Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

 

 

Ndahet nga jeta kompozitori i madh Kujtim Laro


Shuhet mjeshtri i muzikës së filmave

a.p.

Dje iku përgjithmonë. Mjeshtri i muzikës filmike, artisti i merituar, kompozitori Kujtim Laro, është ndarë nga jeta pas një sëmundjeje të gjatë e të pashërueshme.

Lajmin e bëri të ditur dje, familja e tij në Tiranë, të cilët thanë se Laro kishte muaj që vuante shumë, dhe kishte zënë shtratin prej ditësh. Shëndeti i tij erdhi duke u rënduar, sidomos dy - tre muajt e fundit, pas vdekjes së gruas së tij.

Kishte kohë që ai nuk mund të angazhohej më në jetën artistike, ndërsa nuk ishte më shumë se 58 vjeç. Ndërsa krijimi i tij i fundit, një muzikë për t’u mbajtur mend, ishte ajo në filmin “Lule të kuqe, lule të zeza”, shfaqur premierë para pak muajsh në Tiranë.

Kush është?
Kujtim Laro u lind në 8 maj 1947 në Vlorë. Pas mbarimit të shkollës 7- vjeçare në Vlorë, fillon liceun artistik “Jordan Misja” në degën kontrabas, teori muzike. Në vitin 1965 – ‘70 vazhdon studimet në ILA, dhe pas mbarimit të tij punon si redaktor muzike në RTV, nga 1970 – ‘75. Prej 1975 deri më ‘92 është udhëheqës artistik i Ansamblit të Ushtrisë. Nga 1992 – ‘95 udhëheqës artistik pranë QKU. Në 1995 – ‘97-ën kompozitor pranë kësaj Qendre dhe së fundmi udhëheqës artistik pranë kësaj trupe. Gjithashtu, Laro ka qenë edhe pedagog i jashtëm i Akademisë së Arteve.

Kompozitor i të gjitha gjinive
Krijimtaria e Kujtim Laros është konsideruar e gjithanshme dhe e gjerë. Është nga kompozitorët që pothuajse ka krijuar në të gjitha gjinitë. Krijimtaria e tij fillon që në vitet e konservatorit e vazhdon deri në muajt e fundit para se të sëmurej rëndë.

Ai është nga kompozitorët më prodhimtarë, veprat e të cilit sot luhen vazhdimisht nga orkestrat simfonike të të gjithë Shqipërisë e nga instrumentistë të mëdhenj. Krijimtaria e Kujtim Laros është e mbështetur kryesisht mbi motivet e Jugut, por ajo ka përfshirë edhe ato të Veriut. Tema historike, lufta për liri e pavarësi kombëtare ka qenë tema më e preferuar e Kujtim Laros. Aty ndihen gjerësisht nota epike, heroike, e lirike. Por edhe tema shoqërore, e dashuria kanë një vend të konsiderueshëm në krijimtarinë e tij. Për Kujtim Laron ekzistonin vetëm dy lloje muzike: muzikë e bukur dhe jo e bukur. E gjithë vepra e tij është e regjistruar nga RTV-ja dhe transmetohet shpesh. Por ajo që gjithkush do të kujtonte prej tij, janë tingujt e mrekullueshëm të filmave shqiptarë. Laro është një nga kompozitorët që ka kontribuar më shumë në zhvillimin e kinematografisë shqiptare duke kompozuar muzikën e rreth 28 filmave artistikë, ku spikasin: “I teti në bronx”, “Në fillim të verës”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Udha e shkronjave”, “Liri a vdekje”, “Nëntori i dytë”, “Militanti”, “Vendimi”, “Yjet e netëve të gjata”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Partizani i vogël Velo”, “Fletë të bardha” etj.

Filmat me muzikën e Laros

Janë gjithsej 28 filma me muzikë të kompozuar nga Kujtim Laro. Gjithashtu, ai ka kompozuar muzikë edhe për drama e komedi si: “Lidhur si fishek gjerdani”, “Prefekti” etj., ndërsa filmat kryesorë janë:

“I teti në bronx”
“Yjet e netëve të gjata"
“Operacioni zjarri”
“Shtigje lufte”
“Në fillim të verës”
“Rrugicat që kërkonin diell”
“Lulëkuqet mbi mure”
“Gunat përmbi tela”
“Nusja dhe shtetrrethimi”
“Liri a vdekje”
“Partizani i vogël Velo”
“Udha e shkronjave”
“Në prag të lirisë”
“Nëntori i dytë”
“Fletë të bardha”
“Lule të kuqe, lule të zeza”

Udhëtim nëpër festivale

Kompozitori i njohur ka marrë pjesë që nga nga festivali i 9-të i këngës në RTV e deri vitin e kaluar. Ndërsa në këngët e tij më të arrira mund të shënohet “Gjurmë të arta”, me të cilën Vaçe Zela mori çmimin e parë. Më tej po çmim të parë, kënga e tij, “Buka e duarve tona”, i dha edhe Alida Hiskut. Këngë të tjera të njohura janë “Qershiza”, “Dashuria”, “Zhgënjimi”, “Vjen një çast” etj. Është vlerësuar në festivale edhe me shumë çmime të dyta e të treta. Gjithashtu, ka kompozuar vepra të mëdha vokale si: “Balladë për Selam Musain”, “Balladë për Ismail Qemalin”, vepra koreografike etj

 



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa