Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Enciklopedia e shumëpritur për Gjergj Kastriotit


Vepra e Prof. Dr. Kristo Frashërit kushtuar jetës dhe veprës së Skënderbeut, që opinioni ynë shkencor dhe ai popullor e ka pritur prej kohësh nga historiografia e sotme shqiptare dhe që u botua kohët e fundit, përbën një ngjarje të rëndësishme në jetën kulturore të vendit.

Përgatitja e një vepre si kjo, kushtuar një figure si Skënderbeu, për të cilin janë publikuar më shumë se 10'000 punime të gjinive nga më të ndryshmet të krijimtarisë së mendjes njërëzore, mund të arrihej vetëm pas një pune shumëvjeçare. Sikurse shkruan vetë autori, vepra e tij nuk lindi në një truall të virgjër, por në një terren të pasur të historiografisë skënderbegiane, që e ka bërë edhe më të vështirë e më me përgjegjësi hartimin e saj. E mbështetur në arritjet e kësaj historiografie dhe për më tepër, e hartuar mbi një bazë më të gjerë dokumentare, të grumbulluar nga autori e studiues të tjerë gjatë disa dhjetëra vjetëve, kjo vepër, nga informacioni i pasur që sjell, nga interpretimet, argumentimentet shkencore dhe përfundimet që përmban, ngrihet mbi punimet e botuara deri më sot për Skënderbeun në vendin tonë e në botën e jashtme.

Analiza e kujdesshme e përmbajtjes së saj të çon në përfundimin se autori i ka dhënë shkencës shqiptare një vepër të mbështetur jo aq mbi punimet e humanisëve, të Barletit e Biemmit, siç kanë vepruar, përgjithësisht, shumica e autorëve pararendës, por kryesisht mbi dokumentet historike, të botuara e
të pabotuara. Kristo Frashëri ka kapërcyer si panegjerizmin e romantizmin, që kanë karakterizuar historiografinë humaniste të shek.XV-XVI, pasaktësitë e saj jo të rralla në kronologjinë e ngjarjeve, ashtu edhe kufizimet, kornizat e historiografisë shqiptare të 50 vjetëve të fundit, që e kanë bërë këtë ta trajtojë Skënderbeun vetëm si udhëheqës të luftës çlirimtare të popullit shqiptar.

Në monografi bëhet një trajtim i gjithanshëm i personalitetit të Gjergj Kastriotit, si udhëheqës ushtarak e politik, si strateg e luftëtar i madh, si burrë shteti i talentuar e me një vizion të gjerë për kohën e për të
ardhmen e Shqipërisë, si themelues i Shtetit të bashkuar, të përqëndruar kombëtar, si ligjvënës e diplomat.

Kristo Frashëri paraqitet në këtë punim jo vetëm si historian e studiues i epokës së Skënderbeut, por edhe si biograf i tij. Me interes janë përfundimet e tij për origjinën e Kastriotëve, një problem aq i rrahur dhe i
diskutueshëm në historiografinë skënderbegiane. Ai e vendos origjinën e Kastriotëve në fshatin Sinë të bashkësisë krahinore të Qidhnës, në Dibrën e Poshtme, brenda së cilës ndodhet edhe fshati Kastriot. Për të arritur në këtë përfundim autori, pasi bënë një analizë të hollësishme të të gjitha mendimeve të shfaqura në historiografi për origjinën e Kastriotëve, duke filluar nga legjendat e deri te pikëpamjet e studiuesve të tillë të Kastriotëve si Athanas Gegaj, F. Noli e A. Buda, mbështetet në tre burime të rëndësishme, të cilat vështirë të vihen në dyshim: te Gjon Muzaka (Memoranda e tij), te humanisti italian Rafael Volanterano, bashkëkohës i Skënderbeut (e quan Gjon Kastrioti ose Gjon Dibrani) dhe te Barleti (që flet për viset e Dibrës ose viset e Skënderbeut).

Prof. Dr. Kristo Frashëri, pas një pune qëmtuese mbi të dhënat bibliografike e mbi ato të kronistëve osmanë, u jep fund në veprën e tij, dilemave e pikëpamjeve të ndryshme për rininë e Skënderbeut, ka nxjerrë përfundimin se Skënderbeu ka qënë dorëzuar peng nga i ati në oborrin e sulltanit në vitin 1423 në moshën 18-vjeçare. Zgjidhja, që i ka bërë autori kësaj çështjeje, jep në një farë shkalle edhe një nga çelsat që shpjegojnë ruajtjen te Skënderbeu të ndjenjave të atdhedashurinë së zjarrtë, përkushtimin e tij të ardhshëm ndaj luftës çlirimtare të popullit shqiptar.

Në vepër sillen të dhëna për lidhjet e Skënderbeut me Shqipërinë në pragun e Kryengritjes të vitit 1443, që janë me interes, jo vetëm për figurën e tij, por edhe për historinë tonë kombëtare në përgjithësi.

I mbështetur në dokumentacionin osman (të publikuar nga studiuesi i mirënjohur turk, Profesor Halil Inalçik), autori nxjerr dy përfundime të rëndësishme për gjëndjen e trevave shqiptare në ato vite: së pari provon se në vitet 30-40 të shek.XV gjëndja në trevat shqiptare ishte e acaruar dhe mjaft e përshtatshme për shpërthimin e një kryengritjeje dhe së dyti, tregon se Skënderbeu disa vite para kryengritjes, kishte vendosur lidhje të shpeshta me Shqipërinë, se ai në vitet 1435-1437 duhet të ketë qënë spahi në tokat shqiptare (në Dibër), se në vitin 1438 ai u caktua subash i Krujës, ndërsa më 1443, në pragun e Kryengritjes shqiptare e të Betejës së Nishit midis turqëve e Huniadit, Skënderbeu, sipas Prof. Kristo
Frashërit, duhet të ketë qënë përsëri në Shqipëri e pikërisht qeveritar në Dibër. Autori arrin në përfundimin se kthesa e madhe, që ndodhi në Shqipëri në vitin 1443 me kryengritjen e Skënderbeut nuk nxorri në mënyrë të befasishme Skënderbeun në skenën historike, se ai u përgatit gjatë disa vjetëve për kthesën e vitit 1443, se për këtë qëllim forcoi lidhjet me popullsinë e vendit pa lënë pas dore edhe ato me botën e jashtme.

Ashtu siç pritej, vendin kryesor në këtë vepër e zë personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, si udhëheqëspolitik (kryezot) i Shqipërisë dhe drejtues e organizator i lëvizjes çlirimtare të shqiptarëve, si komandant e strateg ushtarak, si diplomat e njohës i gjëndjes ndërkombëtare në Gadishullin Ballkanik e në Evropë dhe i pozitës së Shqipërisë në atë konstelacion forcash. Talentin e tij si burrë shteti, me një vizion të gjerë për misionin historik, që kishte marrë përsipër të përmbushte dhe për rrugët, që duhej të ndiqte për realizimin e tij, për bashkimin e të gjitha forcave politike e shoqërore shqiptare në luftën çlirimtare, Skënderbeu e shfaqi sidomos me organizimin e Kuvendit të Lezhës dhe me themelimin e Lidhjes së Lezhës, menjëherë pas shpalljes së kryengritjes, në mars të vitit 1444, të cilën autori e vlerëson si rifillim të procesit të ndërprerë nga invazioni osman, të bashkimit politik të sundimtarëve shqiptarë dhe të
zotërimeve të tyre në një shtet të përqendruar e të bashkuar kombëtar.

Procesin e themelimit të shtetit shqiptar, të cilin e vlerëson si veprën më të madhe historike të Skënderbeut, autori e trajton me objektivitet dhe pa apologji e panegjerizëm, si një proces gradual e të gjatë, që vazhdoi të konsolidohet gjatë 25 vjetëve të udhëheqjes skënderbegiane të lëvizjes çlirimtare shqiptare. Ndërsa pushtimi i Shqipërisë nga osmanët, pas vdekjes së Skënderbeut, cilësohet nga autori si një goditje për shqiptarët, sepse ndërpreu procesin më të rëndësishëm të historisë mesjetare të një populli, formimin e shtetit kombëtar pikërisht në pragun e realizimit të tij. Ky pushtim, thekson ai, u kushtoi shqiptarëve nga pikëpamja e zhvillimit historik, një vonesë pesëshekullore për të themeluar shtetin e tyre të pavarur.

Me interes të veçantë është edhe përfundimi që autori sjell për përmasat evropiane të veprës së Skënderbeut, për kthimin e Shqipërisë në një gardh, që pengoi për një çerek shekulli kalimin e ushtrisë osmane në Gadishullin Italik e më tej, duke mbrojtur qytetërimin evropian perëndimor. Të dhëna me
interes sillen për flamurin e Skënderbeut, duke e përshkruar atë hollësisht e duke provuar se ai është në themel flamuri i ynë i sotëm kombëtar. Po kështu përshkruhen stemat e Skënderbeut, portretet e tij, duke përfshirë edhe një portret origjinal të kohës së tij, atë të italianit Xh.Belini (G. Bellini,1466), që ka ardhur deri në ditët tona, karakterizohet Skënderbeu si njeri etj. Me vlerë janë edhe të dhënat e hollësishme historike për qytetin e Krujës si një qëndër e banuar iliro-shqiptare nga lashtësia (mijëvjeçari i parë) e
deri në periudhën kur bëhet kryeqytet i Skënderbeut. Nga kjo pikëpamje monografia, duke qënë një vepër e mirëfilltë shkencore, mund të konsiderohet edhe një enciklopedi për Skënderbeun.



Gazeta Zëri i Popullit, 22 Qershor 2003


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa