmjetësuar nga Perëndimi dhe është kandidat i regjistruar ligjërisht që drejton një parti politike gjithashtu të njohur në zgjedhjet e reja.
Burime nga NATO dhe BE thonë se arrestimi i Ahmetit është një fushatë bllof, ndërsa një burim qeveritar përgënjeshtroi faktin se indentiteti i pengmarrësve është i njohur. Një zëdhënës i Ahmetit ka mohuar se pengmarrësit kanë lidhje me Ahmetin, duke i quajtur ato "banda oportuniste". Gjithë partitë shqiptare janë distancuar gjithashtu nga ky akt dhe e kanë dënuar ashpër rrëmbimin e qytetarëve të pafajshëm. (Rojter)

Nga ana tjetër e kufirit, prezenca policore dhe ushtarake maqedone është si asnjëherë në 12 vitet e fundit

Trupat e Mjekësit nisen për në kufi

Maqedonasit nisin të kthejnë masivisht emigrantët sezonalë nga Shqipëria

Soni Kurani
Kujtim Borici

ELBASAN - Trupa ushtarake të rrethit të Elbasanit u nisën dje në drejtim të kufirit shqiptar me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (FYROM). Burime të sigurta bënë të ditur se nga reparti ushtarak i Mjekësit, një numër ushtarësh të trupave artiliere u nisën dje në orët e paradites në drejtim të hapësirës kufitare me FYROM-in. Burimet nga ky repart konfirmuan lëvizjen e trupave, por u treguan të rezervuara në dhënien e numrit dhe hollësive të tjera.
Zyrtarë të Batalionit të Elbasanit nuk pranuan të konfirmojnë lajmin, duke thënë se nuk ishin të autorizuar nga qendra për një gjë të tillë. Ndërkohë, një pjesë e ushtarëve të Mjekësit kanë lajmëruar të afërm dhe familjarë për një largim të përkohshëm nga reparti ushtarak i Mjekësit, ku ndodhen për të kryer shërbimin ushtarak, në drejtim të kufirit shqiptaro-maqedon, mëngjesin e djeshëm.
Lëvizja e trupave shqiptare drejt kufirit, vjen pas acarimit të skajshëm të situatës në republikën e vogël fqinje. Pak ditë më parë, në vijën kufitare që ndan dy vendet tona janë parë përqëndrime të mëdha të forcave maqedone. Banorë të Tushemishtit në Pogradec, fshat turistik kufitar me Maqedoninë, thanë se përqëndrime në ato përmasa të trupave dhe mjeteve maqedonase janë parë vetëm gjatë trazirave të vitit 1997.
Në zona të tjera, prezenca policore dhe ushtarake maqedone pranë kufirit është si asnjëherë në 12 vjetët e fundit. Në pikën kufitare maqedonase në Qafë-Thanë janë instaluar autoblinda dhe tanke luftarakë në regjimin e gatishmërisë numër një.
Janë vënë re gjithashtu ndërrime e shtim i forcave aktive në repartin e shërbimit të kufirit në këtë pikë. Ndërkohë, edhe emigrantët tanët me punë sezonale në vendin fqinj, me afrimin e datës së zgjedhjeve në Maqedoni (15 shtator), nga dita në ditë po kthehen nga policia maqedonase e po dorëzohen në pikat e kalimit kufitar të Qafë-Thanës, Tushemishtit dhe Bllatës në Dibër, - "Ne ishim 4 vetë që punonim në rrethinat e Strugës , jemi me dokumenta të rregullta por papritur erdhën në banesën ku flinim dhe na përcollën pa asnjë shpjegim në kufi, - pohon 48 -vjeçari S.Salliu nga zona e Përrenjasit, një ndër të kthyerit e ditës së djeshme. Emigrantët tanë që kthehen nga policia, siç pohojnë vetë të kthyerit, vlerësohen si të tepërt e problematikë nga policia dhe strukturat e larta shtetërore maqedonase, në prag të zgjedhjeve dhe zbohen nga frontet e punës për në vendlindjet e tyre në Shqipëri. Gjithashtu, të kthyerit e fundit pohojnë për gazetën tonë se jo vetëm në pikat legale të kalimit kufitar, por dhe në thellësi, në akset e rrugës drejt Strugës, Ohrit, vecanërisht në trevat ku shumica e popullsisë është shqiptare, vërehet ditët e fundit një prezencë e shumtë e kontrolleve nga patrullat policore të lëvizshme e stacionare, të dubluara nga forca të ushtrisë së bashku me armatim e teknikë luftarake
"Ne nga ana jonë vazhdojmë kryerjen e shërbimit me forca dhe mjete konform shkallës së gatishmërisë luftarake të vendosur nga eprorët dhe deri tani nuk ka patur asnjë poblem apo incident kufitar, - pohon për gazetën "Shekulli" Luan Pashollari, komandant i pikës së kalimit kufitar.
E njëjta situatë, sipas burimeve pranë strukturave të rendit, është dhe në pikën e kalimit kufitar të Tushemishtit (Pogradec) dhe atë të Bllatës në Maqellarë të Peshkopisë.

DEKLARATA

Xhaferri, Ahmeti, Halili dhe Haxhirexha, me një deklaratë të përbashkët

Liderët e katër partive më të mëdha politike shqiptare në Maqedoni, të brengosur me zhvillimet e fundit në vend, vendosën të dalin me këtë deklaratë të përbashkët :
- Dënojmë ashpër rrëmbimet e qytetarëve të pafajshëm dhe kërkojmë lirimin sa më të shpejtë të tyre;
- Dënojmë ashpër vrasjet dhe keqtrajtimin e qytetarëve që bëhen me motive dhe prapavija të errëta;
- Dënojmë ashpër mosrespektimin e ligjit për amnisti dhe burgosjet e ish-ushtarëve të UÇK-së;
- Kërkojmë që të ndërpriten menjëherë lëvizjet dhe pozicionimet e forcave policore- ushtarake nëpër vendbanime dhe rrugë që bëhen kryesisht në Maqedoninë Perëndimore;
- Thërrasim popullatën shqiptare të tregojë gjakftohtësi dhe përmbajtje dhe të bashkëpunojë ngushtë me subjektet politike dhe komunitetin ndërkombëtar;
- Ftojmë komunitetin ndërkombëtar që të ushtrojë autoritetin e vet mbi të gjitha palët, me qëllim të tejkalimit të situatës së tensionuar, që rrezikon të kalojë në një konflikt me pasoja për paqen në vend dhe rajon;
- Obligohemi që të krijojmë kushte dhe rrethana të volitshme për rrjedhën normale të fushatës parazgjedhore.
PPD
Abdurrahman Haliti
PDK
Kastriot
Haxhirexha
PDSH
Arbën Xhaferri
BDI
Ali Ahmeti

Gjendje e tensionuar në Tetovë: Forcat speciale maqedone bllokojnë magjistralen Tetovë -Gostivar

Vritet nga "Luanët" Agron Dehari, plagoset një tjetër, pasojnë arrestimet

Nga Ylber Lili
Paqja e brishtë në Tetovë është rrokullisur mbrëmjen e së enjtes. Persona ende të panjohur pasi janë instaluar në aksin rrugor Tetovë-Gostivar në afërsi të fshatit Zherovjan, kanë rrëmbyer tetë persona të cilët udhëtonin me autobus për në Gostivar, konfirmuan dje për "Shekullin " burime policore dhe të monitoruesve ndërkombëtarë. Sipas këtyre burimeve, nga 8 personat e rrëmbyer, 7 prej tyre janë të nacionalitetit maqedonas, ndërsa tjetri shqiptar. Duhet theksuar se dy prej maqedonasve dhe shqiptari i rrëmbyer janë lëshuar, ndërsa të tjerët janë mbajtur peng. Deri tani organet policore kanë bërë të ditur vetëm indentitetin e dy pengjeve, Boban Jankovski dhe Sergej Filipovski, që të dy nga Gostivari. Rrëmbimi i këtyre presonave ka ndodhur në momentin kur autobusi është ndalur për shkak të bllokadës në rrugë, të cilën e vendosën banorët lokalë të Zherovjanit, duke kërkuar lirim të personave të cilët janë arrestuar për shkak të vrasjes së dy policëve në Gostivar.
"Sipas asaj që kanë treguar kalimtarët e rastit nëpër këtë autostrade, rruga është bllokuar nga një grup i panjohur, të cilët e kanë mbajtur rrugën të bllokuar prej orës 18:30 deri diku pas orës 21:00 kur edhe thuhet se janë larguar. Ne nuk jemi në dijeni të tërë asaj që ka ndodhur, por nga kontaktet që kemi patur me ndërkombëtarët, ata thonë se grupi në fjalë ka ndaluar dy qytetarë nga Ohri dhe një nga Gostivari të tre të nacionalitetit maqedonas, ndërsa nuk ka të dhëna për persona të tjerë",-tha kreu i komunës së Bogovinës Azbi Idrizi.
Megjithatë, sipas asaj që tregojnë banorët e fshatrave, përreth vendit të bllokadës janë stacionuar forca të mëdha policore, të cilët mbajnë nën kontroll të rreptë autostradën dhe nuk lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve. Gjithashtu, gjatë natës dhe në orët e mëngjesit të djeshëm nga Shkupi për në Tetovë janë parë të vijnë kolona të shumta të motorizuara me tanke, autoblinda dhe kamionë të njësiteve speciale "Tigra" dhe "Luanë" të cilët janë shpërndarë përgjatë autostradës. Gjatë qëndrimit tonë në rajonin e Bogovinës mësuam se nga ana e policisë janë ndaluar edhe disa qytetarë shqiptarë, ndërsa deri më tani dihet saktësisht se policia ka ndaluar dy qytetarë të Reçicës dhe një nga fshati Bogovinë.
Sipas drejtorit të spitalit të Tetovës, Rahim Thaçi, dje në orën 4 të mëngjesit në spitalin e Tetovës është sjellur trupi i pajetë i një banori të Reçicës së madhe me emrin Agron Dehari 27 vjeç nga ana e policisë maqedonase. Hazbi Idrizi, kryetar i komunës së Bogovinës, apelon te qytetarët për ruajtjen e gjakëftohtësisë dhe ruajtjen nga provokimet e mundshme të policisë, ndërsa sugjeron që qytetarët të mos lëvizin në drejtim të autostradës Tetovë -Gostivar. Ndërkaq, policia rajonale e Gostivarit dje ka bërë të ditur se persona të paidentifikuar dhe të armatosur dje pas dite nga një veturë në lëvizje kanë hapur zjar në drejtim të postbllokut policor, që gjendet në mes të fshatrave Negotinë e Pollogut dhe Zherovjan. Sipas burimeve policore, policët i janë kundërpërgjigjur këtij sulmi, është vrarë një preson, i dyti është lënduar, ndërsa i treti prej personave që kanë qenë në veturën e tipit "Golf 3" është arrestuar nga ana e policisë. Megjithatë, policia nuk bën të ditur ende identitetin e personave që gjoja kanë sulmuar postbllokun policor në mes të fshatit Negotinë e Pollogut dhe Zherovjan.Nga ana tjetër, autoritetet e komunës së Bogovinës nuk na konfirmuan këtë lajm për shkak se siç u shprehën ato "nuk jemi të njoftuar me asnjë veprim të policisë maqedonase". Ndërkohë, burime të MPB-së kanë thënë se organizatorët e bllokadës në aksin rrugor Tetovë-Gostivar, kërkojnë nga policia maqedonase që t'i lirojë të arrestuarit e parmbrëmshëm, Ibrahim Musliu, "Rroki" nga Zherovjani dhe Daim Mustafin nga fshati Radiovcë.

Kush është viktima e policisë maqedone?
Viktima e "Luanëve" ishte baba i dy fëmijëve dhe djali i vetëm i familjes Dehari nga Reçica e Madhe. Quhet Agron Dehari, punëtor në një pompe benzine në periferi të qytetit të Tetovës. Ai është vrarë në mënyrë makabre, ku në trupin e tij janë shkrehur një numër i jashtëzakonshëm plumbash. Sipas një dëshmitari, mënyra e ekzekutimit ka qenë makabre, aty rreth orës 2 pas mesnate, teksa kthehej për në shtëpi së bashku me shokun e tij është ndaluar nga policia speciale dhe menjëherë është goditur për vdekje. Ndërkaq shoku i tij Jetmir Iseni 25 vjeç, pasi është rrëmbyer nga policia speciale, sipas të gjitha gjasave ka përfunduar ne burgun e Shutkës. Nga ana tjetër, banorët thonë se Agroni ishte djalë shumë i rregullt dhe i sjellshëm, ai ishte familjar thotë një banor. Fshati ynë kishte respekt, për ndaj ne jemi shumë të irrituar për vrasjen çnjerëzore të birit tonë thonë ata. Burimet tona në spitalin e Tetovës bëjnë të ditur se policia nuk i ka lejuar mjekët që të bëjnë autopsinë e tij deri në orët e paradites.

Aktet e tjera të dhunës ndaj shqiptarëve, dje

Policia speciale "Luanët" e krijuar nga Boshkovski ka plagosur 50 -vjeçarin, Harun Bakiun, në afërsi të Zherovjanit. Si pasojë e plagëve të rënda, ai është dërguar menjehërë për mjekim në qendrën spitalore të Shkupit, ndërsa nuk dihet gjendja e tij momentale.

Banori Xhevat Arifi nga fshati Bogovinë dje herët në mëngjes është rrëmbyer nga "Luanët" duke udhëtuar për në Shkup, dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë nëpërmjet një njoftimi për median e ka shpallur të mbyllur për çfarëdo lloj komunikacioni magjistralen me të frekuentuar në Maqedoninë Perëndimore, Tetovë-Gostivar.

Përreth fshatrave të komunës së Bogovinës janë pozicionuar rreth 17 mjete të blinduara të policisë të tipit "BTR" dhe një numër i madh i forcave policore. Kryetari i komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi, tha për "Shekullin" se situata është mjaft e tensionuar

Ndërkombëtarët të shqetësuar për situatën në Maqedoni

Kërkohet urgjentisht lirimi i të rrëmbyerve

Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dje zhvilluan takime me autoritetet maqedonase për mënyrat e mundshme se si të ndihmohet në rastin e të rrëmbyerve- deklaroi sot pas takimit me kryetarin Boris Trajkovski, ambasadori amerikan në Shkup Llorens Batler. Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare do të bisedojnë me liderët e partive politike shqiptare dhe me popullatën shqiptare që të ndihmojnë, e gjithë kjo me qëllim që situata të mos keqësohet edhe më tutje, - deklaroi ambasadori amerikan. Edhe Havier Solana, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme,dënoi dje me anë të një deklarate rrëmbimin e civilëve. "U kërkoj autorëve të lëshojnë të gjitha pengjet menjëherë dhe pa kushte", -tha Solana që ndodhet në Elseneur (veri i Kopenhagenit) për një takim jozyrtar të ministrave të Jashtëm të BE-së. "Kjo lloj dhune nuk ka vend gjatë fushatës elektorale në një vend demokratik", -vlerësoi ai.
Shtatë civilët maqedonas sipas burimeve, janë rrëmbyer nga një grup shqiptarësh të armatosur që ndaluan një autobus në linjën Tetovë-Gostivar. Në deklaratën e përbashkët të të dërguarit të posaçëm të UE-së Alen Lwroa dhe ambasadori grek Joanis Ekonomu, në emër të UE-së, ambasadori i SHBA-ve Llorens Batler, ambasadori i NATO-s, Nikollas Bigman, dhe shefi i Misionit të OSBE-së në Maqedoni, ambasadori Kreg Xhenes bëhet gjithashtu apel për lirimin e pengjëve. "Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve shqiptarë që t'i ndihmojnë autoritetet dhe të bëjnë çmos për gjetjen e zgjidhjes paqësore", thuhet në komunikatë. Nga ana tjetër, ambasadori i SHBA-ve dje në orët e vona të pasdites ka shkuar në zyrën e kryetarit të PDSH-së, Arbën Xhaferrit, ku po diskutohet me dyert të mbyllura rreth situatës së rënduar.
Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Xhorxh Robertson, i bëri dje pasdite një apel për qetësi popullit të Maqedonisë: "Rrëmbimet e fundit të një grupi civilësh në ish -Republikën jugosllave të Maqedonisë, konsiderohen një akt dhune, që kërcënon përpjekjet e të gjithë atyre që po punojnë për një stabilitet afatgjatë në vend. Provokimet duhet të ndalin. U bëj thirrje keqbërësve të lirojnë viktimat menjëherë dhe pa kushte. I bëj thirrje popullit të ruajë qetësinë dhe t'u rezistojë të gjitha thirrjeve për hakmarrje, u kërkoj autoriteteve të vetëpërmbahen, - tha Robertson. "Qytetarët e Republikës jugosllave të Maqedonisë kanë më 15 shtator një shans historik për të ruajtur vendin e tyre drejt rrugës së integrimit evropian. Jam i bindur se përfaqësuesit e tyre demokratë do të vazhdojnë të marrin vendimet e duhura për të siguruar një rezultat pozitiv, duke zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. Sidoqoftë, e ardhmja demokratike e vendit mund të sigurohet përfundimisht, vetëm nëse marrëveshjet respektohen. në frymën e kompromisit dhe bashkëpunimit nga të gjithë ata që e firmosën atë. Marrëveshjet nuk mund të përqafohen kur nuk janë bindëse dhe të refuzuara. Votuesit duhet të jenë të bindur nga argumente logjike dhe jo nga abuzimi i pushtetit. Kërcënimet dhe provokimet, kufizimet e lirisë së lëvizjes, dhe bllokimet e rrugëve nuk janë në përputhje me konceptin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.Përballë gjithë këtij background-i, unë dënoj fuqishëm rritjen e dhunës në javët e fundit, -shtoi ai.

 

 

 

E Enjte 31 Gusht 2002

Maqedoni/ Ministria e Brendshme e Boshkovskit, liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim: Të mos rezistojë


Lëshohet urdhërarresti për Ali Ahmetin


Reagojnë partitë shqiptare dhe disa maqedonase: Kjo nuk është në të mirë të zgjedhjeve


SHKUP - "Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, do të arrestohet",- thotë Gran Mitevski, drejtor i zyrës së sigurisë publike në Ministrinë maqedonase të Punëve të Brendshme. Urdhërarresti, sipas autoriteteve të Shkupit, synon kufizimin e aktivitetit elektoral, përkatësisht kreut të ish-UÇK-së, Ali Ahmeti. Sipas Ministrisë së Brendshme, Ahmeti akuzohet për gjenocid dhe krime lufte kundër civilëve. Pa marrë parasysh presionin e madh ndërkombëtar, Mitevski thotë: "Ministria beson se një rrezik edhe më i madh do të shkaktohej, nëse një kriminel lufte do të hynte në Parlamentin e ardhshëm". Madje, në deklaratën e saj, Ministria e Brendshme i kërkon Ahmetit të mos rezistojë gjatë arrestimit. "Gjatë arrestimit të kryetarit të Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Ali Ahmeti, jeta e policëve maqedonas nuk duhet të kërcënohet. Kështu, ndërsa Ministria e Boshkovskit e ka bërë fakt të kryer arrestimin e një lideri politik, që po kandidon në zgjedhjet e 15 shtatorit, shumë reagime kanë ardhur nga gjithë qarqet politike vendase. Mbi të gjitha nuk ka argumente që Ali Ahmeti të arrestohet pikërisht tani, ku gjithçka, çdo veprim i qeverisë, duhet të kontribuojë vetëm për qetësimin e situatës parazgjedhore. Në vrasjen e dy policëve maqedonas, Ali Ahmeti nuk kishte gisht, pasi incidenti u mor përsipër nga një tjetër grupim i njohur, si AKSH. Pas kësaj, një bombë shpërtheu dy ditë më parë në selinë e partisë së Ali Ahmetit dhe, për këtë akt armiqësor në prag fushate, qeveria maqedonase nuk mori asnjë masë, përkundrazi, vendosi të arrestojë vetë viktimën. Ministria e Brendshme akuzoi, gjithashtu, 3 shqiptarët që mbahen në ndalim, në lidhje me vrasjen e dy policëve maqedonas në Gostivar, Ramazan Jaoski, Selam Selami dhe Sulejman Sulejmani për organizimin e vrasjes së tyre dhe tha se tashmë janë bërë akuza ndaj tyre për mbajtje ilegale armësh. Zëdhënësi i Ministrisë, Vojsllav Zafirovski, ka thënë se akuzat do të zgjerohen. Ministria e Brendshme e Maqedonisë thotë se një nga të arrestuarit, Ramazan Jaovski, nga fshatin Kollare e Kërçovës, është kushëri i Ali Ahmetit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i tij dhe e akuzojnë atë për vrasje civilësh. Ministria e Brendshme akuzon persona nga Kosova, si ekzekutues të vrasjes, pa dhënë emrat e tyre dhe thotë se ka të dhëna për këta njerëz. Megjithatë, ende nuk është dhënë ndonjë informacion për persona të tillë.
Shqiptarët: Duan të na provokojnë
Partitë shqiptare, opozita maqedonase dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar kritikuan ashpër dje nxjerrjen e urdhërarrestit nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë kundër ish-përfaqësuesit politik të UÇK-së, Ali Ahmeti. Partia Demokratike Shqiptare, e kryesuar nga Arbër Xhaferri, theksoi se Ahmeti dhe të gjithë ish-luftëtarët janë të amnistuar dhe se, me rastet e krimeve të luftës, merret Gjykata e Hagës. Një zyrtar i lartë i kësaj partie, Iljaz Halimi, nënkryetar i Parlamentit, i tha Zërit të Amerikës se kjo vetëm do ta keqësojë gjendjen politike dhe të sigurisë dhe nuk përjashtohet mundësia që të arrihet deri tek një konflikt. Halimi theksoi se kjo ndikon në fushatën zgjedhore të partisë së Ahmetit dhe shtoi se kjo mund të jetë edhe një lojë parazgjedhore. Partia për Prosperitet Demokratik e Abdurrahman Halitit tha se urdhërarresti për Ahmetin është një ide e marrë, që lëshohet për një udhëheqës partie në kulmin e fushatës zgjedhore. Zëdhënësi i kësaj partie, Zahir Bekteshi, i tha Zërit të Amerikës se ata që e bëjnë këtë nuk synojnë vendosjen e rendit dhe stabilitetit, por të kundërtën. Bekteshi tha se kjo mund të ndërlikojë gjendjen politike, të sigurisë dhe procesin zgjedhor. Ndërsa Partia Demokratike Kombëtare theksoi se Ministria e Brendshme nuk mund të arrestojë as Ahmetin dhe as ndonjë nga udhëheqësit shqiptarë. Sekretari i përgjithshëm i partisë, Xhevat Ademi, tha se këto veprime e tensionojnë gjendjen dhe kërcënojnë ta keqësojnë edhe më tej atë.
Një zyrtar i lartë i opozitës maqedonase, LSDM të Branko Cërvenkovskit, po ashtu kritikoi ashpër këtë urdhërarresti ndaj Ahmetit, duke e quajtur atë një veprim të marrë. Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Gjorgji Spasov, i tha Zërit të Amerikës se kjo bëhet për të prishur zgjedhjet e 15 shtatorit. Ndërsa këshilltari i presidentit, Trajkovski, për siguri kombëtare, Stevo Pendarovski, i tha Zërit të Amerikës se presidenti nuk dëshiron të komentojë këtë zhvillim, sepse vendi është në mes të fushatës zgjedhore dhe ai nuk dëshiron të përfshihet në debatet për këtë çështje.
Ndërkombëtarët: Besojmë tek amnistia
Një zyrtar i NATO-s i tha Zërit të Amerikës se qeveria po përpiqet të nxitë njerëzit për të reaguar dhe për të bërë ndonjë marrëzi, siç tha ai. Ndërsa zëdhënësi i ambasadës amerikane në Shkup, Xhon Kacka, tha se nuk do të komentonte në lidhje me këtë, ndërsa zyrtarë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian theksuan se mbështetin zbatimin e plotë të ligjit për aministi dhe të marrëveshjes së Ohrit. Një zyrtare e BE-së tha se organizata ishte e ndërgjegjshme për kërcënimet që vijnë nga arrestimi i Ahmetit. Zyrtarja, që nuk dëshironte të identifikohej, i tha Zërit të Amerikës se, me rastet e krimeve të luftës merret Gjykata e Hagës dhe autoritetet duhet të konsultohen me të para se të ndërmarrin ndonjë veprim, siç është lëshimi i urdhërarrestit për Ali Ahmetin apo dicka tjetër. Zyrtarja e BE-së theksoi se këto veprime kanë tashmë ndikim në gjendjen në vend, se ato po kufizojnë lëvizjet dhe fushatën zgjedhore të BDI-së të Ali Ahmetit. Megjithatë, ajo shtoi se, nëse autoritetet do ta bëjnë këtë apo jo (arrestimin e zotit Ahmeti), kjo mbetet për t'u parë. Ndësa, zëdhënësi i NATO-s në Maqedoni, Kreig Retklif, thotë se nuk beson që në Maqedoni ekzistojnë kërcënime të vërteta për sigurinë e shtetit. Megjithatë, Retklifi thotë se, edhe përkundër njoftimeve për disa kërcënime që dëgjohen përditë, realiteti flet se ka njerëz dhe grupe që vazhdojnë ende dhunën.

(marre nga Gazeta Shekulli)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa