Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
Lirikja shkodrane, 68 vjeçarja Florinda Gjergji përgatit albumin e saj të parë me perlat e këngës Shkodrane; ajo rrëfen karrierën e saj 50 vjeçare dhe nostalgjitë e skenës

"Bulqizake bukuroshe"
"Margjelo"
"Marshallah bukurisë sate"
Mirka te opera "Mirka"
"Midis ballit m'ke një pikë"
"Jepma mollën" etj


Çifti Gjergji, të pandarë edhe në një CD
Në ekranin televiziv gjithnjë janë shfaqur bashkë. Ndrek e Florinda Gjergji dhe pse kanë kaluar një jetë bashkë duke u lidhur ngushtë dhe me muzikën sërish prezantohen po bashkë. Së shpejti ata do të realizojnë një CD me këngët e tyre e repertorit të tyre duke nisur me kulmin e suksesit të tyre, me këngën më të vjetër shkodrane "Bulqizake bukuroshe". Porse nuk janë shumë "tregtar". Këtë krijim të tyren duan që ta kenë po bashkë dhe t'ua shpërndajnë miqve dhe shokëve. "Nuk është një CD e përgatitur për treg, e kemi bërë për qejf, për veten tonë, me e pa. Do të bëjmë disa kopje dhe do jua dhurojmë miqve dhe shokëve tanë. Porse dua të përmend në këtë CD dhe bashkëpuntorin tim më të ngushtë, bilbilin tonë Big Ndojën me të cilin më shkonte shumë kënga dhe zëri im kombinonte mjaft bukur me këngët që këndonim me Bigun", shprehet këngëtarja Gjergji.

Me zë të ëmbël, mjaft e çiltër këngëtarja shkodrane i kapërcen caqet e një rrëfimi të zakontë. Rreth 50 vjet pa iu ndarë muzikës shkodrane, lirikja e njohur Florinda Gjergji ende ruan freskinë e zërit.
Ka ndjekur gjurmët e të famshmes Marie Kraja, duke "vjedhur" timbrin e saj, ka qenë e preferuara e Tonin Harapit që kompozoi shumë këngë për të. Florinda Gjergji ishte ndër Mrikat e para shqiptare në operën e Preng Jakovës. Ndërsa kënga e saj, e zemrës mbetet si 50 vjet më parë, kënga mjaft e njohur "Margjelo". Porse kujton me mjaft nostalgji bashkëpunimin dhe mësimet që mori nga kompozitori i madh, Preng Jakova. Por jeta dhe karriera e Florindës nuk mund të kuptohen pa bashkëshortin e saj, këngëtarin që kurrë s'u ndanë, Ndrekë Gjergji. Një mik i afërt për liriken shkodrane mbetet dhe bibili i këngës popullore Big Ndoja, me të cilin ka një pjesë të mirë të repertorit të këngëve. Të gjithë karrierën e saj 50 vjeçare, Florinda ka menduar ta mbyllë në një CD që po e realizon enkas për vete dhe për miqtë e tij me këngët më të vjetra shkodrane dhe sigurisht të repertorit të saj, me të cilat është rritur.


U bë dy vjet që jeni shkëputur nga skena…si ndjeheni pa të?
Është e vërtetë kam dy vjet që e kam mbyllur karrierën time. Kam dalë në skenë qysh në moshën 18 vjeçare, e deri më tani bëhen 50 vjet që nuk i jam ndarë këngës. U plaka me muzikën dhe nuk e lëshoj lehtë këtë skenë. Ardhja në spektaklin e Sandër Ruçit, bashkë me artistë të tjerë të Shkodrës ishte një kënaqësi e veçantë për mua. Ne kemi qenë miq të ngushtë me Sandrin madje kemi luajtur edhe bashkë në estradën profesioniste. I kam pritur me një dëshirë të veçantë të gjithë ofertat që më kanë bërë ndoshta dhe pse në këtë mes ka të bëjë repertori. Këngët lirike sigurisht që i pëlqejnë shumë. Repertorin e kam shumë të gjerë me këngë popullore dhe të përpunuara.

Ju jeni ndër liriket e para që keni kënduar kompozimin e Preng Jakovës, këngën "Margjiro" dhe sërish e këndoni atë edhe sot. Si ndjeheni ?

Këtë këngë e kam kënduar për herë të parë në vitin 1973 . Kjo është kënga ime e zemrës dhe gjithnjë e këndoj me shumë dashuri. Kjo është një nga këngët më të bukura të Shkodrës. Me këtë këngë kam një kujtim të veçantë sepse ma ka mësuar vetë mësuesi, krijuesi i këngës Prenga Jakova. Madje atij i dedikohem më shumë sepse më ka mësuar teknikat e këngës, sekretet e zërit na ka bërë më këndu këngë të vështira, e me na ngulit një vullnet mjaft të fortë për punën tonë.

Zëri juaj ka ngjashmëri me atë të lirikes sonë të famshme, Marie Kraja majde dhe repertori juaj duket sikur ecën në të njëjtat gjurmë, rastësi apo …?

Fola më lart për repertorin që kam pas dhe është e vërtetë që duket sikur kam ndjek gjurmët e saj pasi dhe këngët duke nisur që nga "Marshalla bukuria jote", e kënduar nga e madhja, Marie Kraja, bënte pjesë në repertorin tim. Ishte një këngë mjaft e dashur. Zërin është një rastësi porse është e vërtetë se e kam dasht shumë këtë këngëtare të madhe. E kam ndjekur gjithmonë mënyrën se si këndonte, kam marrë gjithmonë timbrin e saj të mrekullueshëm, sepse më pëlqente shumë. I kam të incizuar të gjitha këngët e saj, i dëgjoj, i këndoj dhe dëgjoj veten pastaj, se si i këndoj duke e korigjuar njëkohëisht. Por, Shkodra ka pas këngëtarë të mëdhenj dhe unë kam pas fatin me qenë më e vogal mes tyre.

Jeni këngëtare lirike, më zë mjaft të ëmbël gjë që tregon dhe repertori juaj, dhe sërish ruani freskinë e zërit. Çfarë mendoni se e mban një këngëtare gjithnjë në formë?

Unë gjithmonë e kam ruajtur zërin, nuk kam abuzuar me të dhe nuk kam kënduar me zort. Kur e kam dëgjuar veten se nuk ndjehem mirë nuk kam kënduar sepse dhe ne kemi disa marifete të tonat si këngëtarë para se të këndojmë. Me këtë formë kam arrit të bëj operan Mrika, që jam ndër Mrikat e para. Ndërsa me këngët lirike dhe atë popullore jam rritur duke ngritur një repertor të gjerë dhe për më tepër duke e ruajtur gjithnjë në të njëjtën formë zërin gjë që është e rëndëishme për një këngëtar që të mbijetojë. Edhe sot ndjehem mjaft mirë me këtë zë që kam dhe në formë ndaj nuk hezitoj t'i pranoj çdo herë ofertat që më bëhen.

Ju jeni ndër Mrikat e para shqiptare në operën e Preng Jakovës "'Mrika"? Si e keni përjetuar operën e parë të tuajën por edhe Mirkën e parë shqiptare?

Ajo ka qenë një ëndërr e madhe për mua dhe që do bëhej realitet ka qenë një gëzim i madh. Kjo i takon vitit '58 dhe ende i kam të gjalla ato mbresa. Ishim dy Mrika që dublonim njëra-tjetrën. Nga ky rol me thënë të drejtën u tremba pak. Aria "O ç'janë këto trazime" është pak e rëndë. Isha shumë e re dhe a isha e pjekur për ta përballuar nuk këtë rol nuk e arrija ta kuptoja. Isha vetëm 21 vjeç. Porse kompozitori Preng Jakova ishte kompozitor shumë i madh i cili na dha shumë kurajo. Ai nuk përtonte të punonte me ne ditë e natë. Mrika ishte një vajzë e thjeshtë malësore mirditore, një vajzë e urtë me iluzione, sepse do të shkonte në hidrocentral. Ajo, nuk kish dalë kurrë nga shtëpia e vet. Ndërsa unë vetë isha krejt e kundërta, natyrë mjaft e shkathët. Unë u mundosha me iu përshtat rolit dhe kjo ka qenë një kthesë e madhe edhe në jetën time të përditshme duke marrë virtytet e Mrikës. Në këtë rol më kanë ndihmuar shumë shkrimtari Llazar Siliqi, me atë tekst të mrekullueshëm. Po kështu një ndihmë të madhe më ka dhënë edhe partneri im, në atë kohë tenori i njohur shkodran, Abdullah Kalaci.

Kur mendoni se keni pasur kulmin tuaj me muzikën?

Pa modesti them që unë kam pas shumë kulme gjatë karrierës sime. Jam ndër këngëtaret e vjetra të Shkodrës që kam marrë pjesë në çdo aktivitet koncerte, opereta, opera, ndër orkestra apo koncerte sinfonike etj. Kam dalë turne nëpër botë mjaft shpesh, më shumë se çdo artist. Kam qenë mjaft e preferuar për lirikën e zërit ndërsa më ka ndihmuar shumë edhe natyra ime, çiltërsia. Kam pasur simpatizantët e mi, që bënin këngë apostafat për vokalin tim si Tonin Harapi etj. Në fakt përveç dhuntisë së vokalit, kam qenë dhe një njeri që mësoja shumë shpejt dhe nuk harroja kurrë.

Keni kënduar në opera, këngë popullore të përpunuara dhe një repertor i konsiderushëm janë lirikat shkodrane. Cilën keni pasur më përzemër nga këto zhanre të muzikës?

Shndritja ime më e madhe është në këngët lirike shkodrane. "Marshallah bukurisë sate" dhe "Midis ballit m'ke një pikë" janë perla të shkodranishtes, këngë të mëdhaja, të bukura e të zorshme.
Unë jam me orgjinë shkodrane dhe jam rrit me këtë lirizëm. Prindërit e mi më kanë ndjek nga mbrapa për këtë dhunti që kisha dhe më kanë ndihmuar shumë. Unë i kam ngja nanës me zë dhe ajo ka pas një zë shumë të bukur. Ndaj gjithnjë e kam dasht shumë, shumë kangën. Dhe pse jam në pension e dua dhe e ndjek prapë. Jam shumë e papërtueshme për të kënduar, me dhënë koncerte kudo që të më thërrasin. Më mirë rri pa hangër, se sa rri ka këndu. Ndërsa në opera përveç Mrikës nuk kam marrë role të tjera. Në opereta kam pas disa bashkëpunime me Mark Kaftallin.

Në këto dhjetë vite ka prirje për të hyrë me teknika dhe përpunime të reja tek këngët. A mendoni se me këto ndërhryje kënga shkodrane po ruan origjinalitetin?
Në fakt sot vërej diçka të bukur. Dhe tani që mora pjesë në spektaklin e artistëve shkodranë unë e kam përpunuar "Margjelon". Nuk e këndova ashtu siç e kemi kënduar më parë. Është ndryshuar ritmi por jo melodinë e Preng Jakovës, sepse nuk ka mundësi me që të ndrrohet. Ka këngë që iu bëhet përpunim i bukur dhe del kënga disi me e çiltër duke iu larguar pak arkaizmit. Në fakt lirika shkodrane ka një karakteristikë që ecën, lëviz me kohën. Porse janë disa këngë të cilat po nuk dite t'i këndosh nuk bëhesh këngëtar dhe me to nuk mund të vësh dorë se janë perla siç është "Për mua paska qenë kismet", që studiohet edhe në shkollë.

Ju keni qenë një çift bashkëshortësh që e keni lidhur jetën të dy me këngën…dhe nga ekrani po ashtu ju mbajnë mend…

Edhe në jetën bashkëshortore pata fatin të këndoj. Këndova duete me Ndrekë Gjergjin, bashkëshortin tim. Pra jeta jonë ka qenë shumë e përbashkët. Kemi ndihmuar shoqi-shoqin, kemi kënduar gjithnjë bashkë në estradën profesioniste dhe gjithnjë njerëzit na shihnin bashkë të pandarë. Madje dhe kur na shihnin në rrugë njerëzit na përshëndetnin "Ku jeni çifti Gjergji. Mos u plakshi kurrë!". Ndërsa karrierën tonë me këngën kemi menduar ta përmbledhim në një CD. Po përgatitim një video klip me këngët e repertorit që kemi kënduar gjithnjë, duke përfshirë këngën më të vjetër shkodrane "Bulqizake bukuroshe", me të cilën kemi patur sukses shumë të madh. E kemi përpunuar dhe e kemi realizuar në skenën e natyrës. Nuk është një CD e përgatitur për treg, e kemi bërë për qejf, për veten tonë, me e pa. Do të bëjmë disa kopje dhe do jua dhurojmë miqve dhe shokëve tanë. Porse dua të përmend në këtë CD dhe bashkëpuntorin tim më të ngushtë, bilbilin e këngës shkodrane, Big Ndojën me të cilin më shkonte shumë kënga dhe zëri im kombinonte mjaft bukur me këngët që këndonim me Bigun.

Intervistoi: Violeta Murati

 

(marre nga Gazeta Ballkan)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa