Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
Për kapërcimin krizës gjuhëtarët duhet të rifillojnë gjallërisht detyrën e tyre, t'u imponohen me autoritet shkencor institucioneve dhe komunikimit publik, të mos e lënë kulturën e gjuhës në duart e dashamirësve diletantë që shkruajnë në shtyp

Për një gjuhë shqipe dinamike

Nga Xhevat Lloshi
Më 1972 politika e vendosjes së një gjuhe standard mbi bazën e toksërishtes e arriti qëllimin. Duke i dhënë kulturës shqiptare mbarëkombëtare një mjet aq të domosdoshëm dhe aq të dobishëm, kjo arritje madhore si fakt i eklipsoi kundërshtimet dhe aspektet negative, të lidhura me politikën gjuhësore që i shërbeu politikës së një regjimi. Variantet e gegërishtes e humbën prestigjin; nëpërmjet iluzionit të konvergjencës, të bashkimit, të njësimit mbarëkombëtar ato u dukën sikur u shuan dhe në ligjëratën politike e shkencore u kthyen në tabu, mbetën vetëm si përbërëse të ligjëratës letrare historike dhe linguistike dialektore. Periudha pas vitit 1972 mund të quhet e politikës gjuhësore entuziaste. Në konferencën gjuhësore të vitit 1984 me lehtësi triumfuese u shpall si politikë që të ecej më tej në standardizimin e gjuhës së folur. Prof. A. Kostallari e shpalli shqipen një nga gjuhët letrare më të njësuara të Europës. Edhe pas njëzet vjetësh, kur kjo politikë gjuhësore ishte vënë nën goditje, vijonin të shqiptoheshin pohime të tilla, si: "Gjuha letrare e njësuar është përvetësuar dhe po përvetësohet me zell dhe dëshirë në qytet dhe në fshat, nga toskët dhe nga gegët". (DODI, 1992). Që në fillimet e saj (1991) shembja e regjimit totalitar në Shqipëri u shoqërua nga një komponente e fortë gjuhësore, duke e parë nga disa shtresa shoqërore si veprim që duhej kryer edhe në fushën e gjuhës. Si mbështetje për t'iu kundërvënë politikës gjuhësore zyrtare të deriatëhershme shërbeu libri i A. Pipës (PIPA, 1989). Thelbi i kësaj politike të re ishte: zhdukja e gjuhës standard si diçka e dështuar, si pjellë e hegjemonizmit dhe e kolonializmit të brendshëm; rikthimi te gjendja me dy gjuhë letrare; vendosja si gjuhë letrare shqipe e gegërishtes së Shkodrës. Dy vjet pas botimit të librit, A. Pipa nisi një fushatë politike botimesh dhe pastaj erdhi në Shqipëri për ta kryesuar zbatimin e politikës së tij. Në këto rrethana u organizua tryeza e Shkodrës në korrik 1992 dhe Deklarata ishte shpallja e një politike të re gjuhësore në Shqipëri. Ajo nuk ishte akt kodifikues, siç nënkuptohej duke e quajtur veten Kongresi i dytë, nuk bën pjesë në planifikimin e korpusit të gjuhës, por në planifikimin e statusit të gjuhës, domethënë synonte një hierarki të re të standardeve. Për më se tre vjet u zhvillua një fushatë e shumanshme për ta kthyer këtë në politikë gjuhësore zyrtare dhe u shfrytëzua e gjithë koniunktura politike e kohës. Në këto rrethana u shpërfaq se ajo përputhej me përpjekjet për përçarjen kombëtare, për kundërvënien veri-jug deri në konflikt civil. Pas seminarit për gjuhën e letërsinë më 1995 autoritetet më të larta shtetërore të kohës deklaruan se gjuha standard nuk ishte një çorbë e regjimit të kaluar, se gjuha standard ishte produkt i një zhvillimi të gjatë dhe se zgjidhja më realiste ishte të vazhdohej përdorimi i saj. Në këtë mënyrë u krijua një gjendje e ngjashme me atë pas dështimit të sesioneve të vitit 1952. "Politika e re gjuhësore" u zhvendos në truallin e rishikimit të historisë dhe argumentimeve shkencore, duke ia lënë një kohe më të përshtatshme rishfaqjen e synimeve të vërteta. Ndërkaq raste të ndryshme shërbejnë si shkas për ta ndezur herë pas here polemikën me tone të ashpra, duke mos kursyer politizimet dhe fjalorin agresiv. Një rast i tillë ishte, p.sh. dhënia e një çmimi letrar më 1999 nga Ministria e Kulturës, duke futur në motivimin për çmimin rigjallërimin e gegërishtes (AGOLLI, 1999; LLOSHI, 1999). Gjithashtu më 2001 u ndez një diskutim kundër gjuhës standard në Kosovë, ku më shumë e ngre zërin M. Kelmendi, autori i një libri (KELMENDI, 1998), që e quan gjuhën standard mjet përçarës dhe ka mbështetjen e një nxënësi gjerman të M. Camajt (përkthyesit H. J. Lanksch).
Si përfundim, duhet vënë në dukje se kontestimi i gjuhës standard nuk arriti të nguliste një politikë për rrëzimin e saj. Megjithatë gjendja në fushën e politikës gjuhësore të shqipes ka ndryshuar. Jo vetëm nuk ka një politikë të vetme imponuese, jo vetëm janë shfaqur disa drejtime deri në konflikt midis tyre, por edhe tërësia e rrethanave në të cilat hyn shqipja në mijëvjeçarin e ri e shtron si kërkesë përpunimin e një politike që t'u përgjigjet pikërisht rrethanave të reja dhe të mos ngecë në rrjetën e problematikës, që i takon së kaluarës. Shumësia e orientimeve të sotme në politikën gjuhësore shkon nga pranimi i gjuhës standard, duke nënkuptuar përpunimin e mëtejshëm, siç është i natyrshëm për të gjitha gjuhët e tjera, deri te qëndrimi më i skajshëm, se dy variantet u përkasin dy orientimeve kulturore-historike të ndryshme dhe bashkë me ndarjen kombëtare duhet të shkëputen sipas modelit të ndarjes së serbishtes me kroatishten.
* * *
Dëshiroj të nxjerr në dukje, se librat, punimet, shkrimet, artikujt, diskutimet në këtë lëmë kanë dy karakteristika themelore: e para, ato shërbejnë për ta përçuar politikën, por në mënyrë që ajo të bëhet e pranueshme, bindëse ose tërheqëse. E dyta, ato karakterizohen nga protagonizmi, domethënë autorët duan të tregojnë veten, të imponojnë veten, të nxjerrin përfitime për veten sot dhe në perspektivën historike. Për të qenë konsekuent deri në fund, këtë e pohoj si dukuri objektive shqiptare, jo në mënyrë përçmuese për të tjerët, domethënë nuk e përjashtoj veten nga kjo karakteristikë. Sesionet shkencore të vitit 1952 ishin mbulesa për masat shtetërore që kishin nisur të zbatoheshin. Protagonizmin e përfaqësonin referuesit dhe diskutuesit që nuk ishin gjuhëtarë dhe që madje as u morën më me gjuhësi. Prof. A. Kostallari ka shkruar gjerësisht për konvergjim, njësim, bashkëveprim, ndërveprim, koine sui generis, ndërthurje organike etj., për ta mbuluar faktin që si gjuhë standard po vendosej një variant me bazë toskërishten, natyrisht, një variant i shqipes si gjuhë letrare, që e përfaqësonte shqipen gjithnjë e më gjerë duke u pasuruar e përpunuar më tej. Protagonizmi i tij ishte për ta paraqitur veten si themeluesin e shqipes standard, madje si arkitektin e veprave themelore kodifikuese: drejtshkrimit e fjalorit normativ (LLOSHI, 1991). A. Pipa ka folur gjerësisht për ringjalljen e gegërishtes letrare, për dështimin e gjuhës standard si diçka artificiale, si stratagjemë politike, që i shërbente kolonializmit dhe hegjemonizmit të një pjese minoritet të kombit mbi pjesën tjetër. Në thelb ai kërkonte rivendosjen e po kësaj gjendjeje, duke bërë gegërishten e Shkodrës mjet hegjemonizmi e stratagjemë të një politike dhe, në rast pamundësie të kolonizimit, të shkëputej pjesa jugore e popullsisë si joshqiptare, si myslimano-bizantine. Protagonizmi i tij nuk është në fushën e kodifikimit gjuhësor, por e integron atë në një rrafsh më të gjerë politik: A. Pipa e shihte përçarjen gjuhësore si një mjet për t'i shkaktuar çarjen mburojës së komunizmit në Shqipëri duke e parë veten kështu si hero të antikomunizmit. Kjo nuk u realizua sepse ishte tepër vonë; ndërsa ai kujtonte se diktatura në Shqipëri do të vijonte të paktën edhe një brez, kur doli libri i tij tashmë muri i Berlinit ishte rrëzuar. A. Pipa u kthye në nismëtar të revanshit.
* * *
Duke mos hyrë në hollësitë e pafund të kësaj polemike, dëshiroj të tërheq vëmendjen te thelbi i problemit. Është përpunuar një arsenal kundërvëniesh, që lavdërojnë ose nxijnë një interpretim, si p.sh.: kombëtar - antikombëtar, përparimtar - reaksionar, konvergjencë - divergjencë, afrim - largim, bashkim - përçarje, mbarëkombëtar - lokalist, zhvillim i planifikuar - spontan, demokratik - diktatorial, marrëveshje - imponim, rrafshim - diversitet etj.
Nga shtjellimi i derikëtushëm besoj se del e qartë, që në shekullin XX vendosja e një gjuhe shqipe standard detyrimisht do të shoqërohej me mbizotërimin e një baze dialektore, që pashmnagshmërisht në kohën e zgjidhjes dhe pavarësisht se cila do të ishte zgjidhja, do të perceptohej si mbizotërim i një orientimi kulturor, si hegjemonizëm. Sot kemi një gjuhë standard, që i shërben kulturës shqiptare mbarëkombëtare. Studimi i historisë së saj kërkon një interpretim shkencor, i cili të mos e nxjerrë këtë studim përtej caqeve shkencore, të mos e shndërrojë atë në armë të luftës politike aktuale dhe të protagonizmit të aktorëve të rinj, e më konkretisht të mos e riaktualizojë luftën për pushtet në gjuhë, synimin për mbizotërim dhe hegjemonizëm. Në kontestimin prej vitit 1991 u ringjall pikërisht problematika e mbisundimit, ndërsa arsenali i kundërvënieve të mësipërme është makiazhi i saj. Në rast se interpretimet në diskutimin e sotëm do të heqin dorë nga kjo mënyrë dhe nga protagonizmi, kemi shpresë se do të kalojmë në hullinë e shkencës së mirëfilltë, do ta kapërcejmë konfliktin gjuhësor, do të merremi me përpunimin e një politike gjuhësore të orientuar nga e ardhmja dhe jo nga fantazmat e së kaluarës, kurse një politikë e tillë do të ndihmonte për të kapërcyer edhe krizën e planifikimit e të kodifikimit gjuhësor. Ndërkaq, ndryshe nga ajo që kam trajtuar dhjetë vjet më parë (LLOSHI, 1991), sot më del si shqetësimi kryesor shfrytëzimi për qëllime ideologjike i fatit të variantit letrar të gegërishtes dhe viktimizimi i saj, duke zbatuar për të tërësinë konceptuale që ka të bëjë me të drejtat e gjuhëve rajonale dhe të pakicave. Gegërishtja në të gjitha shfaqjet e saj është pjesë e pandashme e kulturës kombëtare shqiptare, brenda shqiptarëve nga kjo pikëpamje nuk ka vend për asnjë hije të konceptit për minoritetin, kurse çdo përparim e sukses i trajtave mbi bazën e gegërishtes në letërsinë artistike, në gjuhën e skenës, të këngës etj. është një ndihmesë në pasurimin e shqipes përgjithësisht. Më duhet të përsëris tezën, që e kam nbrojtur prej dhjetëra vjetësh, se të dyja bashkë, norma dhe variacioni, janë faktorë të gjallërisë së një gjuhe.
* * *
Për kapërcimin krizës gjuhëtarët duhet të rifillojnë gjallërisht detyrën e tyre, t'u imponohen me autoritet shkencor institucioneve dhe komunikimit publik, të mos e lënë kulturën e gjuhës në duart e dashamirësve diletantë që shkruajnë në shtyp. Hapi i parë është të përpiqen për rivendosjen e prestigjit të gjuhës standard. Për gjuhën shqipe letrare nevojitet koncepti i gjuhës së hapur dhe i dinamizmit, si baza e një orientimi të gjerë kulturor kombëtar që të përballojë sfidën e kohës dhe të jetë koncepti mbizotërues i politikës dhe planifikimit gjuhësor për një të ardhme të kapshme. Autorët e vjetër e bënë shqipen gjuhë të shkruar. Rilindasit e bënë gjuhë të kombit. Pas Pavarësisë ajo u shndërrua në shqipen e sotme dhe të një jete shtetërore. Më 1972 i dhamë trajtë si gjuhë standard të mbarë kombit. Tashti, në mijëvjeçarin e tretë na duhet shqipja e hapur për etapën e identitetit në rrethanat e lëvizjes e të shpërhapjes, të dygjuhësisë dhe të integrimit, na duhet shqipja dinamike në epokën e globalizmit.


Diskutime mbi këtë mund të gjeni tek Forumi ynë


Marrë nga Gazeta shekulli



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa