Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Si u përfol në gjashtë shekuj histori ligjëbërësi i parë, princ Lekë Dukagjini. Abuzimi sot e kësaj dite me kanunin, një “gabim idelogjik” i princit, meritat e të cilit u eklipsuan nga miti i Heroit Kombëtar, Skënderbeut. Studiuesi Tonin Çobani, pas 10 vjet kërkimesh, sjell të parën monografi mbi “Princin e përfolur Lekë Dukagjini”

Njollat e murrme të Lekë Dukagjinit

Elsa Demo
Ç’ishte ky njeri që jeton sot e kësaj dite në mendjet e njerëzve, që historiografia nuk e përfill dhe që në opinionin zyrtar vazhdon të shihet si dreqi i mallkuar. Kush ishte princi Lekë Dukagjini, më i fuqishmi princ pas Skënderbeut? Ashtu si është lartuar njëri dhe përfolur tjetri, vështirë të besosh se historia e shkruar nga shek.XV, paskësh pasur mision të vërtetën. A thua, heronjtë, qenkëshin njerëzit më të pambrojtur dhe më të frustruar për një pjesë historianësh.
Jashtë lojës dhe qorrsokakëve të historisë, po të pyesësh Tonin Çobanin përse i hyri kërkimeve për monografinë “Princi i përfolur Lekë Dukagjini”, të përgjigjet se për herë të parë po takonte një princ shqiptar, si Lekë Dukagjini, që kishte bërë duel për një grua. Dhe të mendosh pastaj zërat se ç’gur e kusur heq gruaja në Kanun të Lekës. Në hierarkinë e përfoljeve që i bëhen këtij princi sot e gjashtë shekuj, Kanuni është forma më moderne e keqkuptimit, keqpërdorimit, mishërimit të fenomenve të gruas shqiptare, pikërisht në qafë të Kanunit.
Lek Dukagjini “Historiani i fillimit që kishte nisur kërkimet për një personazh antagonist të Skënderbeut, ishte Biem Tivarasi. Dhe ishte Leka, një princ i madh, kundër një princi tjetër të madh, si Skënderbeu”,- thotë Çobani qysh në krye, duke lënë të kuptojë se fati historik i Lekës, ishte i lidhur pas hijes së Heroit. Historiografia shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore, energjitë e të cilës shkuan të përpunim të kulteve dhe miteve, mbi të gjitha këto rrinte figura e Skënderbeut, ose e shmang, ose e konteston princin Dukagjin. “Historianët e kanë përfolur që në krye Lekë Dukagjinin, sepse kërkonin një personazh antagonist të Skënderbeut për të intriguar jetëshkrimin e heroit të vetëm kombëtar, që njohu Evropa në përballjen e suksesshme shqiptaro-turke”,- shkruan Çobani në monografinë e tij. “Ata nuk guxuan të gjykonin veçanërisht, Republikën e Venedikut që jo vetëm nuk u qëndroi aleate shqiptarëve por e shfrytëzoi rezistencën e tyre për interesa komercialiste.” Sipas studiuesit ajo që ndodhi në shekullin e 20-të, sidomos pas ’67-ës, ishte kontestimi i Lekë Dukagjinit, sipas ideologjisë së kohës, teksa identifikohej me Kanunin, armikun e emancipimit të njeriut të ri në Shqipërinë Komuniste. Megjithatë ai vazhdonte të ekzistonte. “Ndërsa sot, në vitet e trazicionit, kur ligji nuk vepron dot, sërish fajet i merr Leka. Ndoshta pikërisht në mungesë të një demokracie të vërtetë, universaliteti i fjalëve të urta të Lekë Dukagjinit, ka shkaktuar diskutime deri në vënien në dyshim të përmbajtjes së tyre”,- shton Çobani.
Monografia “Princi i përfolur Lekë Dukagjini” konteston disa stampime për periudhën e Skënderbeut, dhe shek.XV vazhdon të shihet vetëm Skënderbeun.
Ka rreth 170 referenca ky libër dhe disa nga burimet kryesore që i kanë shërbyer studiuesit janë Dhimitër Frangu, arkëtari i Skënderbeut, i cili jep të dhëna të sakta dhe gjithë burimet që flasin për Skënderbeun, aty është vjelë jetëshkrimi i Lekë Dukagjinit. Por ajo burimi që i ka shërbyer në veçanti Çobanit është folklori sllav, i Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinës. Heroi i tyre Krajleviç Marku ka kundërshtar Lekë Dukagjinin.
Studiuesit nuk i janë afruar deri tani këtij princi, që as vdekja nuk dihet nga i erdhi, dhe as varri nuk i gjendet, përfshi edhe këtu edhe vetë Shtjefën Gjeçovin që veç kodifikimit të Kanunit të shkruar nuk la asnjë të dhënë apo jetëshkrim për princin. Tonin Çobani definon në këtë libër se Lekë Dukagjini përfaqëson kulturën iluministe në Shqipëri. Kishte studiuar në shkollën shqiptare të Venecias. Megjithatë studiuesi nuk pretendon të thotë më shumë hollësira për shkollimin e brezit të Lekë Dukagjinit në Venecia, Firence apo Milano. “Por jemi të sigurtë se kultura e tij ishte e nivelit bashkëkohor me kuptimin e atëhershëm të fjalës. Aq më tepër kur dimë se në dhjetëvjeçarin e tretë e të katërt të shek.XV kur mendohet se princ Leka brumosej me kulturë humaniste në një qytet si Venecia, ku prezatohej një nga kulmet e Rilindjes Italiane, bijtë e familjeve fisnike shqiptare, që jetonin apo studionin atje përbënin rrethe të njohura kulturore dhe kishin statuset e shkollave të tyre. Bëmat e Lekës dhe vepra që ai na ka lënë e vërtetojnë më së miri këtë.”
Në këtë kuptim tërë kultura shqiptare paraosmane merrte frymë në ajrin iluminist të Rilindjes Evropiane. Kështu Lekë Dukagjini bënte pjesë në grupin e atyre shqiptarëve që e përfaqësonin atë si Pal Engjëlli peshkopi i Drishtit e më vonë kryepeshkop i Durrësit, si Dhimitër Frëngu arkëtari i Skënderbeut, Marin Barleti, Marin Beçikemi etj
Nëse do të përpiqeshim të krijonim një hierarki të përfoljeve të këtij princi që rridhte nga principata më e fuqishme e kohës ajo e Dukagjinëve, të cilën e gjejmë të përmendet në analet historike qysh në shekullin 7, studiuesi Çobani përmend disa syresh. Faktin që princi ishte kundërshtari i vetëm i venecianëve të cilët kishin zotërimet e tyre në Shqipëri; fakti që ligjet e tij iu kundërviheshin administratës turke, apo më vonë duke u afruar në kohë dhe në konflikte të tjera interesash, edhe pas vdekjes së tij, do të ishin sllavët që do ta përflisnin me idenë se shqiptarët s’kanë ligje.
Përflitet gjithashtu për komplotin në Krrabë kundër Skënderbeut, i cili më vonë është vërtetuar që komplotisti nuk ishte ai. Ishte shpesh në krah të Skënderbuet, duke ditur që Pal Dukagjini ishte një nga princat e bindur që iu gjend heroit në Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës. Përflitet gjithashtu për lidhjet me turqit, ndërsa Skënderbeu kishte arritur pajtimin me Venedikun. Ndërsa janë të parët venecianët ata përflasin ligjëbërjen e princ Lekës, pas vdekjes së tij në vitin 1481. Dhe si për të mbyllur historinë e kundërvënieve kthehemi tek përfolja për vrasjen e Lekë Zaharisë, princit të Danjës, (Vau i Dejës), burri me të cilin doli në duel për princeshë Jerinën. Studiuesi Çobani, ka shfrytëzuar burimet historike të Fan S.Nolit. Hamendja për këtë vrasje sipas gojëdhënës, merr shkas nga ia duel. Thuhej se Leka do të merrte hak ndaj Zaharisë. Në të vërtetë këta dy princër përfaqësonin kultura dhe interesa të ndryshme. Ndërsa Noli kur tregon se Jerina “hodhi votën” për Zaharinë, shkruan: “Po ku të lë Lekë Dukagjini të mbarohet puna me votë sa kohë kishte kordhën në dorë.” Princi ishte 35 vjeç. Ky duel, që ndodhi në dasmën e Mamicës, motrës së Skënderbeut, ishte quajtur ndryshe “beteja homerike e Muzakinës”, e cila përfundoi me përleshjen e eskortave të dy princërve. Leka u martua me Teodora Muzakën, motrën e Gjon Muzakës. Sipas dëshmive që vijnë nga ky i fundit, çifti nuk u nda deri në fund të jetës dhe nuk patën kurrë fëmijë.
Mbetet ende shumë për të bërë për të zbardhur të tjera marrëdhënie të panjohura me historinë, për këtë princ. Sikur të mund të vinte dita kur të kishte në dorë dokumente nga arkivat Venecias, Raguzës, Vatikanit, Tonin Çoabni thotë se pjesën tjetër të jetës do t’ia kushtonte princit të përfolur.

Kush ishte princ Leka
Lekë Dukagjini lindi në vitin 1410 në Ulpiana. Princërit e dinastisë së Dukagjinëve kanë sunduar në principatën me të njëjtën emër ose gjysmën e saj që shtrihej deri në pjesën verilindore të Shqipërisë deri në hapësirat e sotme të Rrafshit të Dukagjinit e më tej. Diku në jug të prishtinës është qytetit i Ulpianës, aty ku mendohet të ketë lindur dhe të ketë kaluar rininë e vet princ Leka, jetëgjatësia e këtij qyteti nuk mbushi asnjë shekull kështu që edhe në përshkrimet e historianëve përfytyrohej një qytet arbëror përrallor.
Duke ditur se babai i Lekës, Pal Dukagjini ishte një katolik i mirë që nuk u konvertua asnjëherë në fetë e fqinjëve apo të turqve, Leka duhet të ketë marrë mësime dhe kulturë nga priftërinjtë e Ulpianës, ashtu siç ishte tradita në atë kohë. Por nuk duhet përjashtuar mundësia edhe e ndonjë shkollimi në qytetet universitare të gadishullit të Apenineve veçanërisht në Republikën e Venedikut, lidhjet me të cilën prinicipata e Dukagjinëve i kishte të kahershme, apo në Raguzë ku kishte studiuar edhe miku i tij Pal Engjëlli.
Për 40 vjet Lekë Dukagjini krijoi një qytet të lulëzuar, Ulpianën në mesin e shek. XV. Ndoshta në këtë urtësi dhe drejtësi të trashëguar që e kosolidon më tej Leka duhen kërkuar burimet e Kanunit.

Kanuni
Nga libri III “Martesa”
Gruja e vejë flet vetë.
Grueja e vejë i kthen kryshqit m’udhe.
Sheji, mje ke të hjekshin dore ta bam nieriun t’andin.
Krushku-krushk, Miku-mik.
Grueja s’bjen në gjak.
Grueja e ngarkueme (shtatzënë), si maza e tamblit (qumështit).

Shekulli

 

 




ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa