Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Bashkëshortja e Ahmet Zogut u varros dje pas një ceremonie pa protokoll shtetëror

Geraldina përcillet në banesën e fundit

Leka Zogu lë në mes ceremoninë në Sharrë. Rëndohet gjendja e tij shëndetësore


TIRANË - Mijëra njerëz kanë nderuar dje Geraldinën që në orët e para të mëngjesit dhe deri pas mesdite, kur ajo u varros në varrezat e Sharrës. Në një ceremoni të organizuar tërësisht nga komisioni i përbashkët i Partisë së Legalitetit dhe familja Zogu ra në sy mungesa e presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit, megjithëse ky i fundit e bëri vizitën e tij një ditë më parë në familjen Zogu. Ndërsa në ceremonitë e organizuara si në homazhet që u bënë në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë në Tiranë, ashtu edhe në meshën e organizuar në Katedralen e Shën Pjetrit në Tiranë, nën drejtimin e monsinjor Rrok Mirditës, arqipeshkv i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, morën pjesë politikanë të të dy krahëve të politikës shqiptare, përveç përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe mjaft miq të familjes Zogu jashtë vendit.
Fillimisht, shumë njerëz të njohur ose jo janë mbledhur për t' i dhënë lamtumirën e fundit Geraldinës në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë. Figura e saj u vlerësua mjaft nga të pranishmit. Zv/kryeministri Meta, i cili shoqërohej edhe nga bashkëshortja Monika Kryemadhi tha se Geraldina është e vetmja mbretëreshë e shqiptarëve që do të kujtohet me mall nga ata. Edhe kryetari i PD-së Berisha, pasi u kthye në vitet e shkuara, tha se Geraldina e meriton t'i bëhen të gjitha nderimet si mbretëreshë e shqiptarëve. Të tjerë përfaqësues të politikës shqiptare kanë qenë edhe i dërguari i qeverisë, ministri i Shtetit Blendi Klosi, deputetët Zela, Muçi, Legisi, etj., nënkryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, Pjetër Arbnori, Bamir Topi, Genc Pollo. Ndërkohë jashtë sallës së homazheve ndodheshin mijëra njerëz që kishin ardhur nga Kosova dhe nga trevat e tjera shqiptare. Në ceremoninë e homazheve ku ndodhej Leka Zogu dhe e shoqja e tij Suzanë, i biri Leka si dhe kushërinj të tjerë të familjes kanë ardhur ta vizitojnë edhe përfaqësues të trupave diplomatikë, të Britanisë, SHBA-së, Francës, Italisë, Greqisë, Turqisë etj. Homazhe kanë zhvilluar përfaqësues të lartë të trupit diplomatik në Tiranë, njerëz të njohur të artit dhe të kulturës, akademikë, si edhe përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri. "Unë dua të vdes në Shqipëri në tokën shqiptare, dhe në mes të shqiptarëve", ka qenë një nga diçiturat e vendosura në sallën ku ndodhej trupi i Geraldinës , ku ishin ekspozuar një grup fotografish nga dasma e saj me Mbretin Zog.

Mesha në kishë
Pas homazheve, trupi i Geraldinës i cili u mbajt në krah nga njerëzit e pranishëm në ceremonitë e zhvilluara, u drejtua në Katedralen katolike Shën Pjetër, ku u mbajt edhe mesha e përshpirtjes për të. Një radhë e gjatë njerëzish ka vazhduar të qëndrojë pranë Shtëpisë Qendore të Ushtrisë dhe Katedrales në pritje të nderimit të Geraldinës, gruaja e Mbretit Zog, një konteshë me origjinë hungareze, e cila u largua nga Shqipëria më 6 prill të vitit 1939, për t'u rikthyer në Shqipëri në qershor të këtij viti mbas një mërgimi 63 -vjeçar. Trupi i së ndjerës mbuluar me lule dhe kurora të shumta, shoqërohet nga pjesëtarë të familjes mbretërore, pretendenti për fron Leka Zogu me bashkëshortja Suzanë, nipi i saj, Leka, motra e së ndjerës, Silvana Myselier, mbesa e Geraldinës, kontesha Julia Hendriks, dy princesha nga Franca që kanë lidhje farefisnore me Mbretëreshën, si edhe pjesëtarë të familjes Zogu. Në këtë ceremoni morën pjesë me përfaqësitë e tyre, rreth 50 oborre dhe familje mbretërore në botë. Muzika kishtare e Ave Marisë priti arkivolin e Geraldinës, një arkivol ku spikaste, shqiponja me dy krerë, një simbol i monarkisë, si dhe kryqi. Mesha e Lamtumirës në Katedralen e Shën Pjetrit në Tiranë, u mbajt nën drejtimin e monsinjor Rrok Mirditës, arqipeshkv i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë. "Të lutemi që shënjtëria e saj Geraldinë të hyjë në të përzgjedhurën në shekuj të shekujve", -tha Imzot Rrok Mirdita në fillim të kësaj meshe. "Zoti kjoft me ju". "Jemi këtu në tempullin e Zotit për të përcjellë në banesën e fundit një figurë madhore, Geraldinën. Zoti u dhëntë të afërmve të saj forcën për të përballuar dhimbjen dhe ajo u prehtë në paqe", -tha Imzot Rrok Mirdita.

Sharra
Ceremonia e funeralit të përcjelljes së Geraldinës për në varrezat publike është cilësuar nga qeveria si ceremoni civile dhe jo shtetërore, prandaj masat në varreza janë i ka marrë Bashkia e Tiranës.
Qytetarë të thjeshtë, të ardhur nga shumë qytete të vendit, kanë marrë pjesë në këtë ceremoni mortore të organizuar në varrezën publike të Sharrës në perëndim të Tiranës, ku nuk kanë munguar edhe shume lule dhe kurora të sjella jo vetëm nga individë, por edhe shoqata të ndryshme nga Shqipëria, Europa dhe Amerika. Nuk kanë munguar në këtë ceremoni edhe kurora me lule nga fshati i lindjes së Mbretit Zog, Burgajet i rrethit të Matit, si dhe nga zona të tjera të këtij rrethi. Leka Zogu nuk ka mundur dot të durojë deri në fund të varrimit të nënës së tij, pasi gjendja tepër e rëndë emocionale nuk e ka lejuar.

 

marre nga gazeta shekulli


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa