Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

 

 

Nderi i Kombit, Kadri Rroshi:Po iki i braktisur

Në spitalin grek më vinte kryeministri Nano dhe bashkëshortja e tij Xhoana, ndërsa në Tiranë miqtë më kanë braktisur

Autori i Lajmit: Ilir Bushi

Si ndjeheni pas operacionit?
Kadri Roshi, Artist i PopullitJam shumë keq. Kam dhimbje në trup dhe shpeshherë edhe ethe. Unë tani jam i paralizuar fare dhe mezi lëviz. Mirëpo, mjekët më kanë thënë se kjo periudhë do të vazhdojë edhe për pak kohë, pastaj do të përmirësohem.

Sa kohë kanë kaluar pas kurave që morët në Greqi?
Kanë kaluar gati dy muaj që jam bërë operacion. Atje, mjekët më shërbyen shumë mirë dhe më rrinin në dispozicion. Për këtë gjë unë i falenderoj nga zemra të gjithë personelin mjekësor. Mirëpo, në mënyrë të veçantë falenderoj kujdesin e shtetit shqiptar që nuk më la në mëshirë të fatit. Përkundrazi, më çoi për operacionin, në një nga spitalet më të mira të Greqisë. Dhe të gjitha shpenzimet ishin të shtetit tonë. Unë nuk shpenzova asgjë, sepse gjendja financiare e artistëve është e dobët. Megjithatë, falenderoj në mënyrë të veçantë kryeministrin shqiptar, që më ndenji te koka për disa ditë me radhë. Kishte raste që vinte e qëndronte deri vonë, duke i porositur drejtuesit e spitalit të bënin kujdes të veçantë për mua.

Çfarë bisedonit me kryeministrin Fatos Nano, kur ju vizitonte në spitalin e Athinës?
Ai rrinte me orë të tëra dhe më vlerësonte shumë punën time. Mirëpo, unë nuk isha në gjendje aq të mirë, saqë të bisedoja gjatë. Mjekët më kishin porositur të mos lëvizja dhe të flisja pak, që të mos lodhesha. Kryeministri Nano më kujtonte shpesh edhe pjesë nga rolet që kam luajtur gjatë karrierës time. Ky kujdes që u tregua për mua në Greqi ishte i madh dhe unë u jam mirënjohës të gjithëve.

Çfarë u thoshte Nano drejtuesve të spitalit grek?
Ai nuk merrej vetëm me drejtuesit e spitalit, se aty interesoheshin të mëdhenjtë e shëndetësisë greke. Nano u kishte kërkuar drejtuesve të shëndetësisë greke kujdes të veçantë për mua. Dhe unë isha shumë i kënaqur nga të gjitha shërbimet që më bënë.

Sa kushtoi operacioni juaj në Greqi?
As nuk pyeta dhe as më thanë ndonjëherë. Të gjitha shpenzimet i mbuloi shteti shqiptar. Operacioni ishte i vështirë, sepse u bë në zorrën e trashë. Mirëpo, mjekët punuan shumë mirë dhe e bënë të lehtë punën. Ata ishin mjeshtra të bisturisë, por edhe ne kemi mjekë shumë të mirë.

Përveç kryeministrit, a kishit njerëz të tjerë që kujdeseshin në spital?
Po. Ishte djali dhe njerëzit e shtëpisë. Ata më rrinin te koka natë e ditë dhe nuk m’u ndanë për asnjë minutë. Nuk më linin të mërzitesha dhe nuk më linin të ndjeja dhimbje për asgjë.

Çfarë u thanë mjekët grekë pas operacionit?
Më thanë se puna u shkoi mirë. Pastaj, kur gjithçka përfundoi, më sollën në shtëpinë time në Tiranë. Mirëpo, siç duket, unë nuk ndjehem mirë. Jam i paralizuar dhe nuk lëviz nga vendi. Tani jam 81 vjeç, por sëmundja ime tani është e rënduar shumë.

A mendoni se mund të jetë i nevojshëm një operacion i dytë?
Jo. Them se kaq ka qenë e mjaftueshme dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje tjetër. Sepse, unë vazhdoj kurat e rregullta edhe në shtëpi. Mirëpo, një tjetër gjë ma ka helmuar zemrën dhe më ka futur në dëshpërim.
Çfarë gjëje iu ka dëshpëruar kaq shumë?
Vetmia. Unë jam vetëm dhe i braktisur nga të gjithë. Asnjeri nuk vjen për të më takuar dhe të gjithë më kanë bojkotuar. Nuk e kuptoj, përse ka ndodhur kështu. Unë para një viti kam qenë me plot miq e shokë dhe ata nuk më linin asnjë minutë vetëm. Para një viti unë festova edhe 80-vjetorin e lindjes dhe i kisha pranë të gjithë. Në mbrëmjen festive të 80-vjetorit nuk mungoi asnjë prej miqve të mi. Kurse tani, sa kam ardhur në Tiranë, nuk më ka trokitur njeri në derë.

Nuk ka ardhur askush t’ju takojë?
Shumë rrallë. Më besoni, dua njerëz dhe nuk dua të më lini vetëm.

Për kë keni më shumë nevojë, që të çmalleni e të takoheni?
Për të gjithë. Kam nevojë për kolegët e mi aktorë, të vjetër e të rinj. Kam nevojë për regjisorët e mi, të cilët i kisha të gjithë miq të afërt. Kam nevojë edhe për të gjithë miqtë e mi të dashur, të cilët nuk kishin lidhje me artin, por kishin shpirt artisti. Unë kam nevojë edhe për njerëzit e thjeshtë, që më kanë mdaluar në rrugë dikur, për të më uruar.

A do të keni mundësi t’i prisni gjithë këta njerëëz?
Porta e shtëpisë time do të jetë e hapur. Dikur, mbase kishin ata nevojë për mua. Tani kam unë shumë nevojë për ata. Shtëpia ime ka vend dhe i nxe të gjithë njerëzit e mirë.

A keni nevojë për ndihma financiare?
Jo, jo. Nuk e them këtë për hipokrizi, por vërtet nuk kam asnjë nevojë. Ju thashë edhe më parë se të gjitha shpenzimet e mia për kurimin i mbulon shteti. Unë nuk kam nevojë për para, por kam nevojë për njerëëz. Nuk e di, pse më kanë lënë vetëm.

Në gjendjen e vështirë ku ndodheni, a jeni në dijeni se çfarë ndodh jashtë shtëpisë tuaj?
Po, jam shumë i lidhur me të gjitha ngjarjet, sepse i shoh në televizor çdo ditë. Për këto ngjarje, ndonjëherë mërzitem, ndonjëherë qetësohem dhe ndonjëherë qaj. Më shpëtojnë lotët, sidomos kur marr vesh për vrasje apo viktima. Sepse, mosha ime edhe një herë në dy ditë të hajë bukë, prapë duron, por nuk durojmë dot kur dëgjojmë se si u vranë djemtë e rinj nëpër rrugë, apo se si u plagosën fëmijët. Prandaj qaj.

A dëgjuat për vrasjen e emigrantit shqiptar në Greqi?
U mërzita shumë. Këto gjëra më prekin pa masë. Ah, ta dini sa mërzitem kur dëgjoj për vrasje dhe dhunë. Këto ditë kam dëgjuar edhe për ngjarje të rënda që ndodhin në botë. Kudo ka njerëz që vuajnë. Luftuam dhe punuam gjithë jetën tonë që të mos kishte më vuajtje. Mirëpo, njerëzit kanë gjithmonë halle dhe jeta ka vështirësi.

Kush kujdeset tani pranë jush në shtëpi?
Është bashkëshortja. Ajo më rri në kokë nga mëngjesi deri vonë. Më shërben dhe më bën hyzmet. Në këto ditë të vështira, ajo nuk më është ndarë për asnjë minutë. Kjo më ka lehtësuar, por pres çdo ditë miqtë e mi, që të më vijnë e të më takojnë.

A i mbani mend tani rolet tuaja të kinemasë?
Ah, rolet e mia. Ato s’janë më të miat, por janë pasuri e kulturës dhe e kombit. I mbaj mend, mirëpo më duket pak kohë e largët.

Cili është roli më i mirë që të kujtohet në këto momente?
Të gjitha mund të më kujtohen menjëherë. Mirëpo e thashë edhe më parë: Unë rolet nuk i bëra për veten time, po për spektatorët dhe për kulturën shqiptare. Prandaj, më vjen çudi që më kanë lënë kështu të braktisur. Kam nevojë për ta se, duke qenë i paralizuar, po të ngrihem, mund të rrëzohem.

A jeni i lumtur për ato që keni arritur në moshën 81-vjeçare?
Unë jam i lumtur, po të jenë lumturuar edhe të tjerët, kur kanë parë filmat e mi. Ajo që kam bërë, është për të kënaqur njerëzit e thjeshtë.

Çfarë do të bëni kur të shëroheni plotësisht?
Ah, të shërohem njëherë e të ngrihem në këmbë. Prandaj i dua edhe njerëzit, edhe ngrohtësinë e tyre. Që të më japin forcë. Pa, kur të ngrihem, e di vetë çdo të bëj. Do të bashkohem prapë me ata që punojnë e nuk lodhen kurrë në xhirime filmash apo në teatër. Paçka se jam shumë i vjetër. Të paktën, të jem pranë tyre, se diçka do të bëj.

Keni dëshirë të xhironi përsëri filma?
Më qan xhani, po nuk mundem se nuk lëviz dot nga krevati.

A është i pasur Kadri Roshi?
Ah, mor bir, mos më pyet në këtë moshë për atë që s’kam nevojë. Unë dua pasuri shpirtërore. Se ajo më ngre në këmbë. Mirëpo, artisti në kushtet e këtushme nuk bëhet dot i pasur. Kurse unë s’kam asnjë nevojë financiare.

A mendoni se kontributi juaj është vlerësuar sa duhet?
Nuk është puna aty. Se puna ime është vlerësuar dhe unë jam mirënjohës. Puna ime ka mbetur dhe ajo është pasuria ime më e madhe që do të lë trashëgim. Mirëpo, unë kam hallin pse më lanë kështu. Vetëm fare. Tani që kam nevojë për njerëzit.


Ballkan
11-Shtator-2004


 



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa