Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

“Çifti i shqyer” i Dario Fo-së kthehet sërish në skenë. Aktori protagonist i kësaj shfaqjeje, Gazmend Gjoka, rrëfen për teorinë e çiftit të hapur

Gazmend Gjoka, ky burrë “tradhtar”

Kjo komedi e Dario Fo-së është një apel për plagët e shoqërisë shqiptare, për shkatërrimin e familjes, për lidhjet që me kalimin e kohës po prishen, po degjenerojnë


Admirina Peçi
Gazmend Gjoka dhe Olta Daku ne "Cifti i Shqyer" i Dario FoËshtë një burrë tradhtar që u vjen rrotur shumë grave. Do që të ketë shumë të dashura përreth. Do që të jetë një burrë i mbytur në liri. E mbi të gjitha, ai do që këtë gjë gruaja e tij ta pranojë me qetësi. Kërkon me ngulm që lidhjen me gruan e tij ta konsiderojnë si një çift i hapur që pranon dhe marrëdhënie të tjera nga bashkëshortët. Është një model i ri i moralitetit. Kështu e ka konceptuar bashkëjetesën e tij me gruan e tij, ky burrë. Krenar e kokëfortë vazhdon ta poshtërojë gruan e tij. Herë i çon një dashnore në shtëpi e herë i çon një tjetër. Kjo është diçka krejt normale për të. Madje ai pretendon që e shoqja ta respektojë deri në fund idenë e tij mbi “çiftin e hapur”. Sipas tij, janë rregulla e privilegje që vlejnë për të dy. Por ai nuk e dinte se sa dhemb kjo lojë. Nuk e dinte se gruaja e tij një ditë do t’iu kthehej ta luftonte me armët e tij. Një ditë të bukur ajo gjen vetë një të dashur dhe krejt e qetë ia tregon të shoqit aventurën e saj të re. Është normale. Janë apo s’janë “një çift i hapur”? Po ku mund të durojë ndërgjegjja e këtij burri që është mësuar vetëm të shkaktojë plagë tek të tjerët? Ai nuk mund ta pranojë. Kurrsesi. Një grua që e tradhton? Jo, kjo është një vrasje për të. Vrasje me armët e tij, me idetë e tij të çmendura për “çiftin e hapur”.
***
Po Gazmend Gjoka është një burrë i tillë? Përtej atyre 90 minutave të “Çiftit të Shqyer” mendon vallë dhe Gjoka si ai? Komedia brilante e Dario Fo-së dhe gruas së tij Franka Rami, është një komedi ku ai ka ditur t’i fusë këmbët e të zërë vend rehatshëm aty. Në fakt është një personazh krejt i çuditshëm. Është jashtë të gjitha logjikave që mund të sillen në kokën e Gazmend Gjokës. Në radhë të parë janë idetë e një burri në moshë madhore, janë ide për një lloj bashkëjetese që ai as nuk e koncepton dot. Por edhe pse i këtillë, personazhi i Dario Fo-së i ka ardhur vërtet pas shtatit.
“Është një eksperiencë krejt e re për mua”,- thotë Gazmend Gjoka, ndërsa mundohet të gjejë lidhjet me këtë personazh. “Ai është një burrë në moshë, me disa tipare krejt larg atyre që unë mendoj dhe shoh tek vetja ime. Është një personazh që mendon ndryshe nga unë, për jetën familjare, për çiftin. Është një burrë i cili ka momente jo vetëm të tradhtisë, por edhe të perversitetit. Janë pra disa anë negative që unë do t’i konsideroja si të dyshimta dhe, mbi të gjitha, anë të cilat vihen re edhe në shoqërinë shqiptare, në çiftet shqiptare”. E megjithëkëtë i pëlqen aq shumë kjo komedi e Dario Fo-së. Vetë Fo është ndër autorët më të preferuar të tij. “Unë vetë kam luajtur edhe më parë Dario Fo-në., por jo me kompaninë “Oaz”- thotë Gjoka duke shtuar se tek “Oaz vepra e Dario Fo-së vjen për herë të parë. Vite më parë, ai ka luajtur në një tjetër komedi të Fo-së “Vdekja e Anarkistit” me regjisorin Milto Kutali. “Aty unë ka pasur rolin kryesor, anarkistin. Kanë qenë katër- pesë karaktere brenda atij personazhi. Ai ishte një njeri i çmendur që herë shfaqej në një karakter e herë në një tjetër”,- thotë Gjoka, duke theksuar se nuk është ky “takimi” i tij i parë me Dario Fo-në. “E kam shumë për zemër këtë autor. Që kur kam qenë në shkollë me pedagogun Kastriot Çaushi, unë kam qenë aktor i Dario Fo-së, Atëherë kam interpretuar në shfaqjen “ Jo të gjithë hajdutët vijnë për të keq”. Kam mbresa të veçanta. Që në atë kohë e kam dier edhe miklimin e Dario Fo-së si një penë e jashtëzakonshme”,- thotë aktori.
***
Ai nuk ka emër. Është thjesht një burrë, si gjithë të tjerët. Është një karakter që mund ta hasësh lehtësisht në jetë. Siç thotë vetë aktori, është pikërisht kjo arsyeja që Dario Fo, burrit nuk i ka vënë emër. Ai e konsideron atë thjesht si një mashkull, i cili kërkon vazhdimisht që brenda marrëdhënies me gruan e tij të ketë edhe marrëdhënie me gra të tjera. Por ndryshimi i tij nga burrat e zakonshëm është se ai kërkon t’i legalizojë ato, kërkon t’i ktheje në pjesë te bashkëjetesës, derisa kërkon që ta fusë dashnoren e tij në shtëpi e të jetojë me të bashkë me gruan e tij.
“Shoqëria ku ne jetojmë, apo ajo shoqëri të cilës ia kushtoi Dario Fo, është e mbushur me burra të këtillë, burra që në të vërtetë edhe me një emër sërish nuk dallojnë shumë nga njëri-tjetri”
***
Ajo që e ka mbërthyer më shumë se çdo gjë tjetër tek kjo komedi ( përveç stilit të jashtëzakonshëm të Dario Fo-së) Gazmend Gjokën e ka behasuar problematika dhe plagët e shoqërisë ku zhvillohen ngjarjet, krejt të njëjta e krejt të afërta me plagët shqiptare. Jetët e copëtuara të njerëzve, lidhjet e shkatërruara, bashkëjetesat e pamundura, krimet në familje për xhelozira e motive absurde… të gjithë këto kanë qenë një befasi, një shtysë më shumë për të rendur drejt minutave strapacuese të kësaj shfaqjeje. Në të vërtetë, është një shfaqje e lodhshme. Ata janë gjatë gjithë kohës ay në skenë, duke folur e duke debatuar pa rreshtur, mbi një orë e gjysmë. E megjithëse dy aktorët Gjoka dhe Daku e kanë marrë më shumë si një shpërfaqje e aftësive aktoriale në skenë, shfaqja ju ka kushtuar vërtet shumë energji dhe kohë. Por realiteti shqiptar që ata kanë parë tek kjo komedi ka qenë, veç të tjerash, edhe një shtysë për të besuar se njerëzit do të gjejnë pak nga vetja aty, qoftë edhe një zënkë, apo një debat të konsumuar një ditë a një natë më parë.
Vetë Gjoka thotë se “mbi të gjitha më bën përshtypje se ka shumë të vërteta të jetës në çift. Aty është edhe vetë jeta e Dario fo-së me të shoqen, por kjo, e hedhur padyshim me elementë artistike të jashtëzakonshëm. Por veç kësaj, është edhe një apel për plagët e shoqërisë shqiptare, për shkatërrimin e familjes, për lidhjet që me kalimin e kohës po prishen, po degjenerojnë”.
Shembulli më i mirë i gruas që bie viktimë e këtyre marrëdhënieve të shthurura, është partnerja që ai ka në krah gjatë shfaqjes, gruaja që interpretohet nga Olta Daku. “Gruaja e ndodhur gjatë gjithë kohës nën presionin e të shoqit, kur e kupton se si mund të luftojë ndaj tij, i kthen armën dhe nuk bën asgjë tjetër veçse këtë burrë e bën viktimën e asaj që polli. Pra ky burrë vritet nga arma e vet”,- shpjegon aktori. Duke e parë si partnere pak jashtë rolit për të cilin ajo ka punur gjithë këto kohë së bashku me të, Gjoka thotë se Olta Daku është një partnere shumë serioze, edhe pse një aktore e re. “Nuk i bëj asnjë dallim mes Oltës dhe një aktori tjetër profesionist. Është ndër aktorët më të spikatura të komunitetit të sotëm teatror”,- thotë ai.
***
Pas tetë ngjitjesh në skenën e Akademisë së Arteve me këtë shfaqje Gazmend Gjoka u largua nga Shqipëria. Një koncert në Zvicër e ndau nga “Çifti i shqyer”. Kjo ishte arsyeja që shfaqja u la në mes. Në prag të Vitit të Ri, kur kishte plot njerëz që kërkonin ta shihnin këtë komedi, regjisori Basha u detyrua ta mbyllë shfaqjen e “Çiftit të shqyer” për vitin 2002. Vetë aktori pohon se pas kësaj shkëputjeje e ndien mjaft në formë veten për të veshur sërish petkun e këtij burri me logjikën më të çuditshme që mund të ekzistojë për një bashkëjetesë në një çift. Madje ai pohon se ka ende për të nxjerrë nga vetja e tij dhe për t’ia veshur atij personazhi. Për fat të mirë regjisori Altin Basha ka punuar mjaft që çifti i aktorëve Gjoka dhe Daku të mund të japin maksimumin në skenë. “Besoj se deri në shfaqjen e fundit që do të japim në këtë skenë (në Akademinë e Arteve) do të kem mundësinë të jap sa më shumë nga vetja për këtë personazh”,- thotë aktori, ndërsa rrëfen se menjëherë pas kësaj do të angazhohen me disa turne të gjata.


“Oaz” në turne
Ndërsa e pyet për planet e së ardhmes Gazmend Gjoka rrëfen se ai vetë si aktor nuk ka ndonjë plan konkret. Por me kompaninë “Oaz do të realizojnë disa turne. “I pari është një turne që do ta realizojmë nëpër Shqipëri, e më pas një tjetër turne në Itali. Ndërsa në muajin mars,- thotë Gjoka, - mund të realizojmë një tjetër turne me shfaqjet e kompanisë sonë në Francë”. Por sipas Gjokës, kjo ka vështirësi të tjera. Ana financiare mbetet gjithmonë problem kur bëhet fjalë për iniciativa të këtilla, megjithëse jo rrallë herë kanë gjetur edhe mbështetje. Një ndër mbështetësit kryesorë është Akademia e Arteve, e cila i ka ndihmuar mjaft. Por ka patur edhe mjaft mbështetës të tjerë të cilët
kanë bërë të munduar realizimin e gjithë këtyre shfaqjeve.

Marrë nga Gazeta Shekulli


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa