Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

 

 

Ekspedita italo-shqiptare që prej tre vjetësh vazhdon në qytetin e panjohur antik të Finiqit, kryeqendër e Epirit, zbulon një kokë mermeri gruaje

 

Zbulohet në Finiq një kokë gruaje prej mermeri

Elsa Demo

Një kokë mermeri gruaje është zbuluar në teatrin antik të Finiqit, ku prej 5 shtatorit ka rifilluar gërmimet ekspedita italo-shqiptare. “Koka u gjet në territorin e teatrit antik dhe bashkë me të ka dalë në dritë një kolonë e madhe, që mendohet të jetë pjesë zbukurimeve të teatrit”,- konfirmon prof.Shpresa Gjongecaj, e cila drejton palën shqiptare në misionin e përbashkët. “Koka është ende në studim, por mendoj të jetë e periudhës romake, ndoshta e shek.I pas Krishtit dhe është gjetur nga gërmimet në teatër”,- thotë prof. Sandro De Maria, i Universitetit të Bolonjës i cili drejton Misionin Arkeologjik Italian në Finiq. Të dy palët janë të rezervuar të japin të dhëna të tjera, pasi objekti në fjalë vetëm sa është larë nga dherat. Do duhet edhe pak kohë për të kryer restaurimin e saj e bashkë me të bëhet indetifikimi i plotë i kokës.
“Koka është e zbukuruar me një diademë, flokët i ka të mbledhura lart, por nuk mund të themi me saktësi se çfarë shekulli daton. Disa thonë para erës sonë, të tjerë janë të mendimin se është e pas Krishtit. Megjithatë, fundi është më interesant se fillimi i gërmimeve, kur do të dalin në dritë kontekste të qarta të zbulimeve të kryera”,- thotë prof.Gjongecaj. Ajo shpjegon se gërmimet në teatër janë shumë të rëndësishme, pasi teatri është një nga gjërat më të bukura që ka Finiqi. Ai është ndërtuar në shek.IV-III p.e.s dhe është rindërtuar në periudhën romake. Sipas prof.Shpresa Gjongecajt, deri tani gërmimet kanë zbuluar gjurmë të orkestrës së skenës. Teatri antik i Foinikes së lashtë, kur kanë kaluar vetëm dy vjet nga zbulimi i tij, në tre vjet gëmime të ekspeditave italo-shqiptare, pretendohet të ketë mbi 20 mijë vende, duke qenë kështu ndoshta më i madhi teatër antik që është zbuluar deri më sot në rrënojat arkeologjike në tokës shqiptare.
Gjatë tre viteve të bashkëpunimit të Institutit Arkeologjik dhe Universitetit të Bolonjës, rezultatet kanë qenë të dukshme. Ky mision i kushton rëndësi edhe restaurimit të rrënojave pas daljes së tyre të dritë.
Dy vjet më parë, në qytetin greko-romak, ish- kryeqendër e Epirit, u zbuluan një pjesë e murit të jashtëm të teatrit, si dhe disa objekte të tjera të rëndësishme. Por edhe teatri mund të rezervojë të tjera zbulime interesante. Dy objektet në fjalë që pëmendin drejtuesit e ekspeditës, prof.Gjongecaj dhe prof.De Maria, koka prej mermeri e gruas dhe një kollonë e madhe, janë vetëm një pjesë mes shumë objekteve dekorative që zakonisht rrethonin një teatër antik.
Gjatë gërmimeve të mëparshme janë zbuluar edhe disa ndërtesa të karakterit publik dhe privat, stera uji, shtatorja e Artemisës etj.

Qyteti i virgjër
Finiqi ndodhet rreth 8 km larg bregut jonian dhe 20 km larg Greqisë. Themeluar në shek.III-II para Krishtit, në territorin antik të Kaonisë, qyteti ka pasur kontakte me perandoritë e mëdha të Mesdheut, atë greke dhe romake.
I përmendur nga udhëtarët në fillim të shekullit të 19-të si anglezi Leake dhe vetëm
me studimin arkeologjik të Luigi Ugolinit në Shqipëri, në vitet '20 të nëntëqindës, Foinike identifikohet e përshkruhet përfundimisht në vitet 1926-1927, kur Ugolini merr lejen të drejtojë dy misione arkeologjike italiane në majë dhe në rrëzë të kodrës. Rezultatet e gërmimeve ai i boton në një vepër monografi botuar në Romë, në vitin 1932 “Shqipëria antike II – Akropoli i Foinikes”. Sot misioni italo-shqiptar, që është duke ndjekur gjurmët e tij, konstaton me admirim gjurmët e sakta të gërmimeve të Ugolinit.
Foinike përmendet shpesh nga shkrimtarët antikë: Polibi (shek.II p.e.s, Straboni, Livio (periudha e Augustit), Tolomeu (shek.II e.s). Përsa i përket rëndësisë historike të këtij qyteti, nga ajo kujtohet Paqja e Foinikes, e cila u vendos në vitin 205 p.e.s, duke i dhënë fund “luftës” së parë ndërmjet republikës romane dhe mbretërisë maqedonase, kaq e injoruar dhe e panjohur në realitetin e tij arkeologjik. Ka qenë një qytet i rëndësishëm dhe dëshmon për një jetëgjatësi, gjatë së cilës grekët, ilirët dhe mercenarët keltë, sundimtarët e rinj nga Italia, deri tek ata bizantinë, venedikas e turq, që ndoqën njëri tjetrin deri sipër kodrës së akropolit.
Në vitet '70 e '90 disa arkeologë shqiptarë si Dhimosten Budina e Astrit Nanaj kanë drejtuar gërmimet, por pa mundur të krijohet një linjë vazhdimësie me ç'ishte bërë në periudhën e Ugolinit. U bënë sondazhe në teatër, në zoën qëndrore rreth të quajturit thesauros, në lagjen e shtëpive helenike dhe në nekropolin jugor (gërmime nga Astrit Nanaj e Dhimitër Çondi). Vëmendje e veçantë i është kushtuar mureve rrethues, për të cilat janë studimet e Neritan Cekës dhe Gjerak Karaiskajt. Mbi këto gjurmime është fokusuar sot misioni arkeologjik italian. Rezultatet e gërmimeve të përbashkëta në Finiq janë botuar në dy vëllime.
Akropoli, restaurimi i “thesauros”, një monument i vogël i zbuluar nga Ugolini, rifillimi i kërkimeve në zonën e banuar të quajtur “Shtëpia e dy peristileve”, ku gërmimet kanë nxjerrë në dritë një vendbanim të periudhës greke, tempujt helenë, përgatitja e muzeut arkeologjik të butrintit, dokumentimi dhe rilevimi i qytetit helenik të Antigonesë themeluar nga Pirro në fillim të shek.III p.e.s. Disa prej tyre janë misione të kryera të ekspeditave dhe disa janë projekte në vazhdim. Ekspedita e gërmimeve për vitin 2004 mbyllet në 13 tetor.

 


Shekulli.com.al
20-Shtator-2004


 



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa