Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Botimi “Kodikët e Shqipërisë” do t’i shërbejë edhe protokollit shtetëror. Dëshmon vlerat e trashëgimisë shqiptare të botimeve ungjillore. Dy nga 7 kodikët e purpurt, pasuri botërore, gjenden në Shqipëri, në Arkivën e shtetit

Kodikët, luksi metropolitan i botës shqiptare

Belina Budini

“Bota shqiptare ka pasur edhe një elitë kulturore dhe klerikale, që ka jetuar me shijen e kryeqendrave kulturore dhe është formuar me shkrime me vlerë të jashtëzakonshme dhe me luks metropolitan”. Një nga dëshmitë e shumta të kësaj bote janë edhe kodikët e ruajtur në Shqipëri. Sidozot “Beratinus-1” është një prej arketipeve më të lashta të Dhjatës së Re, ruajtur në Shqipëri, së paku qysh prej mesit të shekullit të 14-të. Ai është njëri nga dy kodikët e purpurt që gjenden në Shqipëri dhe që në botë janë gjithsej vetëm shtatë. Dëshmi të rregullimit të jetës shqiptare në bashkësi (përveç së drejtës zakonore dhe asaj qytetar) janë edhe kodikët, 100 prej të cilëve do të shkundin “harresën” dhe errësirën e arkivës për të ilustruar një katalog me vlerë enciklopedike. Bëhet fjalë për 100 kodikë të shkruar nga shekulli i gjashtë deri në atë të njëzetë, të cilët janë ngërthyer në një botim luksoz me qëllim për të depërtuar deri në protokollin e shtetit. Që institucionet e larta shtetërore të mos u dhurojnë veç “Skënderbej” prej alabastre delegacioneve të huaja, por edhe një dëshmi të trashëgimisë së pasur kulturore, siç është fondi i pasur shqiptar i kodikëve. Këto botime të kahershme ungjillore janë prej traditave kulturore më të shquara dhe njëherësh më të panjohura të Shqipërisë. Libri “Kodikët e Shqipërisë” sipas modelit perëndimor të botimeve të tilla enciklopedike pritet sipas hartuesve të dalë në qarkullim brenda muajit gusht.
Çfarë janë kodikët?
Janë botime ungjillore, por vlera e tyre është jo vetëm fetare. “Dorëshkrimet origjinale të ruajtura prej njerëzve të kësaj bote, të “botësë sanë”, siç shkruante Buzuku, fillojnë qysh prej krishtërimit të hershëm. Të dhëna të përmendura prej dijetarëve të një shekulli e ca më parë njoftojnë se dorëshkrime të tilla mund të jenë ruajtur madje qysh prej shekullit të parë, qysh prej atyre kohërave kur kumti i krishtërimit për herë të parë shenjohej në letër prej ungjillorëve të mëdhenj! Tradita e shkrimeve të krishtera në Shqipëri zgjati, të paktën, për 15 shekuj, duke qenë një prej traditave kulturore më të qëndrueshme dhe të pandërprera, madje edhe në ata shekuj të mjegullt kur emri i shqiptarëve në shkrimet laike del shumë rrallë apo mbetet krejt në mënjanësi. Kjo traditë vazhdoi edhe në periudhën pas-osmane, edhe pasi u shpik Gutembergu, duke dëshmuar rrënjët e saj të forta”, - sqaron drejtori i arkivës së shtetit, Shaban Sinani, i cili ka bashkëpunuar me UNESCO-n për botimin e katalogut në fjalë.
Katalogu i kodikëve të Shqipërisë
Sipas studiuesve Kaliopi Naska dhe Shaban Sinani në librin “Kodikët e Shqipërisë“, vepër shkencore e ilustruar, janë përzgjedhur e botuar pjesa më e madhe e artikujve dhe shkrimeve me karakter studimor e njoftues për dorëshkrimet ungjillore, që i janë paraqitur publikut për një periudhë afro 135-vjeçare, qysh se ipeshkvi i Beratit, Anthim Aleksudhi (Anthimus Alexoudes), dijetari, “miku i artit”, siç e quanin me mirëdashje në Kostandinopojë, përshkroi, për të parën herë, në librin e tij “Përshkrim i shkurtër i mitropolisë së shenjtë të Beratit…” disa nga kodikët më të vjetër, që ruheshin në kishat e manastiret e besimtarëve shqiptarë. Në vepër janë përfshirë dhe studime të paleografëve, tekstologëve, kataloguesve dhe bibliologëve të huaj e vendas. “Studiuesit e huaj ia kanë kushtuar vëmendjen kryesore “Kodikut të Purpurt të Beratit” - Codex Purpureus Beratinus - i njohur gjerësisht me emrin e shkurtër “Beratinus”. “Beratinus” mori rëndësi botërore si një dorëshkrim i hershëm që mund të ndihmonte për të plotësuar historinë e zhvillimit të mendimit ungjillor, nëpërmjet studimeve të posaçme të tekstologjisë kritike, që mund të thuhet se, në dijen shqiptare, sapo kanë filluar. Për fat të keq, numri i kodikëve me njohje ndërkombëtare të ruajtur në Shqipëri, duke përjashtuar “Kodikun e Artë të Anthimit” (një dorëshkrim i rrallë krysografik, në pergamenë të purpurt) dhe disa të tjerë, me gjithë këtë vëmendje, që e tejkalon interesin e shkencës vendase, është i kufizuar. Në Shqipëri dijetari i parë që ka bërë të ditur ekzistencën e “Beratinus”-it dhe të disa kodikëve të tjerë ka qenë Ilo Mitkë Qafëzezi. Ky qe më shumë i preokupuar për “Kodikun e Kostë Beratit”, në të cilin gjendej një alfabet i panjohur i shqipes me grafema helene, por nuk harroi të përmendte pak më gjerësisht vlerat e thesarit dorëshkrimor beratas. Në “Kodikët e Shqipërisë” janë përzgjedhur studime dhe artikuj me karakter shkencor, botuar në revista akademike-universitare dhe buletine shkencore. Me “Kodikë të Shqipërisë” në këtë vepër, me ndonjë përjashtim tejet të rrallë, kuptohet vetëm “Fondi 488” i AQSH-së, ku janë koleksionuar 100 kodikë dhe 17 fragmente. Disa kodikë, si “Liturgjia e Shën Gjon Gojartit“, që përshkruan Batiffol-i, pa bërë fjalë për disa të tjerë që ky nuk arriti t’i shohë me sy, si një kodik i shekullit të parë që ruhej në Gjirokastër, si dhe një kodik tjetër i shekullit të 4-t, ekzistenca e të cilëve pa dyshim do të ndryshonte kalendarin e kulturave në shkallë europiane e botërore, sikurse dihet, më vonë u zhdukën pa gjurmë. Tani ato ekzistojnë vetëm në përshkrimet e studiuesve. Një numër i madh kodikësh gjenden në institucione të tjera: në Bibliotekën Kombëtare, në Muzeun e Artit Mesjetar të Korçës, në bibliotekat e institucioneve të Akademisë së Shkencave, si dhe në bibliotekat e qytetarëve. Deri në fillim të viteve 1990, nga veprimtarët e shërbimit arkivor, janë raportuar dëshmi për ekzistencën e kodikëve të tjerë mesjetarë në familjet qytetare shqiptare. Në këtë kuptim, mungon një regjistër kombëtar, ndërinstitucional, i të gjithë kodikëve të Shqipërisë. Në Shqipëri një katalog të kodikëve të Shqipërisë pati përgatitur Theofan Popa, i cili iu kushtua kësaj pune në vitet e fundit të jetës së tij, në vitet 1980. Sipas Sinanit, pasaporta me të dhënat e Popës për secilin nga 100 kodikët e zgjedhur për botim është përfshirë në tërësinë e studimeve shkruar për kodikët e Shqipërisë. “Kodikët e Shqipërisë” botohet me mbështetjen financiare të UNESCO-s. Ndërsa Instituti Arkeologjik i Akademisë së Shkencave të Kinës (Pekin), ka bërë të mundur shpëtimin nga dëmtimi i pandreqshëm të dy kodikëve më të vjetër “Beratinus”, duke i restauruar me teknologji bashkëkohore dhe duke ua zgjatur jetën për shekujt e ardhshëm. Tanimë studiuesit preokupohen për përgatitjen e një katalogu me të dhëna të plota për pjesën tjetër të kodikëve të Shqipërisë, krijimin e një inventari kombëtar të këtyre dorëshkrimeve, pavarësisht se pranë cilit institucion ruhen, si edhe për të botuar në shqip e gjuhë të huaj një katalog me të dhëna ezauruese për gjithë fondin e shkrimeve të krishtera në Shqipëri.

Prononcime
UNESCO: “Kodikët e Shqipërisë”, thesare shpirtërore të botës

“Për të jetuar në paqe e harmoni ke nevojë për referenca, piketa, të cilat krijohen në mënyrë progresive përgjatë historisë”, - shkruan drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s, Koïchiro Matsuura në një shkrim bashkëngjitur katalogut të kodikëve, i cili ende nuk ka dalë nga shtypi. “Edhe kodikët e Shqipërisë, këto thesare të vërteta të trashëgimisë shpirtërore botërore, nuk mbeten të pakërcënuar prej rreziqeve. Këto dorëshkrime, midis të cilëve edhe "Kodiku i Purpurt i Beratit", një nga variantet më të vjetra të Testamentit të Ri, janë një referencë thelbësore e letërsisë evangjeliste dhe, më përgjithësisht, e kulturës kristiane”, - shprehet Matsuura. Sipas tij nga kjo vepër e shënuar, kodikët e Shqipërisë do të jenë tashmë më lehtësisht të pranishëm jo vetëm për shkencëtarët, por edhe për një lexues më të gjerë. “Ky katalog, informues dhe njëkohësisht shkencor, nxjerr në dritë dorëshkrimet dhe nxit në përjetimin e përbashkët të kujtesës. "Katalogu i kodikëve të Shqipërisë" na sjell kështu një gur themeltar në ndërtesën e ruajtjes dhe shpëtimit të trashëgimisë”, - shkruan drejtuesi i UNESCO-s. UNESCO-ja i kushton një vëmendje të veçantë ruajtjes së kësaj trashëgimie unikale të zhvillimit të letërsisë së vjetër biblike dhe liturgjike përgjatë historisë botërore. Ja pse "Kodikët e Purpurt të Beratit" figurojnë në regjistrin e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të krijuar në kuadrin e programit “Kujtesa e Botës”.

Moisiu: “Kodikët e Shqipërisë”, përmendore të kulturës njerëzore

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, thekson në lidhje me këtë botim se në veçanti “Kodiku i Purpurt i Beratit”, një prej varianteve më të hershme të Besëlidhjes së Re, përbën një dorëshkrim të rrallë të letërsisë biblike në shkallë botërore. Sipas dijetarëve vendas dhe të huaj, ai numërohet i treti ose i katërti për nga kronologjia, por çmohet edhe më shumë për nga rëndësia. “Të njohësh këtë dorëshkrim është njësoj si të takohesh me kohërat e mjegullta, me atë fazë të mugët të historisë, kur krishtërimi sapo kishte dalë nga fshehtësia... Ruajtja e kodikëve të Shqipërisë në këtë mjedis ku kanë kaluar rrebeshe të kohës dhe ku janë kryqëzuar ndikime mospajtuese, shpreh edhe një herë një prej vlerave etnodalluese të popullit shqiptar, tolerancën ndërfetare të tij, një model tolerance edhe për Shqipërinë e sotme”, - shprehet Moisiu.

 

 



Shekulli


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa