Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
Intervistë me Migjen Kelmendin, botuesin e gazetës së vetme në gegërisht në të gjitha trojet shqiptare.

Gegërishtja nuk është e destinuar të zhduket

"Ne synojmë rritjen e tolerancës brenda kulturës shqipe", - thotë Migjen Kelmendi, botues i gazetës së vetme të mirëfilltë që përpiqet të konservojë gegërishten e shkruar.

Kelmedi ka kaluar dy të tretat e jetës së tij duke u brumosur me respektimin e standardit gjuhësor, ndërsa tani është bërë mbrojtësi më i flaktë i gegërishtes. Akuza me të cilën përballet gjerësisht në Kosovë është se ai vetë nuk është në gjendje të shkuajë ashtu siç duhet gegërishten, pasi është brumosur tashmë me standardin gjuhësor dhe një pjesë e mirë e publikimeve të tij respekton këtë standard. "Besonim se ishim në rrugë të mbarë deri në vitin 1990", - thotë ai vetë; "por, pas rënies së komunizmit në Shqipëri, dhe rritjes së komunikimit me Tiranën, na dha mundësi të kuptonim se sa larg ishte ai standard që ne e kishim mësuar me shpresë për të eliminuar ndasitë, nga standardi që përdoret në Tiranë. Kuptuam se sa shumë ishim larguar nga njëri-tjetri". Intervista e mëposhtme publikohet në Tiranë sipas standardit gjuhësor me lejen e vetë Kelmendit. Me këtë akt, ai dëshiron të tregojë se lufta e tij për gegërishten nuk synon të fyejë ato që dinë të flasin standardin, por thjesht t'u japë të drejtë atyre të cilët kanë mësuar nga nëna të flasin gegërisht, se gjuha e tyre nuk është turp.

Zoti Kelmendi, cilët janë arsyet që ju kanë shtyrë të bëni një gazetë në gegërisht?
Gazeta "Java" publikohet pjesërisht në gegërisht, është e para media e tillë që prej 30 vitesh në Kosovë. Arsyeja që na shtyu të hedhim këtë hap është se gegërishtja ka qenë e ndaluar dhe përdorimi i saj në media ishte tabu. Tabuja është gjithmonë shumë provokative, por kjo çështje nuk është thjesht thyerje tabush pasi lidhet me nevojën e rishikimit të standardit gjuhësor aktual. Problemet e krijuara nga kongresi i gjuhësisë duhet të diskutohen sot për të gjetur një zgjidhje dhe për të mos e kthyer nevojën për mbajtjen e kongresit të dytë në një tabu tjetër në brendësi të gjuhës shqipe. Ashtu siç është thënë në editorialin e numrit 1 të gazetës "Java", çështja e gegërishtes i përket para së gjithash nevojës për rritjen e tolerancës brenda kulturës kombëtare. Aktualisht është e vështirë të flitet për tolerancë në kulturën shqipe, pikërisht për faktin se kjo kulturë është agresive ndaj idiomës më të vjetër dhe më të përdorur të gjuhës shqipe. Kur them më të vjetër, kuptoj faktin se dokumentet e parë të shqipes së shkruar i përkasin kësaj idiome. Nëse ne në Kosovë flasim për standardin gjuhësor, nuk mund të hiqemi të shurdhër për gegërishten pasi gegërishtja është realiteti gjuhësor i Kosovës. Qëndrimi prej shurdhi ndaj këtij realiteti para së gjithash nuk është shkencor, ndërsa nuk mund të konsiderohet as njerëzor. Ne e nisëm publikimin e "Javës" si një thyerje tabush, por sot kuptojmë se është një çështje e tolerancës kulturore.

Akademia e Shkencave të Beogradit ka propaganduar gjithmonë idenë se shqiptarët e Shqipërisë janë një popull i ndryshëm nga shqiptarët e Kosovës. Propagandimi i gegërishtes është konsideruar gjithmonë si një hap përçarës dhe vlerësohet se përvetësimi i standardit gjuhësor nga krahinat ku fliten dialekte është konsideruar gjithmonë si një sakrificë në emër të unitetit kombëtar. Juve a nuk mendoni se keni hapur një problem që në fund të fundit konsiderohet përçarje?

Prania e dy trungjeve kryesore në gjuhën shqipe është dhe ka qenë gjithmonë një realitet. Ai shtet serb që përdorte këtë fakt si argumentim për ndarjen e Shqipërisë nga Kosova nuk ekziston më dhe nuk është i pranishëm në Kosovë. Për këtë arsye, ne kemi mundësi të flasim rreth këtij problemi. Standardi gjuhësor nuk ka pasur kurrë sukses në Kosovë përderisa mbi 80 për qind e popullatës nuk e njeh atë. Ne mendonim se deri diku e kishim përvetësuar standardin gjuhësor, por me rritjen e komunikimit mes shqiptarëve zbuluam realitetin e hidhur se sa ndryshëm flasim shqip. Për shkak të moskomunikimit të gjatë, standardi gjuhësor ka marrë në Kosovë deformime të rënda të cilat na detyrojmë të rishikojmë në mënyrë shkencore problemin. Gazeta "Java" nuk ka marrë përsipër të gjejë zgjidhjen e këtij problemi, por ne dëshirojmë të shfaqim realitetin gjuhësor të Kosovës dhe për të hapur debatin rreth nevojës së ndryshimeve.

Si e vlerësoni rolin e Kongresit të Gjuhësisë në krijimin e kombit shqiptar?

Na thonë se pa Kongresin e Gjuhësisë nuk do të kishte ekzistuar kombi, por e vërteta është se shqiptarët kanë ekzistuar edhe para vitit 1972 dhe kanë jetuar edhe pa standard gjuhësor. Si vallë ia kemi dalë mbanë të komunikojmë, të shkruajmë apo vajtojmë ne pa standard gjuhësor?! Ne nuk mund ta konsiderojmë vitin 1972 si një pikë fatale në ekzistencën e kulturës shqiptare. Fakti që ne na nevojitej një standard gjuhësor është i pamohueshëm, por politizimi i tejskajshëm i kësaj çështjeje nga qeveria komuniste e asaj kohe nuk ishte i nevojshëm. Standardi gjuhësor është një hap për thjeshtimin e komunikimit mes njerëzve, por viti '72 nuk e ka thjeshtuar aspak komunikimin mes shqiptarëve. Përkundrazi! Ai e ka komplikuar komunikimin. Ka shumë argumente për këtë përfundim: Së pari, është efektiviteti i ulët i letërsisë shqiptare. Së dyti, është prania me bollëk e paragjykimeve që ekzistojnë në Tiranë për të gjithë ato që flasin gegërisht si malok, shpellar, apo primitiv. Është ky standard që vazhdimisht ka prodhuar dhe mbështetur paragjykime dhe stereotipe mes kulturës shqiptare. Është ky standard që e pakëson fuqinë dhe diversitetin e gjuhës shqipe. Të gjithë njerëzit që kanë kërkuar rishikimin e standardit gjuhësor janë akuzuar menjëherë si përçarës. Unë kisha me thënë të kundërtën. Pikërisht përçarja e shqiptarëve është bërë në vitin 1972 duke e futur vetëm një idiomë të gjuhës shqipe në standard dhe duke lënë gjysmën e gjuhës jashtë. Është pikërisht mohimi i gegërishtes në standard ajo që po krijon dy gjuhë shqipe, ndërkohë që pranimi i kësaj idiome në standard do ta zgjidhë problemin. Realitetet e sotme gjuhësore më japin të drejtë për këtë. Tridhjetë vite pas vendosjes së standardit dhe propagandimit të gjithanshëm të tij, një pjesë e mirë e shqiptarëve të Shqipërisë vazhdojnë të flasin ndryshe. Nëse më pyesni se jam apo jo kundër vendosjes së standardit, unë ju them jo. Nevojitet një standard. Por unë kritikoj me forcë mënyrën se si kultura shqiptare iu përgjigj sfidës së standardit. Një copë rrugë është bërë me këtë standard. Të gjithë ato që e kanë kritikuar atë nuk kanë kërkuar për asnjë çast rrëzimin e këtij standardi dhe ndërtimin e një standardi tjetër me bazë gegërishten. Asnjë njeri që mendon seriozisht për nevojën e ndryshimit të standardit nuk kërkon ndryshimin rrënjësor të tij. Kërkohet thjesht që të kapërcehet parimi diktatorial me të cilin u krijua standardi dhe vendosja e parimeve demokratike për këtë çështje. Standardi duhet të gjejë zgjidhje që i vijnë për shtat jo vetëm një pjese të gjuhës shqipe, por të gjithë gjuhës.

Pra ju kërkoni vetëm legalizimin e gegërishtes në standard?

Më së pari nevojitet të hiqet tabuja ndaj gegërishtes. Duhet që të pranohet publikimi i materialeve në gegërisht. Duhet që njerëzit që flasin gegërisht të lejohet të punojnë në media. Që nga krijimi i Parlamentit të Kosovës, shumë deputetë nuk e njohin standardin dhe përpiqen të flasin sipas standardit. Gjuha që përdoret realisht nuk respekton asgjë.
Intervistoi: Gjergj Erebara


Diskutime mbi këtë mund të gjeni tek Forumi ynë


Marrë nga Gazeta shekulli



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa