Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Kënga mjekon plagët e mallit për atdheun e munguar


"Sounds of Splendor", nata magjike e këngës shqiptare

Nga Dalip Greca

Eli Fara, Aurela Gaçe, Remi duke kënduar sëbashku me Inva Mulën, Ardit Gjebrean dhe Pirro Çakon
Eli Fara, Aurela Gaçe, Remi duke kënduar sëbashku me Inva Mulën, Ardit Gjebrean dhe Pirro Çakon

Emrat e njohur të muzikës shqiptare mezi ishin pritur jo vetëm nga shqiptarët që jetojnë në New York e New Jersey, por edhe nga ata të shteteve të tjera. Në sallë do të gjeje edhe nga Detroiti, Bostoni,
Virginia, Philadelphia, madje dhe nga Chicago. Dhe askush nga ata që ishin në sallë, nuk u pendua.
Për më shumë se dy orë e gjysëm, salla (publiku) dhe skena (këngëtarët) u bënë njësh, të bashkuar emocionalisht.

Ndërsa prezantuesja Debra Rath, ka filluar paraqitjen, salla e mbushur cep më cep, buçet nga thirrjet dhe brohoritjet për Inva Mulën, divën e muzikës, shumë të njohurën e skenave e botërore.
Dalja e Invës në skenë e ngriti ne këmbë sallën. Ndërsa spektatorët që ishin në ballkon të ngritur në
këmbë, dukej sikur kërkonin që të zvoglonin largësinë mes skenës dhe vendndodhjes së tyre. Me duart e
ngritura lart, ata brohorisnin sopranon me begraund botëror, e cila jo shumë kohë të shkuara, por në mesin e dhjetorit të vitit 2002, pat korrur duartrokitjet e spektatorit të përzgjedhur londinez, madje jo vetëm në një koncert, por në tre radhazi. Shtypi britanik e pat vlerësuar të suksesshëm rolin e Violetës në
operan"La Traviata" të luajtur në Teatrin Mbretëror të Operas në Londër (Royal Opera House).
Inva, ashtu florishente, del përballë spektatorit, dhe zëri i saj brilant ka përcjellë "Diva Dance"…
Salla dukej se do ta kishte të vështirë nga shtërngata e duartrokitjeve këtë natë magjike, ku mrekullia e ka emrin"Inva". Artistja jonë e mrekullueshme, edhe pse është zotëruese e emocioneve, edhe pse ka kënduar përkrah tenorit të famshëm, Placido Domingo, e ka ca të vështirë sonte përballë bashkatdhetarëve të vet.
Ajo e ndjen se për të ngritur urën e komunikimit sallë-skenë, duhet t’u thotë diçka bashkeatdhetarëve mërgimtarë. Dhe flet thjeshtë, jo si personazh i skenave botërore të Parisit, Londrës, Milanos, Chicagos, por si shqiptare, si ne që jemi ulur aty në sallë.
- Të jeshë këtu në New York, dhe të keshë përballë dhe rreth vetes artdashësit shqiptarë, është kënaqësi e veçantë. Do të dua që kjo natë të jetë e jashtëzakonshme, të jetë një festë… Dëshiroj t’ju kënaq me fuqinë e këngës… Dhe që gjithçka të jetë e tillë, nuk do të doja kufij mes sallës dhe skenës…Fjalët mezi formojnë fjali nga emocionet dhe duartokitjet, nga thirrjet që pushtojnë sallën.
Pikërisht nën furinë e brohoritjeve, ajo fton në skenë shokun e vet të fëmijërisë, bashkshortin, Pirro Çako.
Dhe nga ky moment, kënga shqipe do të merrte në krahët e saj, si një shqiponjë e stërmadhe tërë sallën, që këtë natë flet dhe ndjen shqip. Do të ishte kënga"Mall" e ndërtuar mbi tekstin e shkrimtarit tonë të njohur, Ismail Kadare, një ndër krijimet e para të kompozitorit Pirro Çako, që do ta fuste sallën në një qetësi topitëse e ëndërrimtare.
Invës do t’i duhej më pas që të prezantonte për të kënduar solo, bashkëshortin e saj Pirro Çako, i cili para se të niste këngën ndjenë domosdoshmërinë e komunikimit shqip me spektatorin: Fjalët janë të thjeshta, emocionet drithëruese:
- Ishte ëndërra im që të jepja diçka nga vetja për mërgimtarët shqiptarë në New York. Ja sonte jemi bashkë. Megjithëse salla është zhytur në errësirë, fizikisht nuk ju shoh, por me zemër e ndjej se aty janë shumë sy të njohur. Do të dëshiroja që pas koncertit të takoheshim, të çmalleshim të kujtojmë kohën dhe njerëzit…
Kënga që ka zgjedhur është një këngë ­homazh që na çon ndërmend "Dorkën", shkrimtarin, gazetarin, poetin, Teodor Keko, mbi poezinë e të cilit është ndërtuar kënga"Xhulit", të cilën Pirro e ka kompozuar kohët e fundit dhe e ka kënduar për të parën herë në koncertin e madh kushtuar Krishtlindjeve, koncert që u dha në Tiranë më 25 dhjetor , ku personazhet e mëdhenj ishin po këta të tre që kishim këtu në New York: Inva Mula, Pirro Çako dhe Ardit Gjebrea.
"Kënga Kalabreze", tingujt e së cilës do të magnetizojnë sallën, Inva ia kushton mikut arbëresh, doktor Santos, të cilin e ka njohur një vit më parë në New York. Ndërsa Pirro, me këngën "Shpresë" përcolli
mesazhe shprese për ata që kanë humbur shpresën, për t’ia lënë më pas një dueti, ku së bashku me Invën, interpretuan këngën "Për një çast më ndali zemra".
Duartrokitje të pandërprera mori interpretimi i Invës "Mon Amour" si dhe kënga "Valësi i lumturisë". Për këtë të fundit Inva para interpretimit u shpreh: Kjo këngë është kompozuar nga babi im, kur unë s’kisha lindur. Kjo këngë e shoqëroi jetën bashkëshortore të prindërve të mi. Do ta këndoj për t’ju kënaqur ju.
Edhe kënga "Ylli im" interpretuar nga çifti Mula-Çako përcolli emocione në sallë.këtu, çifti Mula-Çako,
largohen të përcjellë nga breshëri duartrokitjesh, për t’ia lënë vendin surprizës pasuese...
Tingujt e këngës "Jon" do të krijonin një tamosferë tjetër në sallë, ndërsa shfaqja e Ardit Gjebresë në
skenë do të pritej me një shpërthim të fuqishëm. Nën fashat e holla të dritës të një projektori që ndriçon
zbehtë pamjen e këngëtarit, errësira që mbretëron sallën e ka të vështirë komunikimin. Perdja e errësirës ëshët pengesë që ai e ndjen dhe për një çast e vuan....Dhe Arditi kërkon nga personeli amerikan i
sallës hapjen e dritave, qoftë dhe për një çast të vetëm. Dritat shkëlqejnë sallën dhe salla shpërthen.
Nga ky moment deri në fund nuk kishte më qetësi në sallë. Zëri melodioz i këngëtarit brilant do të shoqërohej në kor. Tani koncerti ka tjetër ritëm, duket se gjithçka vrapon, endet brenda sallës dhe kufijtë mes skenës e sallës janë shkrirë repertori i zgjedhur, ku mbretëron lirizmi dhe një ndjenjë malli e magjepsin spektatorin, e cila dallëgëzon nga radhët e shikuesve të ngritur në këmbë që vallëzojnë sipas ritmeve të këngëve....…"Jon", "Makina e Memories" e "Vargje për vete" , "Xhinxhile", pasohen nga një këngë e re, që Arditi e këndon enkas për spektatorin e kësaj nate. Është një këngë e re që do të jetë në tërësinë e këngëve që do të përbëjnë diskun e ri të Gjebresë. Ai ulet në piano dhe nis të këndojë këngën "Ti , prapë do të kthehesh tek unë…". Pasi rreshtin duartrokitjet, këngëtari aq i njohur dhe prezentator spektaklesh, komunikon shpirtërisht me sallën:
- Ndoshta , fizikisht e keni të vështirë që të ktheheni në atdhe, pasi këtu keni ngritur një jetë tjetër, por shpirtin lereni "peng" atje, ku keni lindur….
Thirrjet miratuese shoqërohen nga duartroktitjet dhe kënga që ka radhën përcjell mesazhin e shpirtit "peng" ...Këngët s’kanë të mbaruar. Kënga "Të dua" me tekst të Andi Bejtes e kompozuar nga vetë autori,
sjell një tjetër atmosferë intime në këtë mbrëmje, ku shpirtrat zbusin dhimbjen përmes këngës të kënduar
shqip… Dhe pastaj ca vargje të njohura, që drithërojnë sallën: "Asnjë lajm, asnjë…". Kënga bëhet pronë e spektatorëve…Ndërsa kënga "Havale" e ka ngritur në këmbë të tërë sallën, lart në ballkon, gati të gjithë janë ngritur në këmbë. Çuditërisht shoh se dhe punonjësja amerikane e shërbimit që kam pranë ka filluar të kërcejë…
Një tjetër këngë shumë e njohur ngre sallën në këmbë: "Lule borë" e kompozitorit Simon Gjoni. Vokali
brilant i Invës drithëron me zërin melodioz të Arditit. Një duet i përsosur, Arditi dhe Inva kombinojnë aq mirë me njeri-tjetrin. kanë kënduar së toku që në fëmijërinë e hershme. Më pas Arditi lëshon një ftesë për këngëtarët mërgimtarë që janë në sallë:- Ejani këtu në skenë së bashku me ne. Le të këndojmë së bashku…
Nuk pritën që ftesa të përsëritej dy herë. Eli Fara, Aurela Gaçe, Remi, gjenden në skenë . Një takim malli
që sërish çon në këmbë sallën. Të gjithë së bashku një këngë që të çon në mërgimin e hershëm shqiptar, kënga arbëreshë "Moj e bukura More" këndohet tashmë nga grupi i këngëtarëve që janë të bashkuar …..Spektatori ka kaluar një natë të mrekullueshme nën magjinë e këngës shqiptare....Kënga mjekoi plagët e mallit për Atdheun e munguar.

Koncerti u organizua nga Organizata e Grave"Motrat Qiriazi’ dhe Studio"Fadil Berisha" dhe u sponsorizua
nga "Wester Union", Gazeta Illyria dhe Studio"Fadil Berisha"

 


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa