Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
Jugu i Shqipërisë takon Jugun e Italisë

Vizitë e kryetarëve të komunave dhe bizesmenëve të Vlorës, Fierit, Beratit e Gjirokastrës në rajonin e Pulias.

Itali- Shqipëri, hapësira të reja bashkëpunimi

Nga Eva Kushova
ksamiliShqipëria ka ndryshuar.. nuk është më një vend emigrantësh, nuk është më një shtet që shtrin dorën për ndihmë, por një vend me të cilin duhet të bashkëpunohet ekonomikisht, të firmosen projekte të mëdha dhe të vihen në zbatim. Kjo ishte ideja që përshkoi takimet e ngjeshura mes përfaqësuesve zyrtarë dhe biznesmenëve të Jugut të Shqipërisë dhe homologëve të tyre në Jugun e Italisë, në rajonin e Pulias. Në këtë vizitë të organizuar nga Shoqata e Investitorëve Italianë në Shqipëri (AIIOA) merrnin pjesë kryetarët e bashkive të Vlorës, z. Niko Veizaj, i bashkisë së Fierit, z. Nikollaq Koshovari, i bashkisë së Gjirokastrës, z. Murat Kaçi, dhe kryetari i bashkisë së Beratit,z. Nikollaq Mata. Gjithashtu, në përbërjen e delegacionit shqiptar merrnin pjesë kryetarët e dhomave të tregtisë së katër bashkive si dhe biznesmenë shqiptarë, që kanë investuar dhe operojnë në Jugun e vendit. Synimi i këtij takimi ishte të krijohej një binjakëzim mes bizneseve të Jugut të Italisë dhe Jugut të Shqipërisë, të bëhej e njohur për biznesmenët italianë që duan të investojnë në Shqipëri situata aktuale e këtij vendi, të prezantoheshin ndryshimet që kanë ndodhur, por të paraqiteshin nevojat e planet për të ardhmen. Tashmë ekziston një numër i madh projektesh që kanë filluar dhe po vihen në jetë në bashkëpunim me investitorët italianë. Kryesisht programi Intereg 3, që synon zhvillimin e Jugut të Shqipërisë do të zbatohet në katër drejtime: telekomunikacioni, transporti, turizmi dhe agrokultura. Përveç kësaj, korridori 8 që do të lidhë Evropën Juglindore me Azinë do të kalojë në katër pikat kryesore të Vlorës, Barit, Brindisit e Durrësit dhe projekti i transporteve do të realizohet në bashkëpunim mes dy vendeve. Vetë bashkia e Vlorës ka nisur një sërë projektesh lokale në bashkëpunim me zonën e Pulias.
Takimet më të rëndësishme u zhvilluan me përfaqësuesit zyrtarë të komunës së Brindisit dhe me kryetaren e bashkisë së Leçes, znj.Adriana Poli Bartole. Në këto takime, kryetarët e katër komunave kryesore të Jugut të Shqipërisë, pasi prezantuan situatën ekonomike në zonat që ata qeverisin, ftuan sipërmarrësit italianë të investojnë në Shqipëri. "Erdhi momenti që, në nivel bashkie, Italia dhe Shqipëria të punojnë së bashku…", - kështu u shpreh kryetari i bashkisë së Vlorës, z. Niko Veizaj, gjatë takimit me përfaqësuesit e bashkisë së Brindisit. "Hapat e fundit, përfshirë vizitën e kryeministrit italian Silvio Berluskoni në Shqipëri, tregojnë interesin e madh të Italisë për ta integruar Shqipërinë…. Rruga drejt Evropës ka një portë dhe kjo është Italia. Ndërsa qyteti i Vlorës është pika më e afërt e Ballkanit me Italinë",- tha z. Veizaj duke theksuar nevojën e madhe për investime e projekte që duhet të nisin pikërisht në këtë qytet bregdetar. Në lidhje me projektet e korridorit 8 dhe të Intereg 3, z. Veizaj theksoi: "Ne po bëjmë të pamundurën për t'i merituar këto projekte". Ai ftoi dhomat e tregtisë të Leçes e të Brindisit të jenë të pranishme në qytetin e Vlorës me investimet e tyre.
Kryetari i bashkisë së Fierit, z. Koshovari, prezantoi numrin e madh të bizneseve që zhvillohen në këtë zonë. "Bëhet fjalë për rreth 2500 aktivitete private, rreth 40 firma të huaja, kryesisht italiane e greke. Fieri renditet pas Tiranës përsa u përket bizneseve",- pohoi z. Koshovari. Gjithashtu, duke qenë një zonë e pasur arkeologjike (Apolonia), kreu i bashkisë së Fierit ftoi investitorët italianë të investojnë në këtë fushë. Sipas tij, problematike për komunën e Fierit është ndotja e mjedisit, për shkak të mbeturinave të naftës që hidhen në lumë.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës e të Beratit, duke prezantuar, gjithashtu, situatën në zonat që ata drejtojnë, ftuan investitorët italianë të ndihmohet bashkëpunimi tregtar dhe të investohet kryesisht në turizëm. Të dyja qytetet kanë vlera të mëdha turistike, fusha ku ia vlen të investohet.
Stabiliteti politik- një arritje
Kryetarja e bashkisë së Leçes, Adriana Poli Bartole, në fjalën e saj gjatë takimit me delegacionin shqiptar, shprehu kënaqësinë për ndryshimet e mëdha dhe veçanërisht për stabilitetin politik të arritur kohët e fundit në Shqipëri. "Shqipëria po bën përpjekje për stabilitetin politik, që është shumë i rëndësishëm. Jo vetëm si deputete e Parlamentit evropian, por edhe si pjesëtare e OSBE-së kam vënë re se diçka ka ndryshuar dhe nuk është më ajo shija që ka lënë më parë Shqipëria para disa viteve. Vihet re një përpjekje në qeverisje, si nga ana e pozitës dhe nga ana e opozitës për stabilitet politik dhe kohët e fundit po tregohet qartë që edhe zoti Berisha, kryetar i opozitës është dakord për ulje në tryezë dhe për stabilitet politik. Shpresojmë që ky nuk do të jetë vetëm një imazh". Për sa u përket bashkëpunimeve ekonomike, kryetarja e bashkisë së Leçes konfirmoi përpjekjet e mëdha që po bëhen: "Kam qenë në Tiranë javën e kaluar dhe kemi diskutuar për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave. Është e dukshme që Shqipëria po këmbëngul të hyjë në Evropë, por kjo është e vështirë dhe kërkon një rrugë të gjatë", - theksoi kryetarja e bashkisë së Leçes, e cila, nga vizitat që ka bërë në vendin tonë, është tepër e mrekulluar nga bregdeti shqiptar. "Kam parë që keni një det të mrekullueshëm, brigje të bukura, që duhet patjetër të vlerësohen si turizëm. Uroj që të jeni ju shqiptarët dhe jo t'jua dorëzoni të tjerëve që të shfrytëzojnë brigjet tuaja".
Ndërsa konsulli i Vlorës, z. Marcelo Fonti, gjithashtu një nga organizatorët e këtij takimi, shprehu shqetësimin për gjendjen aktuale të portit të Vlorës. "Ne vend që të jetë një faktor bashkëpunimi, aktualisht ky port është një faktor depresiv",- tha z.Fonti, i cili, me këtë rast, u kërkoi autoriteteve lokale shqiptare të shfrytëzojnë paketën 170 milionë euro të qeverisë shqiptare (për vitet 2002-2004), ku përfshihen restaurimi dhe zgjerimi i porteve. Vetëm porti i Vlorës duhet të marrë 25 milionë euro nga kjo paketë. "Përzgjedhja e bashkive në këtë takim nuk është e rastit, por, si Fieri, Berati e Gjirokastra, kanë bashkëpunime ekonomike me Vlorën dhe gjithë bizneset e tyre kalojnë nëpërmjet këtij porti",- theksoi konsulli Fonti. Ndërsa drejtori i portit të Brindisit, z. Ganini, u shpreh se po bëhen shumë përpjekje për të përmirësuar situatën e pritjes së pasagjerëve në Brindisi, ku do të krijohet një strukturë e re për të përmirësuar lëvizjen e pasagjerëve, projekt që do të përfundojë në verën e 2003-së. Delegacioni shqiptar zhvilloi edhe takime me sipërmarrës italianë dhe bëri vizita në disa nga ndërmarrjet e suksesshme në rajonin e Pulias.

 

 

(marre nga Gazeta Shekull)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa