Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

 

 

Dy artistët e animacionit, Shijaku e Faja, kthehen me trofe. Filmi i animuar shqiptar, “Princesha dhe Hëna” ka marrë çmimin “Desiderio” në Festivalin e Giffonit. Pas kësaj, marrin pjesë në Los Anxhelos

“Giffoni”, shqiptarët marrin çmimin e “dëshirës”

Alma Mile

Miqësia, dashuria për kafshët e antiracizmi, ishin temat që kanë triumfuar në edicionin e 34 të Festivalit të Filmit për Fëmijë “Giffoni”, i cili u zhvillua nga data 17-24 korrik në Salerno të Italisë. Mes filmave të ardhur nga 40 vende të botës, 1300 fëmijët që përbënin jurinë e festivalit, mes të cilëve 14 ishin shqiptarë, u kanë ndarë çmime të mëdha e speciale 14 filmave, që ata kanë pëlqyer më tepër. Nuk ka mundur të jetë mes fituesve të mëdhenj, megjithatë “skuadra” shqiptare nuk është kthyer humbëse në Shqipëri. Ndonëse i kishte munguar për vite me radhë këtij festivali, filmi shqiptar i animuar i regjisorit Bertrand Shijaku e skenaristit Ergys Faja, “Princesha dhe Hëna”, e cila ka konkuruar në seksionin për fëmijët e vegjël, ka fituar çmimin “Desiderio”. Bëhet fjalë për një çmim special, i cili mban emrin, apo logon e festivalit të këtij viti e që i përshtatej mjaft mirë edhe subjektit të filmit shqiptar. “Ajo çka tërhoqi vëmendjen e fëmijëve të jurisë tek ky film, ishte fabula interesante, një udhëtim fantastk në hënë, për të gjetur binjakët e çdo vogëlushi”, thotë regjisori Bertrand Shijaku që shprehet optimist për këtë çmim special, i cili padyshim rriti besimin e “kolegëve” dhe financuesve për bashkëpunime në fushën e kinematografisë. Dhe duket se fabula japoneze e përshtatur nga Faja, u ka sjellë fat shqiptarëve. Ndonëse çmimi i fituar nuk u ka sjellë ndonjë përfitim financiar krijuesve shqiptarë, ata janë të kënaqur edhe me kaq. “Ky është një festival, i cili shërben për prezantimin e filmave dhe për ne kjo është shumë e rëndësishme, pasi krijon mundësinë e lidhjeve të kontratave dhe prezantimin në aktivitete të tjera”, thotë Shijaku, duke shtuar se ky film do të marrë pjesë në një aktivitet që do të zhvillohet nga “Giffoni”, në Los Anxhelos, “Free competition”.
Ditën e mbylljes së festivalit, u zhvillua edhe një tryezë e rrumbullaktë, apo forum, italo-shqiptar, ku merrnin pjesë disa kineastë nga Shqipëria, si Petrit Ruka, Pirro Milkani, Saimir Kumbaro, dy realizuesit e filmit Shijaku e Faja, drejtori ekzekutiv i QKF, Igli Kasneci, koordinatori i festivalit Namik Ajazi, si dhe zv/ministri i Kulturës, Edmond Dragoti, ndërsa nga pala italiane merrnin pjesë krahas të tjerëve edhe zv/ministri i kulturës, Nicola Bono e drejtori artistik Claudio Gubitosi. Sipas Shijakut, në këtë forum u zhvilluan bisedime për bashkëpunime dypalëshe, si në fushën e restaurimit të filmave të vjetër që ndodhen në Arkivën e Filmit Shqiptar, për të cilët pala italiane është shumë e interesuar, për kryerjen e stazheve pasuniversitare në Itali, të regjisorëve e aktorëve të rinj, si dhe në fushën e bashkëprodhimeve. “Jemi gati për “Misionin tonë të mundshëm” në Shtetet e Bashkuara, në Majami e Los Anxhelos, në Australi në Melburn dhe Adelaide dhe më pas do të punojmë për projektin tonë së bashku me qeverinë italiane në mbështetje të kinemasë shqiptare, të cilën e kemi shumë për zemër”,- është shprehur drejtori artistik i festivalit, Claudio Gubitosi për mediat italiane. Kështu, “Princesha dhe hëna” ka hapur të tjera shtigje bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e filmit, e jo vetëm atij për fëmijë.

“Giffoni”, tri ditë në Shqipëri
Nëse disa ditë më parë, ishte “Giffoni” ai që priti shqiptarët, pak muaj më vonë, do të jetë Shqipëria ajo që do të presë “Giffonin”. Sipas regjisorit të filmit “Princesha dhe hëna”, Bertrand Shijakut, organizatorët e festivalit do të mbajnë në kuadrin e Ditëve Evropiane të Filmit, një seksion të “Giffoni-t” në Shqipëri. Në muajin tetor, gjatë tri ditëve, në qytetet e Tiranës, Shkodrës e Durrësit, prej nga u përzgjodhën edhe fëmijët që morën pjesë në jurinë e festivalit, do të shfaqen filma përzgjedhur nga repertori i këtij aktiviteti. “Eshtë planifikuar që ky aktivitet të zhvillohet në Australi, Letoni e më pas në Shqipëri”, thotë regjisori Shijaku. Sipas koordinatorëve shqiptarë e italianë, janë përzgjedhur këto qytete për shkak se janë qytetet më të mëdha, janë pika të rëndësishme turistike, por edhe se reflektojnë probleme të mëdha sociale, sidomos Shkodra, ku krahas varfërisë, një plagë e rëndë është gjakmarrja e ngujimi, që ka prekur më së shumti fëmijët.

Fituesit e “Giffoni 2004”
Filmat me metrazh të gjatë, fitues të “Gjeraqinës së artë”
Për seksionin “Kidz” (6-9 vjeç): “The Wild Soccer Bunch”, i regjisorit gjerman Joachim Masannek
Për seksionin “First Screens Ray Ban” (9-12 vjeç): “Daniel & The Superdogs” i André Melancon, një bashkëprodhim kanadezo-anglez
Për seksionin “Free to fly” (12-14 vjeç): “4-th floor”, i regjisorit spanjoll Antonio Mercero
Për seksionin “Y gen” (15-19 vjeç): “Bonjour Monsieur Shlomi”, i regjisorit Shemi Zarhin, prodhim izraelit
Filmat me metrazh të shkurtër, fitues të “Gjeraqinës së argjendtë”
Për seksionin “Kidz” (6-9 vjeç): “Iver” i regjisorit Christian Lo, prodhim norvegjez
Për seksionin “First Screens Ray Ban” (9-12 vjeç): “Life in smoke”, i regjisorit italian Gianluca Fratellini
Për seksionin “Free to fly” (12-14 vjeç): “The Corridor”, i regjisorit italian Vittorio Badini Confalonieri
Për seksionin “Y gen” (15-19 vjeç): “Stealing innocence”, i regjisorit Vittorio Badini Confalonieri, prodhim italian
Fituesit e “Gjeraqinës së bronztë”
“The Wooden Camera” i regjisorit afrikanojugor Ntsmavheeni Wa Luruli
“Certi bambini”, prodhim italian i vëllezërve Antonio e Andrea Frazzi
Çmimi “Amnesty International”
“The Wooden Camera” i regjisorit afrikanojugor Ntsmavheeni Wa Luruli
Çmimi “Tim Award”
“Play It Loud” i regjisorit gjerman Benjamin Quabeck.
Çmimi “Ray-ban Junior Aëard”
“Fia!”, i regjisores Elsa Kvamme, prodhim norvegjez
Çmimi “Arca Enel”
“4-th floor”, fituesi i “Gjeraqinës së artë” për seksionin “Free to fly”
“Coëboys & Angels” i regjisorit irlandez David Gleeson
Çmimi CGS
“The Choristers”, i regjisorit francez Christophe Barratier.

Shekulli



 



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa