Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
Andromaka, unë dhe Vjollca Morina


Shënime për librin e fundit të Kadaresë "Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut"

Dr. Ilir YZEIRI
Nëpër libraritë e Tiranës ka dalë romani i fundit i Kadaresë "Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut". Sapo e mbarova librin, hapa kompjuterin dhe shënimet e fundit për Kadarenë, ishin shkruar një vit më parë, në vjeshtë, gjithashtu, dhe ishin të mbushura me duhmën e debatit që u shtoll për një libër të Maks Velos, përmbi një poemth të vjetër të Kadaresë. Në ato shënime pata shkruar se debati kishte marrë formën e gjyqit të madh, turma kishte dënuar Krishtin dhe kinse kishte shpëtuar Barabain, dytësin e saj të fshehur në nënvetëdije, si shenjë e plotë që ne shqiptarët jemi tipa të pandreqshëm folklorikë, që mërzejmë me hijeshi në kafene fshati. Një vit më pas është vetë Kadareja që rindërton një skenë nga akti i fundit i tragjedisë komuniste dhe e vendos në platenë e një amfiteatri në Jug. Tani ka mbetur larg duhma e debatit të vjetshëm, por Kadareja me këtë libër ndoshta i ka trazuar përsëri pejzat e qepura të dilemës foklorike: Kadareja dhe diktatura. Po ç'është ky libër? Është vazhdim brilant i epopesë së madhe kadareane, është vazhdim i natyrshëm i një imazhi të vetëm, është një copë e thyer e pasqyrës me bojë të zezë që Kadareja e ka ngjitur me imtësitë më të holla në vendet e thyera të qelqit të ftohtë komunist. Te "Lulet e Ftohta të Marsit", vjedhja e Bankës ngjitet deri te vjedhja e zjarrit nga Prometheu, te "Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut", zvarrisja e kufomës ngjitet deri te zvarrisja e Hektorit pasi u vra nga Akili. Ndoshta ky është edhe çelësi që duhet vendosur për ta kuptuar dhe zbërthyer, natyrisht jo deri në fund, këtë libër. Stili i Kadaresë është shëmbëllim i një të menduari krejtësisht të veçantë që nyjtohet jo thjesht me fjalë, po me imazhe. Ashtu siç ndodh gjithmonë me veprat e mëdha, edhe këtu, lexuesi nuk shfleton vetëm kronikën e një ngjarjeje të radhës nga libri shumëfletësh i tragjedisë komuniste, por rindërton përmes tij, pamjen e plotë që mund të të përftojë tragjedia. Qysh në fillim, autori duket se është endur për një kohë të gjatë me imazhin e të riut që u zvarris i vdekur rrugëve të Sarandës, si shenjë e gërhamës së fundit të diktaturës, për të frikësuar shqiptarët që të mos arratiseshin. Kush kthehet pak prapa në kohë, mund të kujtojë lajmet e asaj periudhe, arratisjen e dy motrave bashkë me vëllain nga plazhi i Sarandës. Vëllai nuk e përballoi lodhjen dhe vdiq, motrat shpëtuan, lajmin tjetër, gjithashtu, për zvarrisjen e kufomës së lidhur me tela me gjëmba rrugëve të Sarandës. Këto dy imazhe duket kanë udhëtuar me Kadarenë gjatë, shumë gjatë dhe i janë përsëndritur orë e çast si vegime në nënvetëdijen prej demiurgu që çdo shkrimtar i madh e mban me vete ashtu si deveja gungën e mbushur me ujë. E kështu është ndriçuar me drita muzgu i errët i tragjedisë komuniste. Ngjarja vërtet ishte drithëruese dhe, e vendosur në Sarandë, ashtu siç edhe kishte ndodhur vërtet, merrte përmasat e një tragjedie antike. Këtu hyn mjeshtri në punë dhe, ashtu siç ndodh rëndom me veprat e Kadaresë, kohët përzihen dhe veprimi i tragjedisë kalon nga koha reale në atë virtuale. Gjithçka shpirtëzohet dhe zhvendosjet në kohë bëhen një gjë e zakonshme. Lul Mazreku, një aktor i dështuar, për shkak të konkursit që nuk e fitoi dot, niset ushtar në kohën e arratisjeve. Dhe vendi i shërbimit - Saranda. Një tjetër personazh, këtë radhë femër, Vjollca Morina, niset dhe ajo në Sarandë, por me një shërbim tjetër. E rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit, ajo vendoset në hotelin e qytetit si një pritë sensuale për të frenuar dhe sinjalizuar arratisjen. Kështu, si në tragjedinë klasike, është gjetur vendi i veprimit, koha e veprimit duhet dhe një personazh, pastaj plateja. E për të qenë efekti tronditës, veprimi tragjik duhet të kryhet, sipas Arsitotelit, gjithashtu, brenda familjes, brenda lidhjes së gjakut. Në ndryshim nga kronika e historianit që përshkruan atë që ndodh, siç thoshte përsëri Aristoteli, poeti përshkruan atë që mund të ndodhte dhe për Kadarenë ajo që mund të ndodhte ose ajo që ka ndodhur sipas tij, është një fillesë e vjetër: zvarrisja ose thelbi i zanafillës, është Troja, zvarrisja e Hektorit dhe Andromaka. Ngjarja sipas kronikës ka ndodhur në Sarandë, por sipas Kadaresë, ajo duhet të ndodhte në Butrint dhe kjo tragjedi është luajtur në amfiteatrin e tij. Aty Andromaka e veshur me të zeza, por edhe Vjollca Morina, shekuj më vonë, kanë parë të njëjtën skenë, atë të zvarrisjes. Një tjetër karaketristikë e artit të madh ose atij modern siç quhet, është prerja e personazheve dhe paraqitja e tyre dyfishe, ashtu siç edhe është njeriu në jetë, me vetëdijen dhe nënvetëdijen e tij, pra me taborrin e pamatë të kodeve morale që ka nxënë si anëtar i grupit shoqëror dhe si një bimëz e brishtë për shkak të pasioneve të ndrydhura e të fshehta që shoqëria në emër të kushedi sa moraleve i ka ndrydhur. Lul Mazreku vendoset në repart, Vjollca Morina në hotel. Mes tyre është komandanti i repartit dhe hija e ministrit të Brendshëm. Ankthi i vetëm, të frenohet arratisja. Lul Mazreku vjen në repart me barrën e ëndrrës së parealizuar- Ai nuk është bërë dot aktor. Vjollca Morina ka ndërdyshjen e femrës: i duhet edhe të spiunojë, por edhe të bjerë në dashuri. Hija e komandantit dhe e shtetit për të ndaluar arratisjen shfletojnë deri dhe Iliadën, këngën ku Akili zvarris Hektorin. Atëhere që aty duhet marrë edhe shembulli, por ai duhet ndërtuar dhe për këtë zgjidhet njeriu gjysmaktor, Lul Mazreku. Ai luan rolin e të vrarit dhe të arratisurit që, i mbuluar me pllanga gjaku, vendoset ne mes të sheshit që t'u kallur krupën të gjithëve. Kështu, dilema se është apo nuk është Lul Mazreku i vrari në mol, vë në lëvizje veprimin e Vjollcës, dashurinë e saj të lënë në mes. Në fakt edhe Luli kishte luajtur rolin, ashtu si ajo në hotel. Fundi me gjyqin për krime kundër njerëzimit, me dëshminë e Lul Mazrekut të ndërprerë nga vrasja. Në këtë ndërkohë lëvizin operativi i hotelit, Tonin Vorfi, gjatovina, Nik Balliu, laviret në shërbim, homoseksualët në repart dhe në fund rifillimi stinës theatrore. Lul Mazreku vdes, por jo në kufi i sharruar nga plumbat, vdes më pas në një tjetër katrahurë, në vitet e kallashnikovit. Ai luan pjesën reale të dramës së tij si aktor i dështuar, niset me synimin që të arritiset, por e detyrojnë të luajë rolin e të arratisurit të vrarë dhe atëhere kur tragjedia mbaron, ai ,si ata aktorët që pasi kanë larë fytyrën dhe pastruar nga grimi, dalin në rrugë, edhe ai aty qëllohet nga një maskë. Kjo gjetje në fund që, gjithsesi, ka lidhje edhe me teatrin, maska pra, ndoshta mund të jetë një njollë tjetër në nënvetëdijen e Kadaresë që mund të zgjohet kushdi se kur...


 

 

(marre nga Shekull)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa