Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Humoristi tregon historinë e burgut në Itali

Koço Devole: Ju rrëfej 221 ditët e mia në qeli

Dorina Topollaj & Laureta Rryçi

Che ora sono? Kjo ka qenë pyetja që ka tronditur jetën e humoristit Koço Devole. Një djalë i gjatë e ka pyetur për orën dhe vetëm pas disa ça-stesh, ka drejtuar pistoletën drejt aktorit.

Ka kujtuar se është në një kamera të fshehtë, por prangat e ftohta të karabinierit të veshur civil, e kanë bërë të mendojë ndryshe. 8 muaj më vonë, po e njëjta pyetje. Che ora sono? Si për koicidencë, një djalë i vogël, vetëm pak çaste pas lirimit, i ka risjellë në mendje humoristit momentet e arrestimit. Por tani ai kishte dalë në arrest shtëpie dhe vetëm disa muaj më vonë, është shpallur i pafajshëm. Gjithsesi, në kujtesën e aktorit kjo eksperiencë është skalitur si më e dhimbshmja. “Mund ta krahasoj me atë gozhdën që të ngulet në trup dhe megjithëse del, vrima mbetet gjithsesi”, tregon aktori, ndërsa fytyra i merr një pamje të vrarë. Koço Devole, vetëm një ditë pas kthimit në vendin tonë, rrëfen për gaztën të gjitha ditët e tij në qeli

Si ju arrestuan?
Unë isha bashkë me mikun tim, Llasko. Kishim ardhur nga Shqipëria dhe u ndalëm në një birrari, pasi do merrja në telefon djalin tim që të shkoja tek ai. Një djalë i gjatë, që më krijoi përshtypjen se ishte shqiptar, erdhi pranë dhe më pyeti “Che ora sono?”(sa është ora). E pashë njëherë dhe i thashë me të qeshur: “Ulu, ulu këtu, lëri këto”. Se ç´më tha në italisht, por mua më shkoi në mendje se mos ishte një kamera e fshehur. Më pas vijnë edhe dy civilë të tjerë dhe më drejtuan pistoletat. Unë vazhdoja të mendoja se ishte kamera e fshehur dhe madje, po më vinte për të qeshur. Rreth e rrotull disa gra po bërsisnin. Kur më vunë prangat, në moment u shtanga dhe e kuptova se nuk ishte ndonjë lojë.

Po më pas, çfarë ndodhi?
Më çuan në polici dhe atje mësova se bëhej fjalë për një sasi droge që ata pretendonin se kishin gjetur në makinë, gjë të cilën nuk e pashë kurrë me sytë e mi. Më morën shenjat e gishtërinjve, më bënë foton dhe kështu përfundova në burg.

Si i përjetuat ditët e para në qeli?
Në fillim ishte shumë e vështirë. Ndërsa më pas u mësova, pastaj edhe kushtet e burgut ishin shumë të mira dhe për mua ishte më shumë si kamp pushimi sesa burg. Me drejtoreshën e burgut shkoja shumë mirë, megjithëse ajo nuk vinte kurrë në qeli (qesh). Vërtet, me të gjithë ia kam kaluar mirë. Kisha edhe një detyrë, isha përgjegjësi i kontrollit të ushqimit të të dënuarve.

Me kë qëndruat në qeli?
Isha me një shqiptar dhe një italian, me të cilët ia kaloja shumë mirë.

Kishte shqiptarë në burgun ku ndodheshe?
Tek-tuk kishte edhe ndonjë italian. Në fakt, atje në burg e ndjeja si detyrë t´i bëja për të qeshur shqiptarët, pasi pjesa më e madhe e tyre ishin të rinj. Madje, isha kthyer edhe në një këshillues, pasi edhe mosha që kisha më impononte një gjë të tillë.

Të dërgonin letrat admiruesit e tu, miqtë..
Më vinin shumë kartolina nga dashamirës, dhe shumë letra nga të burgosurit shqiptarë në burgjet e tjera. Madje letrërshkëmbim të rregullt kam pasur edhe nga konsulli në Milano, Muçastefa. Nuk dua të lë pa përmendur edhe shumë drejtues të rëndësishëm të institucioneve shqiptare, të cilët më kanë mbështetur jo vetëm moralisht por edhe materialisht.

Sa para ju kanë dhënë?
Aq sa më kanë tepruar(qesh).

Si mësuat se do të linit qelinë?
Ishte data 23 qershor 2003 dhe një gardian më thotë të bëj gati plaçkat. Mendova se do më transferonin por pas disa minutash më thanë se isha i lirë. E gjej veten në portën e jashtme. Sipas rregullit, personat që lihen me arrest shtëpie shoqërohen deri në vendin ku do të qëndrojnë, në rastin tek im bir. Por mua më lanë tek dera dhe nuk dija ku të shkoja. Aty ishte vetëm një roje i cili luante shah me veten. Unë i thoja se çfarë duhet të bëj, ai nuk e shkëpuste vëmendjen nga shahu duke më thënë se isha i lirë. Qëndrova për rreth 1 orë aty tek dera, pa ditur se ku të shkoja. Më vonë u drejtova për tek një autobus, edhe aty prita një orë. Një djalë i vogë, më pyeti për orën Che ora sono? Menjëherë m´u rikthye në kujtesë momenti i arrestimit. Këtë pyetje e kisha degjuar kur më arrestuan dhe për koicidence këtë pyetje më bënë disa momente pas daljes. Pasi zbrita nga autobusi telefonova time shoqe. Kur i thashë se isha liruar, ajo përjetoi emocione të mëdha dhe unë u shqetësova se ra linja. Pastaj i telefonova tim biri dhe shkova tek ai.

Pas disa muajsh gjykata ju dha pafajësinë, ju a kërkuat dëmshpërblim?
Që në momentin që unë fitova pafajësinë, vendosa të kërkoj dëmshërblimin. Atje mësova gjithashtu se më takonin 150 mijë euro. Sapo mësova shumën vendosa të bëj edhe një rrugë tjetër, që të më arrestojnë dhe të bëj 8 muaj burg, të dal i pafajshëm dhe të marr edhe 150 mijë euro të tjera. Pastaj nuk do bëj më rrugë. Me 300 mijë euro mund të bëj shumë gjëra.

Batutat

* Në Burgun e Riminit në Itali ku unë qëndrova për 8 muaj kishte tek-tuk ndonjë italian.
* Me drejtoreshën e burgut kisha marrëdhënie shumë të mira, por asnjëherë nuk më erdhi në qeli.
* Do të bëj prapë edhe një rrugë për në Itali, që të bëj tetë muaj burg dhe të dal i pafajshëm.
* Krerët e Shtetit më ndihmuan materialisht. Aq shume lekë më sollën sa kam nga ato edhe sot e kësaj dite.

“Një lojë e qëllimshme”

E gjithë historia e drogës ka një pikëpyetje të madhe në fund që edhe vetë aktori nuk ka arritur t´i japë një përgjigjje. “Për një gjë jam i sigurt, se kjo ka qenë një lojë e qëllimshme”, thotë aktori, duke shtuar se deri më tani nuk e kupton se cili ka qenë qëllimi i njerëzve që kanë “gatuar” këtë strumbullar dhe se kush janë ata. “Ndoshta unë mund të kem qenë i rastësishëm në këtë ngjarje, ndoshta i rastësishëm ka qenë shoku im, të cilin e njoh si njeri shumë korrekt”, sqaron Devole, duke treguar se ka shumë kuriozitet dhe dëshirë për të ditur se përse sajuan një histori të tillë, e cila ka qenë edhe eksperienca më e keqe në jetën e tij.

E ardhmja, Top-Show, Portokalli dhe Fiks Fare

Humoristi ka shumë plane për të ardhmen. Ato që i përkasin një të ardhmeje më të më afërt, kanë të bëjnë me bashkëpunimin me tre emisionet më të ndjekura të Top Channel. “Bëhet fjalë për Top Shoë, Portokalli dhe Fiks Fare”, tregon Devole. Përveç pjesëmarrjes në këto emisione, Devole ka përfunduar edhe disa skenare telefilmash që priten të sponsorizohen për t´u vënë në ekran. Skenaret janë humoristike, por edhe tragjiko-komike. Artisti tregon përmbajtja e tyre është sociale. Ato trajtojë problemet që kanë shqiptarët që emigrojnë dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me drogën, por me shumë aspekte të jetës së përditshme. Njëri nga skenaret quhet “Varka prej letre”. “Titulli i këtij skenari simbolizon kushtet aktuale të Shqipërisë që ende nuk është e stabilizuar, por lëkundet sa në njërën anë në tjetrën dhe nuk kuptohet nëse ecën përpara apo prapa”, sqaron Devole. Ndërsa skenari tjetër ka të bëjë me emigracionin dhe ata persona që nisen me idenë për t´u kthyer në vendin e tyre, por që më pas nuk e dinë se ku do ta kenë varrin. “Arkivole fluturues”, kështu quhet skenari tragji-komik i telefilmit.

Etapat

* 20 nëntor 2002
Koço Devole arrestohet në Rimini, bashkë me Llasko Lubonjën, në një makinë ku ndodheshin 5 kilogramë heroinë.
* dhjetor 2002
Gjykata e Shkallës së Parë vendos masën e arrestit burg deri në përfundim të hetimeve të prokurorisë.
* shkurt 2003
Gjykata e Apelit vendos burg pa afat, duke e arsyetuar juridikisht se prokuroria kishte prova të mjaftueshme për implikimin e tij.
* 27 qershor 2003
Gjykata e Lartë vendos lënien në fuqi të vendimeve dhe kështu, Koçoja do të qëndrojë në qeli deri në fund të hetimit.
* prill 2004
Pas daljes në gjyq, artisti shpallet i pafajshëm. Madje, për kohën që ka vuajtur në burg, ai ka kërkuar dëmshpërblimin që i takon, sipas ligjit.

 

Panorama



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa