Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Dëmi është i konsiderueshëm. Objektet mendohet të vdesin aty ku janë hedhur. Kushton puna për thithjen e objekteve me vlerë, apo për të punësuar roje për sipërfaqe të tëra “hedhurinash”. Një shans për piratët e veprave antike. Drejtori Hoti:“Më kanë kërcënuar se denoncova”

Objektet arkeologjike, nga autostrada tek piratët e antikave

Elsa Demo
“Keni ardhur dhjetë vjet me vonesë”,- tha një nga arkeologët e rinj durrsakë, ndërsa kërkonim precedente të ngjarjes së këtyre ditëve, kur qindra metër kub dhe arkeologjik dergjet në ish- kënetën, buzë autostradës Durrës- Tiranë. Donte të thoshte se është një rast i zakonshëm, përveçse një ngjarje e rëndë. Por kjo parcelë, për të cilën nuk kishte dijeni kurrkush, është vetëm ndër të shumtat që ndodhen jo vetëm në ish -kënetën e Sukthit. Personat e degës së arkeologjisë në Durrës për inerci përdorin termin “hedhurina arkeologjike”, sikur për një sëmundje të gradës patologjike që fillon e injohoret kur s’ke ç’i bën. Drejtori i kësaj dege, Afrim Hoti, thotë se janë hapësira të tjera në Spitallë, e Porto Romano. Ai konkludon se dëmi është i konsiderueshëm. Në hedhjet e dy tre javëve të fundit gjen objekte të cilat mendohet se i përkasin një godine të shekujve V-IV p.e.s dhe varreve antike pas periudhës së Krishtit.
Në të shumtën e rasteve, nuk dihet nga ç’zonë e qytetit vjen dhe cilët janë ata që e transportojnë. Siç thotë drejtori Hoti, në Durrës gërmimet bëhen natën dhe hedhjet bëhen po natën. Kjo degë e vogël nuk mund të mendohet si një polici sekrete që të identifikojë subjektet e këtij shkatërrimi, qoftë për firma serioze, qoftë për ato që s’pyesin as për ligj, as për kontratë. Hoti thotë se ka ardhur koha të veprojnë organet e drejtësisë. Dhe për këtë mund të shqyrtohen të gjitha raportet e arkelogjisë së Durrësit, për denoncimet e bëra, sidomos pas vitit ’99 e këtej. “Bashkia dhe policia ndërtimore ka shkelur hapur ligjin për ndërtimet e reja në zonën historike të qytetit”, të qytetit. Ka shkuar puna deri aty sa ky njeri pas denoncimeve ka marrë edhe kërcënime nga subjektet e forta të ndërtimit.
Dëmi është i kosiderueshëm, megjithatë më i rëndë se ai vetë është mendimi, e ardhmja e objekteve që mendohet të vdesin aty ku janë hedhur. Eshtë e kushtueshme të nisë puna për thithjen e sitjen e objekteve me vlerë, apo për të punësuar roje për sipërfaqe të tëra “hedhurinash”. Do të thotë të derdhen ndoshta më shumë para se për një gërmim të mirëfilltë monumentesh. Këto sipërfaqe pa zot janë të lira të vidhen të plaçkiten pa dhunë nga klandestinët e veprave antike. Dhe jo më si piratë, por si individë të lirë, të gërmojnë e të shesin.

Kishit dijeni për këtë masiv hedhjes arkeologjike?
Po të kishim do të ishim në vendngjarje. Megjithatë nuk kemi asgjë në dorë.
Nuk është detyra jonë, të merremi me identifikimin e vendit ku gërmohet nga subjektet e ndërtimit apo të pyesim firmat ku i hedhin dherat e gërmimeve.
Zakonisht në Durrës gërmimet bëhen natën dhe hedhjet po natën. Në ato raste ku kemi pasur kontratë me subjektet përgjithësisht është kontrolluar nga ana jonë. Ka raste, kur, edhe pse nënshkruajmë kontratë nuk jemi 100 për qind për qind nën kontroll, veç 30%.
Jo në të gjitha rastet zbatohet kontrata. Ka firma që nuk i përmbahen.

Keni konstatur vendhedhje të tjera dhe si keni vepruar?
Nuk është e rastit që ndeshim me hedhje të tilla pranë autostradës. Sipërfaqe të mëdha, të kosiderueshme hedhjesh ka veçanërisht në ish- lagunën e Durrësit, zonat e ulëta janë mbushur. Ish- këneta e Sukthit është vend i përshtatshëm. Pastaj ka pirgje të tëra në Spitallë, Porto Romano. Nuk mund t’i kontollojmë të gjithë.
Theksoj se ne bëjmë gërmimin e arkeologjik dhe hartojmë raportin. Ne nuk jemi as polici sekrete, për të gjurmuar makinat e firmave ku shkojnë e bëjnë derdhjet. Në rastin kur ndeshim në shtresa arkeologjike aty ku bëhen ndërtime, njoftojmë policinë ndërtimore dhe Bashkinë.

Çfarë dëmi arkeologjik mban kjo masë dheu hedhur në autostradë?
Hedhja duket se është bërë tre javët e fundit. Me sa konstatova unë aty duhet të jetë prishur një godinë antike e shek.IV p.e.s deri në shek.V p.k. përzier me mbjetjet e këtij ndërtimi u konstatua fakti se kemi pasur të bëjmë edhe me një varrezë antike. Të dyja këto së bashku tregojnë se dëmi është i konsiderueshëm.

Çfarë parashikon kontrata që ju nënshkruani me firmat e ndërtimit?
Rregullorja e administrimit të qytetit të Durrësit thotë se firmat që ndërtojnë në zonën historike duhet të kenë kontratë, edhe të tjera që ndërtojnë jashtë kësaj zonës, por për ne kjo është thjesht një kontratë vetëm për vëzhgim. Këto hedhje mund t’i përkasin edhe zonës arkeologjike ose jashtë saj. Por në të dyja rastet dëmi është i njëjtë. Pasi ekzistojnë monumente të kategorisë së parë që nuk janë përfshirë në zonën arkeologjike.

E keni pasur mbështetjen e Bashkisë në këtë drejtim?
Vetëm në dy tre mbledhjet e fundit, kur dëmi ishte kaq i madh sa bashkia më në fund e pa të arsyeshme që unë të jem anëtar i grupit të punës në KRT. Kam vënë në evidencë gjithë lejet dhe sheshet e ndërtimit. Bashkia nuk ka vepruar normalisht. Ka shkelur hapur ligjin, në gjithë drejtimet për ndërtimet e reja në zonën historike, A B e C. Ne jemi krejtësisht të panjohur në këtë marrëdhënie, bashki-subjekt privat.
Ligji detyron subjektin që menjëherë sapo ndesh në pikë arkeologjike të njoftojë pranë departamentit të arkeologjisë ku bën identifikimin. Por rrallë gjen persona që kur ndesh nën nëntokë arkeologjike të vijnë e të njoftojnë. Në një kohë kur vetëm 40 centimetra subjekti është pronar i tokës, më tej është toka muze e Durrësit, pronë e shtetit. Toka mund të shitet dhe blihet, por jo nëntoka.

Keni denoncuar rastet kur subjektet nuk kanë respektuar kontratën?
Denoncime pa fund sidomos pas vitit ’99 e këtej. Denoncime që kanë rënë në vesh të shurdhër. Kur pasi kemi ndeshur në nëntokë arkeologjike kemi kërkuar ndërprerjen e punimeve në Bashki, Prefekturë e Polici ndërtimore. Këta janë pushtetarët tanë. Sa mund të them se në shumë raste jemi marrë vesh më mirë me pronarët. Duhet të veprojnë organet e drejtësisë. Ndëtimet me leje apo leje, për ne nuk ka shumë rëndësi, ne njëlloj denoncojmë.
Jemi strukturë e rëndësishme, por nuk na mbështet Bashkia, Këshilli i Qarkut, ku ende nuk kemi përfaqësuesin tonë. Para disa kohësh është dëmtuar shkëmbi i Petrës, i Kavajës, ku u shkatërruan struktura antike. Kam denoncuar, por asnjëherë nuk e kanë marrë mundimin të verifikojnë. Nuk mund të kacafytem me pronarët.

Ju, jeni kërcënuar ndonjëherë?
Kam pasur edhe kërcënime. Nuk mund të përsëris gjërat. Nuk është e lehtë të merresh me ndërtuesit. Kjo punë ka një fatkeqësi. Durrësi është një qytet me një jetëvazhdimsi të tillë, ku një monument nuk është më si në fazën fillestare. Dhe pronari i ri të thotë: “për këto rrasa do të na mbani peng?”. Ka raste kur edhe pse janë ndeshur gjurmë të pastra të monumentit, ndërtimet kanë vazhduar. Ai mezi pret të ndërtojë.

Në instanca të tjera keni denoncuar?
Edhe në kohën e ish- kryeministrit Majko. Kam dorëzuar raporte, shkresa e praktika në disa ministra. Janë ata strukturat ekzekutive.

Ka frenuar ndërtimet urdhri i ministres së Kulturës, Arta Dade për ngrirjen e lejeve të ndërtimit?
Urdhri i ministres së Kulturës, ngrin ndërtimet për gjashtë muaj, për aq kohë sa të bëhet rregullorja e re për administrimin e nëntokës së Durrësit. Nuk kemi nënshkruar kontrata për këto gjatë muaj për dhënien e lejeve të ndërtimit, apo për verifikimin e gërmimeve. Sepse ndoshta do të ndryshojë struktura e zonës së mbrojtur. Kjo mund të zgjerohet, sepse ka zona ku mund të mos lejohen fare ndërtime. Sipas rregullores së vjetër në gjithë zonën lejohen ndërtime. Ndoshta kufizimet do të jenë në disa zona, aty ku pritet të dalin monumente të rinj. Duhet ta pranojmë se Durrësi do të zhvillohet.

Do të vihen në mbrojtje këto hedhje arkeologjike, pasi siç u pa aty kishte objekte me vlerë.
Ne dimë në Durrës mjaft pika ku ka vepra arti të pazbuluara dhe kemi burime shumë të rëndësishme për këtë. Për të zbuluar bukuroshe të tjera. Kemi plane. Por të ndjekim mbrapa hedhurinat është shumë e vështirë të grumbullosh fonde. Duhen të paktën 100 punëtorë. Eshtë e pamundur në kushtet tona, për të ndërmarrë një rigërmim, t’i sitim ato.

Atëherë janë në mbrojtjen e askujt?
Të askujt. As roje nuk vëmë dot. Janë sipërfaqe të tëra. Këto janë një mjet i mirë për klandestinët. Dihet që ka klandestinë që gërmojnë, gjejnë dhe shesin. Ka patur raste. Këto ndërtime të paligjshme përveçse shkatërrojnë iu japin krahë klandestinëve që të fitojnë.

Porto Romano
Në Porto Romano fillojnë aty ku deti bëhet i turbullt, si një lumë pas rrebeshit. Masivët e hedhjeve arkeologjike duken jo vetëm mbi tokë, por edhe nga rrëshqitja e dheut nga maja e bregut të ngritur të Porto Romanos, tek shkrihet deri poshtë në det. Janë një varg parcelash që ndahen disa metra nga njëra –tjetra, ndërsa shkrirja e tyre në det krijon një hark të turbullt rreth 30 metër brenda bregut. Njerëzit bëjnë plazh pak më tej. Dikur këto ishin Currilat e mrekullueshme.
Dheu arkeologjik, në këtë anë nuk është dhe as ka qenë ndonjëherë gjë e re për banorët këtu, të ardhurit, apo për arkeologjinë rezidenca e të cilës është vetëm pak minuta larg prej këndej.

Bashkia: Nuk kemi dijeni
Shefi i urbanistikës pranë Bashkisë së Durrësit, Leo Manastirliu, i pyetur për hedhjet arkeologjike të gjetura në autostradë shprehet se “Bashkia nuk ka asnjë informacion për këto masive dheu, si dhe për subjektin apo personat që i kanë hedhur ato. Bashkia e Durrësit nuk ka dhënë asnjë leje për hedhjen e këtyre mbeturinave dhe nuk e di origjinën e tyre.” Sipas Manastirliut është në praktikën e punës së Bashkisë
së Durrësit, që kur jepen lejet e ndërtimit merret dhe mendimi i përfaqëusesit të Departamentit të Arkeologjisë dhe Insitutit të Monumenteve të Kulturës. Për dy leje të dhëna muajt e fundit nga KRT-ja e rrethit, tek ish kinema Iliria dhe pranë Muzeut Arkeologjik, ku pas sondazheve të ekspertëve të arkeologjisë ka rezultuar se ka gjetje arkeologjike, është ndryshuar projekti dhe kati i parë i këtyre ndërtimeve i është lënë në dispozicion Institutit të Monumenteve të Kulturës për të ruajtur të paprekura vlerat arkeologjike.
Ll.Kallço



Shekulli



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa