Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Librat
Nga Azem Qazimi

“Aleph”
Autori: Jorge Luis Borges
Përktheu: Çlirim Mukli
Shtëpia Botuese “Uegen”
Çmimi: 500 lekë
Labirinti Borges
Zeja e poetit, zeja e shkrimtarit qëndron në krye të përvojës thelbësore njerëzore. Po letërsi do të thotë dhe të shohësh ëndrra ditën për diell, do të thotë të rrosh një jetë të dyfishtë. “Letërsia, - thotë Borges-i në një ligjëratë të mbajtur në Universitetin e Kolumbias, - nuk është një truk i qartë fjalësh; me rëndësi është ç’ka mbetur pa thënë, a ç’mund të lexohet midis rreshtave”.
Borges-i kurrë nuk dyshoi se kishte ardhur në këtë botë për të ndërkallur në një faqe, në një frazë, ndonjë emocion, ndonjë bukuri që s’duhej të humbiste: “Të shkruaj një libër, një kapitull, një faqe, një paragraf, që të jetë gjithçka për të gjithë njerëzit”. Kjo është përgjigja e pyetjes që ia bënë më 1945-ën: “Cila është ambicja juaj më e madhe?”.
Po, siç thoshte Groussac-u, “të jesh i famshëm në Amerikën e Jugut, do të thotë të mbetesh i panjohur”. Vetë Borges-i pohon në një rast se pa ngulmin e dy miqve të tij, askush s’do ish kujtuar ndonjëherë për të. Sidoqoftë, botimi i përzgjedhjes së titulluar “Labirinte” në frëngjisht (Paris, 1953), i dha famë botërore. Më 1962 libri u përkthye në anglisht dhe, që prej asaj kohe e këndej, ndikimi që ushtroi Borges-i qe aq i madh sa, pa patur drojë se mos shkasim në lajthitje, mund të pohojmë se tanimë letërsia mund të ndahet në letërsi para dhe pas Borges-it.
Kryeveprat e tij në prozë, padyshim janë përmbledhjet “Fiksione” (apo “Sajime”) dhe “Alefi”. Borgesi thotë: “ ‘Fiksione’ dhe ‘Alefi’ (më 1949 dhe më 1952)… për mendimin tim janë dy librat e mi më të rëndësishëm”.
“Aleph” është emri i të parës shkronjë të alfabetit të gjuhës së shenjtë (hebraishtes), ai është Demi qiellor. Në kuptimin borgesian, “Aleph” është vendi “ku ndodhen, pa u ngatërruar me njëri-tjetrin të gjitha viset e globit, të para nga të gjitha këndet” (“El Aleph”).
Midis temave të pëlqyera që ngërthen e tërë krijimtaria e Borgesit e, sidomos përmbledhja “Aleph”, njëra prej arritjeve më të larta të letërsisë së shek. XX, mund të zëmë ngoje mitologjinë e therjeve me thika; sferën e frikshme të humnerës së Paskalit; labirintet, që janë libra (“Kopshti me shtigjet që bigëzohen”); gjenealogjinë e pagjumësisë; ikonografinë e kthimit të përjetshëm.
Tërë jeta e tij ngjan e magjepsur nga labirintet, ideja e labirintit. Ai shkroi për llojet e ndryshme të labirinteve si, fjala vjen, ai mitologjik, në të cilin rronte minotauri (“Shtëpia e Asterionit”), për shtrirjen e tyre në hapësirë dhe kohë, ose për labirintin e jetës njerëzore, e cila përpiqet më kot të nxërë labirintin tjetër, Universin: “… unë e gjej atë veçanërisht intrigues: dikush ndërton një labirint me qëllim që të humbasë në të…”- thoshte Borges-i.
Pasi i kishte “lexuar të gjitha librat”, pasi kishte përkthyer Uajldin, Zhidin, Kafkën, Folknerin dhe Virxhinia Ulfin, pasi shkoi jetën “duke deshifruar dogmat që tjerrin filozofët” (Borges- “Duke harruar një ëndërr”), pasi u shndërrua në një metaforë letrare botërore, pasi e lartësoi veten midis më mendjehollëve të shekullit, mendoi se donte të mësonte nëse ishte, në anën tjetër të vdekjes, fjalë apo dikushi. Dhe asgjë më: “Falenderojmë krimbat/ dhe harrimin” (Borges- “Prova”).
Në këtë pikë duhet të nisë zeja e përkthyesit, i cili, në rastin më të mirë, duhet ta rishkruajë librin nga e para, pra, sipas asaj metaforës së stërnjohur, ai duhet të krijojë botën sërish. Po, dihet, ky është privilegj i pak shpirtrave dhe, kam frikë, fati i Borges-it është i atillë, sa t’i duhet të bjerë në shqip përherë e gjithmonë ndër gjithë ato përkthime të pagoditura (për të përdorur këtu një shprehje të butë).

Traktat për pasionet
“Traktat për pasionet”
Autori: David Hume
Përktheu: Albana Sala
Shtëpia Botuese “Plejad”
Çmimi: 500 lekë
Dejvid Hjum, filozof, historian e eseist, njëri nga figurat më të mëdha të Natyralizmit dhe, njëherit, njëri prej shtyllave kryesore të Ilimunizmit botëror, ia detyron famën e tij qasjes krejt skeptike për një shumësi subjektesh filozofike. Ai vuri përsëpari në diskutim nocionet e identitetit personal, duke argumentuar se nuk ekziston një qenie e qëndrueshme në kohë. Mohoi shtjellimet standarde të shkakësisë, dëshmitë e njëmendësisë së mrekullive, duke mohuar kësisoj tërë doktrinat e feve të njohura (sidomos Krishtërimit), që i konsiderojnë mrekullitë si pjesë të mekanizmit të domosdoshme të ekzistencës së tyre.
Vepra më e famshme filozofike e tij është “Traktat për natyrën njerëzore”, një trilogji kjo, prej nga është shkëputur edhe “Traktat për pasionet” që ka sot në dorë lexuesi shqiptar.
Hjumi dhe kryevepra e tij “Traktat për natyrën njerëzore”, ndikuan thellësisht, jo vetëm tërë filozofinë moderne, por edhe breza të tërë intelektualësh, që prej kohës kur jetoi dhe punoi filozofi i madh e gjer në ditët tona.

Abrahami nuk ka faj
“Abrahami nuk ka faj”
Autori: Efraim Kishon
Përktheu: Afrim Koçi
Botimet “Koçi”
Çmimi: 350 lekë
Bibla dhe të tetëdhjetë librat e Efraim Kishonit, hebreut që ka çikur majat më të larta të satirës botërore, janë të shkruara në atë “gjuhë zanafille e vdekjeje”, siç do të thoshte Kishi, pra në gjuhën e shenjtë (hebraisht a jidisht), gjithë me qëllimin për të qëmtuar thellësitë e njerëzores. Po Kishon nuk është vetëm satiriku më i madh i hebraishtes, porse satiriku më i madh i të gjithë kohëve. Librat e tij shiten me tirazhe marramendëse (41 milionë kopje në 35 gjuhë). Për këtë arsye, një gazetar e pyeti dikur autorin: “Gjersa shkruani në gjuhën e Biblës, si shpjegohet që Bibla shitet në tirazhe më të mëdha se librat tuaja?
Satira e tij e mprehtë, objektive dhe inteligjente depërton kudo, nuk kursen asgjë e askënd.
Ajo që e veçon shkrimtarinë e Kishonit është mëtimi për t’u hequr shkëlqimin dukurive më të spikatura, kurse gjërave të pakëndshme t’u topisë majën, për të stisur kështu prej një ngjarjeje të rënda ose të pakëndshme një butafori, që ka si rrjedhojë një satirë që e vërshon lexuesin faqe pas faqeje.


 

(marre nga Revista Spektër)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa