Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Gjebrea në krahët e “të nxehtës” Brigitte Nielsen

Alma Mile

Festivali “Kënga Magjike” hap sot siparin në Pallatin e Kongreseve. Janë 38 këngë, prej të cilave vetë këngëtarët pjesëmarrës do të zgjedhin fituesit. Në krah të Gjebresë prezanton aktorja Brigitte Nielsen, ndërkohë që do të jenë të ftuar Neja, Cim Lucas, Natali Aarts


Për të pestin vit me radhë, në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve, hap sot siparin Festivali “Kënga Magjike”. Ndonëse ende në fillimet e tij, ky eveniment muzikor i cili i është shtuar veprimtarive të fundvitit, ka mundur të konkurrojë bindshëm festivalin tradicional të RTSH-së. Edhe pse për producentët e këtij festivali, Vera Grabocka dhe Ardit Gjebrea, nuk është viti i parë që ndodhen në pozicionin e organizatorëve, të qënit një jubile, i bën të ndihen më në ankth se vitet e tjera. Gjithçka duhet të jetë perfekte. Dje në sallën e madhe të Kongreseve janë zhvilluar provat gjenerale. Këngëtarët dhe prezantuesi Gjebrea përsërisnin për herë të fundit lëvizjet në skenë, ndërkohë që regjisorja Grabocka, bënte vërejtjet e rastit. Janë 38 këngë që konkurrojnë në Festivalin “Kënga magjike”. Çdo natë prezantohen 19 këngë, ndërsa në finalen e shumëpritur për kur janë ruajtur dhe shumë surpriza, do të mbërrijnë vetëm 15 prej tyre. Mes interpretuesve pjesëmarrës spikasin emra të këngëtarëve të njohur, por edhe fare të rinj, të cilët marrin pjesë në këtë ngjarje muzikore për herë të parë. “Duke e krahasuar me vitet e tjera, krijimtaria që merr pjesë në këtë edicion jubilar të “Këngës Magjike”, ka një cilësi artistike shumë të lartë. Mund të them pa frikë që janë prodhimet muzikore më të mira të të gjitha viteve të këtij aktiviteti. Do ta quaja shumë të rëndësishme rikthimin e shumë këngëtarëve të njohur, si Aleksandër Gjoka, Fitnete Tuda, Albërie Hadërgjonaj, Ledina Çelo, etj, pasi kjo është një dëshmi e mirë e besueshmërisë që ka krijuar ky aktivitet”, - thotë Gjebrea. Përveç tyre do të marrin pjesë edhe grupet “Ëest side familly”, “The Dreams” me këngën “Më bind”, këngëtaret Jonida Maliqi, Mimoza Ahmeti me këngën e shkëputur nga albumi i saj i dytë “Arti i jetës në vetmi”, Uejda El Sajed me “Ndërro”, Mira Konçi, Rovena Dilo, etj. Një ndër pjesëmarrësit është edhe Klajdi Musabelli, i cili vjen jo vetëm për herë të parë në këtë festival, por do të paraqitet dhe me një krijim të tijin. “Emocionet janë shumë më të mëdha. “Këngët e stinës” ishte një aktivitet i rëndësishëm, por rinor, kurse këtu përgjegjësia është shumë më e madhe, pasi edhe niveli artistik është shumë më i lartë”, - thotë Musabelliu, duke shpresuar për ndonjë çmim të mundshëm. Një tjetër element, i cili nuk mund të shpëtojë pa rënë në sy është edhe skenografia e realizuar mjeshtërisht nga skenografi Bashkim Zahaj dhe që në këtë edicion të pestë vjen edhe më madhështore se herët e tjera. Si për të shmangur çdo lloj abuzimi me çmimet, si dhe thashethemet e postfestivalit, mënyra e shpalljes së trofeve, këtë herë është menduar ndryshe nga çdo edicion tjetër. Do të jenë vetë këngëtarët, të cilët do të votojnë për njëri- tjetrin. Në natën finale do të kalojnë vetëm 15 këngë dhe interpretuesit e tyre, të cilët do të jenë pas kuintave, do të votojnë dhe në bazë të votave të tyre do të shpallen fituesit. Ndërkohë që çmimet do të jenë po ato të viteve më parë, si “Interpretuesi më i mirë”, “Muzika më e mirë”, çmimi “Look”, etj. Duke qenë një përvjetor, producentët e këtij aktiviteti, Grabocka dhe Gjebrea, janë munduar të sjellin në skenën magjike më tepër të ftuar. Një nga këta do të jetë këngëtari grek Liveriatos, i cili është në majat e të preferuarve në Greqi. Një tjetër surprizë do të jenë tre këngëtaret Neja, Cim Lucas, Natali Aarts. Neja do të këndojë natën e parë, ndërsa dy këngëtaret e tjera natën e dytë. Sipas producentëve, pjesëmarrja e tyre në natën finale do të varet nga pritja që do t'i bëjë publiku. “Nata finale do të jetë shumë e ngjeshur dhe çdo numër do të kalojë në lupë”, - shprehen ata. Një tjetër e ftuar do të jetë Elsa Lila, ndërkohë që dyshja Gjebrea-Grabocka, kanë ruajtur të tjera surpriza për netët e festivalit. Ky aktivitet do të transmetohet drejtpërdrejtë nëpërmjet valëve të televizionit kombëtar “Klan”.

Brigitte Nielsen
Një aktore “e nxehtë” partnere e Gjebresë
Ajo është shumë e interesuar të marrë pjesë në këtë ngjarje muzikore. Ka marrë shumë informacione rreth Shqipërisë dhe prezantimi në skenën e festivalit “Kënga magjike” i duket një ide shumë interesante. Natën finale të festivalit, në krah të prezantuesit Ardit Gjebrea, do të jetë dhe një bionde shtatlartë nordike, Brigitte Nielsen. Sipas producentëve të aktivitetit, ajo ka anulluar fluturimin e ditës së dielë, për të ardhur një natë më parë, për t'u njohur më mirë me vendin tonë, por edhe për të bërë provat paraprake. Fillimisht Gjebra ka kontaktuar me manaxherin e saj dhe më pas me vetë Brigitte Nielsen, e cila prej telefonatave të herëpashershme, duket tepër optimiste për ardhjen e saj në Shqipëri. Tashmë është bërë një traditë në festivalin e “Këngës magjike” që në krah të prezantuesit Gjebrea të jetë një “show girl” e huaj. Për dy vjet rresht këtë rol e ka luajtur shpërthyesja Natalia Estrada, që sipas Gjebresë ka qenë me të vërtetë një mrekulli, por që kishte ardhur koha të ndryshonte shije. Nielsen është një aktore mjaft e njohur, e cila ka luajtur në shumë filma në krah të aktorëve të mëdhenj, ndër të cilët dhe Sylvester Stallone, ish-bashkëshorti i saj. Por gjithashtu ajo është edhe një prezantuese e disa spektakleve televizive. “Duke qenë partnere e Pipo Baudos në “Sanremo”, çfarë mund të gjeja më mirë?!”, - thotë Ardit Gjebrea, duke shtuar se gjithmonë organizatorët e “Këngës Magjike” kanë qenë në kërkim të majave më të larta në fushën e prezantimit. “Kështu që gjetëm një emër si Brigitte Nielsen, e cila vazhdon të jetë një “vajzë e mbarë”, pasi ka shumë për të dhënë dhe është profesioniste. Mendoj se do të jemi një çift shumë i mirë në skenë”.
Karriera e saj si aktore ka nisur herët, por do të kishte kulmin e vet pas viteve '85. Pikërisht në vitin 1985 do ta gjejmë në krah të aktorit dhe regjisorit Silvester Stallone në filmin “Rocki IV” si dhe në filmin “Red Sonja” të Richard Fleischer. Filmat ndjekin njëri-tjetrin dhe nuk ka vit, në të cilin ajo të mos ketë qenë e impenjuar me ndonjë të tillë. Disa nga filmat e tjerë ku ajo ka qenë protagoniste janë: “Cobra”, “Bye, Bye baby”, “Murder by moonlight”, “Domino”, Mission justice”, “Fantaghiro I – V”,
“Compelling Evidence” i regjisorit Donald Farmer, “Galaxis”, “Codename: Silencer”, e shumë të tjerë. Brigitte Nielsen, e lindur në 15 korrik të vitit 1963 në Danimarkë, nuk është e panjohur për publikun shqiptar. Shumë prej filmave ku ajo ka interpretuar janë shfaqur në ekranet e televizioneve shqiptare. Sapo ta shohin në skenën e “Këngës Magjike”, shumë kanë për të sjellë ndër mend bionden “e fortë” të filmave “action”.

 

 

 


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa