Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
Jashtë kufijve të Shqipërisë këngëtarja është shfaqur dhe si prezantuese koncertesh e spektaklesh…ashtu siç ka qenë dhe këtu një herë e një kohë

Manjola Nallbani…rikthehet në pasionin e vjetër

Zefina Hasani
Ka vendosur t'i rikthehet pak e nga pak një pasioni të vjetër, të cilin e kishte lënë të ndrydhur për vite e vite me radhë…e detyruar nga rutina e ditës, nga angazhimi për muzikën klasike (dhe të lehtë), nga ambicja për të qenë gjithnjë në krye. Por, atë pasionin e vjetër, nuk e kishte tretur për fare, gjithsesi. Ngacmohej sa herë që në ekranin e ndonjë televizioni privat rishfaqeshin filmat "Rikonstruksioni" dhe "Eja", sa herë që shihte veten në rolet e saj të para e të vetme. Kujtonte kohën kur nisi të ndihej pak e nga pak aktore filmash, kohën kur nisi të ndihej dhe prezantuese spektaklesh dhe emisionesh televizive. Ishin pikërisht ato kohë që nuk i ishin përsëritur më në jetën e saj. E sa herë ia thoshte vetes këtë të vërtetë aq më shumë i ndillej dëshira për të qenë dhe një herë ashtu….aktore filmash ose më e pakta, prezantuese spektaklesh. Për ta realizuar një ditë këtë dëshirë, Manjola Nallbani vendosi të priste kohën e duhur e të gjente vendin ku do të mund të ndihej më mirë…nëse i rikthehej vërtet atij pasioni.
* * *
Ishte viti 2000 kur ajo regjistroi në kasetën e saj personale rikthimin në pasionin e saj të heshtur. Ishte në Zyrih kur prezantoi spektaklin e bukurisë "Mis Shqipëria nëpër botë". Kur u kthye nga ai vend, ndihej mirë sa herë që shihte të regjistruar në vidion e saj, veten si një herë e një kohë…prezantuese në një spektakël televiziv. "Çdo artist ka dëshirë të jetë i kompletuar. Tek unë kjo dëshirë është edhe më e madhe sepse e kam provuar ndiesinë që të lë kamera ndërsa xhiron një film ose drejton një emision televiziv. Edhe pse kanë kaluar shumë kohë unë nuk i kam humbur ato ndiesi, përkundrazi ato u ripërtërinë në spektaklin e "Miss shqipërisë nëpër botë""-Manjola tregon se ky ishte fillimi. Më pas koncertet që ajo ka drejtuar në vende të ndryshme (jashtë Shqipërisë) kanë pasuar njëri tjetrin-"Së fundi kam prezantuar dhe telebingon që organizohet në televizionin shtetëror të Kosovës"-Herë herë i vjen keq që këtë rol ka nisur të luajë jashtë vendit të saj-"Ç'është e vërteta e kam pasur më të lehtë të shfaqem si prezantuese jashtë vendit ku njerëzit nuk më njohin aq sa më njohin këtu në Shqipëri, ku njerëzit nuk janë mësuar të më shohin në skenë vetëm si këngëtarja Manjola Nallbani. Unë po i mësoj sytë e tyre të më shohin edhe ndryshe, pra edhe si prezantuese. Ndërsa këtu kanë kaluar shumë vite që njerëzit më njohin vetëm kështu, pra si këngëtare dhe unë do ta kisha të vështirë ta thyeja këtë imazh, përnjëherësh". Shprehet se do të donte shumë të niste pak e nga pak ta thyente këtë "tabu" por ia ka lënë rastësisë këtë zgjidhje-"Të them të drejtën nuk është se i jam vënë shumë kësaj gjëje sepse për mua mbetet kënga primare gjithsesi. Veç kësaj më pengon dhe fakti se në spektaklet tona prezantimi realizohet me tre-katër persona, gjë kjo që i ngatërron paksa pozicionet që ka secili prej prezantuesve. Unë do të doja diçka ndryshe nga kjo rutinë". Ende nuk e ka menduar seriozisht shfaqjen si prezantuese edhe në syrin e publikut shqiptar (brenda kufijve)-"Nëse shoh ndonjë projekt interesant pse jo",-pohon ajo duke shtuar se nuk do t'i lërë më vitet t'i ikin kështu prej duarsh sepse e ndien se sa më shumë të ikin ato, aq më të vështirë do ta ketë të thyejë imazhin "vetëm të këngëtares" në sytë e shqiptarëve (brenda kufijve)
* * *
Në të vërtetë nuk do të jetë dhe aq e vështirë sepse një herë e një kohë njerëzit e kanë parë dhe ndryshe, këngëtaren. Atëherë kur ajo ishte një nxënëse në vitin e katërt të Liceut Artistik, u shfaq në ekranin e TVSH-së për të drejtuar programet e rinisë-"Nuk e kujtoj se kush më tërhoqi drejt studiove të televizionit por mbaj mend se e gjithë kjo ndodhi rastësisht, ndërsa ecja një ditë në rrugën mes liceut dhe televizionit"-kujton Manjola. Pas këtij fillimi të rastësishëm do të vazhdonin ofertat e tjera-"Ishte viti 1994 kur më ofruan të prezantoj festivalin e pranverës së këtij viti. Në po këtë vit kam prezantuar dhe festivalin "Nota fest" që u organizua për herë të parë në Shkup të Maqedonisë"-ky festival do të shënonte dhe fundit e kësaj "aventure". Pas vitit 1994, dëshira për ta vazhduar këtë "aventurë" u mbyll në sirtar, sepse të tjera qëllime u vunë në krye të listës. Tani që të gjitha ato qëllime kanë zëne vendin e duhur në jetën e saj, Manjola kërkon të shlyejë dhe borxhin ndaj dëshirës së ndrydhur. Pse jo, kur ndien se koha ka ardhur, atëherë kur duhej. Hapat e parë janë hedhur në vitin 2000, në skenën e një spektakli të madh bukurie. Të tjerët nuk dihet se ku do hidhen…ndoshta në ndonjë spektakël këtu brenda kufijve. Ndoshta edhe në ndonjë film-"Do të më pëlqente që të mund të realizoja një film brenda të cilit të ishte dhe muzika. Këtu në Shqipëri mungojnë filmat që trajtojnë jetën dhe ngjarjet e ndryshme të muzikës. Nëse dikush do të ngacmohej nga kjo ide, edhe unë do të isha shumë e interesuar të angazhohesha, brenda atij filmi."-Ndoshta ndodh edhe kështu. Koha do ta tregojë surprizën e saj.

Shqetësimi
Artistja (si edhe të tjerët) ndihet e harruar në vendin e saj Varfëria e jetës artistike benda kufijve i nxiti artistët të marrin udhët. Ca ikën për fare, ndërsa të tjerët ikën e vazhdojnë të ikin sa herë i ftojnë për koncerte. Ky është i vetmi burim nga i cili diçka fitojnë. Nisi vite më parë ky udhëtim, atëherë kur përmes transmetimit në sateli organizatorët jashtë kufijve gjuanin më të mirët e Shqipërisë. Atëherë ata nisën që andej të parat ftesa, të parat oferta-
"Janë pikërisht këto oferta që i japin një ndihmë të madhe gjithë artistëve shqiptarë. Të mendosh se këtu numërohen me gishta aktivitetet që organizohen brenda një viti…është një festival i fundvitit me pagesën e të cilit nuk siguron dot as veshjen, është një "Kenga magjike", është një spektakël "Porta e fatit" ose "Telebingo" nga të cilët merr 250 ose 300 mijë lekë të vjetra dhe kaq. Mendo se çfarë mund të bëjë një artist me kaq. Ndaj zgjidhja është gjetur jashtë këtij vendi…në Angli, Gjermani, Prishtinë…Tani së shpejti, në dhjetor unë do të iki sërish në Zvicër së bashku me Gazmend Gjokën (ky do të prezantojë koncertin). Kjo është kontrata më e rregullt që kemi lidhur me organizatorët për 10 koncerte me radhë. Ndërsa në nëntor do të jem për festat e nëntorit të Gjermani së bashku me Kastriot Tushën." Nallbani pohon se i vjen keq që në gjithë këto vite të karrierës së saj artistike nuk ndihet se jeton në një vend ku dikush kujdeset për artistët-"Në gjithë këto kohë nuk kemi ndier asnjë shenjë respekti nga ana e shtetit për artistët e tij". Artistja e lë me kaq rrëfimin, pasi nuk dëshiron të shfryjë më shumë. E kalon bisedën në një tjetër projekt të saj-"Po punoj për të nxjerrë në treg albumin tim të tretë. Jam gati në përfundim të tij"

 

 

 

 

(marre nga Shekulli)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa