Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
Së bashku me regjisorin Pali Kuke kanë ndërtuar spektaklin që do të shënojë rikthimin e tij në ekranin televiziv. E kanë titulluar "Ethet e së premtes mbrëma & Krasta -Shoë" ciklin që që për 19 javë do të trasmetohet në Televizionin Shqiptar, në Telesport dhe në TV 21 në Kosovë. Pas kësaj çifit Kuke-Krasta kanë një tjetër plan ende të papërcaktuar qartë…Festivalin e 41-të të Këngës në Radio-Televizion ku Kuke është regjisor dhe Krasta ndoshta prezantuesi i tij.

Krasta…me ethet e një spektakli

Zefina Hasani
Kishte thënë, në ditët e para të rikthimit të tij në Tiranë…se do të shfaqej gradualisht në ekranin televiziv. Vendosi kështu, jo për t'iu shmangur frikës së harrimit por për të ruajtur figurën e tij, mbi të gjitha. Kur pranoi të punonte si drejtor artistik i Telesportit, nisi të kapërcente të parat faza të këtij lloj rikthimi në botën televizive. Nisi, ndërkaq, të shfaqej në emisionet e të tjerëve (si i ftuar i tyre). Ndërsa tani ndihet i gatshëm për të marrë vetë në duar një spektakël televiziv. Për t'u shfaqur i tëri në ekran, ashtu siç ka qenë një herë e një kohë (kur ende nuk kishte ikur drejt Londrës për të punuar në BBC). Kështuqë prej ditësh e ditësh të tëra, Adi Krasta së bashku me regjisorin Pali Kuke, ngritën pak e nga pak themelet e një spektakli, të cilin së shpejti (ndoshta këtë javë) do ta shfaqin në tre ekrane televizive…në Telesport, në Televizionin Shqiptar dhe në TV 21 në Kosovë. "Ethet e së premtes mbrëma & Krasta Shoë" e kanë titulluar këtë spektakël i cili do të vijojë për 19 javë në syrin e spektatorit. E ndërsa Pali Kuke ruan si gjithmonë qetësinë e tij, Adi Krasta nuk mundet ta fshehë entuziazmin që e ka pushtuar që në ditën e parë të nisjes së kësaj pune. E gjithë kjo shënon rikthimin i tij në botën e munguar të spektaklit televiziv, ndaj dhe emocioni është krejt ndryshe nga ai i regjisorit i cili nuk ka pasur asnjë ndarje kohore me spektaklin.
* * *
"Ethet e së premtes mbrëma & Krasta Shoë" do të jetë një cikël i tërë që do të realizohet nga bashkëpunimi i tre televizioneve (Telesport, RTSH ,TV 21 në Kosovë) dhe Teatrit të Operas dhe Baletit.
Krasta shpjegon se i gjithë ky cikël që ata po ndërtojnë është i ngjashëm -me serialin televiziv "Pop Idol" që u transmetua vitin e shkuar edhe në Britani me një sukses të madh. Boshti i këtij spektakli janë talentet e reja. Kemi si synim që të bashkojmë të gjithë ata të rinj që në një kohë prej 19 javësh do të transformohen nga të panjohur në artistë të kompletuar." Kërkimi për këta të rinj ka nisur prej kohësh në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Një grup pune është ngritur enkas për këtë gjetje. Pas tyre shkon dhe vetë Krasta- "Nuk mundem të rri e të pres. Nuk është aspak puna ime për të përzgjedhur këta të rinj por kam një dëshirë të jashtëzakonshme për të parë gjithçka e për të prekur gjithçka vetë me duart e mia". Tregon se nuk është aspak e lehtë "gërmimi" në këto qytete, aq më pak lëvizja me një trupë të tërë televizive. "Kemi kërkuar në të gjitha klasat e gjimnazeve e universiteteve që ndodhen në qytete të ndryshme. Një komision ekspertësh do të merret me përzgjedhjen e tyre në formë kapilare për t'i çuar më pas më të mirët në Tiranë ku do të "ndihmohen" prej një shpure të specializuar skenaristësh, koreografësh, stilistësh e aranzhuesish muzikorë. Ky penel përzgjedhës do të jetë dhe elementi kyç në këtë spektakël. Ky komision përbëhet nga Alfred Kaçinari, Zhani Ciko, Shpëtim Saraçi, Zerina Kuke dhe Kristi. Të ndryshëm nga njëri tjetri ata do të sjellin një pamje krejt të re të një jurie nga e cila priten reagime dhe vlerësime të pa shfaqura ndonjëherë më parë përballë konkurruesve dhe publikut.",-sqaron Krasta, duke shtuar se destinacioni ku do të mblidhen më të mirët, do të jetë skena e Teatrit të Operas dhe Baletit. Rrëfimi i tij zaptohet nga entuziazmi ndërsa pohon se- "Ç'është e vërteta, gjithnjë e kam menduar kthimin tim në Televizionin Shqiptar. Dhe ja ku po realizohet kjo dëshirë e imja e heshtur për kaq kohë. Veç kësaj, më gëzon dhe fakti se do të dal edhe në ekranin e Telesport-it njëherazi ". Ndërsa edhe ekrani i televizioni 21 në Kosovë do ta transmetojë këtë program në satelit për shikuesit në SHBA dhe Kanada.
* * *
Për Krastën ky- "Është një cikël tejet impenjativ i cili ka në qendër jo vetëm mënyrën e të kënduarit, e cila gjithsesi është interesante, por edhe shprehjen e personalitetit, prirjet karakteriale, marrëdhënien me publikun, fokusin e përgjithshëm, pamjen, vetëpërmbajtjen, batutën". U është dashur shumë kohë të ngrenë në këmbë skeletin e gjithë këtij spektakli. Herë- herë, Krasta e ka ndier rrezikun e ndonjë shprishjeje…por nuk ndodhi ashtu. Tashmë regjisori Pali Kuke i ka përcaktuar të qarta linjat kryesore regjisoriale, si gjithmonë duke u tërhequr drejt marrëdhënies njerëzore (elemente televizive që ai e parapëlqen)-Krasta ishte i bindur se nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Ato çaste hezitimi që ka ndier brenda vetes, gjatë ditëve të gjata të punës, kanë qenë të pakta, shumë të pakta-"Kam punuar dhe më parë me Pali Kuken. Ishte viti 1996 kur ai konceptoi një spektakël ku për herë të parë Gjebrea dhe Krasta kënduan së bashku në televizion. Kështuqë e di mirë se si i ndërton ai spektaklet dhe ndihesha i sigurt krah tij në këtë sipërmarrje." Kujton më pas se për një vit me radhë ka drejtuar spektaklin - lojë "Telebingo"…po sipas ideve regjisoriale të Pali Kukes-"Pra janë lidhje të vjetra me Palin. Si bazë për këtë afrim professional ka shërbyer miqësia e gjatë dhe e ngushtë e imja me bashkëshorten e njohur të regjisorit Kuke, prezentatoren e mirënjohur Zerina Kuke." Kjo treshja, rinisi bashkëpunimin pas kthimit të Krastës në Tiranë me ciklin prej 25 pjesësh "Globi sa një top futbolli" që u transmetua gjatë kampionatit botëror të futbollit në Telesport.
* * *
Ky është vetëm fillimi. Kuke dhe Krasta sapo e kanë rinisur punën e tyre të përbashkët. Kështuqë me "Ethet e së premtes mbrëma & Krasta Shoë" do të shënojnë jo vetëm rikthimin e Krastës në ekran por dhe të vazhdimësisë së bashkëpunimit të tyre. Nuk do të jetë aspak çudi nëse në festivalin e muzikës së lehtë shqiptare, në të cilin Kuke do të jetë regjisor, të shfaqet në atë skenë edhe Adi Krasta, si prezantuesi i vetëm i netëve të këtij festivali. Fjalët janë pëshpëritur nëpër korridoret e Televizionit shqiptar, ndërsa vetë Krasta nuk dëshiron të shpjegohet. Ka në mendje tani për tani, hapjen e spektaklit të madh, të cilit jo pa qëllim i ka vënë emrin e tij (asnjëherë më parë nuk ka ndodhur kështu, që një spektakël të marrë emrin e atij që e drejton). Nën atë emërtim, rikthimi në ekran do t'i duket edhe më i bujshëm. Pse jo, përderisa spektaklit i ka munguar vërtet një emër i tillë. Ndoshta ky emër do të rikthehet jo vetëm në këtë spektakël por edhe në netët e Festivalit të 41-të të Këngës në Radio-Televizion.

Kush janë më të mirët

Dy kampet e kundërta në fushën e spektaklit

Ata e njohin shumë mirë njëri- tjetrin. Adi Krasta ka punuar tre vjet me radhë me Vera Grabockën, atëherë kur Ardit Gjebrea kishte ikur nga ky vend (ishte në itali). Grabocka i nisi me Krastën të parat spektakle të saj në vitin 1992… "12 Vallëzime pa një të shtunë", "Rreth fatit për 12 javë", "12 në Hollivud", në të cilat Krasta ka prezantuar herë me Valbona Selimllarin e herë me Ema Troplinin. Pastaj lidhjet mes tyre u shkëputën. Për tre vite të tjera Krasta punoi me regjisorin tjetër, Pali Kuken…derisa vendosi të ikte për ca kohë nga Tirana (shkoi të Londër për të punuar në BBC). E ndërsa Krasta iku, Ardit Gjebrea kthehet nga mërgimi i tij në Itali. Dhe merr menjëherë në duar botën e spektaklit. Krah Pali Kukes e nisi këtë përpjekje derisa ia mori mirë dorën prezantimit të një spektakli (me Telebingon Kombëtare). Bashkë me Pali Kuken realizoi dhe festivalin e tij "Kënga magjike". Ndërkohë kthehet nga Amerika edhe regjisorja Vera Grabocka. Pas kësaj, Gjerbrea do t'i largohej Kukes, për të nisur më tej punën e tij me Grabockën. Ndodhi, çuditërisht që në këto kohë Adi Krasta rikthehet në Shqipëri. Një dyshe tjetër u krijua…Kuke-Krasta. Lidhjet u ngatërruan. Ai që në fillim kishte bashkëpunuar me Grabockën u lidh në fund me Kuken, ndërsa ai që në fillim kishte punuar me Kuken, u lidh në fund me Grabockën.
Ata që e njohin shumë mirë shoku-shokun, tani janë pashmangshmërisht përballë njëri -tjetrit. Gjebrea -Grabocka dhe Kuke-Krasta kanë në duar projektet e tyre të mëdha, të cilat me sa duket, do të realizohen në të njëjtën kohë përpara syrit të spektatorit. Të parët (pra Grabocka-Gjebrea) po përgatiten për festivalin "Kënga Magjike", të dytët (pra Kuke-Krasta) po punojnë për Festivalin e madh të fundvitit. Të parët po punojnë për një shfaqje të sopranos Inva Mula, të dytët do të dalin në transmetim me spektaklin "Ethet…" Lufta mes tyre ndihet, edhe pse nuk duket e hapur.

 


Marrë nga Gazeta shekulli



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa